Qofsh i Parajsës, Kristo Mema!
Ka ndërruar jetë në Elbasan në Lagjen “5 Maji” një nga miqtë e mi më të mirë, një nga figurat më qëndrestare, një nga qëndrestarët e Demokracisë, Kristo Mema. I lindur dhe i rritur në Shtërmen të Elbasanit, duke u përfshirë në lëvizjen demokratike të ndryshimit të sistemit, pas një periudhe të gjatë vuajtjesh në burgjet e diktaturës komuniste, ai u bë një nga figurat qendrore të Shoqatës së të Përndjekurve, dhe po aq dhe një nga mbështetësit aktivë të PD-së në vite. Kristo Mema u dallua për pjekuri e gjakftohtësi, intelekt dhe mendim të pjekur në të gjithë angazhimet e tij. Kristo Mema ishte human dhe patriot. Ishte njeri me sinqeritet e burrëri. I vendosur dhe transparent në mendim. Ai u bë një nga iniciatorët kryesorë për gjetjen e eshtrave të të vrarëve e të pushkatuarve pa varre nga Diktatura Komuniste. Kështu një demokrat i pastër në shpirt, një demokrat i vendosur, ai kurrë nuk gaboi dhe nuk ishte një nga ata që kërkonte hakmarrje, por gjithnjë foli për pajtim, falje dhe gjithëpërfshirje. Në fakt ai gjithnjë ishte në krah të emrave më të ndritur të lëvizjes demokratike shqiptare dhe gjithnjë në ballë të vlerave që synonin liri, integritet dhe lëvizje për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa. Kristo Mema ishte një nga figurat qendrore që mbështeti ish-kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, në vitet e para të Demokracisë në Elbasan, të birin e babait të tragjedisë shqiptare Et'hem Haxhiademi, Emin Haxhiademin, duke i dhënë kurajo, mbështetje dhe gjithnjë optimizëm. Kristo Mema ishte dhe një nga miqtë e ngushtë dhe mbështetësit e të pavdekshmit, Pjetër Arbnori në shumë vite e në shumë drejtime. Kështu ikja e tij në amshim, është një humbje e madhe për Demokracinë dhe linjën e qëndrestarëve tolerantë në PD. Qofsh i Parajsës Kristo Mema. Ngushëllime Gjergjit, familjarëve të tij, dhe të gjithë të afërmve dhe miqve. Ngushëllime të gjithë atyre që e kanë njohur nga afër dhe e kanë ndjerë humbjen e ikjes së tij të dhimbshme. I qoftë dheu i lehtë!
Comments