“PYLLI I SODËS”
Nga Luan Çipi
Mijëra fidane me pisha,
Krijuan “Pyllin e Sodës”
Zallishte e rërë kishte,
Thua se ishte fundi i botës.
Krahas kësaj mrekullie,
Aty mbiu dhe një monstër,
Një objekt pjellë babëzie,
Sikur të ishte një lodër.
Uzinë për Sodë Kaustike,
Njollë e ndotur sipër rërës,
Si peshqesh nga Kina mike,
Në ato vite çudibërës...
Soda u shemb, mbeti pylli,
Ngeli emri “Pylli i Sodës”,
Bregut të detit u shfaq ylli,
Lindi bukuri e botës.
Se i tillë na është një pyll,
Objekt vlerash pambarim,
Ndjell freski e gjallëri,
Pamja të mbush me gëzim!
Qëndron si mushkëri e tokës,
Plot me ajër, pemë e ujë,
Si flokët në maj të kokës,
Një lumturi e pa bujë!
Pyllin, vlonjati e mbolli,
Me dëshirë e me vullnet,
Fidanët në tokë i hodhi,
Ta gëzojë për mot e jetë!
Pyllin e artë, do ta mbrojmë,
Nga zjaret, sharra dhe spata,
Nga ndotjet do ta pastrojmë,
T’i qëmtojmë degët e thata!
Tiranë, më 17 Mars 2022
Comments