Ndërtesa shumëkatëshe, disko, kazino, lojëra fati, kafenera dhe restorante, hotele dhe motele Bashkia e Sarandës ka plot. Ka aq shume sa 5000 apartamente janë ende të pa shitur. Qendra kulturore pranë Bashkisë Sarandë ka shumë vjet që vegjeton dhe personeli i ka marrë të gjitha këto vjet paratë pothuajse kot, me përjashtim të bibliotekës “Bilal Xhaferri” që ka punuar, ka pasuruar fondin dhe ka mbledhur lexues. Këtu nuk flasim për vitin e pandemisë. Po kështu Bashkia e Konispolit nuk ka asnjë qendër kulturore, ajo që ishte në kohën e diktaturës komuniste u prish, trualli i saj u shit. Në Bashkinë Finiq po ashtu. Vetëm ajo e Delvinës ekziston, por edhe ajo është formale. E vetmja qendër arti e cila ka 20 vjet që rrezaton kulturë është Qendra e Artit “Dea” në Ksamil e drejtuar nga një personalitet i kulturës sonë kombëtare, nga kompozitori i talentuar Limoz Dizdari dhe bashkëshortja e tij Adriana si pianiste dhe poete e talentuar. Nuk ka nevojë t'iu flas gjatë për Limozin, kompozimet e tij në filma artistikë e dokumentarë dhe në festivale në radiotelevizion janë vërtet të bukura dhe frymëzuese, Limozi ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Akademik dhe Deputet, që vendosi të lerë banesën e tij në Tiranë për të ngritur pothuajse nga e para Qendrën e Artit “Dea” në Ksamil. Për ta bërë funksionale bibliotekën, sallonin e pikturave, kinoteatrin “Dafinat”, themeloi shoqatën “Pelod” ne emrin e vjetër të Liqenit te Butrintit, bëri lulishte dhe vendosi në to statujën e Bethovenit dhe në hyrje statujën e Naimit dhe Nolit. Ka dhënë dhjetra e dhjetra koncerte në këto 20 vjet, ka berë takime letrare e artistike të shumëllojshme, veprimtari kulturore e muzikore të larmishme, ku kanë marrë pjesë se pari mësuesit dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare e të mesme “5 Dëshmorët” të Ksamilit, fëmijë dhe të rritur të Bashkisë Sarandë, por edhe shoqata apo aktorë të shkëputur. Ne si ish Degë e Lidhjes së Shkrimtarëve e me pas si Shoqatë e nga vjeshta e vitit 2008 si “Klub i Krijuesve Jonianë” kemi qënë pjesë e integruar e veprimtarive të Qendrës se Artit “Dea”. Aty gjenim klimën e përshtashme, por edhe pse ne gjate gjithë këtyre viteve Bashkia Sarandë nuk na dha asnjë zyrë për dokumentacionin dhe kryesinë, pa le një mjedis të kulturuar, ndërsa "pushtuesve" të mjediseve kulturore ju njohën dhe legalizuan mjediset e zaptuara, lulishtet dhe trojet e Bashkisë, pra ne si krijues e kemi pasur mbështetje Qendrën e Artit “Dea”. Por kjo qendër së pari ka krijuar e kultivuar talentin muzikor të fëmijëve, ju ka mësuar atyre jo vetëm piano, por edhe muzikën dhe artin në tërësi, pse duhet t’i braktisë femijët në mes të rrugës, pse ta vrasim dëshirën e tyre, pse duhet ta tjetërsojmë Qendrën e Artit “Dea”, për ta bërë stallë lopësh, siç ishte katandisur, apo për të bërë një shumëkatësh tjetër a thua se nuk ka Saranda dhe Ksamili?! Po ju jap disa shifra. Në vit e fund të socializmit kishte vetëm një piano në pallatin e kulturës së Sarandës, një tjetër e solli Limoz Dizdari nga Tirana në Qendrën e Artit Dea, shifër që u katërfishua nga puna me projekte më vonë për shkak te koncerteve artistike që zhvillonte kjo qendër në kinoteatrin e saj “Dafinat”. Ndërkohë sot në komunitet janë 17 piano të tjera, që janë blerë nga pronarët e lokaleve të mëdha për turistë. Këtyre pianove u bien fëmijët që kanë mësuar të luajnë muzikë këndshëm dhe bukur në këtë Qendër Arti. A është normale që dëshirat dhe pasionet e tyre, talentin, përkushtimin dhe punën e investuar t’i hedhim ne koshin e plehrave për qefin e dikujt. E gjithë kjo është pasuri kulturore për Sarandën dhe Ksamilin. Citoj Sarandën të parën, sepse qendra e bashkisë ndodhet në Sarandë, kjo bashki e ka për detyrë ta mbrojë Qendrën e Artit “Dea”, jo si pasuri e administratorëve të saj, por si pasuri e komuniteteve tona. Kush është konfederata apo sindikata që dëshiron ta marrë këtë qendër arti si pasuri të saj? Çfarë kanë bërë drejtuesit e tyre për punëtorët dhe punonjësit e Ksamilit dhe të Sarandës dhe për fëmijët e tyre? Edhe një shtëpi pushimi, që kishim, e tjetërsuan.
Ne si intelektualë, si poetë, shkrimtarë dhe artistë, si prindër të fëmijëve që kanë mësuar në Qendrën e Artit “Dea” muzikë, por dhe fëmijët e komunitetit që kane investuar me vite pune këtu, nuk do të mund ta pranonim këtë pazar të pistë, që tenton të luhet në kurriz të tyre. Kam biseduar me disa nga fëmijët, që kanë mësuar art në këtë vend, që kanë dhënë koncerte në të, që kanë lidhur një pjesë të ëndrrave të tyre me këtë Qendër Arti, ata jo vetëm e duan dhe e mbrojnë, por do të investohen për të protestuar bashkë me familjet e tyre në përkrahje të administratorëve aktualë të Qendrës, do të protestojnë edhe kundër kërcënimeve të personave me kapuça, që vërtiten netëve rreth Qendrës. Kemi berë dy takime për të sensibilizuar opinionin në lidhje me këtë problem. Takimi i fundit ishte më 17 dhjetor për të përkujtuar 250 vjetorin e lindjes se Bethovenit, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve dhe artistëve, të ftuarve dhe gazetarëve. U dha informacion në të Televizione lokale dhe kombëtare, u fol edhe për kërcënimet ndaj drejtuesve të qendrës. Takimi u zhvillua tek Qendra e Art “Dea” në mjedis të hapur për shkak të pandemisë. Në këtë takim për mbrojtjen e Qendrës së Artit “Dea, për muzikën e Bethovenit dhe për punën vjetore të Klub të Kijuesve Jonianë nuk u prononcua vetëm kryetari i këtij klubi z. Pajtom Çaushi, as vetëm z .Limoz Dizdari si drejt i Qendrës, as unë si themelues dhe antëtar i kryesisë, por mjaft krijues dhe gazetarë të tjerë. Personalisht kam kujtime të bukur dhe motivuese nga kjo Qendër. Në të kam folur për talentet e reja, për poezinë e antologjive tona, për Naimin, Nolin, Skënderbeun dhe Bethovenin. Kam dëgjuar koncerte e recitale, kam shijuar muzikë të bukur klasike e bashkëkohore, kam takuar personalitet të kulturës kombëtare e ndërkombëtare, ndaj dëshiroj, që Qendra e Artit “Dea”, jo vetëm të qëndrojë, por të rritet e lulëzojë duke çelur buzëqeshje dhe lule gëzimi në fytyrat e fëmijëve me arritjet e saj.
Comments