Proza e Fatmir Terziut shket si makina në autostradë Zyba Hysen Hysa
(Vështrim rreth romanit “Kojrillat” të shkrimtarit Fatmir Terziu)
Gjatë vitit të 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, u botuan dhe u publikuan shumë e shumë libra, shkrime, poezi... me këtë tematikë, ku më shumë se asnjëherë tjetër gjatë ‘100 Vjet Shtet Shqiptar’ nuk kishte ndodhur një gjë e tillë dhe u krijua ideja se shqiptarët “i hante meraku” shumë për historinë e kombit tonë, por sapo kaloi 28 Nëntori gjithë ajo llavë e nxehtë (thua se ishte shpërthim i një vullkani), pothuajse erdhi drejt shterimit dhe ftohjes. Ftohjen përfundimtare e bënë politikanët tanë përmes deklaratave “të nxehta” për çështjen kombëtare e së fundmi “kritikave” të ndërkombëtarëve për nxitje të nacionalizmit ekstremist, ku gjithçka u duk si një skenar që i erdhi fundi me deklarimet e politikanëve kosovarë që “Bashkimi Kombëtar ishte ide e shekullit të kaluar dhe nuk duhej të përmendej më”. Ajo që më tërhoqi vëmendjen pas festës, kur “tallazet patriotike” kishin pushuar, ishte publikimi, diskutimet, apo analizat që i bëheshin librit “Kojrillat” të Fatmir Terziut. Pse ta fsheh, nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për kojrillat, por për dallëndyshe, lejlekët, korbat, sorrat, qyqet, shqiponjat, grifshat, mullenjat... kisha dëgjuar dhe kisha lexuar nga autorë të ndryshëm se si i përdornin simbolikisht ato, ndaj hap internetin dhe kërkoj material e lexoj dhe me vete thashë: “Gjetje e goditur!” Shpesh lexoj dedikime autorësh për autorë tjerë dhe me thënë të drejtën kam kohë që nuk i lexoj më, se pasi më është dhënë rasti të lexoj më pas veprën, ndjej në shpirt ligështim, se kurrë nuk mund të ketë vepër të përsosur, por kurrë nuk mund të ketë një vepër pa kurrfarë vlere, ndaj u them “kritikëve” si puna ime, se edhe unë jam pjesë e së tërës: të mos ngrejmë në majë, një vepër që s’ka majë, se i bën dëm edhe veprës, edhe autorit, edhe letërsisë shqiptare, pavarësisht se koha është si një sitë sizmike që jashtë vullnetit tonë ajo na sit duke na nxjerrë; ose majë mielli, ose miell buke, ose krunde. Këtu nuk dua të përjashtoj mendimin e lirë, se jo vetëm për një libër, por thjesht për një thënie, ka mendime e kuptime të ndryshme, të cilat varen nga lloji i lexuesit dhe aftësia e tij për “të marrë më shumë vlerë, sa më shumë ujë rrjedh nën urë”, - thotë Isuf Luzaj për lexuesin diamant, sepse ai i përcakton ata në 4 kategori: Syzedielli, sfungjer, shoshë dhe diamant, gjithsesi, (pa e ditur se në cilin lloj lexuesi mund të përfshihem), libri i autorit, Fatmir Terziut, “Kojrillat”, futet në ato vepra që të detyrojnë jo vetëm të lexosh, pa ndërprerje, por edhe në kohën që je larg leximit, pranë të vjen “Ujnaja” dhe të rrëmben në rrjedhat e shumta të tematikës, të cilat ngjasojnë me rrjedhën e kundërt të një lumi, nisur nga grykëderdhja, shkon lart në shtratin e tij të vetëm, deri në burim të çdo ngjarje apo fenomeni këto 100 vjet të themelimit të shtetit shqiptar, por që fatkeqësisht burimit nuk i gjendet damari se nga vjen e si vjen, mbetet mister, ndaj dhe mesazhet dalin si burime drite, për të na dhënë mundësi të dallojmë, ashtu siç e thotë autori “Drita duhet parë në këndin e vet” dhe të ri gjejmë rrugën drejt përparimit tonë si komb. Po ta shikojmë në rrafshin horizontal, proza e Terziut shket si makina në autostradë, nuk tronditet, ajo rrëshqet lehtë – lehtë... ëmbëlsisht, deri në shpërthime vargjesh poetike, se fjalët nuk janë të kërkuara me mundim, por të ardhura ashtu natyrshëm prej gurrës së kristaltë arkivore që vetë autori ruan prej thesarit të krahinës së tij si dhe nga kultura e fituar ndër vite. Duke e parë me vëmendje, në romanin e tij përdoret më shumë fjalia e thjeshtë, më pak ajo e përbërë dhe shumë rrallë fjali e përbërë me shumë pjesë. Të gjitha këto përbëjnë mjetin e tij stilistik, por përdorimi në masë të gjerë të fjalive të thjeshta, sidomos atyre të shkurtra e bëjnë stilin e tij më të shkathët e më të gjallë, por këtë gjallëri e ruan edhe tek fjalitë e përbëra me dy pjesë, si dhe në ato me më shumë se dy pjesë, ku, e pse bie pak tempi i ritmit të fjalisë duke krijuar një stil më të ngadalshëm, por më të plotë dhe më të thukët në idetë dhe mendimet që jepen përmes tyre. Në bazë të kësaj kulture të gjerë, autori krijon edhe fjalët kyçe, fjalë që dalin të virgjëra gjatë vërshimit të tij letrar, fjalë që përveç simbolit që ruajnë në vepër, ato sinonimizojnë vetë autorin në letërsi. Shkurt, ai ka krijuar unin e tij në letërsi dhe kjo nuk është e lehtë dhe nuk është pak, po ta shohim në planin personal, ndërsa kur e shohim në këndin e vlerave ideore dhe artistike, pra të vlerave që përcillen tek lexuesi, këtu them se romani “Kojrillat”, qëndron në poltronin e nderit, si nga tematika e zgjedhur (temë historike, gërshetuar me ato sociale), ashtu edhe nga llojet e ligjërimit e stileve funksionale, në përdorimin e një sistemi të plotë stilistik që ka arritur të krijojë tashme gjuha shqipe. Gërshetimi dhe harmonizimi i të tre llojeve të ligjërimeve dhe të katër stileve, ku mund të themi pa frikë, se mbizotëron stili letrar – artistik, ka bërë që vepra të ketë një fjalor jashtëzakonisht të pasur, si dhe një figuracion artistik mjaft të goditur, ku mbizotëron simboli (shqiponja, kojrillat, broglat, E Ujta, piavicat...), ku përdoren për herë të parë, apo disa përdoren në këndvështrim tjetër (këtu dua të veçoj, se ai, çdo gjë e shikon në këndvështrime të ndryshme, bile edhe fjalëve të urta u jep ngjyrimin e kohës, nuk i lë të ngurtësuara), të cilat mbajnë në këmbë gjithë romanin. Dua të veçoj gjetjen e tij të figurës “E Ujta” e cila sinonimizon autorin në letërsi, ashtu si shumë autorë tjerë që kanë gjetjet e tyre. Kjo, e pse shpesh autori e vë përballë vetes, ajo është vetë ndërgjegjja e autorit, ashtu siç jepet sfondi i një pikture moderne, që mund të dallohet nga larg prej të tjerët, por që vetë piktori as që e ka menduar se çfarë ka dashur të shprehe, se ka hedhur shpirtin, por kush e shikon pikturën dallon “Të Ujtën” që flet me vizitorët. Jo më larg, por në librin që sapo përfundova “Nën Hijen e Dritës”, ndër të tjera them: “Shumë shkruajnë poezi, saqë po të lexosh publikimet në internet, mendon se çdo familje ka nga një poet, por poet – misionar është ai, që në poezinë e tij ka flakë për të ndriçuar përtej shpirtit të tij, që kjo flakë të ndrisë rrugën e zhvillimit kombëtar dhe më gjerë...”, po kështu do të thosha edhe për prozën, ndaj romani “Kojrillat” kryen më së miri misionin e tij, që në gjetjen e tematikës, në gjetjen një figuracioni të pasur artistik, gërshetuar me fakte historike, duke dhënë shpesh dhe përgjithësime filozofike. Një ndërthurje e rrallë dhe e pastër, se kam vënë re disa shkrimtarë që nuk dinë t’i dallojnë këto elementë, bien në gabime të pafalshme, romanet e të cilëve (unë nuk mund t’u rrëzoj vlerat), kthehen vetëm për të shuar kureshtjen (shpesh nuk mund të lexohen), nuk të ngjallin në shpirt ngazëllim, nuk krijojnë në shpirt shtrat për të lindur ide që të na nxisin për veprim, apo të na bëjnë të qëndrojmë në meditim pas leximit dhe të na nxisë refleksione për jetën personale, apo shoqërore. Nuk dua të bëj biografi të autorit, por dua ta falënderoj, se përmes këtij romani më ka sjellë parasysh qytetin e Elbasanit, krahinat përreth, rrugët e rrugicat, kohën në të cilën brezi im ka jetuar me atë egërsinë e saj të pashembullt, që unë e përjetova në këtë roman të rrëfyer “pa dorashka” me kënaqësi, se pas çdo të keqeje fshihet e mira dhe një e keqe e zgjatur ka fshehur shumë e shumë të mira, të cilat kanë filluar të çelin pas viteve ’90, ku si një zambak i bardhë ka çelur edhe romani “Kojrillat” i autorit Fatmir Terziu. Sot mund të them se: diktatura komuniste përmes digës që vuri përpara disa krijuesve që nuk mund të shkruanin të komanduar, qe e keqja më e mirë e asaj kohe, se këta autorë patën kohë, që përmes vuajtjes dhe dhembjes të mblidhnin nektar përmbi gjemba dhe sot të nxjerrin mjaltin, e pse me shije të hidhur, është shumë kurativ për ne, për shoqërinë, për të ardhmen... Autorin duhet ta falënderojë çdo shqiptar, se ky roman “mjalt i hidhur”e njeh lexuesin me historinë e vërtetë, duke na dërguar sa në Stamboll, Londër, Paris, Romë, Vlorë... në gjithë Globin si të ishin një e tërë e fatkeqësisë sonë kombëtare dhe tërheq vëmendjen, se ka ardhur koha që ne, shqiptarët, të ngrejmë zërin e së vërtetës, por ai zë për fat të keq akoma nuk del i lirë, se lakun ia kemi futur vetes keqas dhe litari mbahet akoma nga duart e atyre që kanë qenë xhelatët e fatkeqësisë sonë kombëtare. Autori duket sikur fut elementet fantastike, “Të Ujtën” por rrëfimet e saj janë më reale se realiteti, aty ai shpalos mendimet e tij, dilemat e tij, gjykimin e tij, dëshirat e tij... Kështu “Rrugëtimi jetik dhe arsyeja për një groshitje të asaj që e errëson këtë rrugëtim është sa në ujë e sa mbi ujë”, pra që të vazhdojmë rrugëtimin, duhet patjetër “groshitja” e historisë, se historia e kombit tonë ( do ta thelloja konceptimin e autorit), është ajsberg në oqean, ku i duket vetëm maja e tij, pjesa tjetër qëndron herë nën akull, herë nën ujë, tani akulli është shkrirë, por kërkon angazhim të gjithëve për ta zbuluar, se nga akull nën akull, për fatin tonë tani është akull nën ujë. Kjo kërkon dyfish sakrificë se historia jonë për fatin tonë të keq, do kohë të “groshitet”, pra të veçojmë egjrën nga gruri, se egjra ka veti që të turbullon, të deh, të vë në gjumë... Për fatin tonë të keq, thasët e historisë sonë janë mbushur me një përzierje egjër – grurë, saqë nëpër egjër numërohen kokrra gruri, ku pjesa më e madhe e grurit është në fund të thasëve, mendo sa punë na duhet për të “groshitur” historinë, më mirë do na vijë t’i përmbysim thasët dhe të fillojmë “groshitjen”, ashtu siç ka bërë edhe autori në librin “Kojrillat”, për të nxjerrë të vërtetën e vrasjes së Zejnep Vlorës. Ky roman vjen para lexuesit shqiptar si një thirrje për t’u ndërgjegjësuar në 100 vjetorin e copëtimit të trojeve tona në 27 korrik 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, që të kërkojnë me forcë dënimin e këtij copëtimi dhe në emër të mijëra shqiptarësh që u vranë në beteja, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mijëra shqiptarësh që pësuan gjenocidin serb dhe grek, në emër të gjithë atyre shqiptarëve që u detyruan të lënë vatrat dhe të ikin nga sytë këmbët për të shpëtuar kokën duke lënë pas shtëpinë, pasuritë, varret... Ka kohë që të gjithë bëjnë histori, secili bën “historinë e tij”, historia e Shqipërisë ka mbetur pa zot e për aq sa nuk do ndriçojmë historinë tonë, ne nuk do kemi sy për të parë udhën e zhvillimit dhe përparimit tonë kombëtar. Kushtet historiko – politike që ka kaluar Shqipëria dhe po kalon duke sjellë asfiksi të historianëve të vërtetë, të intelektualëve, të cilët ndjehen mes flakësh dhe lumnajash, por që në këtë zjarrmi mbytëse, kanë filluar t’i çajnë flakët, të gjejnë një dritare (sado e vogël) që të marrin oksigjenin e duhur për të mbijetuar duke thirrur fort që të gjithë të përpiqemi të dalim prej asfiksisë, të fikim flakët e mërisë dhe zjarrin e tradhtisë, të shtrëngojmë dorën njëri – tjetrit për të marrë në dorën tonë fatet e kombit tonë, fatet e pafat të shqiptarëve, të cilët trajtohen më keq se dikush që është pa vatan. Duhet të ringjallim besën mes njëri – tjetrit dhe mbi bazën e kësaj të gjejmë aleatët tanë ndërkombëtarë për t’u bërë pjesë e Evropës dhe Botës, se “Ne, shqiptarët, duhet të kuptojmë mirë besën, kujt ia japim dhe si ta ruajmë këtë besë. Për fat të keq, edhe sot më shumë dëgjohen dhe besohen të huajt se sa besojmë dhe dëgjojmë njëri – tjetrin. Nëse nuk do arrijmë të kuptojmë shenjtërinë e këtij virtyti të trashëguar ndër breza, ne kurrë nuk do ecim përpara, ne do mbetemi skllav i të huajve dhe armiq të njëri – tjetrit”. (“Nën Hijen e Dritës”) Romani “Kojrillat” i ndërtuar nga autori me kapituj, që na dërgojnë herë në vite shumë të largët, që në shpalljen e Pavarësisë, herë më pas në sundimet e një pas njëshme, ku ai na tregon fijet që lidhen dhe fijet që priten nga shtete dhe personalitete, që për fatin tonë të keq, kanë ndikuar negativisht për zhvillimin dhe përparimin e kombit tonë. Kjo na bën të besojmë se edhe ngjarjet e vite e vite më parë, sikur ndodhin tani dhe anasjelltas. Kjo na ligështon, se fati ynë akoma është si një top futbolli që luanë të huajt dhe porta jonë ha vetëm gola, se është një portë pa portier, apo më keq me një portier që nuk pret topa, por edhe kur ka mundësinë t’i presë ata, bën sikur i shpëtojnë nga dora dhe quhet autogol. Shkurt: Lojë e shitur! Përmes figurës së Zejnep Vlorës, gruas së bukur shqiptare, ashtu siç është dhe vetë pozita gjeografike e Shqipërisë, pikërisht të kësaj gruaje që simbolizon Vlorën, ngjarjet e rëndësishme të 28 nëntorit të vitit 1912, përfundimi i saj tragjik, përkon me tragjizmin e vetë burrit të shtetit Ismail Qemali, i cili u gjet i helmuar në një hotel të Italisë, pikërisht atëherë kur ai do vazhdonte misionin e tij për kombin tonë, mision që ishte firmosur që në 1912 në Vlorë autori kërkon të thotë të vërtetën dhe në gjithë kërkimet dhe mënyrën e të rrëfyerit të tij do të shkojë në fund të vërtetës, por ecën e ecën e ngec, bile dhe nëse e di se ku fshihet dhe ku qëndron e vërteta, ai nuk guxon ta thotë atë hapur, se do ishte vetëvrasje. “Unë u mundova të hap gojën time, por një dorë e padukshme më mbylli plotësisht tërë hapësirën e saj” Këtu jep qartazi pamundësinë e fjalës së lirë në diktaturën komuniste, që asgjë nuk u bë për gjetjen e dokumenteve të pavarësisë dhe jo vetëm kaq, disa firmëtarë u cilësuan edhe tradhtarë. Autori shprehet me shqetësim për shtetin tonë, për gjithë shqiptarët, ku bën pjesë edhe vetë ai: “Kisha fjetur mbi atë mister të asaj vrasjeje që kishte ndodhur në vitin 1932 në Londër. “Çudi, si më ka zënë gjumi mbi këto gazeta?” “Po të tjerët si i ka zënë gjumi për tërë atë mister, për atë bukuroshe shqiptare, për ato dokumente...?” por edhe në këtë hap të brishtë të demokracisë, atij u desh të shkojë në Londër për të gjetur të vërtetën, por akoma thotë ai “Diçka po më lironte nga ai pushtim trupor, por jo ende i lirë të flisja”. Ndaj shkrimi i këtij romani është si një përpjekje e autorit për të folur i lirë e të flasësh i lirë, do të thotë të thuash të vërtetën. Pse nuk jemi të lirë të flasim plotësisht? Çfarë na pengon akoma? Dhe fatkeqësisht ato fije që u lidhën dikur, tashmë janë bërë nyje dhe koha me shtrëngatat e pandërprera më shumë ka shtrënguar ato nyje, saqë edhe me dhëmbë, ato është vështirë t’i zgjidhësh, se sapo fillon t’i lirosh, një dorë nga dora jonë dhe një dorë nga dora e tyre i tërheq përsëri. Mirë dorën e tyre, s’mund ta presim dot, po dhe dorën tonë, duart tona nuk kanë mundur deri më sot ta presin, por ka mbetur si një dru i shtrembur që prish gjithë stivën... Ajo që u shkruan në 1912 nga 40 firmëtarët e Pavarësisë, ishin platforma e punës së Ismail Qemalit, që siç dihet ai do të shkonte në Konferencën e Paqes në Paris 1919 – 1920, por kur ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë, gjendet i helmuar në një hotel në Peruxha në shkurt 1919. Edhe sot nuk dihen rrethanat e vdekjes së tij, ndaj zhdukja e dokumenteve që ruheshin nga zonja Zejnep, pas 20 vjetësh, ku në Vlorë mbreti Zog do bënte festë madhështore për 20 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë (paradoks??), në Londër përgatiteshin planet për zhdukjen e dokumenteve, që për armiqtë e shqiptarëve, do të ishte edhe fundi i përpjekjeve të tyre për bashkim dhe përparim kombëtar, por bota nuk e di, se ne shqiptarët 100 e ca vjet kemi që e shkruajmë shqipen, ndaj u besojmë më shumë amaneteve të lëna me gojë, dhe të gjithë e kanë të qartë amanetin dhe të gjithë e dinë që amanetin nuk e tret as dheu, siç tret mishin e njerëzve, por kocka nuk tretet, aty është ADN – ja e njeriut, dhe në amanetin e të parëve, është ADN – e shpirtit të njeriut. Këtë e kanë shqiptarët të patjetërsueshme, ashtu siç kanë dhe gjuhën e tyre. Po të studiosh veprën “Kojrillat” e Fatmir Terziut, nuk do të mjaftonte dhe një vepër tjetër, që del si rezultat i dritës që përhap ky libër, të një drite me dritë “shtatëbojshe”, që duhet ta shohim ashtu siç thotë ai “në këndin e vet”, ndaj dua ta mbyll me dialogun e tij me “Të Ujtën”, e cila shndërrohet si me magji herë si një princeshë, herë si flutur... e në fund ajo erdhi e u kthye reale me kocka e me mish, peri e bukur... por atëherë kur ai mund ta prekte, ajo u fundos, ashtu si ngazëllimi i tij për të vërtetën e pa zbuluar, në kohën që ishte shumë pranë saj, ajo në mënyrë krejt të çuditshme bëhet më e mistertë dhe ky mister do na ndjellë ashtu siç na ndjell vetë të jetuarit. “ Nuk është ashtu si mendoni ju. Populli im nuk harron. Ai gjithmonë e ka kërkuar dhe e ka gjetur të vërtetën. Edhe nëse duhet edhe për këtë harxhon dhe frymën e fundit. Ju duhet të dorëzoni të paktën ato letra. Ai dokument me firmat e Pavarësisë së Kombit tim edhe juve ju nderon. Pse u zhduk ajo? Pse ikën tërë ato dokumente që i ishin besuar ti ruante? Ë, pra a heshtet për identitet? A heshtet...? Këtë e dini edhe ju, ... apo jo?” “Ma trego atëherë më qartë. Më fol më hapur.” E Ujta hapi krahët e saj më gjerë e më gjerë. “Si supozoni se është e vërteta? Si do të gjeni të fshehtat e ujit e të tokës? Pse kërkoni të trazoni plagë të mbyllura? M’u sqaroni Granit Jetoni?” “Jo!” “Tregomë dhe më sqaro!” Diçka e mardhi dorën time. Pulsi i dorës nisi të ritmojë sikur të ishte çarë me ndonjë shigjetë. Me një ndjesi të pa komanduar unë lëviza krahun tim dhe ia ngjesha në gjoks krijesës bukuroshe të ujtë, duke tentuar t’ia shkul nga vendi zemrën që dukej si një aparat tensioni në sytë e mi. E Ujta bëri menjëherë pas. Më dha një shikim tejet horror. Pastaj buzëqeshi më qetë. Ajo nuk ishte më e ujtë. Trupi i saj kishte nisur të mbushej me mish. Krijesa e ujtë po transformohej e transformohej. Mishi ia mbushi tërë hapësirën e saj trupore, dhe një gjë vetëm nuk i humbi. Bukuria dhe nuri i saj. Ishte vërtet një gjë e radhë. Peri e radhë në sytë e mi. Por vetëm disa sekonda. Një gropë e madhe uji u shfaq dhe ashtu nisi të rrëmbente ai ujë shatërvues atë trup të bukur, përrallor. Ajo kërceu mbi një parmak hekuri, duke luftuar me tërë forcën e saj për të qëndruar në këmbët e saj, por më kot. Uji gati u zhduk dhe ajo bashkë me të. Ndërsa unë që shihja se si ajo ikte e fundosej atje poshtë, lëshova një ulërimë. “Granit?”, dëgjova një zë të më thërriste pastaj. Dhe zëri u përsërit disa herë. Disa herë. Kur hapa sytë pashë se trupi im ishte mbushur me bulëza djerse të ftohtë. Dridhesha i tëri. I hodha disa shuplaka ujë syve dhe hodha shikim nga dritarja. Nga ballkoni i asaj shtëpie e shihja lumin Tamiz si në pëllëmbë të dorës. Shihja shtratin e tij të gjerë me ujin e tij të tejmbushur pranveror dhe qiellin që qëndisej nga Kojrilat zëgrishëse në shkrafitjen e tyre kohore. Teksa isha përhumbur në vallen e tyre ajrore, m’u kujtua libri që më kishte dhënë vite më parë miku i burrit të tezes sime, Leninit, Lutfi Çela.... E kam mbajtur në gjoks gjithmonë këtë libër. Siç mbaja ato fotografi dhe ato foto. Ishin amanet i gjyshit tim. Dhe kështu amanetin s’e tret as dheu. Ai iku nga Vlora dhe u vendos në Velçan të Mokrës në të njëjtën kohë kur Vlorat e Pavarësisë ikën drejt Strugës... Kam qenë në këtë hapësirë për një kohë të bollshme tashmë. Sa vite saktësisht? E ç’rëndësi kanë vitet. Kur vetë koha ikën dhe i merr vitet nën sqetull si të ishin gjethe vjeshte. I merr me forcë dhe i plas tutje si gjëra pa vlerë. Pastaj herë i kthen në humus për bimët ushqimsjellëse e ndonjëherë edhe pleh për trungje gjysmë të tharë në ecjen e tyre. Ndërsa unë jam i ngulur në këtë hapësirë, si të isha në një botëjetë tjetër, bota e ngordhjes, ajo botë që më gërric në fyt ende rininë time të hershme, më duket se më është ngjitur si një lëpushkë lope nga pas. Në se unë s’do të dalë dot të shkafanjis të paktën atë mortje, shpirti im do të shtrydhet si një limon në një gotë çaji, nga ky që kam para meje... Ej, miq më kuptoni? Unë ndoshta kam pikëtakuar njëqind vitet që lanë të tjerët, të parët e mi në defterë, por në një kohë amaneti, zor se mund të shuhet ajo që shkruhet, sado pak me vlerë që mund të jetë ajo... Lanet ai që e pështyn kohën me thatësinë e grykës së tij. Lanet!”
Comments