top of page

Përparim Hysi: Për një gërmë



  (tregim)

 

Nga Përparim   Hysi

 

 

        Prolog

Është pak paradoksale dhe pak e dyshimtë,po,kur të lexoni me vëmendje, do të bindeni që për një"gërmë" u "vra" një dashuri. Këtu nuk është për t'u kapur në ato"lojëra" fjalësh,kur supozohet që për një presje a zhvendosjes së saj,herë nga padija dhe herë e qëllimshme,është vendosur dhe fati i një njeriu. Se,historikisht,për një gërmë edhe janë vrarë njerëz,se,kur thotë LAO TZE"Fjalët e vërteta nuk tingëllojnë bukur dhe fjalët  që tingëllojnë bukur,nuk janë të vërteta." Unë nuk merrem  me sofizma,por gjithmonë u referohem fakteve dhe,para se të tregoj se ç'ka ndodhur,ashtu në"vija të trasha", se sa vlerë merr qoftë dhe një gërmë e vetme, shiko se si ka ndodhur në luftën  e madhe patriotike të B.S.kundër hitlerianëve.  Një zbulues rus që dinte gjermanisht,jo vetëm depërtoi në zyrat e Gestapos,por arriti të vrasë një oficer të saj. Jo vetëm e vrau,por ngjeshi dhe mbante në brez koburen e tij. Në një mbrëmje vallëzimi,tek rrotullohej me partneren e tij,kolegu i viktimës,sa i pa koburen,ndaloi vallëzimin dhe iu drejtua:"Kjo kobure është e Herr X... dhe,si është e mundur që gjendet tek ju?

Zbuluesit nuk ia hante qeni shkopin,ia rrëmben nga duarët akuzuesit dhe me"diplomaci" i thotë:-Mos u mundoni të përdhosni amanetin  e Herr X... që ma dhuroi në grahmat e fundit. Mbrëmja vazhdoi pa një incident,por jo gjithmonë"diplomacisë" i shkon kungulli mbi ujë. Dhe ja sa rëndësi ka një gërmë! Zbuluesi vazhdoi punën e tij dhe zhduku shumë gestapistë,po kur një polic e ndaloi për dokumentet,pa që një fjalë qe shkruar gabim.Ta zëmë që një  shipfolës,sado që flet mirë,tek shkruan,gramitikisht,bën gabim. Ta zëmë fjalën "FIER",ta shkruajë"FIERË" apo Tiran pa ë në fund.Polici  jo vetëm e vuri re gabimin,por tha:-Një gjerman me shkollë,kurrë nuk  e bën këtë gabim. E arrestoi si të dyshimtë dhe,mandej,e pushkatuan. Veç për një gërmë.

                                                   *

Unë me Kamilën qemë në të njëjtën shkollë dhe,që të dy,konviktorë. Konviktorë qemë dhe,sado që nga çupat,na ndante veç një çap,kurrë nuk pati qoftë dhe një incident. Kishte një disiplinë të rreptë dhe,sa qeshë unë në shkollë, as u pa ndonjë lidhje dashurie. Epo dashuria,sa e bukur është,aq e padukshme është.Si ajëri! A rrohet pa ajër?Pa më thoni:-Kush e pa ajërin? Kështu dhe dashuria! Sa e bukur,aq e mistershme dhe e fshehtë. Kështu ndodhi dhe me mua e Kamilën. Unë qeshë maturant,ajo në vitin e tretë. Qe çudi se lidhja jonë nuk u bë as në konvikt,por as edhe në shkollë. U bë,kur bënim provat në kor. KAMILA këndonte bukur.Qe soliste. Ne i bënim jehonë zërit të saj,kur solua e saj kish nevojë për jehonë.Qe mesviteve '50-të të shekullit  të shkuar,kur vendi ynë kish miqësi të madhe me B.S. dhe këngët e koncertit tonë,dominoheshin me këngë për luftrat heroike të popujve sovjetikë. Ishte fjala për një komandant hero dhe,sado kanë kaluar mbi gjashte dekada, nuk kam se  si harroj vargjet"solo" të KAMILËS dhe jehonën tonë:

  Solua e KAMILËS: "Vij reparti bregut

   Nga udhëtimi i gjatë

  Kokën e ka lidhur

  Gjaku i kullon

  Nëpër gjurmët e gjakut

  Bari kuqëlon"

Pas këtyre vargjeve,jehonë me mbi dy oktavë si jehonë heroizimi:

-Hej,hej,Komandanti ynë!

Natyrisht,ngaqë shquhem si një zë bassi,nga bërtitja ime,më shumë doja t'i bija sy Kamilës,se sa heroizmit të atij komandantit rus.  Këto prova në kor,u bën intensive se në 10 shkurt 195...,ishte  jubileu i krjimit të Ushtrisë së Kuqe,dhe Profesori ynë i muzikës,mend humbte në peshë,aq me përkushtim punonte. Unë,ngaqë flokët i kisha si gjemba iriqi,nuk lashë vazo me brilantinë  në dyqan dhe mundohesha ta haja me sy atë, solisten. Isharete me të bëja,po fjalë,as gëk dhe as mëk. Epo ç'duhen fjalët,thosha me vete. Ajo duhet ta vërë re,pse kot"pëllas" unë me zë të trashë:"Hej-hej komandanti ynë". Nën zë:"Hej-hej,kjo solistja jonë!". Askujt nuk i tregoja se ç'ndjeja përbrenda. Nëse qëllonte që ajo,duke shikuar nga unë,çonte,si e druajtur.një buzëqeshje fine,unë tak dhe buzën vesh më vesh.Kjo buzëqeshje e saj më prishi gjumin dhe nuk flija rehat. Tek ngjtja shkallët për në katin e dytë,djathtas,në katin e parë flinin gocat dhe,sado sytë më mbesnin andej,mezalla se çapitja andej. Por rasti a nuk është mbreti i botës? Dëgjova "solisten" që t'i thosh një shoqeje të saj:- Ah, të kisha një bogaçe të ngrohtë me dy çapa do ta gllabroja!   U vodha nga studimi i mbasditës dhe,rugicave që mos bija në sy,mbrrita tek furra ku dhe shiteshin bogaçet.Mora katër copë njëherësh dhe thirra në emër atë shoqen.Ia dhashë duke i thënë:-E dëgjova ç'të tha Kamila dhe,ngaqë do këndojë në mbrëmje, hajini dhe t'ju bëjë mirë! E ndjeja veten qeshqek se,ja, më së fundi,"solistja" do e marrë vesh që unë e dua.Në mbrëmje qenë provat dhe unë mend e mbarova vazon me brilantinë.Haja inat me veten:po m'u gjetën këta dreqflokësh si gjemba iriqi? Asnjë krëhër nuk i shtronte. Sidoqoftë, u bëra me krahë,kur KAMILA po dilte në skenë dhe,kur pa nga unë, lëshoi një buzëqeshje. Tani kush më mbante mua? Nën zë,ia thashë:"Soliste,moj soliste që më je si shpirte!". Filloi koncerti  dhe KAMILA me atë zë si kanarinë po zotëronte sallën dhe unë,për të kontrolluar"iriqat"mbi kokë,vura dorën që t'i shtroja,kur gishta m'u ngallosën si të lyer me gjalpë.U dhashë një të fshirë pas pantollonave dhe"kruajta"zërin për të dominuar mbi të tjerët. Dhe u bëra aq trim,sa u zotova:" O sot,o kurrë!".

                                                      *

Pas koncertit nuk e takova dot,por qetësoja veten:- E mira pret! Ç' bie sahati,se sjell moti. Një mbrëmje,aty para konviktit,tek dëgjonim  atë emisionin "Ju flet,MOSKA!",u ndodhëm pranë e pranë. Tani nuk prita më dhe nisa të flisja.Natyrshëm,nuk do sjell për ju,fjalë për fjalë,por mora vesh:ishte jetime.Rritur në një "Shtëpi fëmijësh" dhe kishte vetëm një vëlla,oficer në MARINËN LUFTARAKE. I tregova për vete dhe i bëra komplimente për zërin e saj prej kanarine. Më falnderoj dhe,tek do ndaheshim,më tha:-Të falnderoj për ato bogaçet e ngrohta dhe nuk di si t'jua shpërblej.

-Mos i zërë në gojë se, si jetime,tash e tutje je motra ime. Iku,si me vrap,dhe,kur u kthiella,zura të rrah kokën me grushta.Po për ç'motër flet apo je si Hallili që i tha MUJIT::"Krejt çikat eJutbinës,janë bash motrat e mia!!!".Hajde kokëbrilantinë hajde.! Epo nuk është aq e kollajtë që t'I thuash një femre të dua.SE dashuria sa e bukur është po aq e vështirë bëhet për t'u shfaqur.Nuk ka trimëri në dashuri.Apo nuk mora sëpatën dhe preva këmbët e mia?I thashë motër asaj që e dua. Hajde"vëlla",hajde!

Për të ndrequr,çfarë prisha, i shkrova një letër. Aty i tregova se ç'lloj vëllai isha për  të.Kur ia dhashë,sikur hoqa një mal nga supet dhe,ndërsa prisja përgjgje, isha në gjendjen e asaj gruas që"torturohet" për të sjellë në jetë fëmijën e saj. Lindja vjen me dhimbje,por dhe dashuria. Kur më solii përgjgjen,ndjeva aq gëzim,sa ndjen dikush që del  nga një"eklips" ku shpëtoja vetëm unë dhe ajo. Ky pakt i fshehur nuk qe vemë me"vulë të thatë", E "njomën" me puthje nën një kaki me drurë të shtrembër,por kokrrat i kishte mjaltë të ëmbal se qe nga ato me farë.

                                                     *

Unë dola në punë dhe"motra" apo Solistja vazhdonte vitin e katërt. Gjatë këij viti merreshim vesh me letra. Në muajin maj ajo mbarontte mësimet dhe në dyjavëshin e parë të qershorit kishte provimet e maturës. Pakti,mes nesh,sa të mbaronte unë do shkoja tek i vëllai për të treguar lidhjen tonë. Në fillim të majit shkova e takova dhe më tha:"Unë do të shkruaj se si i kam punët me vëllan dhe ti të më shkruash se si do vazhdojmë më tej."

Prita letër dhe letra nuk erdhi. Ajo e dërgoi letrën për adresën time dhe letra,në vend të vinte në PREZË ku punoja unë,shkoi në PEZË. Ajo prit përgjigje dhe unë prit letër.  Mjerisht, e humba"motrën" që doja.

I vëllai do nissej me shërbim 2-vjeçar në RUSI dhe,ngaqë motrën nuk kish ku ta linte,e martoi fët e fët me një shokun e tij ushtarak. Solistja do këndonte diku tjetër. Që atëherë,KAMILËN nuk e pashë më dhe nuk e mora vesh,pse nuk më shkroi atë letrën.

                                                 *  

Epilog

     Kishin kaluar vjete nga dashuria ime e parë dhe,natyrshëm, jo vetëm mora një tjetër,por u bëra dhe me fëmijë.

Një ditë prej ditësh,kur po pinin kafe me një çift,miqësh të mi. befas e shoqja e mikut tim e zbrazi:

-Mos i fol timshoqi,se nuk  e meriton.  E mora si me shpoti këtë rekomandim,por ajo shtoi:-Ky e mori një letrën tënde ku të pohohej dashuria,por ngaqë është kurioz i sëmurë,sa pa emrin tënd, e hapi dhe,pasi e lexoi,nuk pati më guxim që të kërkonte falje.E grisi dhe e hodhi

-Mos i fol,-thuaj se bërtiti. Kurse miku(pse kot thonë që më ruaj nga mqtë se nga armiqtë ruhem vet) u tkurr dhe u nxi në fytyrë si një faqezi që nuk dua t'i përmend emrin. Ja,kështu,për një gërmë u vra një dashuri.

                                                 Tiranë,31 tetor 2024

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page