Viron Kona
Radioja
-tregim-
Babai e solli radion të mbështjellë me çarçaf. E mbante me kujdes e tërë delikatesë si një fëmijë të vogël, për ta ruajtur nga ndonjë goditje apo gërvishje gjatë transportit. Me ta vendosur në tavolinë iu mblodhëm të gjithë përreth dhe, teksa ai zgjidhte cepat e lidhur pisk të çarfaçit, mezi prisnim të shihnim radion, që ishte përmendur aq shumë ato ditë në shtëpi. Nga pesë radio që kishin ardhur në lagje, njërën na i dhanë neve, më saktë babait, me motivacionin: “Qytetar me sjellje shembullore në familje e në punë, si dhe veprimtar i dalluar në zgjidhjen e problemeve të lagjes.”
Pas zgjidhjes së çarçafit nga babai, përpara nesh u shfaq një pajisje e bukur në formë kutie në ngjyrë kafe. Në gjysmën e sipërme ajo kishte një katërkëndësh, që dukej si një rrjetë e mbushur me katrorë të vegjël të artë, kurse në gjysmën e poshtme kishte një stelë të hollë e të bardhë, që komandohej nga një rrotëz anësore. Ajo shërbente për të kërkuar stacionet në një kuadrat qelqi të mbushur me shkronja dhe numra në ngjyrë të verdhë, jeshile dhe të kuqe, që të tërhiqnin si magnet. Më poshtë, në mes të radios, shënohej bukur me të verdhë marka “Orion”.
Babai e vendosi me kujdes në prizë pastaj iu drejtua vëllait të madh:
-Hape, se të takon ty, meqë mëson mirë në shkollë dhe, me siguri, do të kesh këmbë të mbarë!
Vëllai kapi rrotëzën që shërbente për ta hapur radion dhe e rrotulloi me ngadalë. Në fillim u dëgjuan disa fishkëllima dhe zëra në gjuhë të huaja.
-Do të ketë ca zhurma, derisa të gjejmë stacionin, - tha babai. Vëllai vazhdoi edhe pak me rrotullimin e rrotëzës. Befas e gjithë dhoma u mbush me tingujt e një kënge në gjuhë të huaj.
-Si këngë italiane duket, - tha vëllai.
-Ndërroje shpejt stacionin, - tha babai.
Nuk e kuptova pse u nervozua. Vëllai qeshi lehtë dhe e mbajti një çast pa e lëvizur rrotëzën.
-Është kënga e Çelentanos, o ba, të lutem, ta dëgjojmë pak.
-E ç`ta dëgjosh, ajo që në titull duket se ç`këngë është!
-Nga e di italishten ti, o ba? – e pyeti vëllai me qëllim që të zgjaste më shumë bisedën dhe ta dëgjonte më gjatë këngën.
-E di, e di, e kam mësuar nga një ushtar italian, që mbaja në dyqan pas luftës. “Furore”, do të thotë tërbim. Larg nga tërbimi, o bir! Prandaj lëvize shpejt dhe na gjej radio “Tiranën”. Ajo është për ne.
Vëllai zuri të kërkojë përsëri. Më në fund u dëgjua një zë femre në shqip.
-Po jep lajmet,-tha babai i gëzuar, - është ora e lajmeve.
Tashmë ai ndihej më i qetë dhe si i çliruar ngaqë u gjet stacioni i duhur. Të gjithë u ulëm pranë radios dhe po dëgjonim me vëmendje. Spikerja fliste për plane ndërtimi dhe për zhdukjen e prapambetjes së vendit. Me të mbaruar, filloi muzika:“Te rrapi në Mashkullorë/Foli Çerçizi me gojë/Mylazim largo taborrë,/lëri djemtë e mi të shkojnë...”
Pas pak te porta e jashtme e shtëpisë u dukën të vinin njerëz.
-Janë ata të partisë dhe të këshillit të lagjes. Po vijnë për të na uruar, - tha babai dhe u kthye nga nëna: -Besoj i ke bërë gati gotat e rakisë dhe embëlsirat…
-Mos u bëj merak, gati i kam të gjitha, - e siguroi nëna.
Në fillim hyri Neçoja, kryetari i këshillit, i shoqëruar nga polici i lagjes Zylfiu. Pas tij vinte Kudreti, zëvëndëssekretari i partisë dhe, Naqja, kryetari i frontit.
-Gëzime paçim gjithnjë!, - i tha Neçoja babait, duke na dhënë dorën të gjithëve sa ishim në shtëpi.
-Sekretari do të vijë nesër, se sot ashtu i doli një punë, - i tha zëvendëssekretari babait.
Ata që erdhën u ulën dhe menjëherë përqëndruan vështrimin te radioja.
-Po vijnë edhe fqinjët, - tha motra, që ishte më e madhe se unë.
-Mirë se të vijnë! - tha babai, i cili nuk e prishte kurrë zemrën.
Nëna nxori tabakanë me gotat e rakisë dhe një kupë me gliko arre. Ajo ishte mjeshtre e vërtetë për të gjitha llojet e glikove: arre, kumbulle, rrushi, portokalli... Të gjithë ia përmendnin atë aftësi.
-Ta gëzoni radion! – uroi i pari kryetari i këshillit dhe e kthehu gotën me fund, -Paske raki të mirë, - i tha ai babait.
-Ma ka sjellë nipi nga Narta, - mbushja përsëri kryetarit, - i tha babai mamasë.
-Ta gëzoni! Ta gëzoni! - uruan dhe të tjerët.
-Të na rrojë Partia! - tha babai, duke u shprehur ashtu si qe bërë zakon në raste të tilla
-Të lumtë goja! - thanë ata dhe i kthyhen gotat gjithë kënaqësi.
Babai i dha shenjë mamasë që t`ua mbushte gotat përsëri.
Në dhomë vazhdonin të vinin njerëz, të cilët, ishin kuriozë të shihnin dhe të dëgjonin radion, që në atë kohë po jepte këngën e kënduar nga Fitnete Rexha:“Qan lulja për lulen obobo/lulen çe këpusin obobo/…
-Eh, ç`këngë! - tha Tarja, gërnetaxhiu, që ishte edhe i pari i orkestrës së lagjes. Me sy të skuqur nga rakia, që e fillonte që në mëngjes, ai vijoi: Dëgjojeni mirë, o vëllezër, këto janë këngë që “nuk vdesin kurrë”! Kam apo s`kam të drejtë? - iu drejtua ai të gjithëve sa ishin në dhomë.
-Ke, s`i s`ke, ke shumë të drejtë! – u dëgjuan disa zëra.
Njëri nga fëmijët e fqinjit, që ishte aty, shkoi prapa radios dhe po e shikonte me vëmendje.
-Çfarë shikon, o bir? - e pyeti babai.
-Ku janë ata xhaxhat që flasin e këndojnë, se s`po i gjej dot. Mos janë të vegjël si xixëllonja dhe nuk duken? - tha vogëlushi.
Të gjithë ia plasën gazit.
Nëna hynte dhe dilte me tabakanë e mbushur gjithnjë plot.
-Shumë shpejt të gjithë banorët e lagjes do të bëhen me radio, - tha zëvendëssekretari i partisë. –Partia ka projektuar ngritjen e një uzine për prodhimin e radiove në Durrës...1).
-Të tilla gëzime paçim gjithnjë! - tha nëna duke shërbyer.
Tashmë shtëpia ishte mbushur me vizitorë kureshtarë, aq sa nuk kishte më vend se ku të rrinin. Një grup fëmijësh kokëqethur dhe të bërë me djersë e baltë nga loja, shtyheshin njëri pas tjetrit te dera e dhomës dhe zgjatnin kokat.
-Qerasi edhe fëmijët! - i tha babai mamasë.
-Ja, tani, menjëherë, edhe për ata kam hequr mënjanë karamele, arra dhe kumbulla vlonjate nga të bahçes, - tha nëna dhe nisi t`i qeraste të gjithë vogëlushët.
-Radio, po radio është! - tha Mezani fqinji ynë me të cilin një gardh na ndante. Duke u hedhur një vështrim të gjithëve, ai psherëtiu: -Eh, ç’ ka bërë frëngu!
-Ç`ka bërë Partia, thuaj o Mezan, lëre frëngun atje ku është se, nuk na e solli ai radion! - i tha zëvendëssekretari i byrosë.
-Eh, na ka mbetur nga të parët kjo e shkretë fjalë. Se kështu thoshnin dikur, - tha Mezani si në faj.
-Është thënie e gabuar kjo, o Mezan. Ne nuk duhet të biem në këto gracka, por të jemi vigjilentë, se armiku i egërsuar nga sukseset tona gati është, na e fut helmin dhe na saboton, - foli Naqja, kryetari i frontit, në mbështetje të zëvendessekretarit
Papritur u dëgjua zëri i ngjirur i Tare gërnetaxhiut:
-Kur themi “Eh, ç’ ka bërë frëngu!”nuk duam të themi ndonjë gjë kundër, por habitemi me zotësinë e atij që e shpiku, pa se nga ç’vend është ai as që duam t’ia dimë.
-E, deomos, radiot jashtë shtetit janë bërë, - tha zëvendëssekretari i partisë, - por ama është Partia që na i gjen dhe na i sjellë edhe nga fundi i botës.
-Të rrojë Partia, se pa atë s`do kishim asgjë, - foli prapë Naqja dhe ngriti gotën që e piu me fund.
-Të rrojë Partia! Të rrojë Partia!, - e pasuan të tjerët.
Tani shishen e rakisë e kishte marrë në dorë vëllai im i madh, i cili hidhte raki kudo ku shihte gota bosh...
-Ama, i zoti ka qenë ai që e ka shpikur, ku i ka vajtur mendja xhanëm! - tha përsëri Tarja.–Gjynah që s’ia dimë emrin, - vazhdoi akoma të flasë, -është i pasur a, i varfër a ...Eh, sa gjëra nuk dimë! – tha dhe psherëtiu.
-Me siguri ndonjë nga klasa punëtore do të ketë qenë, - tha zëvendëssekretari i byrosë, - të mirat materiale në botë punëtorët i prodhojnë, kurse të pasurit, kapitalistët, u qëndrojnë mbi krye dhe i shfrytëzojnë.
-Deri në palcë! - tha kryetari i frontit.
-Gjakun u pijnë!, - tha polic Zylfiu.
Për disa çaste ra heshtja. Radioja tashmë po jepte këngën: “Laje ti moj goce laje/Shaminë e beqarit...”
-Thashë unë, këto janë këngë! - tha përsëri Tarja, duke rrëkllyer gotën e pestë të rakisë dhe pa nga babai duke i treguar gotën bosh. Vëllai i madh ia mbushi menjëherë. Ai e rrëklleu përsëri dhe tha: -More nuk e di pse më mbeti gozhdë, po si nuk e mësuam se kush është ai që e shpiku këtë mrekulli, xhanëm. Askush nuk di të ma thotë?
-Shumë gjëra po na kërkon, o Tare, ndryshoja pak avazin gërnetës, mos i bjerë gjithnjë në një vrimë, - i tha kryetari i frontit - Për ne ka rëndësi radioja dhe, jo kujt i vajti mendja, apo si i vajti, kush e poqi e kush e dogji! Për ta prodhuar, ne e dimë, e ka prodhuar klasa punëtore dhe kaq na mjafton. Zëvendëssekretari i byrosë ta tha, ç`do më tepër ti?
-Të dish më shumë, nuk është keq, - tha Tarja.
-Atëherë na i thuaj ti, o Tare!
-Po ta dija do ta thosha, por mbase e di ky Liloja, djali i Zeno këpucarit, që është me shkollë.
-Disi e ngatërruar është kjo punë, po ne në shkollë na kanë mësuar që radion e ka shpikur shkencëtari i madh rus me emrin Popov, - tha Liloja dhe, si heshti një çast, shtoi: -Por, ata italianët nxjerrin përpara Popovit emrin e Markonit, kurse amerikanët thonë per Teslën.
-E shihni se ç’bëjnë kapitalistët? Edhe shpikjet i gllabërojnë. Janë të pangopur e djallëzorë, - tha me vendosmëri kryetari i këshillit.
-Domethënë kjo radioja “Orion” është ruse, - tha dikush tërë gëzim.
-Jo, - tha djali i Zenos. –Është hungareze.
Të gjithë u prenë. Por, zëvendëssekretari i doli në ballë situatës dhe tha i vendosur:
-Njësoj është, se Hungaria bën pjesë në kampin tonë socialist.
Disa çaste pasoi heshtja. Babai po ndihej i shqetësuar dhe po shihte Lilon, djalin e Zenos që bëri sqarimin, si të priste ndonjë qetësuese prej tij. Po ai aq kishte, s’u ndje më. Nga jashtë erdhën të lehurat e dy qenve të fqinjit, të cilët lëviznin andej-këndej si të çoroditur, ngaqë s`kishin parë aq shumë njerëz të hynin e të dilnin te shtëpia jonë.
-I ke lënë zgjidhur qentë, o Mezan, - e prishi heshtjen polic Zylfiu.
-Ah, më falni, na hutoi ca kjo e uruar, - tha ai dhe tregoi radion. –Por, mos u bëni merak, se nuk hanë njeri qentë e mi.
Ndërkaq Neçoja, kryetari i këshillit, tha:
-Tani që ky djali i Zeno këpucarit na sqaroi, s`kemi përse ta vrasim mendjen për shpikësit: as për atë fashistin, Markonin dhe as për atë amerikanin, Teslën.Ne radion e kemi nga Partia, ajo na i ka sjellë, kurse fashistët na sollën vetëm luftën dhe pushtimin...
-Mirë, mirë, po kot i përziejmë kështu gjërat, - tha Tarja disi i trimëruar nga gotat që kishte kthyer. - Ne s`po flasim për luftë e fashistë, po për radion që po na pëlqen të gjithëve. Dhe, pse themi ndonjë fjalë të mirë për shpikësit e saj, s`ka ndonjë gjë të keqe, apo jo?
-Atëherë, fol e na shpjego ti, se mbase do të na thuash diçka që ne nuk e dimë!, - ngriti zërin zëvendëssekretari i partisë, duke e parë drejt në sy Taren.
-Në doni ta dini shqeto - tha Tarja me sy të mjegullt, - unë dhe shokët e mi të orkestrës, radion nuk e duam, ngaqë e kemi konkurrente. Do të vijë dita që njerëzit do duan të dëgjojnë muzikë edhe duke ndenjur të shtrirë a të mbështetur në divan, me një gotë rakie përpara dhe as që do të pyesin për muzikën e orkestrës sonë, por, siç i thonë fjalës: “Inatin kija, po hakun amà, jepja!”, ndaj dhe pyeta se kush e ka shpikur radion. Se ja, e dëgjoni tani, radioja po jep këngën “Bulqizake”. E bukur është, por edhe unë e qaj me gërnetë...Dhe, i nxitur nga rakia që kishte rrëkëllyer, Tarja shkeli syrin dhe zuri të këndonte:“ Bulqizake, Bulqizake, /Të dy bashkë na ke vu flake, /na bën zemra rrake-take...”.
-E shikon o Tare ç’bën radioja?-i tha Naqja,që mesa dukej kishte ndonjë inat të vjetër me Taren.-Këngët e radios ta marrin mendjen, të bëjnë të vesh pas saj e jo pas avazeve të tua që na enjtin në çdo dasëm.
–E di që s`të pëlqejnë këngët e orkestrës sonë ty, po kjo nuk na prishë asnjë punë,- ia ktheu Tarja, tashmë i nxehur nga fyerja.
-Mos u zemëro Tare, po njerëzit duan të këndojnë e të dëgjojnë këngë të reja të kohës sonë moderne dhe të vrullit tonë të pandalshëm.
-Mjaft na u hoqe si modern ti, o Naqe, sepse ti s’lë pa demaskuar çdo gjë moderne e pa u vënë fletë - rrufegjithë atyre që fishkëllejnë ndonjë avaz të huaj apo vishen pak si ndryshe. Kur kalon ti, rrugët dhe rrugicat e lagjes janë bosh, as qentë nuk bëjnë zë se kanë frikë, apo s`të ka rënë në sy kjo që po të them?
Fjalët e Tares ranë keq. Naqja u bë xhind.
-E nxore kokën më në fund, - i tha ai tërë mllef Tares.-Kështu si ty, ka folur edhe ndonjë tjetër për ne të frontit, por ia kemi gjetur shpejt vendin. Nuk themi kot se lufta e klasave vazhdon me zigzage.
-Ama gjete kujt t’i flasësh për luftën e klasave, unë një gërnetaxhi jam,-u hodh i acaruar Tarja.
-Lëreni Taren, se nuk e ka me të keq, duket që e ka zënë ca rakia, -tha me kujdes babai,-mos ia vini re të gjitha ç’thotë!
-Nuk e shihni se ka lakra në kokë ?-ngriti zërin Naqja.
-Çka barku nxjerrë bardhaku!-i erdhi në ndihmë polic Zylfiu.
Biseda po merrte për keq. Babai po ngrysej gjithnjë e më shumë.
-Ore, po ne u mblodhëm për radion e jo për bardhakun,-foli dikush andej nga fundi.
-Të mos i marrim gjërat përpjekur, do të kemi kohë të bisedojmë edhe me Taren,-tha zëvendëssekretari i byrosë dhe diçka pëshpëriti vesh më vesh me Naqen.
Babai i bëri një shenjë fshehtas Tares që të mos e zgjaste më tej, ndërsa zëvendëssekretari foli përsëri si për ta zbustur situatën:
-Si mendoni ju, vëllezër,-tha ai,-kë duhet të falenderojmë ne për radion?
-Ajo dihet, - ndërhyri menjëherë Naqja, i kënaqur që do t’i bënte qejfin shefit më shpejt se të tjerët,-ne do të nderojmë të parën Partinë.
-Ashtu duhet,-tha zëvendëssekretari dhe vijoi:-urimi i parë i takon Partisë sonë të lavdishme, që po e çon radion deri në skajet më të largëta të vendit.
-E po gëzuar dhe ta pimë me fund,se po na zë dreka këtu,-tha kryetari i këshillit.
–Gëzuar! Gëzuar ! Të na rrojë Partia! - uruan dhe të tjerët, që u ngritën me padurim për të ikur.
-Gëzuar!-tha edhe babai, por pa forcën e duhur. Urimi i tij ishte pothuaj i pazëshëm e disi i vakët. Në sytë i mungonte gëzimi që kishte në fillim, kur pruri radion.
Pas pak, ndërsa të gjithë kishin dalë e dhoma mbeti bosh, radioja nisi përsëri transmetimin e lajmeve. Folësi, si të qe i porositur për keq, zuri të fliste për propagandën armiqësore dhe ashpërsimin e luftës së klasave.
-Sikur e lamë ca si shumë të hapur këtë të uruar,-tha babai,-mirë është ta mbyllim të ftohet pak, se edhe kjo e shkretë shpirt ka dhe mund të na digjet nga të nxehurit…
Ai u ngrit dhe e rrotulloi me ngadalë rrotëzën e mbylljes. Kërcitja e saj ishte e butë, gati e pazëshme, si e diçkaje që po ikte për t’u harruar...
.....................................
1.Deri në vitin 1966 radiot në Shqipëri vinin nga jashtë. Për shkak të numrit të kufizuar, ato merreshin me autorizim nga kom. ekz.. Në janar 1967 u çel në Durrës uzina e prodhimit të radiove, kurse në vitin 1971 u prodhua televizioni i parë “Iliria”.
2.Nikola Tesla (1856-1943) është zbuluesi i parë, i cili në vitin 1893 demonstroi një radio me valë në St. Louis, Misuri. Pavarësisht nga ky demonstrim, është Guglielmo Markoni (1874 - 1937), i cili konsiderohet si “babai” dhe shpikësi i radios, kjo sepse realizimi i tij pati më parë një përhapje më të gjerë. Atij i është dhënë patenta e parë për telekomunikacionin e pateltë, në Angli në vitin 1896. Në 12 dhjetor 1901, vendi i Markonit, në historinë e radios u vulos përgjithmonë, kur u bë personi i parë që arriti të transmetonte sinjale përmes Oqeanit Atlantik. Në bazën e këtij sistemi funksionojnë edhe TV, telefoni, celularët, telekomandat dhe shumë pajisje të tjera.
Për radion, krahas Teslës dhe Markonit, kanë eksperimentuar edhe shumë shkencëtarë të tjerë, midis të cilëve: Edisoni, Popovi, Herci, Faradei, Wrstedi...
Comentários