EDHE NJË LIBËR BIOGRAFIK
PËR LASGUSHIN
Prof Dr Nuhi Vinca
(Tomi Mato: “TË VËRTETA E TË PATHËNA PËR LASGUSHIN” Tiranë, 2000, fq. 208)
Pas Petraq Kolevicës, Meri Lalajt dhe Petro Priftit, biografëve të njohur të Lasgushit, ja edhe një autor: Tomi Mato me veprën e re mbi jetën e Lasgushit, titulluar: “Të vërteta dhe të pathëna për Lasgushin”, që pa dritën e botimit në fillim të këtij viti, pra në vitin 2000.
Vepra hapet me një fjalë hyrëse: “Lasgushi, i pambarimtë si poet dhe si jetë” të Fahri Balliut dhe “Në vend të parathënies”, shkruar nga vetë autori.
(Përshkrime autentike)
Të gjitha tregimet apo kujtesat janë shkruar sipas kujtimeve të autorit Tomi Mato përveç pesë pjesëve apo tregimeve, hartuar në bazë të mbresave apo kujtimeve të Kozma Bashos, Anastas Kostadinit, Todi Matos, Kostaq Krëstes dhe të Sotir Koci – çiços, miq e të njohur të Lasgush Poradecit.
Gjuha e gjallë, e pasur, spontane, përshkrimet autentike e faktografike të natyrës së Pogradecit, zbulojnë një shpirt të madh poeti, por edhe shpirtin e konteksteve historike që kanë preokupuar neve shqiptarëve si komb i ndarë, prandaj pamjet apo imazhet rrëqethëse befasojnë, shqetësojnë duke e bërë këtë libër sa dokumentar aq edhe monument e testament të autorit, të kohës. Aty ka porosi për të gjitha kategoritë e lexuesve: për ata që synojnë realizimin e idealit historik bashkimin kombëtar; për ata që duan, gjakojnë, preferojnë demokratizimin e jetës; për ata që urrejnë diktaturat e ndryshme; për ata që burokratizohen, qoftë edhe kur të flasin në gjuhën tënde; për ekologët e pasionuar që kanë ideal e qëllim jete ruajtjen e bregliqenit të Pogradecit, vendlindjes së poetit; ka ky libër jo vetëm informacion, jo vetëm përjetime të poetit por edhe porosi humane që lënë mbresa të paharrueshme për poetin dhe jetën.
Studiuesit apo biografët e deritashëm, besoj se do t’i korrigjojnë, plotësojnë, shoshitin qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre të deritashme për Lasgush Poradecin si njeri e si poet, pasi ta kenë lexuar me kujdes këtë vepër të re titulluar qëllimisht “Të vërteta dhe të pathëna për Lasgushin” që e pa dritën e botimit në këtë fillim të shekullit të ri.
(Përshtypje, mbresa)
Kishin kaluar shumë vjet që s’kisha lexuar ndonjë libër si ky që më vërshoi me emocione. Prandaj këto 200 faqe të librit edhe i kam lexuar me lot. Po pranoj se edhe kam qeshur herë pas here edhe me loçkë të zemrës... Si të mos emocionohesh kur preken aq spontanisht, aq natyrshëm, aq befasishëm problemet më thelbësore, më jetike të historisë sonë, ato të viteve të shekullit XX e të njeriut përmendore madhështore që “dha shumë e mori pak”, siç thuhet në faqen 190 të librit. Momentet që të prekin qofshin me lot gëzimi apo pikëllimi janë të shumta. Ja, bie fjala, një këshillë e babait të Lasgushit “Trikë Shqiptarit”, kur e këshillon Lasgushin e ri: “Kurrë mos u zir. Po të shau njeri, ti mos e shaj. Bliji një çokollatë dhe jepja. Kërkoji falje që ia ke ngritur nervat. Vetëm budallenjtë grinden dhe ziren. Ty të ka babi të mençur. Kurrë mos prish gjakun. Paqe me të gjithë!”
Tronditëse janë përshkrimet kur Lasgushi vendos t’i djegë librat që nuk i pëlqente partia. Ja një moment: “Mora guximin dhe i hodha. Pastaj si një njeri që e ka zënë gjaku...ktheva sytë nga e mallkuara flakë, se nuk më besohej se i digjja. Kur ç’të shoh! M’u bë sikur dual nëpër flakë një tufë personazhesh të librave që po jepnin shpirt. M’u lëshuan, më zunë për gryke, pastaj sikur m’u lëshuan autorët e librave. Më zunë e më tërhoqën zvarrë dhe më hodhën mu në mes të flakës e thërrisnin: “Ti të na djegësh!? Ti që je poet!? Digj më parë librat e tu pastaj na digj ne!...” Kur tap doli nga flaka e qiririt “Edipi mbret” i Sofokliut. Mbante dy shtiza e kërkonte të më qorrojë...” (fq. 21).
Kështu renditen përshtypjet e mbresat për tetë sylinjarët e kroit të fshatit, për gjirin virgjin të liqenit, për bunkerët si shëmti, lotët për tufat e luleve të dërguara nga Gostivari, për fjalët e prekshme të Çabejt që të mos shoqërohem me të më, sepse policët e kalecët i përcillnin, e kështu me radhë. Ironizimet e situatave, dollitë në raste gostie, me stilin e Lasgushit, e bëjnë këtë libër tërheqës, që s’të shqitet nga dora, kur nis ta lexosh.
Personaliteti me kulturë europiane, njeriu i katër doktoratave, i dy përmbledhjeve poetike dhe i shtatë gjuhëve të huaja, e bën këtë libër tërheqës për të gjithë.
Comments