top of page

Përqafoj kallëzat e kohës


Ali Ahmad Sait Esber

Poeti Sirian me pseudonimin( Adonis) .

Kandidat për Nobel «Adonis artikulon kuptimin e vërtetë të gjuhës arabe, sepse e rikthen atë duke e hapur në të gjitha rrugët e mundshme të një basti që është, para së gjithash dhe më kryesorja, një sfidë në vetvete. Nuk është poeti që pranon fuqinë e së kaluarës për të përcaktuar të ardhmen në një të tashme të paluajtshme.»


Dhimitër T. Analis Kritik KOHA

Përkthimi është i ripunuar

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

Kush,gjaku që rërën lëvron, dhe cili, ky perëndim? Na thuaj, flakë e të pranishmes, çfarë do themi? Në laring brenda, copërat e historisë dhe në fytyrë, shenjat e viktimës. Sa e hidhur është gjuha tani, sa e ngushtë porta e alfabetit.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

.....xhelat përfundoi një mik? Ndoshta tha komshiu. Sa vonon Xulaku*? Kush troket te porta? Një taksambledhës? Jepi tatimin… silueta grash dhe burrash... imazhe marshojnë/bëmë shenja, folëm fshehtas,- hapat tanë, një fillesë vrasjesh/. Thua të jetë vrasja jote nga zoti? Thua të jetë zoti nga vrasja e jote?

-U hutua me enigmën, u përkul si hark tmerri në ditët e tij të mysëta?

- Vëllai im humbi, babai i çmendur, fëmijët e mi të vdekur.

Kush do të pranojë lutjet e mia? Portën të përqafoj? Apo

të them ankimin tim në qilimin e lutjes? - Ka marramendje. Sill ilaçet dhe me filtrat e njerëzve të mençur shëroje.

Kufoma që vrasësi i lexon si anekdota/stiva kockash,

Kokë fëmije ai tog apo copë qymyri?

Trup, ai që dalloj apo skelet prej balte?

Kërrusem, meremetoj dy sy, arnoj një brinjë.

Ndoshta më ndihmon logjika

të më udhëheq shkëlqimi i kujtesës?


Por më kot lëmoj me mollëzat e gishtave varret e brishtë,

kot shoqëroj një kokë, dy duar dhe dy këmbë, të shfaqet fytyra e vrarë.

- Kush merr mësime nga milingona?

Pse surpriza? Është poezi të takohet shkëndija tragjike me syrin?

Mos ndoshta ekstazë të shikosh shtëpinë tënde të hidhet në erë? copëra te zoti

Bufi i falltarit u përplas lartë në minare, me britmën e tij thuri ylber dhe qau i mbytur nga gëzimi i tij.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

.../Të fshehtat e tij nxori në pah gaztori oborrtar - argjendari kjo kohë e pabindur,

moçal plot profetë.

Gaztori nxori në pah të fshehtat e tij-

Vdekje, e vërteta do të jetë

Vdekja, bukë për poetët

Dhe ajo që u emërtua apo u bë atdhe; ndonjë epokë që lundron në fytyrën e kohës.

Gaztori nxori në pah të fshehtat e tij.

Ku është çelësi yt, dallga e ndritshme? Përmbytëm, të përgjërohem, dhe merr brigjet e mia të fundit, merrmë,

më magjepsi një pafundësi e zjarrtë, më magjepsi një fije kashte që digjet, më magjepsën rrugë që trembin rrugët. Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri. Harroi shpirti im dashuritë e ti Harroi trashëgiminë e fshehur në shtëpinë e fotografive.

Më nuk mallëngjehet për çfarë thonë reshjet, për çfarë shkruan boja e pemëve Nuk pikturon veçse  ndonjë pulëbardhën që dallga hedh në litarët e anijeve.

Nuk dëgjon veçse britmat e ndonjë metali, ja zemra e qytetërimit hënë që pritet më dysh, e lidhur me kërthizën e një përbindëshi të zjarrtë.

Nuk e di më

se zoti dhe poeti janë dy fëmijë që flenë sipër mollëzës së gurit.

Harroi shpirti im dashuritë e tij

Ndaj më tremb errësira- e nesërmja e paramenduar

Ndaj më mposhtë dyshimi, më bënë qëndresë ëndrra

I lidhur vrapoj nga zjarri në zjarr

Më mbyti djersa që pikon nga trupi im

Dhe me muret ndava

pagjumësinë e natës/ ( hapat e natës, egërsira...)

Shpesh i thash poezisë që përfundoi

në kujtesën time.

Cili është tehu i dhëmbëzuar sipër fytit që vendos shenjën e heshtjes?

Kujt t’i tregoj hirin tim?

Unë që harroj pulsin tim si ta çrrënjos

dhe në një tryezë ta hedh?

Unë që s’pranoj të bëj brengën time daulle për qiellin,

le të them atëherë ishte jeta ime shtëpi iluzionesh dhe mulli me erë.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

Pemët e dashurisë në Kasabin* u bënë motra me pemët e vdekjes në Bejrut dhe këtu,

pylli i mërsinës ngushëllon

pyllin e mërgimit- Siç hynë Kasabini në hartën e barit dhe filtron thellësitë e livadheve,

Hyri Bejruti në hartën e vdekjes/varret si kopshte, dhe ara eshtrash.

Ç’ është ajo që nxjerrë me rrëmbim fshatin Kasabin në Tyrus dhe Sidon,

ndërsa shkon Bejruti?

Cila, gjëja e largët që po i afrohet?

Ç’ është ajo që në hartën time trazon ato gjakra?

U tha vera dhe vjeshta nuk erdhi

Në kujtesën e tokës u terr pranvera/ dimri,

siç e pikturon vdekja; psikozë ose gjakderdhje.

Epokë që del nga flakoni i vendmbërritjes dhe nga pëllëmba e fatit.

Epokë e përçartjes që kohën improvizon Dhe erën përtyp.

Si nga do ta njihni? Vrasës pa fytyrë/veshur me të gjitha fytyrat…

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

I rraskapitur ktheva kokën- vërej skajet

Kush zhelet? Kohëra? Vende? Parulla

në breg të muzgut të varura?

Ja, brenda një çasti lexoj breza dhe në një kufomë

mijëra kufoma.

Ja, më përmbyti humnera e marrëzisë,

Trupi im çlirohet nga pushteti i vetes

Fytyra ime nuk duket më në pasqyrën e saj

Gjaku im arratiset nga venat e tij...

Mos ndoshta nga që shikoj dritën që shpie

ëndrrat e mia?

Mos ndoshta

nga që jam skaji i universit që të tjerët bekojnë dhe unë mallkoj?

Ç’ është ajo që çrrënjos thellësitë e ndërgjegjen sime

dhe ikën

mes gëmusha dëshirash, në vende- oqeane prej

lotësh

dhe miqësi simbolesh?

Përmes kombesh dhe fisesh- epoka dhe popuj?

Ç’ është ajo që pret më dysh shpirtin tim?

Ç’ është ajo që më shkatërron?

Të jem udhëkryq?

Mos u ndërpre rruga ime, në çastin e shpalosjes? Të jetë e imja?

Mos vallë u shumëfishova, mos është humnerë historia ime

dhe fati djegia?

Ç’ është ajo që shfaqet, nga një e qeshur e fortë,prej buzëve të mia të mbytura?

Mos vallë u shumëfishova, njeri duke pyetur tjetrin?

Kush je dhe nga vjen?

Të jenë gjymtyrët e mia pyje luftimesh

...në gjakun tim që u bë erë, brenda trupit tim që

u bë gjethe?

U çmenda? Kush jam në atë terr? Mësomë, çmenduri dhe më udhëhiq.

Të mundesha nga lëkura ime të dal, pa e ditur kush isha dhe kush do të jem

Një emër kërkoj dhe diçka të emërtoj,

por asgjë nuk emërtohet.

Kohë e verbër dhe histori e verbuar.

Kohë e baltosur dhe histori e dërrmuar.

I mallkuar lordi, errësirë lavdi zotit.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

Stërgjyshi im semit u befasua nga çasti që lindi fatin e verbër.

Papagall? Apo profet që përfundoi në mumie?

O stërgjyshi im unë le tani rrugën tënde. thërras, ti, që strehon molekulën e ujit dhe dyshekët e qiellit.

Është logjike të rrugëtosh, ndërsa rrugëton, krenar para dhe pas meje.

Ti misteri dhe pasuria nga profecitë e mbretërisë.

Unë i pamunduri të të kuptojë, i gabuari ,

ti mrekullia.

O stërgjyshi im tani nuk të pranoj, dashurova ama krijimin

e Unit tënd, nuk do të më njohësh më dhe nuk do të na lidhë asgjë veç atij rrënimi që përfundoj në shpirtin tim- qan më bën të të qaj.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

Fundi i epokës që na hodhi për shi kalcium takon fillimin

e epokës që na hodhi naftë.

Zoti i fenikasve gjunjëzohet në një zot të hekurt,

Dhe unë midis tyre, gjak i rrjedhshëm dhe karvanë

në prapavajtje.

Thellohem në zjarrin tim të shuar

Dhe përpiqem si të marr me të mirë

vrazhdësinë brenda shkretëtirës së vdekjes sime,

dhe them; universi e thur ëndrrën time.../fijet shthuren.

Shikoj veten time në një humnerë dhe lëshohem

në rënie

natën

Shikoj dukuritë; rreth tymi

shikoj botën; gjueti,

tryeza e shtruar, - me trupa të shijshëm

dhe kokët- kupa

zoti ulet në tryezë, furrtar ishte

një dre dhe ushtar një hardhucë/ një zot ha prenë apo preja zoti?

Gënjeshtare rruga dhe bregu tradhtarë. Si të mos më godas tani vetëtimti çmenduria? Kështu, atë që ha përçmoj dhe ushqimin. Çdonjëri më lehtëson, përhumbja ngushëllimi im; të hyjë në ëndrrën time,endem, luhatem këndoj dëshirën për refuzim dhe flas përçart- hallkë e ditëve të mia, ylli i Afërditës, dhe byzylyk Bricjapi Them; petalet në lulëzimin e tyre hapen si ballkone…

Ngushëllimi im të jem kryengritës- mobilizoj rrymat e kryengritjes Në ato erëra të çuditshme vini kapistër E therur historia dhe tani sa fillon masakra Lëreni vrasësin, dëshmitar viktimën dhe masakrën Me mbetjet më mbuloni dhe më pikturoni Rrënojë mes rrënojash. Kështu mençurinë do të tërheq nga burimi i saj Duke klithur mirë se vini mbetjet e mia të mira, rënie të mirëpres. Nesër do t’ më shuaj vdekja po nuk do të shuhem Nesër do të shkoj nga njëra dritë te tjetra, Vërtet, më i dobët se një fill po dhe më i admirueshëm nga çdo zot.

Kështu filloj

Përqafoj tokën time dhe epshet e saj të fshehta-

Dashuron trupin e detit, një dashuri që ka diellin

për duar. Trup - kthinë e gjëmimit dhe spirancë e butësisë

Trup- premtim ku unë mungoj

unë i ri-përtërituri nga ai provokim

trup/ më mbuloni me dritën e shiut të dashuruar

fytyra e Margaritës,

Jam shenjt i besueshëm...

Përqafoj kohën që vjen dhe udhëtoj

I vështirë, me hije kapiteni, vendin tim shënjoj -

ngjituni në majat e tij më të larta,

zbrisni në thellësitë e tij

terror nuk do të gjeni as zinxhirë- sikur të ishte zogu

degë,

toka fëmijë dhe përrallat- gra

Ëndërr?

Le në brezat e mi të ardhshëm këtë hapësirë ta bëjnë të vetën.

Lëkura ime nuk është barakë mendimtarësh, as

pasioni im druvari i kujtesës-

mohimi i gjinisë sime, dhe martesa ime fekondimi

midis dy poleve, e imja kjo epokë,

i imi zoti i vdekur dhe mekanizmi i vdekur- Koha ime

të banoj në rezervuarin e dëshirave,

të jenë mbetjet e mia lulet e mia, dhe unë

alfa e ujit dhe omega e zjarrit- i çmenduri

i jetës.

Duke shfaqur ndërkohë të fshehtat e pasionit të tij,

Rrëfen se

Është i shthururi, kryengritësi, diversi.*

(Bejrut, 4’ qershor – 25’ tetor 1982)

*Hulaku- Perandor i Mongolisë. Rrethoi Bagdadin më 1258 duke i dhënë fund epokës së Kalifatit.

*Kasabin- vendlindja e poetit.

Përktheu: Vasil Klironomi



77 views1 comment

1 Comment


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Mar 31, 2020

Poemë oqeanike për nga pasuria e figuracionit, gjerësia e thellësia e mendimeve dhe shungullimat e pafundme muzikore. Shumë falënderime i talentuari Vasil Klironomi , që na e solle shqip të tillë mrekulli si një qetësues të mirë në këtë kohë të muzgët e mjegullt.

Jam besimplotë se dhe vetë i famshmi Adonis do të të përgëzonte e uronte për nivelin sipëror të shqipërimit. Kozma Gjergji


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page