Profesor Koli Xoxe e kam patur profesorin tim nga më të mirët në Fakultet, elokuent, tepër i ditur që na e spjegonte me passion historinë e Francës, me detaje gjithçka, bukur, qartë. Nuk prisnim të mbaronte ora, si me dike tjetër por donim që profesori të vazhdonte « tregimin » e tij të përkryer për historinë dhe figura të shquara të Francës, si Hygoin e madh, Volterin, Balzakun, Dumasin. Unë i përgatisja me kujdes seminaret e Historisë së Francës dhe profesor Koli më vinte gjithmonë note maksimale. Kur erdhi koha e provimit dhe unë u paraqita, profesori i nderuar më përgëzoi dhe duke buzëqeshur më tha:”Alfred, ti nuk ke nevojë të japësh provimin, dhe sot do të vlerësojmë së bashku bashkëstudentët e tu”. U habita pak por me kënaqësi e pranova propozimin e Profesor Koli Xoxes. Profesor Koli ka ardhur disa here në Gjenevë, kur ka përgatitur monografinë për Dora d’Istrian apo për Volterin. Shkonte rregullisht në bibliotekë dhe shënonte gjithçka për të. Organizuam edhe takime me profesorë të njohur të Universitetit të Gjenevës që e kishin studjuar jetën e saj. Shpesh vinte tek ne dhe bisedonim me orë të tëra. Me ne ishin dhe miq nga Kosova. Elokuentdhe fisnik siç ishte, fliste për ngjarje të familjeve tona, për Demajt, Papuçinjtë, Xoxajt, Plakajt, Pogaçajt, Tiçojt, Dhimajt, Verriajt etj. që nga Voskopoja ishin vendosur në Myzeqe, kur ishte djegur qyteti i lashtë. Dalëngadalë Fieri ishte rrturj dhe pas ndërtimit te urës se Gjanicës dhe kishës se Shën Gjergjit, më 1864-n, Fieri u shndërrua ne qytet, themeluar nga Kahreman pashë Vrioni. Ne e dëgjonim me vëmendje. Kishim respekt të veçantë për të, si dhe për mikun e tij të pandarë Xhevat Beqaraj, shok fisnik i tim eti, Tunit. Ruaj kujtimet më të mira për këtë profesor, tepër njerëzor dhe të ditur që la vepra të bukura për historiografinë shqiptare. Librat e tij per Dora d’Istrian dhe Volterin janë depozituar respektivisht në Universitetin e Gjenevës dhe në muzeun Volter, në Ferney Voltare. Ruaj si gjë të ralle librat e dhuruara nga profesor Koli, me shënimin e tij prekës. Lexuesit po i paraqes këtë shkrim (A. Papuçiu)
Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Ndërsa ndiqja veprimet e një studenti në Bibliotekën Kombëtare, dëgjoja t’i thoshte shokut që kishte në krah:
– Duhet t’i referohemi pikërisht Prof. Koli Xoxes. Ai e ka trajtuar shkencërisht këtë temë…
Teksa e dëgjova të shprehej kështu, krejt natyrshëm m’u kujtua një fragment i bisedës së fundit që pata bërë me këtë historian të shquar: “Dëshira na e do që të vazhdojmë të punojmë gjatë në fushë të historisë, por… Kur ishim ca më të rinj, na pengonin ca kushte, tani që i kemi kushtet, s’na lejon mosha”…
Cili ka qënë Prof. Koli Xoxe?
I lindur në vitin 1923 në Divjakë të rrethit të Lushnjes në një familje të njohur (familje e zbritur herët këtu prej trevave të Voskopojës), mësimet e para do t’i merrte në vendlindje. Mësimet e Unikes do t’i ndiqte në qytetin e Fierit, ndërsa ato të së mesmes do t’i fillonte në Liceun e Korçës dhe do t’i përfundonte në Gjimnazin e Tiranës. Dhe në të gjitha këto cikle shkollimi do të delte me rezultate të larta mësimore.
Në rininë e vet, me zgjerimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare djaloshi divjakas do të orientohej drejt. Përfshihet menjëherë në Rininë Antifashiste. Dhe do të ishte jo vetëm një propagandist i idealeve më progresive të kohës, por edhe pjesëtar aktiv në formacionet partizane për çlirimin e Atdheut.
Mbas çlirimit të Shqipërisë do të ishte një intelektual mjaft aktiv, duke e dhënë kontributin e vet deri edhe në forumet më të larta të Rinisë shqiptare.
Në vitin 1948, kur ishte 25 vjeç, dërgohet student në Universitetin e Zagrebit të Kroacisë, por, me ndërprerjen e marrëdhënieve shtetërore me Jugosllavinë e asaj kohe, detyrohet të kthehet në Atdhe. Nisur nga prirjet që kishte sidomos në fushë të historisë, tashmë dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik, pikërisht në Universitetin e Kazanit. Mbas katër vjetësh, më 1952 kthehet nga jashtë me rezultate të shkëlqyera.
Si intelektual me formim të gjërë, aktivizohet në detyra të rëndësishme
Edhe pse 30 vjeçarë, Koli Xoxe kishte siguruar një formim të gjerë si intelektual. Njihte mirë frëngjishten, rusishten, serbokroatishten, italishten dhe rumanishten. Kjo i dha dorë të merrte informacion të shumtë nga burime të ndryshme, për ta zgjeruar e thelluar veprimtarinë e vet në fushë të historisë.
Sapo kthehet t nga ish Bashkimi Sovjetik emërohet pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës, ku do të mund të shpaloste tërë aftësitë e tij jo vetëm si pedagog, por edhe si punonjës shkencor.
Pak kohë më pas, kur ndihej nevoja për kuadro të përgatitur në organet më të larta të Shtetit të kohës, Koli caktohet të punojë në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Në radhën e atyre që i kanë kontribuar në mënyrë rezultative shkollës shqiptare, ky pat mbetur një emër shumë i nderuar i atij institucioni.
Por edhe në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës nuk do të qëndronte gjatë. Zelli për t’u marrë me kërkime e studime shkencore historike i bindi eprorët e vet që ta dërgonin atje ku edhe mund të jepte më shumë. Dhe kjo nuk vonoi të bëhej realitet: Dërgohet punonjës shkencor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Edhe këtu do të ishte vetvetja midis tërë atyre studiuesve të njohur, që tashmë kanë mbetur të bekuar në historinë shqiptare.
Prof. Koli Xoxe (Vizatim nga Ndini Bardhi)
Autor i një sërie veprash të rëndësishme, që e bëjnë të paharruar
Fatlum për gjuhët që zotëronte, Koli Xoxe do të mbeste i zhytur nëpër arkiva, duke vjelë nga pasuria e pafund e historisë. Dhe nuk do të vononte të merrte gradën shkencore Kandidat i Shkencave Historike dhe, jo shumë më vonë, edhe titullin Profesor.
Falë një veprimtarie të pandërprerë shkencore, Koli Xoxe ka botuar 17 vepra të mirëfillta shkencore, veç dhjetëra e dhjetëra artikujve shkencorë, botuar brenda e jashtë vendit.
Me vlera të spikatura shkencore mbeten vepra të tilla, si “Ismail Qemali, jeta dhe vepra e tij”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Shkollat shqipe në prag të shekullit XIX”, “Liceu Kombëtar i Korçës”, “Marko Boçari”, “Shqiptarët dhe Garibaldi”, “Nikolla Jorga, dijetari pa njollë dhe pa frikë” e të tjera.
Duke qenë njohës i mirë i kulturës franceze, Prof. Koli Xoxe ka botuar disa studime të rëndësishme, që kanë të bëjnë me refleksionin e kulturës frënge në Shqipëri. Kështu, për t’u përmendur është “Volteri” (në dy vëllime), “Revolucioni francez në mjedisin shqiptar”, “Viktor Hygoi për Shqipërinë dhe shqiptarët”, “Franca, sipas Dora d’Istrias” e të tjera.
Në të gjitha këto vepra vërtet interesante ndihet shpirti iluminist i Koli Xoxes, mendimi i tij i përparuar properëndimor.
– Ishte interesante me Kolin, – shprehet shkrimtari Naun Kule: – Kolit më shumë i fliste heshtja, se sa zëri që i dilte nga goja”.
I vlerësuar e i nderuar, sipas meritave që kishte
Edhe pse tepër i heshtur prej natyre, ndoshta me pozicion disi të stepur, vet vepra e vet e pat ngritur Koli Xoxen në lartësinë që meritonte. Në mbarim të një konference të organizuar në Paris me rastin e 200 vjetorit të Revolucionit Francez, kumtesa e mbajtur atje prej këtij studiuesi shqiptar u konsiderua nga më interesantet.
I vlerësuar në Francë me “Palmën Akademike” dhe me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”, Prof. Koli Xoxe është nderuar edhe me titujt “Qytetar Nderi i Lushnjes” dhe “Nderi i Qarkut të Fierit”.
Duke vlerësuar meritat e padiskutueshme si shkencëtar në fushë të historisë, me një vendim të Këshillit të Ministrave Prof. Koli Xoxe qe përfshirë në radhën e atyre intelektualëve më të shquar shqiptarë, që meritonin trajtim të veçantë financiarë.
Për kontribut të veçantë gjatë epopesë së lavdishme të çlirimit, këtij ish antifashisti divjakas Ministria e Mbrojtjes i dha Statusin e Veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Për vet staturën e lartë që kishte, Prof. Koli Xoxe nuk mund të mos ishte Qytetar Nderi i Lushnjes. Ndërkohë, edhe Këshilli i Qarkut të Fierit e ka shpallur me një vendim të tij Nderi i Qarkut të Fierit. Një nderim të tillë i ka bërë edhe bashkia e Divjakës, duke e konsideruar figurë të shquar dhe me përmasa kombëtare.
* * *
Ndërsa lexojmë diçka nga Hygoi, trajtuar nga Prof. Koli Xoxe, na vjen ndërmend një thënie e shkëlqyer e këtij shkrimtari gjenial francez:
“Ka një spektakël më të madh se sa deti: dhe ai është qielli.
Ka një spektakël më të madh se sa qielli: dhe ai është brendia e shpirtit të njeriut”.
Brendia e shpirtit të këtij profesori, ajo e të urtit, të ndjerit Koli Xoxe, ka qenë dhe mbetet vërtet një spektakël i vërtetë njerëzor.
Comments