Përndryshe: Tiranët janë njësoj
Të gjithë jemi të shqetësuar dhe ndjekim me trishtim ngjarjet në Shqipëri. Do ta filloja këtë shënim me disa pyetje ‘naive’: Për çfarë krijohet ky kaos me plagosje, arrestime, zhurma, djegie, thyerje xhamash, bërtitje mediash dhe blogjesh soj-soj, që nuk dinë të mbajnë njëherë paanësi? Krijohet për drejtësi, për demokraci apo për njërin e për tjetrin? Mos vallë për atë djalin e shkretë, të cilit iu shua jeta aq dhimbshëm? La gjë amanet ai… të digjet Tirana? Tani (çfarë ironie!) bijtë e kaosit po bëhen ‘armiq’ edhe me familjen e tij…
Çfarë po ndodh? Pra, në emër të kujt gjithë kjo tollovi? Në emër të Salinjve të ‘97-tës, të ’98-tës, që pasi e kishin cilësuar (më parë) Azem Hajdarin ‘spiun’ dhe ‘rrugaç’, pikërisht me arkivolin e tij shpërthyen dyert e Kryeministrisë, shkatërruan, dogjën, morën pushtetin me dhunë, dëbuan z. Nano, të cilin, më vonë (ç’karagjozë të dyja palët!) prapë e thirrën për… bashkëpunim dhe… marrëveshje? Apo bëhet në emër të Ilirit të 21 janarit, me 4 të vdekur? Se… për atë që nxori në dritë Ministri i tij ishte ai manifestim, ndoshta më i madhi që kemi parë ndonjëherë. Për çfarë tjetër? Për Mediun e Gërdecit? Për Nardin që është bërë proverbial, ç’po them, komik, por s’i ndahet politikës?
Do vijmë në Surel, kërcënohej një ‘këngëvrar’. Shkoni posi! Por pastaj… kthehuni një shëtitje edhe andej nga Gjiri i Lalëzit, hidhni një sy edhe te Bankat jashtë vendit, shikoni ç’bëhet me Malin e Tomorrit… Ka punë puna. Me këtë, dua të them se të gjithë tiranët janë njësoj. Po të ish për mua, asnjëherë atij vendi nuk i duhen për kryeministra e presidentë këso njerëz që nuk kanë punuar në profesionin e tyre asnjë orë, këso doktorësh, piktorësh, ngjithfarë amatorë që një ditë s’e bënë të mirë… Ne - jam shprehur herët për këtë - na duhen nëpunës korrektë, profesionistë, burokratë, pak a shumë siç i zgjedhin në Mbretërinë e Bashkuar, në Suedi, në Zvicër, në Danimarkë, në Finlandë. I kini lexuar ato që shkruan Koço Broka? Po Selami Xhepën e njihni? Janë ekonomistë dhe burra të ndershëm e të drejtë. Një asish na duhet të drejtojë vendin. Por tiranët nuk lënë hapësirë për të tjerët. Dhe kjo ndodh sepse ne ende jemi në një demokraci hibride.
Shoh që mes të ‘zemëruarve’, ç’po them, mes ‘të xhindosurve’, janë edhe disa artistë, ndonjë gazetar, ndonjë ish-politikan, njerëz të kodit komik ‘VIP’, që kanë humbur kontrollin mbi veten dhe janë shndërruar në klakerë, këlthasin e përplasin këmbët si kalamaj, duke kërkuar me ngulm ikjen e qeverisë e të Kryeministrit, të cilin e denigrojnë, e mallkojnë si gra pise. (Kujtoj se këta nuk kanë lënë asnjë rast pa hedhur vrer mbi atë njeri. Dhe sa herë që merr flakë vendi, fërkojnë duart.) As unë nuk e dua (Kryeministrin) dhe e kam kritikuar tash sa herë publikisht; por kritika dhe, nga ana tjetër, urrejtja e mallkimi, janë gjëra të ndryshme. Këtu, mendoj unë, ndahen parimorët nga ata që kanë inate personale apo janë të paguar a nuk di ç’tjetër iu ndodh…
Ka dy zgjidhje, të themi dy rrugë: Nëse këtë kaos e bëni për Salinjtë, Ilirët dhe Edvinët, duhet të duroni gjer në 25 prill. Ata kini sërish. Nëse mendoni se po e bëni për demokracinë, atëherë hartoni dhe firmosni një peticion ose kërkoni një referendum, që të mundësojë largimin e gjithë politikanëve të korruptuar, më e pakta të provuar gjer më sot si tiranë apo qoftë edhe thjesht të vjetëruar. Unë do e firmosja me shumë dëshirë këtë akt. Rrugë tjetër nuk shoh…
Comments