Prof. Zoja Bozgo një emër që nuk do të harrohet lehtë
Prof Dr Fatmir Terziu
Një lajm i dhimbshëm ka ardhur sot përmes mediave sociale për ndarjen nga jeta në moshën 89 vjeçare të Profesoreshës Zoja Bozgo. Ky lajm mbetet i tillë jo vetëm për të afërmit e saj, por dhe për qindra e qindra breza nxënësish e studentësh që mësuan matematikën me talentin e aftësinë e saj të veçantë. Zoja Bozgo, ishte vlerësuar me shumë çmime dhe ishte "Mësuese e merituar", por çmimi më i madh për një edukatore si ajo ishte dhe mbetet dashuria dhe respekti që ajo ndau me të gjithë.
Zoja Bozgo, e shkolluar për mësuesi në Rusi, e ardhur 60 e ca vjet më parë në Shqipëri, u befasua me traditën arsimore të Elbasanit, kryesisht përmes normalistëve-pedagogë, të gjimnazit ku punoi. Diplomohet në Universitetin shtetëror të Shën-Petërburgut, në fakultetin e matematikës. Kur vjen në Shqipëri fillon detyrën e pedagoges në Universitetin e Tiranës, në katedrën e matematikës. Në vitin 1976, me një urdhër "qarkullimi" do të vendoset në Elbasan, duke filluar punë në gjimnazin "Dhaskal Todhri", si mësuese e matematikës deri në daljen e saj në pension. Më pas do të jetë pedagoge e jashtme në Institutin e Lartë Pedagogjik. Me sjelljen e punën e saj shembullore, përcolli plot dinjitet një emër të mirë, me konsiderata të larta nga kolegët, nxënësit. Edhe sot e kësaj dite, sikurse nxënësit e mësuesit e gjimnazit, ruajnë kujtime nga më të mirat, si specialiste, metodiste, si njeri në kuptimin më të mirë të fjalës. Zoja Bozgo shquhet për mbështetjen dhe përkushtimin që tregon për nxënësit e talentuar. Njihte shumë mirë psikologjinë moshore. Ajo dinte jo vetëm shtyllat e lëndës ku duhet të mbahet nxënësi, por u tregonte edhe shkallët për t'u ngjitur hap pas hapi. Zojës i treteshin minutat pa u kuptuar, duke gozhduar vëmendjen e nxënësve, që bluanin operacione matematike me logjikën e tyre, mprehin aftësinë e gjykimit matematik. Me interesimin që u kushtonte nxënësve të talentuar, po me aq vëmendje punonte edhe për të njohur dobësitë e çdo nxënësi, po me aq saktësi përcaktonte "terapinë" dhe intensivisht i "ushqente" me material sipas programit. Ishte një metodiste e saktë dhe shumë punëtore. Asnjëherë nuk punoi për vete, por dha gjithçka për shkollën. Dha shembullin se si mund të dilet nga konformizmi burokratik në punën me talentet, duke u shkëputur nga format tradicionale të organizimit të punës me to; doli nga kornizat e programeve simbolike e akademike të rretheve jashtëshkollore. Gjeti forma të tjera nxitje e frymëzimi, duke ndryshuar pozitën e saj nga mësues- lektor, në udhëheqjen shkencore me bashkëpunëtorë. Kujtesa kolektive e nxënësve që mësoi dhe e mësuesve që bashkëpunoi, plotësojnë portretin e saj si mësuese e talentuar dhe qytetare e denjë. Mirënjohje për mësuesit e nderuar të qytetit tim!
Së fundi, dhe kjo pas viteve të monizmit, në periudhën e Demokracisë, ajo ishte dhe një nga gjashtë anëtarët e Komitetit ORSA. Pra, Zoja Bozgo, së bashku me Suzana Karagjozi, Diana Mitrushi, Arjana Risilia, Jana Mataj dhe Ilir Myteveli ishin drejtuesit e shoqatës së bashkëatdhetarëve rusë në Shqipëri.
Me ikjen e saj në amshim natyrshëm mbetet një pikëpyetje e madhe për të gjithë instancat vendore të të gjithë kohërave që nuk i dhanë asaj një vlerësim më të madh, qoftë duke e bërë Mirrënjohja e qyteteve ku ajo punoi me përkushtim, talent dhe zemër të madhe. Ajo ishte në thelb për ne, brezat që na mësoi jo thjesht mësuese dhe profesore e talentuar me një diadaktikë dhe pedagogji standarte të vlerësuar, por dhe vetë Urtësia e Fjalës. Për këtë përkushtimi poetik për të mbetet një arsye më shumë e respektit që ajo kishte dhe fitoi në kohë të ndryshme.
Urtësia e fjalës
(Në kujtim të Prof. së paharruar Zoja Bozgo)
Nga Fatmir Terziu
Fjalët e mia cilaten barierave të gjuhëve,
një barrë heq,
ndjehem më i lehtë,
prekja e librit këndjell:
"Thesari është brenda" i fshehtë
bota me ngjyra të ndezura thërret:
"Mos u mashtro nga nuri im!"
Drita e përskuqur në fytyrën time
pluskon nga qiriu i shpirtit tim. E ndjej,
ritualin e këshillës së largët,
zgjohem,
ngrihem,
ndizem,
qiri i lehtë, shkruaj mbi fletë:
Shtator deri në Qershor 1979-të - përreth fjalëve
Shtator deri në Korrik 1982 - përtej dritës së vërtetë
ngjashëm me një lugë kur bie në një qelq,
një zhurmërimë me trille,
brenda trupit tim dhe në sytë e mi shpërfillet,
zemra ime e ndjeshme jetike,
ka rreshtuar,
mbërthyer,
memorizuar
një aradhë të madhe matematike,
e hutuar gjatë gjithë natës,
së larguar,
jashtë trupit tim në materialin e memorjes imateriale
së bashku ka zbuluar,
një bllok shënimesh të gurtë,
në një ëndërr të gjatë, por reale
atë këshillë të ndjeshme, të urtë:
“Mësuesi ka një zemër të madhe!”
Shënim: Zoja Bozgo, "Mësuese e merituar"
Padyshim qe mesuese Zoja e meriton dedikimin tend Fatmir.
ismail Selita
Xhilda Biçoku
Dedikim shume i bukur, i ndjere dhe i merituar! Qofsh e parajses teta Zoja!
Fiora Cakoni
Faleminderit Fatmir. Nje dedikim i persosur dhe i ndjere per Zojen e mrekullueshme. Zoja ka nje vend special ne zemren time.
dr Tatjana Ziu Ngushellime familjes!
Do ta kujtojme gjithmone me mall e respekt Profesoreshen tone te mrekullueshme, nje zonje e vertete, fisnike qe pergatiti breza te tere nxenesish, qe shkelqyen ne fusha te ndryshme. Kam qene me fat qe isha nxenese e saj. Do jete gjithmone ne zemrat tona.
Bravo Fatmir per kete dedikim te merituar per Prof. Zoja Bozgo.
U prehte ne paqe!
Sanije Furrxhiu
Dedikim i merituar ! Ngushellime familjes !