top of page

Për Ambasadoren Shqiptare Luela Hajdaraga


Për Ambasadoren Shqiptare Luela Hajdaraga

Nga: Armela Hysi Keliraqi

              Nën ndriçimin e dritave festive dhe përqafimit të rrethit të gjerë të bashkatdhetarëve që përshëndeteshin duke uruar të qeshur e plot respekt Ambasadoren e Jashtëzakonshme e Fuqiplotë të akredituar në Athinë, znj. Luela Hajdaraga Gila, gjetëm dhe ne një korridor mes sallës së mbushur anë e kënd, të afroheshim familjarisht e të falënderonim për ftesën e asaj mbrëmjeje, që nderon çdo shqiptar të gjendet prezent. Edhe sivjet, kjo pritje madhështore për të gjithë bashkëpatriotët nuk qe aktiviteti i vetëm i festimit të përvitshëm; nën drejtimin e ambasadores Hajdaraga, Ambasada Shqiptare në Athinë ka ndërthurur festimin me bashkimin e emigrantëve pranë Trupit Diplomatik duke krijuar e vënë në jetë një varg aktivitetesh të shumëllojshme nën siglën kupolë: “Nëntori Shqiptar” për të cilin kam shkruar edhe vite të tjera, por që duhet thënë se vjen përherë e më i plotë dhe më i përkushtuar.

Përgjatë gjithë këtij viti, shqiptarët e emigruar morën pjesë dhe shijuan një numër të madh aktivitetesh, më të shumtët që janë zhvilluar ndonjëherë radhazi, gjatë këtyre tre dekada e ca emigracion, dhe si fund i vitit që është, mund edhe të mburremi me këtë bilanc emocionsjellës arritjesh, pasi përveç se na përkojnë të gjithëve, vënë në pah me dashuri se si është kryer plotësisht tanimë ai nocion që kemi dashur përherë të arrijmë, të festimit të shumllojshëm të gëzimit kombëtar, trajtimit dashamirë të secilit prej emigrantëve si pjesë e pandarë e tokës mëmë dhe vetë e vëmendjes së atdheut për të tërë të larguarit e përmalluar, si dhe gjithashtu bashkëpunimit të ngushtë të emigrantëve, organizmave e shoqatave të tyre me ambasadën, ku kanë gjetur një strehë të dashur dhe partnerin më të denjë të mundshëm për aktivitetin e tyre e idetë që vënë në jetë për të mbajtur gjallë frymën kombëtare, gjuhën, identitetin, bukurinë natyrale të përbashkimit të folklorit dhe kulturës si trashëgimi unike e pasuri vlerëmadhe. Padyshim edhe promovimit të shumëanshëm të punës së tyre, organizimit të vyer me çdo përpjekje, të komunitetit në përgjithësi dhe secilit anëtar të tij në veçanti.

“Për çfarë t’ju përgëzojmë dhe komplimentojmë më parë?” – e pyeta me humor dhe sinqeritet gjatë përshëndetjes zonjën ambasadore, teksa ajo buzëqeshi me modesti, duke pasur fjalën për praninë e saj përherë tërë sharm e ngrohtësi kurdoherë dhe me secilin person që takohet, porse kryesisht e veçanërisht për të gjithë korrektësinë frytdhënëse të shërbimit të zonjës Hajdaraga Gila në detyrën plot vështirësi, si Shefe kaq e suksesshme e timonit të këtij posti të rëndësishëm, ku duhet ta kemi parasysh: nga më të komplikuarit në tërësinë e stafit ndërkombëtar diplomatik. Pasi të gjithë e dimë që në marrëdhëniet sa të ngushta, aq edhe delikate me politikën e tendosur, dhe injektimet e thjeshta incidentale që ekzistojnë mes dy vendeve tona, që është njëkohësisht dhe operimi politik i ruajtjes së harmonisë mes aleatësh dhe fqinjësh, i vetë trajektores shqiptare me kurs të drejtë përherë e më pranë qëllimit, ëndrrës dhe përbërjes evropiane, përkujdesja profesionale nevojitet maksimale dhe vëmendja e vazhdueshme. Sigurisht të gjithë njohim peshën e madhe që ka ambasada duke theksuar praninë e një komuniteti kaq të madh emigrantësh (më të madhin e të shumëllojshmin në të gjithë diasporën shqiptare, me mjaft halle dhe prore i acaruar, si dhe shpesh i vendosur peng, për tekat e pjesës makiaveliste të politikës, veçanërisht vendase, trajtim që shpesh detyrojnë individët e tij të gjejnë veten ngushtë, duke u ndjerë – ca herë, me të drejtë e ca me mani fikse të imponuar – si viktima të këtij emigrimi); teksa pa dyshim vështirësia e madhe e asaj që do të quhej rëndësia primare për përrethësinë përgjithësuese të këtij autoriteti bazë të politikës së jashtme të një vendi, siç është përfaqësia shtetërore e diplomatike, si hallkë eventuale edhe sublime e gjendjes së globalizmit, që sot ka marrë ngjyrime edhe më të vaçanta. Ndërkaq të gjitha vështirësitë shtohen sipas shtimit të faktorëve veçues, si për shembull të krizës së tejzgjatur ekonomike të vendit të akredituar, përfshirë edhe atë humanitare në tërë rajonin e afërm, apo sfondin e dy luftërave gjakderdhëse dhe tërë spektrin ndjesor e praktik të politikës dhe veprimtarisë së nderë që zhvillohet krejt pranë kufijve të dy vendeve, të gjitha vetëm pak kohë pas një përvoje të paparë më parë siç qe pandemia botërore. Kështu ruajtja e balancave, e nervave të hekurta dhe sigurisht edhe tërë arritjeve të deritanishme, që kanë të  bëjnë me të gjitha komponentët e ingranuar të sipërpërmendur, dhe e kërkesës së vazhdueshme të përftimeve të reja, të gjitha këto, pra, kërkojnë vërtet zotësi që gërshetojnë vullnet dhe prirje të veçanta, dashuri e pasion për detyrën, përgjegjësi e vëmendje të sprovuar dhe ndërgjegje me vlera që s’mund të mos i admirojë gjithsekush vëzhgues i mprehtë, a jo, mjafton të posedojë dëshirën dhe synimin e mirë.

Në pothuajse tridhjetë vite në kryeqytetin helen dhe si bashkëpunëtore e ngushtë dhe e përhershme e shtypit shqiptar të botuar në Greqi, që prej fillimeve të tij, më ka rënë rasti të shkruaj shpesh mbi problemet e emigrantëve, mbi trajtimin e tyre nga politika e secilit vend, për pritshmërinë apo vërejtjet që kemi prej ambasadës apo përfaqësuesve të shtetit tonë, dhe besimin e kërkesat për mbarëvajtje përherë e më obliguese, por edhe për aspekte inkurajuese, për krijimin e kushteve përherë e më të përshtatshme që kemi hasur në këtë udhëtim të përbashkët të jetesës dhe kushteve specifike, ndaj s’e fsheh gëzimin e përligjshëm që më ndjej kur këto shkrime përshkruajnë arritje e veprime me kah pozitiv, angazhime që sjellin përmirësim, mirënjohje dhe privilegjin e ndjesisë si e të qenit mik dhe i shtëpisë në institucionin më të lartë e më të vyer të shqiptarëve jashtë atdheut të tyre, ambasadës së tyre.

Nuk gënjehem, as i bëj qejfin vetes, roli i ambasadës është i shenjtë dhe përcaktues në marrëdhëniet ndërkombëtare, jo të krijojë psikologji të mirë tek emigrantët, por kur ky rol sublim shoqërohet me këtë mirëbesim dhe mirëvlerësim rigoroz që kemi të gjithë për përkushtimin që ka treguar ambasadorja jonë dhe tërë stafi i saj, lejimi ta quajmë njeriun tonë, pothuajse të kemi rastin e afrimitetin ta thërrasim me emrin e saj, pa tërë titujt e merituar këtë zonjë të nderuar, nuk mund të mos quhet privilegj dhe karakteri i hekurt, i guximshëm e i sinqertë që gjej unë tek ky trajtim që është një vlerësim më vete për këdo që di të vlerësojë këto virtyte.

Në këtë mandat të parë, e mjaft të suksesshëm, të ambasadores Hajdaraga, që personalisht përveç se do të doja shumë të ndiqet dhe nga i mëpasshëm pranë selisë së Athinës, nuk kam  dëgjuar dikë të mos e ketë shprehur këtë dëshirë, pasi lirshmëria dhe gatishmëria që ka pasur përgjatë tërë kohës së shërbimit të saj, ka fituar sa e sa zemra, kështu që reportazhi i përvitshëm për festimin kuq e zi të komunitetit tonë sot i kushtohet përshkrimit të punës e rolit të saj me mirënjohje e respekt.

Armela Hysi Keliraqi

 

 

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page