top of page

PËRBINDËSHI GRI


Vullnet Mato

Vullnet Mato

PËRBINDËSHI GRI (Duket nga Dajti, mbi Tiranë)

Ai del vrullshëm nga tollovia e makinave, nga luksi i veturave, me ngjyra ylberore, me kthetrat e tymta ngjitet kaltërsive, pluskon duke formuar kënetën qiellore.

Me grahmën e zymtë mbështjell qytetin, me rrezatimin e errët, qiellit i zë frymën, me perandorinë e pamatshme, sa deti vesh edhe diellin, me qefinin e imët.

Pastaj i kthyer në blozë, përbindëshi vigan, përqark trupit më endet e më vishet tinëz, më ndot veshjen, qelb djersën me katran dhe s'ka ç'i bën, as i gjithë uji i Bovillës.

Ndjej tek e kapërdij e më djeg në mushkëri, më pushton frymën e lodhur prej mundimit. Përbindëshi gri, hyn brenda damarëve të mi dhe sytë m'i zbeh me avujt e turbullimit.

Nga kockat e mia, thith palcën, pak nga pak, përzihet me gjakun, ku transformohet lënda, më copëton mushkëritë, veshkat dhe përqark, zbraz helmin kanceroz e më kalb përbrenda;

Ditët m’i shkurton, duke më tretur trupin, derisa të më shndërrojë në kufomë të blozës. Së fundi, buzët e arkivolit të më puthin, dhe të përcillem me funeralin e nëntokës…

Të shpëtoj nga përbindëshi, nuk del garant,

as vetë bashkia, që e lejon të bëhet gjigant...


20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page