top of page

PËRSE GJITHË KJO ZHURMË...


SHPENDI TOPOLLAJ


PËRSE GJITHË KJO ZHURMË DHE SHPENZIME PËR FUSHATËN E

ZGJEDHJEVE?

Pa tjetër që e kujtoni maskaradën e para zgjedhjeve për në Kuvendin Popullor në kohën e diktaturës. Tam - tame koti, parrulla në rrugë e në mure, aq sa zinin dhe dritaret e pallateve, salla të mbushura plot për takime me kandidatët, ku nuk mungonte as traktoristi, as shoferi, as bariu, as mjelësja e lopëve dhe as brigadieri i kooperativës, pastaj gazetat të mbushura me shkrime ose më mirë, me hartime, ku gjithmonë nuk do të mungonte parrulla “Vota jonë, plumb për armikun”. Gjithçka niste në orën gjashtë të mëngjesit dhe më së shumti, përfundonte pas gjysmë ore. Por edhe pse nuk kishte mbetur njeri pa votuar, Qendrat e Votimit qëndronin deri në darkë hapur, se me këto punë nuk bëhej shaka. Ashtu e kishte ligji. Dhe në fund, rezultati: as diskutohej 100 %, por për ta bërë sado pak të besueshëm, e zbrisnin ata të Tiranës në 99 %. Se ishim i vetmi vend demokratik i botës dhe nuk kishte lezet unanimiteti absolut, se pastaj do talleshin me ne të huajt që na kishin sa zili aq dhe halë në sy. Le që nuk kishte sesi të ngjiste tjetërsoj, pasi po të ishin të gjithë në një mendje për kandidatët e Frontit, si do të përligjeshin dhe do të bëheshin të besueshme grupet armiqësore e puçiste që do të dilnin patjetër dhe që partia do t`i çonte në plumb. Se aso kohe uji flinte, por hasmi jo. Se armiku më i rrezikshëm ishte ai që harrohej. Dhe kishin filluar të harronin pikërisht deputetët e zgjedhur nga vetë ata kryesorët, pra nga besnikët e partisë. Duke mos pasur alternativë tjetër, d.m.th. kandidat opozite, që larg qoftë ta zije në gojë, gjithçka ishte e paravendosur dhe as që bëhej fjalë për rivalitete, konkurim, shkëmbime pikpamjesh, ideshë e mendimesh apo etje për pushtet. Kështu që në këtë butafori, shpenzimet për një vend mjeran siç ishte Shqipëria, në esencë ishin krejt të pakuptimta. Dhe ja; erdhi dhe demokracia, ku patjetër shumë gjëra dhe sjellje ndryshuan. Sistemi pluralist, me lirinë e tij të mendimit dhe ideve apo me platforma politike konkuruese e ka të domosdoshme debatin. Por përsëri, edhe kjo krahas anëve pozitive, ka edhe dobësitë e veta. Kështu, nuk ka asnjë arësye që sapo përfundojnë një palë zgjedhje, nisin sherret e grindjet për zgjedhjet e ardhshme edhe pse ato duan nja katër vjet që të zhvillohen. E gjithë koha na kalon me qyfyret e zgjedhjeve që do të pasojnë. Na e bënë kokën daulle e na mërzitën me sllogane: jo ne shohim e shkojmë përpara e ju mbrapa, ne jemi e ardhmja, ju jeni e shkuara, jo ne do të përfundojmë punët e nisura, se ju dini vetëm të flini gjumë, jo po nuk votuat për ne, nuk do të keni fonde, jo keni marrë rubla, jo jeni “non Grata”, jo keni korruptuar zyrtarë të FBI - së, jo jeni agjentë të iksit e ju të ypsilonit, e plot çudira të tjera, deri te lufta e zorrëve. Të gjithë përgjërohen e përbetohen për dashurinë dhe besnikërinë ndaj SHBA - së. Dhe më shumë, ata që s`i lanë kusur atij vendi, duke e sharë e mallkuar si fatkeqsinë më të madhe të popujve të gjithë botës. Puna ka arritur deri atje sa edhe sovraniteti në djall shkoftë, se nuk ka se ç`na duhet. Mjaft ta kemi Amerikën të fortë. E kemi parë vetë sesa muaj na ka marrë në shtyp e televizione loja e opinionistëve në shërbim të forcave të përcaktuara politike apo e përfaqësuesve a drejtuesve të partive. Paradoksi ka arritur kuota të papara, aq sa edhe shumë avokatë që janë për të mbrojtur, janë hedhur në sulm si akuzues, duke dalë jashtë profesionit të tyre. Pa tjetër që duke u shfaqur çdo natë nëpër ekrane, duke llomotitur egërsisht pa bereqet, duke sharë, fyer e stigmatizuar njëri - tjetrin, pra duke përcjellë këtë klimë ndarjeje te masat që përkthehet në përçarje, ata edhe paguhen. Dhe kur vjen data për çeljen zyrtare të fushatës, nisin posterat, udhëtimet qytet më qytet me një mori makinash, sallat e mjediset për grumbullimet e militantëve e simpatizanëve përkatës, ndërtimi i tribunave, angazhimi i mediave, fonia, flamurët, koncertet e këngëtarëve, fishekzaret e fitores së “padiskutueshme”, gjyqet që pasojnë nga të pakënaqurit me rezultatin etj. etj. KQZ sipas ligjit u akordon partive edhe fondet që u takojnë. Në vendin tonë thuhet se ka 132 parti, por aktualisht, për zgjedhjet e pushtetit vendor, jo të gjitha përfitojnë nga buxheti, pasi nuk i plotësojnë kriteret. Sido që ka çudira qartazi të padrejta e tendencioze, kur pjesës absolutisht më të madhe të partisë kryesore opozitare, nuk i jepet asnjë lek, madje as që e rregjistrojnë fare, se helbete, kështu vendosin të huajt që sillen me ne si padronë, kurse asaj pjesës që as hije nuk bën dot me ata fare pak kandidatë për kryetar Bashkie, i dhurohen 1.000.000 Euro. Por në këtë shkrim, nuk dua të ndalem këtu. Ajo që dua të them është tjetër gjë: sot kur teknologjia ka përparuar në mënyrë marramendëse dhe komunikimi mund të bëhet jo vetëm nga studiot, por edhe nga dhoma e gjumit po deshe, fare mirë kandidatët apo përfaqësuesit e partive rivale, mund t`u drejtohen votuesve dhe të parashtrojnë programet e tyre që nga televizori. Nga televizori ku kandidatët as që marrin mundimin të dalin e të ballafaqojnë programet e tyre. Se jemi në një vend, me një mentalitet e psikologji të vetën, për të mos thënë specifike, ku njerëzit e kanë ndarë mendjen se kujt do t`ja japin votën me kohë. Këtu edhe Abraham Linkolni sikur të ngrihej nga varri dhe të kandidonte, të jeni të bindur se nuk do t`ja ndërronte ndokuj bindjen e tij. Dihet ajo thënia e filozofit të lashtësisë se “Nuk ka politikë, por interesa”. Dhe interesi i votuesve është shumë më i madh se broçkullat e politikanëve. Fundja, me përjashtim të atij momentit të shndërrimit të madh, ata që do të shkojnë para kutisë së votimit, si besoni se do të kalojnë nga fjala vjen, PS te PD e anasjelltas? Kjo nuk ndodh, pasi edhe pse synimet janë thuajse të njëjta; kapitalizëm me ekonomi tregu, orjentim properëndimor, anëtarësim i përhershëm në NATO, aleati strategjik SHBA, thithje investitorësh të huaj, frenim të emigrimit galopant, urrejtje e bashkim me sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë agresive dhe aspak miqësore me ne, mbështetje sa më e madhe për Kosovën etj. etj. përsëri, ndarja edhe pse artificiale është aq e madhe, sa elektorati nuk lëviz nga istikami. Ata që kanë ikur nuk llogariten, sikurse edhe ata të zhgënjyerit e të lodhurit nga premtimet që u janë bërë fushatë pas fushate. Në këto kushte, përse mes kësaj varfërie e sidomos pensionesh të turpshme, partive duhet t`u jepen nga buxheti tërë ato para? Gjersa pranohet se votat edhe vidhen, apo blihen, sikurse edhe ka plot fakte, që për gjykatat tona të reformuara nuk kanë fare rëndësi, mos po na lodhen si shumë politikanët. Mos po harxhojnë shumë energji pa ndonjë vlerë dhe mos po shpenzojnë para, natyrisht jo nga xhepi i tyre, për t`i siguruar votat nga hallexhinjtë. Po ku merren këto shuma marramendëse, se ato zyrtaret e dimë se ku përfundojnë. Patjetër tek afaristët që nuk duan të prishen me ta dhe janë të bindur se nesër, do t`u kthehen, ndofta disa fish. Por përsëri, në kurriz, të popullit që me çmimet stratosferike, një Zot e di me se rron. Është kjo arsyeja që rrogat e punëtorëve, privati nuk i rrit, pasi fitimet i ndan me ata që të sjellin ruspat e ata të tatim - taksave, që po u prishe me ta, të shkatërrojnë fare. Ata, për vete janë në rregull; nga fushatat dalin të fituar, se as shejtani nuk e gjen dot sesa vjedhin vetë, si nga lekët e buxhetit ashtu dhe të afaristëve të ndryshëm që zakonisht bëhen pa u menduar gjatë, me fituesin. Ka një thënie të bukur ai politikani satirist amerikan Patrick Jake O` Rourke “Republikanët i përkasin partisë që ngul këmbë se qeveria nuk funksionon dhe zgjidhen për ta vërtetuar këtë”. Ky është realiteti ynë i trishtuar, por të paktën tjetër herë, forcave politike, kur të vijë periudha e fushatës së zgjedhjeve të reja, t`u jepet një minimum, se kështu nuk do të nxisin armiqësi mes shqiptarëve, armiqësi që jo rrallë ka çuar ndonjë edhe në vrasje. Dhe meqënëse ju referova një politikani amerikan, po e mbyll këtë shkrim, po me thënien e një të dituri tjetër, Will Rogersit që thosh se “Republikanët janë mjaft të mençur për të nxjerrë para, ndërsa demokratët janë njëlloj të mençur: zgjidhen dy - tri herë çdo shekull dhe ua marrin”. Deri kur do të vazhdojmë kështu?

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page