
Vangjush Saro*
PROFESOR NDRIO DHE ASISTENTI I TIJ
VIZITOJNË AZILIN E PLEQVE
(Fragment nga romani “Misioni” - Amazon 2016/ ERIK Botime 2019)
Polici ishte fyçkë. Profesor Ndrio Bedalla e pa që nuk shkëmbente dot mendime të larta me këtë njeri të trembur dhe i drejtoi një pyetje me qitje të largët:
-Zotrote, nuk mban fanellë leshi?
-Ç’thua, mo shoku!
-Epo, e ke gabim. Shumë gabim. Nuk janë higjenike e të shëndetshme të brendshmet që mbani ju; dhe gjithë sa prodhohen me fije që askush nuk e di ku e kanë fillin… Fijet. - Bedalla u ngatërrua pak, por brendia e atyre që donte të thoshte ishte e qartë. - Për këtë punë, është bërë sherri sherr në Azilin e Pleqve.
Polici sërish nuk dha asnjë shenjë, nëse po e tërhiqte biseda apo jo. Atëherë, profesori filloi të tregonte se si kishte marrë një ftesë nga ky institucion, për ta vizituar dhe për të dhënë mendimet e tij në lidhje me jetën e atjeshme. Shkova me gjithë dajë Remën, asistentin tim, vazhdoi ai, ndërkohë që tjetri jepte e merrte vetëm me celular në dorë. Atje, more vëlla, vlonte debati për gjëra anësore, si ta them, të parëndësishme, bisht… Në fillim ishin grindur një copë herë të gjatë se si ta quanin institucionin: Thoshin Azili. Azili i Pleqve. Shtëpia e Të Moshuarve. Pastaj kishin kaluar disa ditë me një tjetër grindje: Si t’ia vinin emrin institucionit? Nga Drejtoria, ishte propozuar emri i politikanit Ronxho Bonxho. Organizata e Veteranëve të Luftës qe ofruar me emrin e një dëshmori. Nga Njësia Vendore, kishte ardhur porosia që institucionit t’i vihej emri i Presidentit të vendit. Kishte që propozonin emrin e një sportisti, të tjerë atë të pasardhësve të ish-Mbretit, kurse shumë nga pleqtë donin që emri i munguar të ishte ai i një këngëtari në modë, që të këpuste shpirtin me këngë sevdaje…
Vendosa menjëherë ta shpërndaja këtë mjegull. I mblodha të moshuarit në Sallën e Ngrënies.
-Po pse, more vëllezër e motra, - thashë unë - ky është problemi që shqetëson këtë institucion dhe moshën tuaj? Po si çfarë? Jua them unë: jeta juaj private, koha e lirë, raportet tuaja me produktet bazë, ushqyerja, veshmbathja. Ja, të marrim një gjë të thjeshtë fare. Mbani fanella leshi juve? Shikoni, se kjo punë nuk është për të kaluar radhën. Ato janë higjenike dhe nuk janë sajuar me fije të dyshimta që s’ua dimë fillin. Fijet, de. Po ja more, shikoni dajë Remën. Burrë me një barrë mend. I bëra shenjë asistentit tim ta hiqte pallton, pastaj edhe këmishën… E kishim biseduar që më parë radhën e punës. Hë, ja, kjo është një fanellë leshi…
Të moshuarit nuk po kuptonin asgjë. Ata kishin menduar se unë do të çoja atje ndonjë pako me ushqime. Jo ore, jo. Unë kisha çuar mesazhin. Mirëpo, me kë të flasësh. Dy gjëra duan njerëzia: Politikë dhe Bukë. Duhej dalë nga ky rreth i mbyllur. Le të tjerat, por edhe ca komunikata që ua kishim shpërndarë që në fillim të takimit, s’po i zinin me dorë fare. Më t’u nxeha keq.
-Pa hiqini këto xhaketa e xhupa, t’ju shikoj njëherë… Hajde, ç’më ngrini supet ashtu? Xhvishuni!
Nja dy nga pleqtë, si më të urtë, filluan t’i hiqnin xhaketat. Unë i bëra shenjë dajë Remës t’i ndihmonte, që të lëviznin më shpejt. Asistenti, ashtu siç ishte, vetëm në fanellë leshi, iu qas njërës prej të moshuarave dhe i zgjati duart. Budallai! Po kush i tha ta fillonte nga gratë? U bë një kashalesh aty… Një burrë, ende mirë nga shëndeti, ma shtyu asistentin tutje, dhe ky u përplas te njëra nga tavolinat e ngrënies, pastaj bashkë me të, ngase pllakat ishin ende të lagura, përfundoi në një rrëshkitje spektakolare drejt edhe në cepin më të largët të dyshemesë. Profesor, më thirri që andej, pa e përmbajtur dot inatin, më bënë gol… Ç’punë kisha unë me futbollin, na është bërë një me zuzarët, shit ndeshje e fito para. Të qelbura. Një buzëqumësht, paguhet sa për gjithë pensionistët e Ballkanit…
Ani. Në këto e sipër, nja dy nga gratë e moshuara që ndodheshin në Sallën e Ngrënies, dolën me të shpejtë dhe siç mora vesh më pas, e kishin mbajtur frymën në Drejtori. Ladies and gentleman! Can I have your attention, please… Oo, ngatërrova fjalën. Me këtë do të përshëndesja në Helsinki, Konferenca për Ujin; sekush ma vodhi atë ftesë, nuk e mora vesh... Pra, miqtë mi, vazhdova. Motra dhe vëllezër!
Në këtë kohë, njëri nga vëllezërit, më qëlloi me një kothere buke. Epo, gur kishte qenë ajo e shkretë! Vura dorën në kokë dhe pashë se më ishte bërë një si gungë. Por nga shpjegimet nuk hiqja dorë. Dale, bre shokë, se u keqkuptuam. Kjo është një përkujdesje për shëndetin tuaj. Një veshje e tillë, largon çdo sëmundje e lëngim. Ato, miqtë mi, fort mirë mund t’i porositë Drejtoria juaj. Ministria eprore, pse jo. Gratë që janë pa punë në fshat e në komuna, të bëjnë triko, fanella leshi. Këto t’i blejë shteti…
Megjithë përkushtimin tim, tha profesori, duke i hedhur një vështrim edhe policit që s’e ngrinte kokën nga celulari, takimi nuk po e arrinte si duhet qëllimin; e donte puna se s’bën një Komunikatë Ekstra…
Ndërkaq, polici e la mënjanë celularin dhe i futi krahun. Por Bedalla vazhdonte e veç vazhdonte rrëfimin e tij, duke mos lënë pasdore momentin kur kishin dalë nga Salla e Ngrënies: Dajë Rema çalë-çalë e duke u veshur gjithë mundim, kurse ai vetë, me dorën tek ajo gunga në kokë dhe duke shpjeguar ende dobinë e rrobave të bëra me fije që iu dihej filli…
……………………………………………………………….

*Shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro ka festuar këto ditë 70-vjetorin e lindjes. Ai ka mbaruar gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë, kurse studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës; në 1985 edhe studimet pasuniversitare në Akademisë e Arteve dhe Kinostudio. Ka punuar mësues dhe gazetar. Është Qytetar Nderi i Gramshit, mban Urdhërin “Naim Frashëri” klasi III dhe Çmimin e Karrierës dhënë nga gazeta “Telegraf”; ka fituar gjithashtu çmime kombëtare për vëllimin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe novelën “Polic Këmbëvogli”.
Saro ka shkruar tregime, novela, romane, skenarë për filma artistikë, dokumentarë e vizatimorë, kritikë letrare, si dhe publicistikë. “Shqipëria në dy kohë” ishte libri i tij më i fundit në këtë zhanër, botuar këto ditë. Nga krijimtaria artistike mund të veçohen: librat me tregime e novelat “Dy orë dramaturg”, “Biri i ambasadorit” e “Një ditë pa mamin”, romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”, si dhe librat me fabula “Dhelpra shpërblen Lepurin”, “Trumcaku ftillon Ferrën”, “Gomar apo Kaproll?” dhe “E dashur Dhelpër!” Një pjesë e krijimtarisë së tij është publikuar edhe në gjuhë të huaja: L’Âne et le Chevreuil (“Gomari dhe Kaprolli”), Dear Fox! (“E dashur Dhelpër!”), The Boy who became a Balloon (“Djali që u bë tullumbace”), etj. Krijimtaria e tij ka vëmendjen e publikut dhe të mendimit letrar.
Aktualisht jeton në Vankuver (Kanada). “Fjala e lirë” i uron jetë të lumtur e krijimtari të begatë.
Urimet më të bukura për Ju dhe plotë shëndet dhe mbarësi