top of page

Puntorie Muça: IDE E NGULITUR



 

Njerëzit nuk duan të jetojnë

ashtu siç jetuan deri më sot.

Ata, nga inati shkulin kokërdhokët nga zgavra

i hedhin tutje

pas nate i kërkojnë me pëllëmbë.

Ah, i gjejnë në prehër,

i kapin me majën e gishtave

i shpërlajnë në dallgë oqeanesh

i rifusin në gropën e  syrit.

Njerëzve ju bëhet xham shikimi

dhe nuk jetojnë ashtu siç jetuan

ata nuk duan të vdesin,

duan të rrojnë sa rron zoti

dhe menduan t’i lajnë duart nga zoti

dhe ta rrëmbejnë fuqinë e të pushtetshmit.

Poetes që i doli nami i bardhë si nëna e metaforave     

një ditë u trullos,

u bë thashethemexhie.

Ajo bërtiti:

ata të gjithë; qofshin gjerman, hebrenj, egjiptian

rus, anglez të bardhë apo të zi,

në jetofshin në tokë të zhvedhur, në tokë të bardhë, në tokë të kulluar,

ëndrra ndezur jetojnë

ah, përmbushin zotimin njëzëri

meqë nuk duan të vdesin

prandaj kërkojnë të bëhen zot

e zoti të bëhet njeri.

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page