U hapën qiejt,
me forcën shtytëse iku gjithçka që mbante toka mbi shpinë,
vetëm pak njerëz mbetën.
Ata hodhën zërin tutje,
i hodhën edhe fjalët e shkruara në libra.
Gratë gjunjë këputura, zhveshën rrobat e zisë
zhveshën edhe fustanet e nusërisë…
Ato, sapo hodhën mbi qiej bukurinë
dhe pëlqimin e flaktë,
mbetën lakuriq
si të lindura prej nëne.
Marroheshin kur i shihnin sytë në pasqyrë…
Nuk mbeti mbi dhé njeri
që qeshte e qante njerëzisht.
Toka u shkund,
përpiu lotët e dashurive të mëdha.
Ah, edhe atyre pak njerëzve që mbetën gjallë,
dhembja ua plasi barkun.
Comments