top of page

Përtej tekstit të këngës “Mbeçë more shokë mbeçë”


Nga Timo Mërkuri

Përtej tekstit të këngës “Mbeçë more shokë mbeçë”

Nga ciklli “Autorët e monumentit “Kënga Himarjote”.


Nga Timo Mërkuri


Në fakt, për këtë këngë, kam shkruar edhe te libri im “Vesa mbi këngë” sprovën “Mbeçë more shokë mbeçë......te iso-ja”. Por, e parë në konteksin e një libri për këngën himarjote, ku, në inçizimet e Neço Mukos në Paris në vitin 1930, në pllakën me nr 44019 është përfshirë edhe një variant i kësaj kënge, duke parë se ky variant, qoftë si melodi, qoftë si tekst është krejt ndryshe nga variantet e njohura deri më sot, paraqet interes një vështrim mbi ecurinë e kësaj kënge nëpër vite dhe nëpër vise të ndryshme .

1-Varianti i njohur i kësaj kënge, (i konsideruar edhe si varianti etalon) kënduar nga këngëtari i papërsëritshëm, bilbili i Skraparit, Demir Zyko (1911 - 2 Korrik 1992) Artisti i Popullit, bashkë me grupin e tij, të përbërë nga Mehdi Kushe, Shahin Çinari, Neshat Hebibasi dhe Agim Carkanji, në Festivalin Folklorik Kombëtar në Lezhë, janar 1968, është:

Mbeçë more shokë

Mbeçë, more shokë, mbeçë Përtej Urës së Qabesë Falëm me shëndet nënesë, Kàun e zi le ta shesë.

Në pyestë nëna për mua I thoni që u martua. Në pyestë se ç'grua mori Tre plumba te kraharori,

Në pyestë se ç'kalë hypi Atje tek hypën meiti. Në pyestë se ç'krushq i vanë Sorrat e korbat që e hanë.

Melodinë e kësaj kënge e ka notizuar të gdhëndur në shpirtin dhe kujtesën e gjithë kombit grupi i mësipërm i Gjerbësit të Skraparit dhe këngëtari Demir Zyko me atë ...oi,oiiii-në e famëshme dhe të papërsëritëshme, si një klithmë-vaji nëne mbi trupin e të birit.

Analizën e tekstit e ka bërë shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij “Autobiografia e popullit në vargje” dhe ne s’kemi se çfarë të shtojmë te kjo analizë.

Një sprovë për këtë këngë,siç ju thashë më sipër, edhe unë e kam shkruar te libri im “Vesa mbi këngë”, duke krahasuar variantet e skraparit, variantin çam dhe variantin që këndohet në Pilur, që realisht është varianti himarjot i kënduar nga grupi i Neço Mukos dhe i inçizuar në pllakat PATHE, Disku 44019 në Paris në vitin 1930. Në pamje të parë duket se për këtë këngë, ska më hapësira për tu eksploruar.

Por ja që hapësira e kësaj kënge është shumë herë më e madhe se sa kemi parë dhe eksplorimi i mëtejshëm i saj, shpalos peisazhe, sa të pa njohura aqë dhe të mrekullueshme.

1.a-Mendojmë se këngëve popullore në përgjithësi nuk mund tu përcaktohet origjina dhe është absolutisht e gabuar të mendosh se …është krijim i një fshati apo një autori.

Befasinë na e jep edhe kjo këngë, teksti i të cilës ka ndryshime nga një krahinë në tjetrën .

Veç variantit çam dhe atij himarjot, që paraqesin interes të veçantë dhe që do ti analizojmë më vete, një variant tjetër ka në tekst edhe këto vargje:

"...te dy qet e zez t'i shesë/të me shese kalin, te me rritë djalin/të më shesë mushkën, të më rritë çupën."

Në se dikush mund të thotë se dy vargjet e sipërcituara, për shitjen e kalit dhe të mushkës, i përkasin një kënge tjetër popullore, unë nuk do ta kundërshtoja, për vetë faktin se në artin popullor gojor, pleksa e këngëve dhe e vargjeve është gjëja më e natyrëshme. Madje Kadare, te libri “Autobiografia e popullit në vargje” hedh hipotezën e pakundërshtuar se, edhe variant i Skraparit i këngës “Mbeçë more shokë, mbeçë” është bashkim i dy këngëve të ndryshme popullore, njera e krijuar në Shqipëri dhe tjetra e krijuar në …Jemen, ku shërbenin si nizamë, djemtë e Shqipërisë.

Gjithashtu ky variant, pas vargjeve …në pyettë në ç'kal hypi…vijnë vargjet…në dy-tri dhoga meiti… në vend të vargjeve …Atje tek hypën meiti.Por ky fakt nuk ndryshon gjë në analizën tonë.

Në zonën e Prespës këndohen vargjet e mëposhtëme… Në pyettë se ç’ nuse mori/Shtatë plumba te kraharori/Në pyettë se ç’ krushq i vanë/Dy dervish tre hoxhallarë…

Këtu, së pari ndryshon vetëm numëri i plumbave, i cili është rritur në shtatë, si për ta rritur dhimbjen, sepse përmëndja e dervishëve dhe hoxhallarëve si krushq, është dukshëm një shtesë e papranueshme për motivin dhe idenë e këngës. Është një shtesë e sajuar, në kuadrin e deshqipta- rizimit të këngës.

1.b-Befasinë më të madhe për këtë këngë e hasim te At Gjergj Fishta, i cili te “Lahuta e Malsisë” , kënga e 18, e përfshin gati të gjithë këngën e Urrës së Qabesë, kur shkruan.

“Amanet o shoke te mi/Neper Darde kur te kaloni/Armet e mia barre t’i coni N’oborr te kulles dhe t’mi lshoni/Nanes as tates mos m’u kallxoni/Pse jane te vjeter e i verboni… Ne pervetet nana per mues/Thoni djali t’asht martue!/Ne pervetet se c’nuse muer Muerr nji plume ne krhanuer/Ne u pervetet se ç’dasmore pat/Pat tre korba ndoje per ngiat Ne u pervetet se ç’zoja knojshin/Orrla e sorra m’te rrmojshin!

1.c-Padashur, Gjergj Fishta tregon arsyen shpirtërore të kësaj kënge. Djali që po vdes nizam, me tre apo më shumë plumba në kraharor, i duron plagët vdekjeprurëse të plumbave, por nuk duron dot parafytyrimin e dhimbjes që do tu shkaktojë vdekja e tij prindërve dhe në radhë të parë nënës së tij…Nanës as tatës mos m’u kallxoni/Pse janë të vjetër e i verboni.

A kemi të bëjmë këtu me një “plagjiaturë” të Gjergj Fishtës? Po të kemi parasysh faktin se Gjergj Fishat ka përfshirë te Lahuta e Malsisë edhe këngën e Gjergj Elez Alizë dhe të Oso Kukës, konkludojmë se, Gjergj Fishta, duke synuar të krijojë një kryevepër, një “Iliadë”, tërëshqiptare dhe gati popullore, në kuptimin e popullaritetit, përfshin aty edhe tekstet e këngëve popullore, me qëllim që të risë forcën e veprës së tij, me diamantin e artit gojor popullor.

Por ne konkludojmë se kënga “Mbeçë more shokë, mbeçë” , duhej të egzistonte në ndonjë variant në këngët popullore të zonës veriore, prej nga e ka marë Gjergj Fishta. Fakti i egzistencës së saj në disa treva të ndryshme të Shqipërisë është një argument iegzistencës të kësaj kënge edhe në një variant verior.

Sipas albanologut të shquar austriak Hahn, kjo këngë ka qënë tepër e përhapur në Shqipëri. Pra mundësia e një variant verior nuk përjashtohet, por eksplorimi për të është vështirësuar nga shkëlqimi i Lahutës së Malsisë.

1.ç- Egzistenca e një këngë kleftësh grekë, duke iu referuar librit te Furielit “Këngë popullore të Greqisë” I,Nr 9. (Fauriel, Chants populaires de la Grèce, I, Nr. 9:)e cila thotë:Ἄν σ̕ ερωτῆσ̕ ἡ συντροφιὰ τίποτε γία ἐμένα/Να μὴν  εἰπῇς πῶς χάθηκα, πῶς πέθαν ὁ καϊμένος,/Μόνον εἰπέ, πανδρεύθηκα σ̕ τὰ ἔρημα τὰ ξένα,/Πῆρα τὴν πλάκα πενεθέραν, τὴν μαύρην γῆν γυναῖκα/Κί̛ αὐτ τὰ λιανολίθαρα ὅλα γυναικαδέλφια.”, që me një përkthim të lirë lexohet:

Po të pyesi shoqëria gjë për mua,/Mos trego se si humba, se si vdiqa i shkreti/Por thuaj vetëm se u martova me shkretëtirën e huaj/Pata rrasën e zezë per vjehrë, dheun e zi për grua/Dhe ato gurët rreth e rreth për kunetër…” nuk mund të aludojë asnjë lloj lidhjeje me këngën tonë, për arsye se, te kënga greke flitet për shoqërinëdhe jo për nënën, motrën e gruan, pra, kënga (dhe jo vetëm ajo) del jashtëbërthamës familjare.. Te variant grek edhe koha e jetëgjatësisë së dhimbjes është shumë e shkurtër sepse shoqëria një a dy herë do pyesë për shokun e vrarë. Po kështu edhe pesha e dhimbjes është më e lehtë. Është nëna(shqiptare) ajo që do pyesë gjithë jetën për të birin e mbetur në shkretëtirat e Jemenit dhe që do ta ngrysë jetën me një…jemeni (shami e zezë) mbi kokë.

Ndoshta edhe për këtë fakt, shamia e zezë e nënave tona ende vijon të quhet… jemeni…, në kujtim të bijve të mbetur….Përtej urës së Qabesë, dhe jo për faktin se ishte copë e importuar nga Jemeni.

Gjithashtu, te kënga greke nuk aludohet për problemet ekonomike që duhen zgjidhur (shitja e kaut të zi dhe dhënia nigja nuses së mbetur vejushë), pra mungon baza jetësore e idesë së këngës, si dhe mungon finesa dhe elegance e pasqyrimit të “dasmës”-mort nëpërmjet atij dialogu…Në pyettë…për mua.

Pra, te kënga greke nuk duket, as si një hije, profili i botës shqiptare. Kjo nuk ja ul vlerat këngës greke, kjo dëshmon vetëm se kënga shqiptare “Mbeçë more shokë mbeçë” nuk ka asnjë lidhje me këngën greke, as si huazim, as si mbartje dhe as si përshtatje.

2-Le të analizojmë variantin çam dhe atë himarjot të kësaj kënge:

2.a--Varianti çam; Mbeçë more shokë mbeçë/Përtej urrës së Qabes/ Të fala m’i bëj nënesë /Të dy qet e zez ti shesë/Ti japë nigja së resë/Në pyetë nëna për mua/I thoni që u martua/ Në pyet çil mori grua/Një astrit një pikalua/ Në pyetë ç’këmishe veshi/Një këmish e të pa mëngë/ Në pyetë në ç’kal hypi/Në një kal të pa këmbë/Në pyettë ç’krushq i vanë/Mjaltin grerëzat e hanë.

Po të shikosh të dy variantet, variantin e Skraparit dhe këtë çam, veç idesë së përgjithëshme të përbashkët, kanë të përbashkët edhe shtatë vargjet e para. Vargjet e tjera në pjesën e parë, aty ku është pyetja e nënës janë pothuaj identikë, po të përjashtojmë dialektizmat ( çilë) dhe një pyetje tjetër për këmishën e dhëndërisë që veshi. Ndryshimi konsiston vetëm te përgjigjet ku në variantin e njohur përgjigjet janë të drejtpërdrejta si psh ‘’Tre plumba për kraharori’’, ’’Atje tek hypën meiti’’, ’’Sorrat e korbat t’a hanë’’. Këto përgjigje të godasin si tokmak në kokë. Kështu e kanë goditur të ‘’zezën nënë’’ dhe unë nuk e di a i ka duruar dot zemra e saj.

Te varianti çam përgjigjet janë më fine, duan ta mbulojnë gjer në fund gjëmën që ka ndodhur. Asgjëkundi s’përmëndet plumbi, sorrat e korbat dhe ca më pak meiti. Përkundrazi, përgjigjet janë plot ngjyra si psh; Morri grua-një astrit një pikalua, Veshi një këmishë pa mëngë(s’përmëndet fare fjala qefin), dhëndëri hipi në një kal pa këmbëdhe krushqit, o për krushqit rezervon diçka më të ëmbël , si vetë rinia e djalit, kur thotë;-Mjaltin, grerëzat e hanë.

Unë nuk e di cili variant është më i hershëm, varianti çam plot finesë dhe elegancë, apo varianti i Skraparit, që ndonëse përpiqet të ruajë finesën, këtë objektiv nuk e arin dot, se që te vargu i nëntë ta jep me ‘’tre plumba kraharori’’.

Por ajo që më bën përshtypje, është vargu i pestë ku ndonëse djali është duke ‘’mbetur përtej urrës së Qabesë’’ a më saktë përtej urrës së kësaj jete, ai përsëri i dërgon lajm nënës së tij që, të shesë qetë e zez dhe ‘’ti japë nigja së resë’’, dmth nuses së tij ti japë pjesë në pasuri, të mos e lejë dhe ajo rrugëve, pa mjete jetese, se boll e la ai të ve.

Unë nuk e di në se ndonjëri nga ju do ti përmbajë dot lotët te ky varg, se unë për vehte dridhem i tëri kur e dëgjoj apo e lexoj.

2.b- Krejt ndryshe është varianti i himarjot, më poetik, më bregdetar, më qiellor.

Dhe për të filluar, dhe për të vijuar, të vijnë vargjet si dallgë deti dhe të godasin drejt e në gjoks;

Varianti himarjot i inçizuar nga grupi i Neço Mukos në Paris:

Mbeçë more shokë mbeçë

Disku 44019

Teksti Popullor

Mbeçë more shokë mbeçë/Mbeçë o zemëra ime ,

Në sinore të Moresë,/Në sinore zemëra ime .

Në male të Grebenesë ,/Në male zemëra ime ,

Përtej urrës së Qabesë,/Mbeçë o zemra ime.

O ju zogj që veni e vini,/O ju zogj zemëra ime,

Këtë kartë* të ma shpiri**,/Ta shpiri zemëra ime.

T'ja shpiri të gjorës mëmë,/T'ja shpiri zemëra ime,

Të qajë hënë më hënë,/Të qajë o zemëra ime.

T'ja shpiri të gjorës motër,/T'ja shpiri zemëra ime,

Të më qajë kodër më kodër,/Të qajë o zemëra ime .

T'ja shpiri të gjorës grua,/T'ja shpiri zemëra ime ,

Të qaj’ o krua më krua./Të qajë o zemëra ime .

Teksti i këtij variant është rezultat i përpunimit të bërë nga Neço Muko tekstit që këndohej në trevat himarjote. Sipas zakonit të tij, diçka shtoi (Në sinore të Moresë,/Në sinore zemëra ime /Në male të Grebenesë /Në male zemëra ime ,)dhe diçka hoqi. Madje hoqi fare trajtimin e problemit ekonomik dhe u përqëndrua vetëm te problemi shpirtëror, te vajtimi që do bënin për ‘ të nëna, motra dhe gruaja. Edhe këtu nuk përmëndeet vdekja, por ajo kuptohet te fjala…mbeçë…more shokë, mbeçë.

Te ky variant nuk trajtohet fare problem ekonomik, si shitja e kaut, apo ndonjë tjetër. Kjo jo vetëm për faktin se Himara i trajtonte specifikisht familjet e të rënëve, mbetura pa ndihmë ekonomike, por kryesisht për faktin se te kjo këngë i është kushtuar rëndësi gjëndjes shpirtërore të pjestarëve të familjes dhe pozicionimi i tyre pas lajmit të vdekjes, ardhur me një letër, prurë nga një zog.

Këtu përmëndet shpesh togfjalëshi…zemëra ime…në çdo dy reshta. Kjo nuk është rastësi. Po të asistosh në rastet mortore himarjote, nënat dhe motrat që vajtojnë djalin apo vëllain e vdekur, i drejtohen me fjalët….zemëra ime.. Psh …o djalë, zemëra imeose …o vëlla,zemëra ime.

Në Himarë është e zakonëshme që gratë dhe plakat tu drejtohen fëmijëve me shprehjen plot dhimshuri …zëmëro,zëmëra ime, psh… mos vrapo se vritesh në gurë, o zemëra ime.

Sipas zakonit të tij, edhe te teksti i kësaj kënge të njohur popullore, Neço Muko ka ndërhyrë, madje duke e ndryshuar rrënjësisht tekstin (por duke ruajtur idenë e këngës) për tja përshtatur melodisë himarjote të të kënduarit. Siç shihet, teksti i ndryshuar është bërë më “i ëmbël”, më “i ngrohtë”, më himarjot, duke ju përshtatur më së miri melodisë.

Dhe këtu spikat talenti i Koço Çakalit në krijimin e vijës melodike plot ëmbëlsi, duke e bërë dhimbjen të pikojë nga zemra (zemëra ime)në melodi.

Vetëm një talent i madh mund të krijojë kaqë shumë dhimbje ( të ëmbël) në melodi.

2.c- Që në pamje të parë duket se ky variant është më i ri, qoftë edhe për elegancën dhe rjedhshmërinë e vargjeve qoftë edhe për strukturën e vetë këngës apo më saktë vajit.

Por edhe pse është një variant i ri, si rezultat i përpunimit të një variant më të vjetër, ai përdor element strukturorë të lashtë të artit gojor shqiptar, si psh zogjtë. Autori u drejtohet zogjve, si rëndom në këngët e bregdetit(Ju të bukur zogj/ Dua t’ju pëjes e mjera /Dua t’ju pëjes -thotë autori te Vajz e Valëve).

Këtu zogjtë, sipas traditës të herëshme shqiptare, do të shpien një letër te nëna e motra, letër e cila përmban lajmin e kobshëm, lajm që, pasi ta mësojnë, ta qajnë djalin e vrarë hënë më hënë e kodër më kodër. Dhe pas këtyre do shkojë te gruaja, që ta qajë dhe ajo, por këtë herë krua më krua.

Klisheja e dhënies së mandatës është e njëjtë –I thoni që u martua- dhe vetëm një pyetje përgjigje ka dhe vetëm për krushqit. Për të tjera s’ka nevojë. Çuditërisht specifikohet vendi ku do ta vajtojnë.

Nëna do ta vajtojë hënë më hënë, pra do ta vajtojë në tokë e në qiell sa të jetë hëna, pra gjithë jetën.

Motra do ta vajtojë kodër më kodër se, në këngët e herëshme shqiptarë, në kodër motra bëhet qyqe për vëllanë.

Ndërsa gruaja do ta vajtojë krua më krua, deri sa ndonjë djalë apo burrë tjetër, që do kalojë nga kroi, tja fshijë lotët për gjithë jetën dhe ta marë për grua. Sepse te krojet e fshatit plekseshin dashuritë e reja.

Ndaj dhe poeti (që në këtë rast është djali i vrarë nizam) nuk e vendos rastësisht gruan ta vajtojë te kroi, duke i dhënë në këtë mënyrë lejen dhe rrugën për tu rimartuar.

2.ç- Por ajo që vlen të shikohet me përparësi është fakti se kjo këngë ose më saktë varianti çam këndohet pothuaj njësoj me variantin e Skraparit, me ato iso si klithma të stërgjatura të një dhimbjeje të madhe. Kjo afërsi e iso-s , kjo ngjashmëri e saj në këto dy krahina, me kontakte jo aqë të dëndura mes tyre, vlen për tu studiuar nga muzikologët dhe etnomuzikologët . Nuk është e rastësishme ngjashmëria dhe afëria mes tyre.

Dhe jo vetëm në këtë këngë. Ju rikujtoj se edhe ‘’Kënga e Çelo Mezanit’’ iso-n e ka pothuaj të përafërt me iso-n e Skraparit, në një kohë që këndohet në treva të iso-s labçe, si në Vlorë etj.

Do të ishte normale që iso-ja çame e banorëve të rrethinave të Vlorës ose të Shqipërisë së Mesme të shkrihej në iso-n labçe ose t’i përafrohej sado pak asaj, sepse ajo, iso-ja labçe, e rethon ngado, ose më saktë ajo, iso-ja came, ka depërtuar mes saj, ashtu si lumi që derdhet në det dhe natyrshëm bëhet pjesë përbërëse e detit në ngjyrë, shije e dallgëzime.

Por kjo s’ka ndodhur me iso-n çame e cila edhe në këto treva , larg vendorigjinës së saj vijon të na japë perla të muzikës karakteristike popullore duke ruajtur profilin e vetë. Duke ruajtur atë iso si klithmë të stërgjatur të një dhimbjeje njerëzore përballë iso-s të grupit dhe të shtruar labe.

Ne përmëndëm iso-n e çamëve të vendosur në rrethinat e Vlorës, e cila ka ruajtur profilin e saj, por kënga e sipërcituar e Urrës së Qabesë është kënduar në zonën e Konispolit dhe ky variant është marë për studim në këtë shkrim. (Këtu mund të citoj se këtë tekst ma ka dhënë z Bardhyl Maliqi para disa viteve, të cilit i shpreh edhe mirënjohjen time).

E pra, zona e Konispolit dhe e Skraparit janë ku e ku larg njera tjetrës dhe mund të themi, edhe me kontakte tejet të kufizuara. Çështë ky fill magjik që i bashkon këto dy krahina të cilat edhe gjeografikisht s’janë kufitarë me njeri tjetrin.

Do të ishte më e pranueshme që iso-ja çame të ishte e ngjashme apo e përafërt me iso-n e labërisë apo të Himarës për disa arsye dhe pikërisht;

-Kanë qënë e janë treva kufitare

-Bile kanë bërë pjesë në të njëjtin pashallëk, atë të Janinës, gjë që ka ritur kontaktet e tyre si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte.

-Kanë bashkëluftuar kundër të njëjtit armik në të njëjtat beteja duke u dhënë kështu edhe temat e njëjta të këngëve.

-Nuk kanë munguar edhe lidhjet e martesore e miqësite e herëshme.

Pra nga çdo anë që ta marësh, llogjika të shpie se duhej të kishte përafëri apo përngjashmëri melodike te iso-ja.

Por përkundrazi, këtu ndahen në mënyrë të dukëshme, thua se secila palë ruan me fanatizëm veçoritë e saj, sikur duan të dallohen nga njeri tjetri sa më shumë. Dhe ajo që të bën përshtypje është se, iso-ja çame tenton gjithnjë e më shumë t’i afrohet iso-s së Skraparit. Bile më tepër iso-s së Skraparit se sa iso-s përmetare.

Krejt ndryshe është muzika që shoqëron këngën e mësipërme në variantin himarjot .

Varianti himarjot këndohet me melodinë e njohur me emërtimin himarjotëshe, vijën melodike të të cilit në këtë grup e ka krijuar Koço Çakali dhe që ka gjithë karakteristikat e këngës himarjote. Është një këngë, pa spikatjen e hedhësit, që për së largu të ngjan me një ligjërim të shtruar, si në të dyzetat e mortit.

Nuk dimë se cili variant është më i vjetri, varianti çam, himarjot apo i Skraparit.

Por mendojmë se gjithsesi varianti himarjot është më i ri se dy të parët edhe për faktin se struktura e këngës është tejet e ndryshmë nga dy variantet e cituara. Përpunimi që i bëri Neço Muko variantit himarjot në vitin 1930, kur dhe e inçizoi në Paris, nuk është datë e varinatit. Ajo është datë e përpunimit të varinatit himarjot dhe e inçizimit të tij.

Ky konkluzion nuk i humbet asnjë vlerë këtij varianti, si motërzim i varianteve të tjera. Motërzimi është shtrati ku eci kënga popullore për të aritur gjer te ne nga thellësitë e shekujve. Është meritë e këngëtarit himarjot që dhe këtë këngë-perlë e ‘’pashaportizoi’’ si banore të fshatit të tij dhe ndryshe nga dy rastet e mësipërme i dha frymën himarjote shpirtit të saj.

3-Te rapsodia e Pal Golemit lexuar te libri “Rapsodi e një poeme arbëreshë” e De Radës, (Rapsodia Pal Golemi e “Dorëshkrimit të Kieutit”, 1735 – 1750) gjejmë të njëjtën situatë.

Pal Golemi i plagosur po u lutej shokëve: Pra ti shkruani e të ja thoni/të ja thoni mëmës sime/atje ku më qep këmishën/duke e spërkatur atë këmishë/ me lotët e syve/të ma terrë atë këmishë/ me zjarrminë e zemrës/ i shkruani dhe të bukurës/ në se ende sështë martuar/me të kuqtë e faqeve/ të qëndisë vellon/...e të hyjë në kishë/ e të lëshojë një vajtim/sa gjithë kisha të kumbojë...

Këtu, duke krahasuar këngën “Mbeçë morë shokë mbeçë” me këngën e Pal Golemit specifikojmë:

-Të kënga “Mbeçë more shokë mbeçë”, djali është nizam, pra lufton për turkun, larg atdheut. Madje duke e konsideruar thirjen e tij “Mbeçë more shokë mbeçë” më shumë një klithmë dhimbjeje se sa si një amanet a porosi dhënë dikujt konkretisht, mund të themi se djali ishte vetëm në momentin e vdekjes, pa shokë bashëatdhetarë, të gjallë a të vdekur pranë.

-Te Pal Golemi ndryshon situata, ai është luftëtar kalorës, ( madje ka edhe shqytar, që është vrarë bashkë me të dhe që kërkon ta vendosin bashkë në var), lufton e vritet për atdheun e tij, ka flamurin e tij, të cilin kërkon tja vënë te këmbët e varit, bashkë me armët.

-Pra është një ushtri arbërore e organizuar, një ndër prijësat e të cilës ishte dhe ai vetë.

-Koha është e ndryshmë në dy këngët. Kënga e nizamëve “Mbeçë morë shokë mbeçë” është e shekullit XVII, ndërsa këngë e Pal Golemit, më së shumti është e shekullit XV

- Pal Golemi është kalorës i periudhës zulmëmadhe skënderbejane, i rënë në një nga fitoret e shqiptarëve. Kjo kuptohet nga fakti se, shokët kanë kohë që qetësisht ti hapin varin e madh, siç e dëshiron ai. Po të qe ndonjë disfatë shqiptare, shokët sdo kishin kohë ti bënin nderet e fundit.

-I vrari te kënga “Mbeçë more shokë mbeçë” është një djalë shqiptar, i marë nizam nga pushtuesi turk, i dërguar të luftojë në shkretëtirat...përtej urës së Qabesë, në një formacion ushtarakt të huaj, me ose pa bashkëatdhetarë të tij, por gjithsesi bashkë me djem të kombeve të tjera të pushtuara nga turku, të marë dhe ata nizamë, në një luftë që se deshën.

Por të dy u drejtohen shokëve që , kur ti çojnë lajmin nënës, tja fshehin sa të mundin dhimbjen e gjëmës, tja japin lajmin sa më të lehtë.

Thua se, kur ti japin lajmin nënës, do jenë duke folur në një tempull zotash, ku flitet vetëm me fjalë të buta.

Përbën fakt kuptimplotë që djali i vrarë shqetësohet për dhimbjen e nënës, (për dhimbjen e motrës rezervon një lehtësim, dhe për dhimbjen (humbjen) e gruas rezervon një leje për rimartesë) dhe asgjëkundi nuk duket, as si profil portreti i babait (me përjashtim të Gjergj Fishtës, i cili e ka shtuar vetë dhe jo se e ka gjetur te kënga popullore) apo i vëllait.

Kjo shpjegohet edhe me faktin se babai (dhe vëllai) është symbol i forcës, i qëndresës, i trimërisë. Nëna është simboli i dhimshurisë dhe i delikatesës njerëzore.

Nëna vritet dhe me fjalë ndërsa babi nuk vritet as me plumb.

Nëna të rit edhe me frymë, sikur të jetë vetë perëndia që të rrit me frymën e shënjtë.

Prandaj shqiptari gjithmon është kujdesur që mos tja thyejë zemrën nënës.

Ky është një raport i veçantë i familjes shqiptare, ku nënës i rezervohet gjithmon një tempull nderimi, i barazvlefshëm me atë të zotave.

Jo vetëm në kohën e Pal Golemit apo të nizamëve, mbetur te ura e Qabesë, por në të gjithë kohërat.

Madje edhe sot.


#Timo #Mërkuri

170 views1 comment

1 Comment


Guest
Aug 24

origjinali esht arvanitas

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page