top of page

Përsiatje




Kopi Kyçyku


Një udhëtim “me bukë”

(Përsiatje)

E them me krenari (në daçi edhe me mburrje) që smirën nuk e njoh, madje e urrej, e përbuz! Marr pjesë në hallet e të gjithë njerëzve, që kam njohur apo me të cilët më kanë lidhur puna e jeta dhe përpiqem t’ua lehtësoj hallet (aq sa ma lejojnë mundësitë) dhe gëzohem me arritjet e tyre e të fëmijëve të tyre, ashtu si për fëmijët e mi.

Për këtë cilësi të karakterit , që e quaj Dhuratë nga Zoti, u jam mirënjohës prindërve, njerëz të thjeshtë, pa shkollë të madhe, nga goja e të cilëve nuk pata dëgjuar kurrë fjalë të këqia apo fyese për askënd. Mund t’ju duket çudi dhe tingëllon si diçka e pabesueshme, por ju siguroj që është plotësisht e vërtetë. Më lejoni ta konkretizoj mendimin vetëm me një shëmbull. Kur na vinin në shtëpi gra të lagjes, nëna ime i priste e i përcillte gjithnjë me buzë në gaz. Por kur ndonjëra fillonte të përgojonte të tjera që nuk ndodheshin aty, nëna ime mundohej t’ia ndërpriste “hovin”. Kur nuk ia arrinte dot qëllimit, me takt e pa e prishur gojën kalonte në dhomën tjetër apo në kuzhinë për t’u marrë me ndonjë punë dhe kthehej për t’i përshëndetur me përzemërsi në çastet kur largoheshin.

Dje, që të mos na zinte vapa, u nisëm herët për në Tiranë bashkë me shokun tim të fëminisë, inxhinierin e minierave Thoma Angjellarin, i cili, si në shkollë, ashtu edhe në jetë, ka qënë ndër më të dalluarit. Prej vitesh jeton në mërgim, por pa e harruar vendlindjen. Kurdoherë i palodhur, nuk e “vret” kohën klubeve e kafeneve, por punon me pasion të rrallë. Më kishte thënë që merrej edhe me shkrime e që para ca kohësh botoi dy romane. Por këtë herë më ngazëlleu kur më dha sihariqin që ka gati për botim një libër të vëllimshëm prej disa qindra faqesh. Pasi ia dëgjova me vëmendje hollësitë rreth përmbajtjes së veprës, i sugjerova ta ndajë në tri pjesë, pra ta paraqitë si trilogji dhe, në përgjigje të kërkesës së tij, u tregova i gatshëm ta ndihmoja për të gjetur një botues sa më “të arsyeshëm” (vetëkuptohet që bëhet fjalë për anën financiare). Të tillë pata njohur zotin Astrit Muça, pronar i shtypshkronjës dhe i Shtëpisë Botuese EMAL, në kryeqytet. Patëm fat që e “kapëm” në krye të detyrës (se mund të kishte shkuar për pushime). Të dyja palët mbetën të kënaqur. Gjithçka u zgjidh më së miri shumë shpejt dhe më doli koha të kryeja edhe një punë timen.

Tani presim që së shpejti ta shohim në vitrinat e librarive trilogjinë e shokut tim, t’ia shijojmë vlerat e, në ditën e promovimit, të marrim pjesë masivisht për t’i uruar suksese të mëtejshme.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page