PËLLUMBAT E MURMË
Gjithësia u zhyt në mugëtirë,
pëllumbi i murmë shuan me krahë kandilët e yjeve.
Ai lëpin buzët e veta,
lyer me njomështi ëmbëlcake dhe të kripur.
Ajo kthen e vërtit rrobat e nderura përqark stufës,
dy fole kanarinash ia mbulojnë gjinjtë e zhveshura.
Nuhat symbyllur këmishët me jaka të shkërmoqura nga përqafimet.
-Edhe sonte do shikoj ëndërr me trendafil,
- tha e qesh e tej lumturuar.
Palos një mbi një çorrapet e ngrohta,
(nga ato që vesh dimri i varfër,
arnë mbi arnë,
në pllaze e thembra.)
Lëvizjet magjike,
të gishtave e krahëve,
shtrojnë flokët dhe palosin të tejdukshmet,
që vesh për gjumë e për festë femra.
Në ëndrrën e mëngjesit trupin ai e kish të pendosur,
pëllumb i murmë ndizte kandilet e yjeve.
Ajo mbante në sqep gonxhen e porsa çelur
dhe ëndrra aromonte trendafil.
2020
Comments