NË NDERIM TË MARTIRËVE,
VILSONIT DHE GENCIT,
Nga Visar Zhiti
I pushkatuan para 45 vjetësh, si sot, në 17 korrik 1977... Dy të rinj nga një fshat i Librazhdit, dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, - shih, dhe emrat i kanë si në balada, familjarë të dashur, i shkulën nga gjiri i familjes, Vilsoni 29 vjeç, la gruan dhe vajzën, Genci 36 vjeç, la djalin dhe vajzën... edhe sot do të ishin... me libra shumë... por janë, më të dashur se kurrë, martirë.
Na lanë poezinë e tyre si testament dhe heroizmin. Në burgologjinë time “Ferri i çarë” tregohet pushkatimi, një madhështi rrëqethëse, një flakë e pashuar, që buron dritë...
Pas mesnate, se ashtu bëhen pushkatimet, pa nisur zbardhëllimi, ndalën te vendi sekret, i caktuar më parë, një rrëpirë e shkretë në humbëtirë.
Zbritën nga karroceria e makinës ushtarake ata të skuadrës së pushkatimit. Nga “xhipat” dolën shefat, komandanti i skuadrës së pushkatimit, kryetari i Degës, prokurori i rrethit, mjeku…
Dhe i sollën ata të dy, Vilsonin me Gencin, të sfilitur, të torturuar. Të qethur, me nxirje në fytyrë e copërlime në gjymtyrë, as rrobat e shqyera nuk ua mbulonin. Mezi rrinin në këmbë. Gati me të shtyra shkuan tek ai pak shesh i gjymtë mes shkurreve e gurishtave. Terr dhe hije malesh më keq se terri. Heshtje, që prishej nga hapat e çizmeve ushtarake a nga ndonjë guriçkë që merrte të tatëpjetën. Groooopaaa…
Përroi i Firarit, tamam vend djajsh. Fenerët e dorës bënin dritë të frikshme a u ndezën dhe dritat e njërës nga makinat.
Ata të dy më këmbë, të zymtë përbuzshëm, të tronditur deri në moskuptim dhe në një si panik të shtypur, të drunjëzuar. A kështu u dukej atyre që ishin përballë, skuadrës së pushkatimit. Se ata s’do t’i shihnim më ata drurë përreth, as botën, njerëzit e tyre. Nuk mendoheshe dot më shumë, këputej çdo mendim, s’e dije ç’ishe e ç’ishin ata që do të pushkatoheshin. Vilsoni dhe Genci. Anash rrinin drejtuesit e kësaj ceremonie vrastare, të tmerrshme, të pashembullt. Si në detyrë, si në punë.
Urdhri paraprak ishte që të qëllonin vetëm mbi Genc Lekën. Nga fare afër.
- Zjarr!
Genci ra e po përpëlitej mbi barin e lagur me gjakun e tij. Rënkonte. Rrëketë e gjakut vërshonin nga plagët që sapo hapën plumbat në trupin e tij. Vilsoni, me sytë gjysmë të mbyllur i shtangur më këmbë. - E shikon shokun tënd? - u dëgjua një zë. Njëri nga shefat iu afrua kufomës ende më këmbë të Vilsonit. - Kështu do të biesh edhe ti, por prano. Duam bashkëpunimin… Di gjuhë të huaja, mund të na shërbesh, çështjes së madhe të…
- Kam thënë jo, mbaroni shpejt, - foli dënesshëm Vilsoni.
- Mendohu, por shpejt, s’ke kohë shumë, balta të pret.
- Më mirë baltë sesa me ju, - u duk sikur u përgjigj vetë balta.
- Shoku yt mbaroi, shiko te këmbët. Ti mund t’i arrish ëndrrat… - Ashtu guxoi e foli oficeri? Sa të poshtër!
- Jooo, - ndërpreu gjithçka ulërima e Vilsonit, - me shokun tim e nisa, me të ta mbaroj! - dhe po u bërtiste atyre, dukej sikur donte që të mbyllej sa më parë kjo tragjedi, ai i ishte dhënë vdekjes me kohë, që kur i arrestuan, në hetuesi, në gjyq, kur hodhën sentencën: dënim me vdekje, me pushkatim. Më herët akoma, ai endej në mbretërinë e vdekjes, që kur shkroi poezinë parë, që kur po përkthente fshehurazi njërin nga ata poetët e mallkuar, që, kur u dashurua me atë aktoren, por tani s’kishte kohë më për asgjë, veç për të nxjerrë dufin e fundit, para se të nxirrte frymën e fundit.
- Vrasës… më vrisni… se edhe ju… kriminelë…
- Zjarr! - u përsërit urdhri, më me rreptësi e më me mllef, dhe batareja e plumbave e griu të gjithin. Ra përsipër shokut të tij. Gjaku që sapo i vërshoi, iu përzie me të atij dhe, siç bëhen vëllamë duke pirë nga gjaku i njëri-tjetrit, ata u bënë vëllezër në pafundësinë e territ, ashtu siç është vetë vdekja.
* * *
Dy kokë të bronzta mbi siprinën e ujit, të mëdha, të rënda, si dy planete. Buzë rrugës në të hyrë të qytetit të Librazhdit. Grup skulpturor në nderim të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Uji është kujtesa a vetë koha, a kthjellimi i kujtesës. Sytë të mbyllur në një gjumë bronzi. U dola nga pas. Ndërrova prapë vend. Kërkoja vrimat e plumbave në kafkë. Më dukeshin të sapovrarë dhe uji më bëhej gjak. Se dhe pasqyronte perëndimin e diellit. ... Dy kokët e bronzta më dukeshin si mbi lot. Zgjata duart t’i ledhatoj.
Comments