Rroj me ju dëftue ca ëndrra të pathinjura,
kam frikë se mbeten të patregueshme
e mund të m’i lëshoni nëmët nëpër këmbë.
Rroj me ju dëftue se drita është e imja
dhe njëmijë thasë shkëlqime i ruaj në sirtarin
mbushur krrëk.
Rroj me ju dëftue se jam shumë e kamur
se i ngjitem natës pa vënë gjumë në sy
ah, e keqja s’më gërget.
Rroj me ju dëftue se nuk më këput dergja
as mësyshi
kur flej e veshur me metal të rrallë.
Rroj me ju dëftue, se rroj mirë
e tana të mirat i kam,
se barrën e t’mirave që anohet nga unë
me njëqind çelsa e kam ndry.
Rroj me ju dëftue se nuk jam dorështrënguar
dhe muj me ua fal frymën
me ua fal ditët e mia,
ju të rroni ndonjë ditë më shumë.
Rroj me frikë se mos ju ha marazi
për thërrimet e nurit në dukjen time
që ua mbush syrin rrumbull,
për arkat plot urti gruaje...
Comments