DITA e NOVRUZIT
(poezi)
Nga Përparim Hysi
Nesër është DITA e NOVRUZIT,edhe unë jam bektashi!
Dua t'i hip autobuzit dhe të shkoj në fshat tani
Dua...është dëshirë imja,porse pritë më vë shëndeti
Dhe tani që jam burrë me thinja,për në fshat ma ka qejfi.
Më kujtohet mua dikur,kur festonim ne në fshat
Dhe më bëhet sikur, sikur të jem atje këtë natë.
Qëngjin pirës ther babai(shpretkën unë e ha të gjallë)
Dhe në hell e vë pastaj,zu ta pjekë me ngadalë.
Nëna ka mbushur furrën me simite e ëmbëlsira
E kujtoj tani qëkurën dhe më shumë tani u "thinja"
Se përlotem kur kujtoj si festonim ne në fshat
Më vjen keq që dot nuk shkoj, se tensionin kam të lartë.
Prindërit e mi më nuk janë,as shtëpia nuk është më
Por kujtimet më vijnë pranë,aq sa lemza mua më zë.
SE është DITË e SHËNUAR për besimtarët bektashi
Ndaj i uroj gëzuar, me këtë timen poezi.
Tiranë,21 mars 2024
Comments