Sherafedin KADRIU
PROZË E MBRUJTUR ME POEZI
Përsiatje rreth romanit “Bimorja” (botimi i dytë) i Anton Nikë Berishës
[...] i rashë në fund romanit. Sa me ëndje e ndjeva artin, tematikën provokuese të motivuar nga fenomene të predisponuara etike, etnike, sociale e filozofike, jo rrallë edhe trajtash misterioze.
Sa kohë kish kaluar e s’isha ndjerë lexues si dikur. Sesi u mbusha, a e mbusha zbrazëtinë e krijuar në qenien time prej lexuesi. Nuk e kërkova pse-në e boshllëkut të krijuar, aq më pak e kërkova fajtorin te krijimet e sotme, sepse dikush do të thoshte mendjemadhësi, a mohim i të sotmes, në emër të shijes gjoja gjakuese për artistiken e munguar shpesh. Dikush, edhe mund të thoshte se i ka ngelur ora në leximet e shekullit të kaluar! E çfarë nuk mund të thuhej!? E qe pra, “Bimorja”më kish rrëmbyer që në fillim, ndoshta për shkak të njohjeve të mia për personazhin historik, për shkak të veprimeve të tij atdhetare, për shkak të Veprës së Bogdanit të I. Rugovës, në mos për shkak të njohjes ndryshe që po ndodhte me personazhin gjuhësor e letrar, për shkak të së vërtetës së imagjinatës, e jo për shkak të së vërtetës së fakteve! Për të qenë i sinqertë me vetveten, nuk e di nëse po lexoja një këngë apo një kallëzim! Nëse i diferencoja këto dy trajta shprehjesh artistike, apo fare s’e kisha mendjen te diferencimi, se ishte ngjizur proza me poezinë, e s’kishe pse kërkoje të dije, kur ndjeje në atë strukturim qartësie, fisnikërie e thjeshtësie poetike, ashtu siç kompozon shkrimtari Anton Nikë Berisha.
Fabula e këtij romani është krijuar me një shkathtësi prej mjeshtri të zot. Ajo nis me elemente misterioze në trajtë përralle e përfundon me elementin historik, në trajtë imagjinate. Rrëfimtari zbaton nj rrëfim shumë shtresor që nxit komunikim të gjallë me lexuesin, pa qenë nevoja të jetë anëmbajtës. Pa qenë nevoja të ketë qëndrim ndaj të mirës dhe të keqes. Të dyja këto veprime njerëzore, se të tilla janë, i mbeten në dispozicion lexuesit: nëse ai do të marrë anë, e - do të jetë i detyruar ta bëjë këtë, sepse vjen me një përvojë jete e leximi domosdo. Në këtë ndërthurje ngjarjesh a fabulash të shpërnderuara, paraqitet “jeta” e pasvdekjes së personazhit hero të këtij romani, Pjetrit të Bogdanëve. Autori ka përshkruar lidhje çastesh të përzgjedhura për ta ofruar njohjen ndryshe me kryepersonazhin historik dhe njëkohësisht letrar: madhështinë e angazhimit të tij atdhetar nëpërmjet rrëfimeve të të tjerëve nga dy kampet ndeshëse, kampi i çallmave osmane dhe ai i vendësve. Njëmend që Pjetrin fillojmë e, e njohim intimisht, e njohim nga fjalitë në të cilat jeton e vdes, nga fjalitë në të cilat flitet e përflitet për veprën e tij. E liga që merr përpara heroin para dhe pas vdekjes, burimin e ka në kundërshtinë e sunduesit. Krejt e natyrshme. Kushdo që ngre krye, e ka rrezikuar kokën e tij! Po, aty do duhej të përfundonte përballja, si nuk ndodh në të vërtetë. Pjetri i Bogdanëve, edhe si i vdekur ia kallë datën Portës së Lartë; ai edhe me varrin e fshehtë e çon në këmbë një perandori të tërë. E duan me çdo kusht varrin për trupin e tij. E ç’është ajo mynxyrë që s’e le të qetë as në varr? ... Në mos nistë në këtë rast, ja një shfaqje e degjenerimit njerëzor, për të mos i besuar të ardhmes së veshur me lëkurë qengji. Kush do të thoshte pastaj se është degjeneruar bota jonë, kjo e sotmja, e njeriu ynë nuk paska të drejtë të jetë mosbesues në të ardhmen e tij kolektive?! Degjenerimi moti ka nisur... Për më gjerë, struktura e këtij romani ta ngacmon imagjinatën me ngjarjet që ndodhin gjithsesi, e që shpesh vijnë të organizuara e të modeluara, si nga kampi otoman, si nga kampi arbëror, që herë prin e herë tjetër ndjek. Ngjarja e së tashmes konkrete mund të përshkruhet thjesht: Pjetër Bogdani ka vdekur. Është varrosur fshehtas nga pushteti i osman. Porta e Lartë mëson për vdekjen e tij. Kërkon varrin. Trupin e tij. Do ta zhvarrosë, t’ua hedhë qenve. Një shembull dekurajues për të gjithë ata që do të punonin për çështjen kombëtare. Mustafa Ugurllu arrin ta gjejë varrin e priftit shqiptar nëpërmjet njerëzve të tij. E zhvarros trupin e të varrosurit dhe para gjithë popullit të mbledhur me patjetër në qendër të qytetit, ua hedh qenve të uritur. Trishtimi i të gjallëve është i papërmbajtshëm. Aq më shumë pse bëhej fjalë për priftin atdhetar... Është kënga pastaj për Pjetrin e Bogdanëve. Është kënga për Gjergj Elez Ali Gjergjin. Është pra kënga, ajo që nuk ndalet dot as në rrugë e as në burg që jehon kudo, në rrugë, në oborre, në dhoma shtëpish ose në kishash, e shoqëruar nga qindra këngë e qindra lahuta kreshnike. Atë, këngë, të cilën, Ugurllu do të donte ta varroste, ndryshe ç’veproi me trupin e priftit. Po, nuk ia arrin dot! Kjo është ngjarja e Bimores, që paraqet një model strukturimi të përpunuar deri në detajet më skajore. Gjithçka është në funksion të përmbushjes së vetëdijes, për t’ia zbuluar asaj jo të kaluarën historike, por ëndrrën reale për të ardhmen që është e tashmja konkrete. Inspirimi i autorit konkretizohet nëpërmjet tekstit, të cilin narratori e përçon duke shkërmoqur botën historike, të cilën me të drejtë ndonjëherë e vesh me mistikën, për t’ia bërë pronë letërsisë, prandaj, jo njëherë, është e domosdoshme të konstatohet se sa ka rëndësi organizimi i fjalëve në fjali; patjetër që është e rëndësishme zgjedhja e fjalëve që do të përshkruajnë situatat konkrete, çfarëdo qofshin ato. Në këtë kontekst duhet parë shenjat gjuhësore, tek të cilat shënjuesi dhe i shënjuari përputhen ndërmjet vete, si të thuash semantikisht, logjikisht, artistikisht, bile edhe vizualisht. Le t’i marrim të shkëputura disa prej shenjave të tilla gjuhësore: tretur, larg, përtej, dallgë deti, drejt fundit, ndryj, rrasë guri, nuk, dilte, kurrë, përplas, shtrëngatë e egër, trup i dërmuar, shqetësim, zënie, ndjenjë e ngrysur, frymë, zhbirim, palcë e eshtrave, drejt territ, territ të humnerës.Të gjitha këto shprehje përfaqësojnë mllefin, të errëtën, të keqen, të trishtën etj., - më tutje mbetet që mjeshtri t’i radhisë: Përfytyrimi i zgjoi Kopryly Faylit ndjenjën se kishte tretur diku larg, përtej kohës; e pa veten midis dallgëve të detit që e shtynin drejt fundit dhe e ndrynin nën rrasën e gurit, nga nuk duhej të dilte kurrë! Kjo ndjenjë u përplas në të si shtrëngatë e egër; trupi i dërmohej nga shqetësimi dhe i zihej fryma. Një ndjenjë e ngrysur i zhbironte nëpër palcën e eshtrave dhe e shpinte drejt territ të humnerës! Autori është i vetëdijshëm se nuk mund ta ndryshojë botën e ndërtuar keq, së paku për etninë e tij, që ndjehet në realitet, që shihet, preket e provohet për ditë, në atë përballje, nuk i mbetet tjetër pos ta shoqërojë antagonizmin me shpërthimet në kampin e etnisë së tij nëpërmjet Pjetrit të Bogdanëve, si përfaqësues e shembëllyes i mohimit të vetes, për të mirën e përgjithshme. S’kish si të ndodhte ndryshe, as s’kish si të përçohej ndryshe dhe nga kush tjetër, pos nga Njeriu i quajtur Pjetër Bogdani që qe frymëzuar nga veprimi i Jezuit për t’u sakrifikuar për të tjerët. E pra, është Pjetri i Bogdanëve, ai që lidh ngjarjet e poetizuara të etnikumit të gjallë e të vrarë. Është Pjetri i Bogdanëve, ai që përfundon jetën, për të vepruar më fuqishëm si emër i shoqëruar me ngjarje nga më të ndryshmet, si kulturë që nuk shkapet dhe nuk përbaltet nga emri i Sulltanit. Është Pjetri i Bogdanëve që me vdekjen e tij forcon qëndresën e ngjallë shpresën për ditët që vijnë.
Ka një mendim që qarkullon në kritikën letrare se interpretimi i një vepre do duhej bërë në kuptimin e kornizës konceptuale, që do të thotë se kritiku duhet t’i kthehet kornizës konceptuale të historianit për ngjarjet dhe asaj të filozofit për idetë (sipas Borhesit), ku sigurisht përfshihet teksti dhe personazhet medoemos. Në këtë kontekst, duhet parë edhe emërtimet e personazheve, e hiq më pak nuk dalin pa arsye edhe mbiemrat e tyre. Zakonisht, në jetën reale, personi bën emrin. Në roman, ndodh e kundërta: nëse emri nuk e bën personazhin të tërë, atëherë do të thoshim, emri është pjesë e temperamentit, veprimit, dukjes e psikologjisë së tij, sepse nganjëherë synimet nëpërmjet emrave që ndryshe paraqesin një trajtë vizioni, të pa kategorizuar në qëllime e objektiva, edhe mund të bëhen realitet. Gjergj Elez Ali Gjergji, nuk është pa domethënie: Gjergj Elez Ali GJERGJI! Vetullpreri e Buzëlythi, gjithashtu nuk janë emërtuar thjesht me nofkat e tyre, e sa personazhe tjera, si Drinorja, Ruvia etj, duke përjashtuar emrat historikë medoemos. Hiq më pak vizionar nuk mbetet as vetë titulli i romanit BIMORJA. Romani “Bimorja” cilësohet me një sistem gjuhësor shprehës të menduar e të përpunuar; autori e krijon tekstin që përherë përmban në vete më shumë se një kuptim, pra është tjetër përballë përdorimit të atij teksti që synon qartësinë dhe njëkuptimësinë. Të shprehurit në këtë roman është kryesisht figurativ; autori synon ta shprehë sa më bukur mendimin e vet; zgjedh fjalët dhe krijon marrëdhënie të veçantë midis fjalëve, fjalive dhe pjesëve më të mëdha. Pra, teksti i tij mbruhet me poetikë të mirëfilltë, që e bën të rëndësishme çdo vepër letrare. Si i këtillë, romani vjen me vlera të shtuara artistike, pa pasur nevojë të përballet me romanin tjetër të të njëjtit autor: Gjin Bardhela i arbëresh & Etje e gurëzuar, sepse veç mënyrës së thurjes së tekstit, dallojnë në shumëçka. Ndoshta, një përballje më e mençur mund të bëhet me Kështjellën e Kadaresë, ose Kalin e Trojës të Ymer Shkrelit. Të tri këto vepra i bashkon një e përbashkët e rëndësishme: depërtimi në psikologjinë e kampit kundërshtar dhe sjellja e atij kampi para lexuesit me të gjitha karakteristikat përmbajtjesore: filozofike, etike, sociologjike, zakonore, bile edhe gjuhësore. Dhe sa jemi këtu, që të mos ndodhë farë keqkuptimi, do duhej specifikuar se gjuha është shqipja, por përshkrimi dhe e dialogët kanë frymë osmane. Kampi vendës, në anën tjetër, paraqet kullën në raport me çekanin. E këtu del madhështia e romanit.
Gjilan, nëntor 2019
Комментарии