top of page

Pse “blegërima” e Qingjit të vogël nuk e ngrohu asnjiherë autorin e saj.


Intervistë me LEON LEKAJ, të birin e autorit ZEF LEKAJ dhënë Mark Simonit, botuesit të MAPO LETRARE. Gazetari: Shqipëria po mbyll dekadën e tretë në një rend demokratik. Bir i një artisti, të cilit iu mohua egërsisht talenti, si ndjeheni sot? L. Lekaj: Ç’ mëkát që zhgënjími ka mjéte kaq të pàkta, me të cílat dúhet me u luftúe. Gazetari: Nuk ju duket se kështu po mohoni shpresën? L. Lekaj: Sot shprésa âsht shndrrúe në nji qíri, me të cílin njérzit e dëshpërúem që jánë në fúndin e sállës kërkójnë me u nxê. Nga natyra jam karaktér që nuk iu besój mrekullíve. Gazetari :Ndryshe nga shumë autorë veriorë ju shpreheni në gegnisht. Ka një arsye? L. Lekaj :Sigurisht! Bába im íshte gégë, dínte përméndsh várgje të Físhtës të Mjédës dhe shkrimtárve të tjérë të kóhës. Unë u línda në at' qytét të mrekullúeshëm. Gegnísht? Imagjinóni síkur sot të dálë nji ekolog dhe të thotë: Drínit të zi do t’i ndërrójmë rrúgë, na mjaftón vétëm uji i të bárdhit. Kjo gjâ ndodhi në kongrésin e drejtshkrímit në ’72. Letërsínë e konsolidúeme gége e ndálën të rrídhte natýrshëm në fóndin asáj shqípe. Ky nuk íshte nji gabím, por nji faj i vetdíjshëm. Nuk due me hý në analíza të thélla, por mjaftóhem me thânë që gegníshtja zotnón nji muzikalitét, që do t’a kíshte zilí çdo gjúh' e bótës. Gazetari: A mendoni se sot, mbas gati tri dekadave diçka ka ndërruar në trajtimin e personalitetit të babait tuaj? L. Lekaj: S’pári dúhet me pranúe se ka një zhveftsím t’ artísëve në përgjithsî. Në rástin e tim áti, harrésa shumfishóhet, sepsê ai nuk díti për asnjî çast me u rreshtúe në ánën puthadóre të fitimtárve. Im atë i lútej vétëm Zótit. Ka pásë disâ tentatíva, të cílat ma shúmë iu ngjájnë flétve të ndérit të kóhës së diktatúrës, se sa nji vlersîm reâl të figúrës së tij. Në Kuçóvë, ku ai zhvillói një pjésë të mádhe të veprimtarís së tij, rrúga që përshkónte për në púnë ka márrë émnin e tij. Kaq! Për antitézë, im atë mbylli sytë në prag të shékullit të ri (shkurt 1999) pa pásë nji telefôn fiks. Gazetari: Keni botuar një monografi për atin tuaj. Sa keni “ulëritur” aty? L. Lekaj: “Ulëríma” âsht pjésë integrále e njérzve që mrekullîsht dínë me úlë e me çúe flámuj dhe ky lloj reagími nuk ka qénë kúrrë në menýnë që na u servîr prej príndërve tánë. “Rránjët e edukátës jánë të ídhta, por frútat e tyne jánë të ámbla” thóshte Aristotéli, por për fat të keq, as kjo thánie e tij nuk funksiónoi në atdhéun tónë. E vétmja “ulërímë, n' qóftë se múndem me e qúejtë kshtû, âsht rréshti i párë i monografísë, tek i cíli betóhem se déri që të kem frýmën e fundit, do luftôj që “émni i tij të rríjë híjshëm në sfóndin e kóhës ku jetói dhé punói" Gazetari: Ati juaj, si pak artistë, u burgos dhe regjimi u ngut ta njolloste me me damkën e armikut. Si do të përgjigjeshit sot? L. Lekaj: Në ditárin që ka lánë, ai flet për nji márrje në pýetje prej hetúesit të tij, Bujar Himçi, i cíli e akuzón se ishte mbrójtës i fláktë i Físhtës, Kolíqit apo i Dostojévskit, se njíhte mírë Bíblën, se íshte besimtár, apó se çmónte Beniamino Gigli-n dhe kangtárë të tjérë të prendímit. Në at’ kóhë ktá émna për njérzit e thjéshtë dúkeshin jashtoksórë. Mandéj atë e akuzúen si agjént të prendímit, të amerikánve dhe të Vatikánit. Tánë eksperiénca e sigurímit të shtétit, tue përfshí edhé arsenálin e líbrave me armíq e diversántë, u lshúe n´ damárët e qytétit si nji hélm i pregadítun me kujdés. Imagjinóni déri ku shkónte ajó lloj propagánde; sot, shókë të mij të rinísë më thónë se në piánon që kíshim në shtëpí, flítej se íshte gjétë një revolvér. Ç’ farë marríe! Vétë arrestími i tij i bújshëm, i parapregadítun mírë prej regjímit në mjedíset e pallátit të kultúrës ku punónte, flet ma së míri për nji godítje të kalkulúeme, godítje, e cíla kërkónte me gjunjzúe krejt intelektuálët e qytétit nën pushtétin e frígës. Imagjinóni; e tánë kjo skénë ndódhi vétëm tri dítë mâ párë se ai të dílte në pensión. Gazetari :Me sa kam unë dijeni, ati juaj nuk vinte nga një shtresë e pasur. Pse gjithë ai mllef kundra regjimit komunist? L. Lekaj :Gjithmónë kam mendúe se shkólla ku ai studiói, (Kolegji saverian) ka pásë bárrën mâ të mádhe të “fájit”. Prej saj im átë kíshte mbétë si të thúesh “i fúndmi i mohikánëve”. Të tjérë miq, shókë, apó profesóra të tij, qófshin kta shqiptárë apó italiánë, iu nënshtrúen nji represióni të pa pámë. Óse përfundúen në tógat e pushkatímit, óse u burgósën, óse u arratisën. Edhé Zef Lékaj, në vjétin 1946, kur dështói lëvízja e Postrríbës, tek e cíla móri pjésë, u detyrúe me u arratísë në Jugosllaví, e për trembëdhétë múej me fjétë ndër vórre. Ajó shkóllë népte kaq shúmë díje dhe drítë, sa që ndriçími i saj qorrónte përbíndshat e térrit komuníst. Gazetari: Autor i shumë këngëve të njohura, fitues çmimesh edhe pse gjithmonë i lënë në hije për shkak të antikomunizmit të tij, ai është njëkohësisht edhe autori i këngës aq të njohur “Qingji Vogël”. A keni diçka të veçantë në kujtimet tuaja që lidhen me këtë këngë? L. Lekaj: Po! Jánë tre çáste, të cílat kánë mbétë t’ paharrúeme. Dy të párat, atë që kánga Qíngji vógël u kndúe fillimísht prej vëlláit tim Sokólit, si dhe ndryshími i tekstit, i cíli iu atribúe tim áti, e që në fakt ishte nji tekst i krijúem prej R. Prenúshit, i kam përshkrúe në monografínë, “Një artíst nën pentagráme të kryqëzúara”. Rásti i trétë âsht i lídhun me periudhén e búrgut të tij. Mbasí na përplásën sportélin e vógël në búrgun e Zejménit me fjálët “...Zef Lékaj ndódhet në nji spitál në Tiránë”, pâ nâ dhánë mâ shúmë shpjegíme, mu désht me kërkúe shúmë rrúgëve të kryeqytétit për tâ takúe. Si e gjéta, u paraqíta tek oficéri i rójës, brénda senatoriúmit, në kátin e póshtëm të tij, në nji kthínë të rrethúeme me hékura. –Cílin kërkón? -më pýeti oficéri. I tháshë émnin. -Aaaa, -ma kthéu, -âsht autóri i qíngjit të vógël. Prit! Më báni nji shërbím, të cílin e kujtój edhé sot, e që më bíndi se në véndin tim kíshte énde njérëz që rrezikónin për hir të ndjénjave të týne. Gazetari: Pak kohë më parë pati edhe një emision, ku u prezantua edhe një emër nga Kosova, i cili me një video për qingjin e vogël, ka rrokur jo pak, por disa qindra miliona shikues. Si u ndjetë kur patë emisionin? L. Lekaj: Në shqip ekzistón vétëm nji fjálë, e cíla nuk përmbúsh mirë gjithçká ndjémë si famílje; të revoltúem! Jo aq shúmë me atë që e ka këndúe, se sa me drejtúesen e emisiónit Bieta Sulo dhe me stáfin që ajó udhëhéq. Credo quia absurdum (únë e besój, sepse âsht absúrde) -thótë nji autór latin. Por kjo nuk âsht héra e párë, ku gazetárë mediókër shfrytëzójnë kángën “Qíngji vógël” për qëllíme t’véta, pa i atribúe asnjí merítë autórit të saj. Si múndet me ekzistúe një gazetarí e tíllë, tek e cíla hulumtími për témën që dúhet trajtúe, kap shífra në rráfshin e zeros? Âsht e pafálshme! Shífni fáktin e tékstit! Edhé pse zyrtarísht kudó e gjen të shkrúeme Tekst e muzíkë Zef Lekaj, ati im, shum’ kóhë mâ parë se të íkte prej ksaj jéte, mâ thâ të vërtetën. Gazetari: Kur Zef Lekaj e ndjeu kënaqësinë e këngës “Qingji vogël”? L. Lekaj: Për mendímin tim, tue përjashtúe çastet kur e krijói, pothuejsé asnjihérë “blegëríma” e Qíngjit të vógël nuk e ngróhu autórin e saj. Në opciónin e jurísë, megjíthë duartrokítjet e publíkut, u nderúe me çmim të dýtë, sepsé të párin e móri njí kángë revolucionáre. Edhé pse gjátë víteve të komunízmit ajó u këndúe shpesh, émni i tij anashkalóhej. Kur im átë u dënúe për agjitacíon e propagándë, kánga hýni në fóndin e ndalúem dhe mbas víteve ’90, për shkak se téksti u ndryshúe, mbéti prápë në arkívat e kángëve, të cílat provokónin me përmbájtjen e tij. Jam i bíndun se mâ shúmë se 95% e shqiptárve nuk e dínë émnin e autórit. Gazetari: “Pash dy syt’ e tu si drita”, një këngë që ka hyrë në repertorin e shumë këngëtarëve të muzikës qytetare. Komenti juaj? L. Lekaj: Jam i bíndun që fonotéka shqiptáre ka boll shémbuj me kángë të árdhuna prej muzikántëve anonímë, ku émni i autórit shkríhet, tue ja atribúe nji krijím pópullit. Në ktë kandvështrím mbétja anoním e kángës tue i shtúe qénien gjállë të krijúesit të saj, nuk qe gjâ tjétër véçse nji respékt i pashpállun, që pópulli i bánte autórit të saj. S’ pári, si shúmë krijíme të tij, edhe ksaj kánge âsht ndërrúe títulli i cíli n’ origjinál âsht “Pash nj’at zâ qi lshon bylbýli“ me tekst e muzíkë të Zef Lekës. Nuk do të lódhem me komentúe shúmë, por do ti referóhem dy zânave të mrekullúeshëm ; Luçie Milotit dhe Bujar Qamilit, të cílët e kánë interpretúe. L. Miloti: Aty (Qaf-Shtámë-shën. im) mësóva kángën “Pash nj’at zâ qi lshon bylbyli“, që mâ vonë e kam këndúe shpesh...”. B. Qamili: “Kjo kángë e Zef Lekaj ...u bâ prónë e ímja dhe rríti prestígjin tim si kángtar”. Gazetari :Me çka di unë, Zef Lekaj ka edhe një lënë një arkivë të pasur letrare. Po përmend tekstin e këngës “Kur prendon dielli”. Sa njihet në Shqipëri, por dhe jashtë kufijve të saj, që ky tekst asht nji krijim i Zef Lekës? L. Lekaj :Pothúejse aspák! E shkrúeme në vítin 1957 me kërkésën e autórit të muzíkës, tridhjetetrevjeçári, míku dhe shóku i Leonard Dedës, Zef Lekaj, do t'i bashkëngjíste muzíkës brilánte një tekst kándshëm, i cíli kalón prap` atjé, në ngushtícën e tij të preferúeme, tek lirízmi romantík baritór, e cila u bâ káli príjës i múzës së tij. Por édhe ktu, demónët e kuq artvrásës kánë ndërhýe tue ndrýshue fjálët e tékstit. Jam i bíndun, jáshtë çdo modestíe, se në vítet ku asht shkrúe ky tekst kánge, vshtírë me gjétë kaq shúmë ndjénjë dhe art brénda nji téksti. Gazetari :Drejtues artistik në Shkodër dhe në Kuçovë. Çfarë keni dëshirë të përmendni tjetër nga krijimtaria e tij? L. Lekaj :Sigurísht që múndem me fólë gjátë, por unë dúe me përméndë vétëm pak ngjárje, të cílat janë eveniménte të shqúeme të jétës së tij. S’ pari Zef Lekaj íshte kormaéstro në opérën e párë shqiptáre “Mrika” e cíla u shfaq në Shkodër dhe së dýti, në Nándor të vítit 1962, gáti dy múej mâ párë se të hápte sipárin Festiváli i I-rë kombëtár i kángës në Rádio-Tirána, në Shkódër u zhvillúe Festiváli i párë i muzíkës së léhtë. Tek kánga “Thúeje mos e zgjat” me të cílën ai paraqítet atý, si autór i tékstit dhe i muzíkës, Zef Lekaj, pavarësísht prej asaj héshtjeje keqdáshëse, që shpesh hérë mbulón individualitétin e tij, mbétet edhe sot e kësáj díte historikísht si fitúesi i çmímit të dýtë të festiválit të párë për kángën e léhtë, që u zhvillúe në Shqipërí. Dhe s’ tréti nuk mund të rri pa përméndë kángën, “Lúmja un’ për ty” me tekst e muzíkë të tíjën, e cíla, sipas mendímit tim âsht nji árie e mrekullúeshme. Lánia në híje e asáj kánge, e cíla qysh prej vítit që u krijúe (1958) nuk ka nji versión të ri, ka të bájë ma shúmë me tallavánë, që ka pushtúe muzíkën tónë. Gazetari :Cila qenë motot që e udhëhoqën Zef Lekën kur ai u lirue prej burgjeve komuniste? L. Lekaj :S’pári qe ingraními në famíljen e tij, si dhe vendósja e pikétave për krijimtarínë e së árdhmes. Së dýti mendój se dúhet me gjétë nji baraspéshë në mes thánies biblíke, “Fáli o Zot se nuk dínë çka bájnë” dhe asáj të O. Wilde kur thóshte “Fáli gjithmónë armíqtë e tu. Asgjá nuk i zemrón atá mâ shúmë se kjo”. Gazetari :Ju falënderoj! L. lekaj :Íshte knaqsí! Falemindérs edhé prej jush!





85 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page