Puntorie Muça Ziba: COPËZA FËMIJËRIE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 days ago
- 1 min read

Në dhomën shtruar me qilim të punuar në vegjë
me fije të trasha leshi,
e bluaja fëmijërinë.
Përpjekja ishte e çdoditshme,
por nuk e dija me kë e kisha inatin.
S’e pëlqeja fytyrën time të riprodhuar në letër
prandaj i grisa të gjitha fotografitë bardhë e zi
dhe asnjë kujtim nuk i lashë babait.
Ai rrinte me aparat në dorë
çdo shtator kur bëhej ndonjë dasmë
shkrepte ndonjë fotografi të re,
sapo shikoja figurën time
e bëja copë-copë
dhe përsëri nuk e dija me kë e kisha inatin.
Më kujtohet si sot,
kur qëndroja në dritaren e dhomës së madhe,
ah, pasi i grisja kujtimet bardhë e zi
bluaja me dhëmbë malin karshi
me fshesë mblidhja copëzat
dhe nuk e dija me kë e kisha inatin..
Comments