PROMOVOHET LIBRI I PETRIT QEJVANIT (pas vdekjes) “PERFORMANCË”
Nga Besnik GJONBRATAJ
Pas librit të parë poetik “Kënga e Zogut Blu” shkurt 2015 dhe librit të dytë me publicistikë “Fjala ime” qershor 2016, Petrit Qejvanit (pas vdekjes) me rastin e 75 – vjetorit të lindjes, i botohet libri i tretë “Performancë””, libër i cili u përurua në 3 shkurt 2024 në Tiranë nën kujdesin e z. Mehmet Gëzhilli, drejtori i shtëpisë botuese "Argeta LMG", botuesit Genti Gëxhillit dhe vëllezërve e motrave të Petriti në veçanti nga vëllai i vogël Lavdoshi. Libri është redaktuar nga poeti vlonjat Luan Malaj.
Ky libër i ri është një triptik antologjik, me krijimtari të zgjedhur, në poezi, prozë të shkurtër dhe nga fusha e studimeve.
Në këtë përurim merrnin pjesë njerëz të artit e kulturës, miq, shokë, bashkëqytetarë nga Vlora, Tirana, por edhe nga qytetet të tjera si Kukësi, ku dhe nisi punën për herë të parë si mësues, nga Shkodra e deri nga Kosova, përfaqësuese nga shoqata “Labëria” dhe “Kallarati”, vëllezërit e autorit Maksimi e Lavdoshi, të afërm të familjes. Merrnin pjesë gjithashtu poeti e publicist i njohur kosovar profesor Agim Vinca, poeti i shquar Xhevahir Spahiu, deputeti dhe ish - Minstër i Kulturës z. Bujar Leskaj, sociologu i njohur vlonjat Prof. dr. Gëzim Tushi, aktori i njohur vlonjat “Nderi i Kombit” Bujar Asqeriu, gjuhëtari i shquar Prof. dr. Rami Memushaj, Prof. dr. Xhevat Lloshi, poetja Natasha Spahiu, historiani ushtarak, Prof. Asoc. dr. Benard Zotaj, kryetari i shoqatës “Labëria”, dega Tiranë, Prof. Asoc.dr. Zaho Golemi, filozofi vlonjat Bashkim Abazi, shkrimtari Vasil Premçi e Nikoll Bujaj.
Takimi u moderua me kompetencë nga gazetari e shkrimtari i njohur, kryeredaktori i gazetës “Labëria” Albert Zholi.
Të gjithë, që morën fjalën duke filluar nga poeti Agim Vinca, Bujar Leskaj, Gëzim Tushi, Vasil Premçi, Bernard Zotaj, Rami Memushaj, Bashkim Abazi e Mehmet Gëzhilli, secili në këndvështrimin e vete, vunë në dukje personalitetin e Petritit si një intelektual me vlera të rralla, studiues, poet, publicist, analist, që aktualisht edhe pse mungon fizikisht, krijimtaria e tij është dhe do të jetë kurdoherë aktuale dhe e vlerësueshme, jo vetëm nga njerëzit e artit e të kulturës, por edhe njerëzit e thjeshtë, pasi i tillë ishte edhe vetë ai.
Mjaft tërheqës e bëri këtë takim recitimi i poezisë “PA MORAL”, prej aktorit vlonjat të mirënjohur, Bujar Asqeriut.
PA MORAL (1988)
Një grykësi e madhe, si epidemi,
Ka përfshirë shoqërinë shqiptare,
Dikush pasurohet me mandat deputeti,
Dikush me poste qeveritare.
Një njeri i zakonshëm shet vajzën për të jetuar,
Një tjetër shet fqinjën e vet për fitim,
Një politikan drejton trafikun e drogës,
Kurse një tjetër atë klandestin.
Një noter noterizon dokumente fallco
Një zyrtar të shet një vërtetim të rremë,
Dhe gjykatësi që duhet të ruante ligjin
Të lejon ta blesh dhe atë vetë...
Atëherë,
A mund të flitet për shtet?!
Nga vëllai Lavdoshi ishte realizuar mjaft mirë edhe një video rreth krijimtarisë së Petritit, si dhe një poezi e interpretuar mjaft bukur nga aktori i njohur Reshat Arbana “Artist i Popullit”.
Në këtë promovim përshëndeti edhe drejtori i shtëpisë "Argeta LMG" z. Mehmet Gëzhilli, i cili pasi vuri në pah cilësitë e Petrit si një intelektual i shquar, falënderoi gjithë pjesëmarrësit dhe diskutantët dhe premtoi se shtëpia botuese që drejton do të mirëpres çdo botim të mëvonshëm të Petrit Qejvanit.
Në fund të takimit, në emër të familjes Qejvani përshëndeti vëllai i vogël Lavdoshi, i cili falënderoi, pjesëmarrësit në përurim, botuesin e librit dhe të gjithë ata që shprehën, vlerësuan dhe lartësuan figurën e vëllait të tyre Petritit si një intelektual, poet, publicist dhe analist i rrallë, si dhe premtuan se më vonë libra të tjerë të Petritit, do të gjejnë botim.
Për ta që nuk patën mundësi të ishin të pranishëm dhe që nuk kanë mundësi të gjejnë librin, po hedhim në këtë faqe parathënien e librit nga Prof. dr. Begzad Baliu, si dhe disa diskutime të pjesëmarrësve që mundësuam t’i siguronim të shkruara.
Petrit Qejvani, me origjinë nga Kallarati i Vlorës, u lind më 1 shkurt 1949 në Gjirokastër. Gjatë viteve 1968-1972 mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi dhe më vonë në vitet 1977-1978 kursin pasuniversitar për Kritikë Letrare. Prej disa vitesh 1973-1987 punoi si mësues letërsie, fillimisht në Kukës e më vonë në Llakatund dhe në disa shkolla të qytetit të Vlorës. Në vitet 1987-1990 për tre vjet kreu detyrën e drejtorit të Teatrit të Vlorës. Më vonë për disa vite punoi drejtor në disa shkolla të qytetit po në Vlorë. Karrierën e tij pedagogjike e mbylli si pedagog pranë Departamentit të Gjuhë-Letërsisë në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. Pas një sëmundje të rëndë poeti, prozatori, publicisti, kritiku letrar, Petrit Qejvani në gusht 2014 ndahet nga jeta, duke lënë pas një sërë dorëshkrimesh në poezi, prozë, shkrime publicistike dhe kritikë letrare.
Sa qe gjallë poeti, me gjithë këmbënguljen e mjaft prej shokëve, miqve, kolegëve dhe të afërme të tij, nuk pati si qëllim, botimin e krijimtarisë së tij, jo të paktë e shumë të vlerësuar, por të shkruante dhe të pëlqehej nga lexuesi i çdo moshe.
Pas vdekjes së tij, ishin vëllezërit, motrat, miqtë, shokët e kolegët që bënë të mundur grumbullimin e krijimtarisë së tij dhe më vonë botimin e tyre.
Comments