Fatmir Terziu
Shtysa
Megjithëse jetoi dhe punoi në Tiranë, Profesor Mustafa Demiri, asnjëherë nuk e la pasionin dhe dashurinë e tij për qytetin e trëndafilave në një cep të thjeshtë të memorjes së tij. Ai gjithnjë në udhën e tij të përditësisë dhe atë të studimeve praktike dhe teorike arsyetonte dhe gjente forma, mundësi dhe gjetje të mundshme për të realizuar një dëshirë të tij të vjetër, për ti shtuar Elbasanit morinë e trëndafilave modernë, që kishte në gjirin e kopshteve të saj Europa, dhe Bota mbarë. Ndaj këtë synim ai e ngjizi më shumë kur një mik i tij i solli disa revista të kohës nga Franca…
Bukuria dhe dashuria për trëndafilat
Dhe ai e dinte, ndërsa lexonte aty, se Bota i përkulet prej shekujsh jo vetëm bukurisë dhe traditës së ngjizur me petalet e trëndafilit në kozmetikë, por dhe me atributet e tij medicinale dhe për qëllime dietetike. I ardhur në sytë e njeriut si dhuratë hyjnore nga Rosa Gallica, e cila më vonë rezulton të jetë përdorur nga farmacistët, që në shekullin e 13-të, llojësia e shumtë e tij shkon në shifra me rreth 40,000 lloje trëndafilash, që rriten pothuajse në çdo kontinent si në kopshte, ashtu edhe në mjedise urbane. Në këtë mori rrjedhin Trëndafilat modernë. Dhe të gjithë nga disa lloje, si dhe nga një pjesë e vogël e hibridëve shumë të vjetër të rritur që nga lashtësia. Ky ishte materiali i hershëm që ndodhej para syve të Profesor Mustafa Demirit, në një kohë që yshtja e tij profesionale shkonte më tej.
Ishte një revistë franceze që shënonte risinë në rritje të llojeve të trëndafilave, po aq dhe arsyetimet shkencore të përshtatjes dhe rritjes së tyre pa problem në tërë mjedisin shqiptar, sidomos në territorin e Shqipërisë së Mesme. Ndërsa shikonte shifrat që kalonin mbi 200 lloje të trëndafilëve modernë, të cilët shkenca franceze e rritjes së tij dhe shumimit të Rosa Gallica në kushtet moderne i shtonin etjen për synimet e tij teorike dhe praktike të realizueshme. Shifra 200 lloje ia kapërcente njohuritë që kishte për 200 lloje të egra të cilat gjenden vetëm në hemisferën veriore, madje dallonte mjaft mirë formën e tyre të egër, që e kanë me lule të thjeshta, me pothuajse gjithmonë pesë petale (vetëm katër në disa lloje të Himalajeve).
Kopshtet botanike
Këto lloje dhe varietete të shumta natyrore dhe moderne të prodhuara e të kryqëzuara nga shkëncëtarët në jo pak raste formojnë kopshtet botanike nëpër botë. Profesori i mirrënjohur shqiptar, Et'hem Ruka thotë se „Historia e grumbullimit të bimëve në kopshte botanike është mjaftë e vjetër. Nëse Faraoni i gjashtë i dinastisë së 18-të të Egjiptit, Thoutmosis, grumbullonte bimë për qëllime mjekësore, në shekujt në vijim motivet e krijimit të kopshteve ishin shumë më tepër se kaq.“ Sipas tij „në pothuajse gjithë qytete e mëdha të Europës u ngritën një sërë kopshtesh botanike. Të tillë ishin ai i Hamburgut në vitin 1540, i Zyrihut në vitinvitin 1560, i Vjenës në vitin1573, i Berlinit më 1573, i Kopenhagenit më 1600, Edinburgut më 1670 e kështu me radhë. Kopshtet botanike u bënë jo vetëm qendra të rëndësishme për studime e kërkime shkencore, por edhe qëndra që shërbyen e shërbejnë për qëllime didaktike e edukative.“ Ndaj dhe forca dhe përkushtimi i botanistit të pasionuar dhe mendjendritur të Katedrës së Botanikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Profesor Mustafa Demirit, do të ishin ajo që Ruka e cilëson „arkitekti i konceptimit e realizimit të Kopshtit Botanikë të Tiranës, që mori formën e plotë në vitin 1971. U deshën jo pak, por 7 vite punë intensive e plotë pasion.“
Pas kryeqytetit, ndoshta me një arsye më të fortë të kahershme, Profesor Mustafa Demiri, natyrshëm kërkonte të bënte realitet atë zell, pasion dhe dëshirë që ta bënte dhe Elbasanin e njohur si qytet të trëndafilave me një risi më të avancuar. Kështu ai i dorëzoi qytetit të Elbasanit rreth 200 lloje trëndafilash, që i siguroi dhe i solli nga Franca. Por, jo vetëm i dorëzoi këto trëndafila me një përkujdesje shkencore nga Franca, por i këshilloi shkencërisht mësuesit e biologjisë Xhevahir Gani, Flladin Burburija dhe Mustafa Curri, që të krijonin kushte dhe ambientin e përshtatshëm për zhvillimin dhe shtimin e tyre në kushte të njëjta me ato që kishin përcaktuar shkencëtarët francezë.
Elbasani dhe tradita
Disa nga këto lloje trëndafilash u mbollën në Kopshtin Didaktik të qytetit dhe më to njiheshin nxënësit e shkollave, ndërsa disa të tjerë iu përcollën fidanishtes dhe pjesës gjeografike ku rriteshin lulet për zbukurimin e qytetit. Kështu tradita e hershme e luledashësve, trëndafilakultivuesve si Shefqet Balliçi, Petër Caku, Skënder Sejdini, Dhimitër Kapedani, Lahja e Duhanxhiut, Beja e Dylgjerit, Tushi i Jolldashit, Isuf Ekmekçiu, Qamil Çeliku, Nebi Xhyra, Eqerem Abdihoxha, Hyqmet Bumçi, Nexhmije Kardhashi, Tajar Behluli, Stefan Pupleku e shumë të tjerë, u shtua dhe me këtë risi të prurë me vullnetin dhe angazhimin e Profesor Mustafa Demirit.
Konkluzion
Në kohën që drejtoja Televizionin „Dardan“ një intervistë e realizuar me mjeshtrin e luleve, Isuf Ekmekçiu, ende më sjell në memorje këtë fakt të bukur e mjaft të domosdoshëm në historinë e luleve dhe trëndafilave të Elbasanit. Trëndafilat më së shumti, pikërisht ato që ishin kultivuar në Elbasan për vite e vite me radhë kishin origjinë nga ato që ishin pjesë e trashëgimisë në Evropë dhe Azinë perëndimore, ku ato u rritën kryesisht për aromën e tyre dhe prodhimin e attarit, një njohuri që ka shumë të ngjarë të jetë marrë nga Persia (Irani i sotëm). Varietete të tilla si trëndafili Damask (kloni i një varieteti që daton 2000 vjet më parë), trëndafili Alba (i cili rrjedh nga Rosa canina) dhe trëndafilat Centifolia (nga të cilët rrjedhin shumica e trëndafilave të myshkut) ishin dhe në kopshtet e elbasanllinjve të vjetër. Rosa centifolia rritet edhe sot në disa familje elbasanase, duke vazhduar kështu një traditë të gjatë, me atë që të dashuruarit pas trëndafilave e bënë traditë dhe trashëgimi, që ka mbetur ndoshta diku mes tradicionales dhe modernes së luleve të tjera, të sjella për komercializëm.
I këndshëm ky shkrim nga Profesor Fatmiri rreth kultivimit të hershëm të kësaj bime të mrekullueshme, për kontributet ndër breza e në veçanti të shkencëtarit të shquar z.Mustafa Demiri dhe të tjerve për trëndafilimin e Elbasanit. Informacion mjaft interesant! Sidomos Dashuria e Poezia, duke përfshirë edhe mua, që trëndafilin e kanë ndër më të preferuarin iu përulemi me shumë nderim e mirënjohje gjithë këtyre njerëzve luledashës. Njerëzit me shpirtin e bukur bëjnë të bukur dhe mjedisin.
Bukurosh Dylgjeri
Të lumtë, Fatmir! Hera e parë që lexoj diçka të tillë për trëndafilat dhe veçanërisht për shkencëtarin e luleve, Mustafa Demiri.