top of page

Prof. Dr. Zhuljeta Kadilli Daja: ONOMASTIKA E KOSOVËS - NDËRMJET MITEVE DHE IDENDITETEVE



(Prof. as. dr. Begzad Baliu, Onomastika e Kosovës, ndërmjet miteve dhe realiteteve, Shtëpia botuese Era, Prishtinë 2008, faqe. 353)


Onomastika e Kosovës, gjykuar me syrin e një historiani.


Monografia Onomastika e Kosovës, është një nga veprat e prof. asc. dr Begzad Baliut. Në llojin e saj është një vepër e plotë dhe mjaft e rëndësishme. Begzad Baliu është dalluar në fushën e studimeve albanologjike ku bën pjesë edhe botimi për onomastikën e Kosovës. Kjo vepër është rezultat i studimeve që autori ka bërë në këtë drejtim për vite me radhë. Që në fillim të studimit autori niset nga filozofia se: vetëdija për gjuhën kombëtare si vetëdije për identitetin në epokën globale.

Në libër jepen një numër i konsiderueshëm emra vendesh, të cilët janë me prejardhje të ndryshme, që nga ajo ilire e deri tek ato turke apo dhe shqiptare. Autori analizon në pikëpamje gjuhësore dhe historike prejardhjen e emrave dhe përdorimin e tyre. Ne këtë analizë e veçanta është në identifikimin e vendeve që i bartin dhe në referimet që ai bën literaturës mjaft të pasur në këtë drejtim.

Ky recension është e organizuar në dy pjesë kryesore. Fillimisht paraqitet një përmbledhje e shkurtër mbi përmbajtjen e librit, duke u ndalur në kapitujt kryesorë të tij. Më pas bëhet një analizë e vlerësimit të librit, duke u ndalur në aspekte të tilla si, organizimi i librit, metodologjia e përdorur, bibliografia, përdorimi i shkrimit akademik, etj.


Përmbajtja e librit


Vepra i kushtohet tërësisht problemeve të onomastikës së Kosovës, dhe është konceptuar në një hyrje dhe gjashtë kapituj, si: Toponimia dhe etimologjia, Antroponimia, Onomastika dhe letërsia, Demonizimi i toponimisë së Kosovës, Botime në fushë të onomastikës, Onomastika dhe perspektiva e saj. Në këndvështrimin historik, duhet vlerësuar fakti që autori e trajton onomastikën që nga periudha ilire deri në ditët tona. Periudha iliro-romake përfaqësohet nga një toponimi e pasur në krahinën e Gallapit, të cilën autori ka mundur ta identifikojë madje dhe ta hulumtojë në botime të ndryshme. Kjo krahinë është një prej krahinave etnografike e gjuhësore të Kosovës, ku autori ka mundur të gjejë gjatë studimeve të tij një numër të mjaftueshëm fjalësh për të vlerësuar prejardhjen e tyre ilire e për pasojë edhe të krahinës. Në këtë krahinë ruhet një shtresë e pasur e toponimisë shqiptare, prej asaj me strukturë të vjetër, e cila madje nuk gjallon më në leksikun e shqipes e deri te mikrotoponimet me semantikë të qartë nga leksiku i përditshmërisë sonë. Ky përfundim është konkretizuar me një numër fjalësh të cilat egzistojnë në toponiminë dhe mikrotoponiminë e zonës, si: Arushë, Bardhec, Katunishtë, Kërcunë, Kolopnishtë, Pyllë, etj. Në studim veçohen edhe toponimia dhe mikrotoponimia me prejardhje latino-romane, greko-bizantine, serbe apo orientale të cilat janë padyshim rezultat i krijimit të vendbanimeve të popullsisë së ardhur që ka lënë gjurmë në të. Krahas emërtesave padyshim që në këto zona kemi dhe shtresëzim të kulturave dhe historisë. Një meritë e veçantë e autorit qëndron në gjetjen e fjalëve përkatëse si dhe në përzgjedhjen e një bibliografie të shkëlqyer.

Në kapitullin mbi etnonimin kosovar dhe kuptimin e tij historik, autori jep nëpërmjet një analize të hollësishme përdorimin dhe ndryshimin në periudha të ndryshme historike të toponimit Kosovë dhe etnonimit kosovar. Për të analizuar këtë aspekt, ai merr në analizë si toponiminë ashtu dhe etnoniminë duke dhënë kuptimin për çdo periudhë historike në të cilat ato kanë pësuar ndryshime në formë por jo në përmbajtje. Në përmbajtje ka qenë vetëm një ai që ka përcaktuar shqiptarët që kanë jetuar në territorin shqiptar ( kosovar-Kosovë), dhe, në këtë kontekst, pavarësisht nga historia, shqiptarët në Kosovë duhet të krijojnë konceptin e tyre rreth etnonimit kosovar sepse sipas autorit, etnonimi kosovar ka filluar të konceptohet nga ndërkombëtarët si një emërtim që deri dje mbulonte konceptin për etnonimin jugosllav, dhe mbulonte të gjitha etnitë e ish-Jugosllavisë, që në rrethana të sotme e gjejmë me konceptin për multietnicitetin. Në vazhdim të kësaj ideje gjallon edhe ideja e krijimit të kombit kosovar, e cila ka qëllime thjesht çintegruese, por që padyshim janë pritur ftohtë dhe me reagime nga kosovarët dhe shqiptarët. Përgjigja kundërshtuese është dhënë mjaft qartë në libër nëpërmjet shpjegimit historik të toponimit dhe etnonimit Kosovë dhe kosovar. Megjithëse, historikisht toponimi Kosovë dhe etnonimi kosovar kanë pësuar ndryshime, në fund të fundit janë dy elemente që në thelb kanë një shprehje e një domethënie, dhe kjo gjë është dhënë shkencërisht nga autori.

Gjatë historisë mijëvjeçare populli shqiptar është përpjekur të ruajë identitetin e tij, e padyshim pjesë e kësaj përpjekje është edhe antroponimia e toponimia që në fakt është pjesë e kësaj historie. Në vazhdim të kësaj ideje, autori nëpërmjet studimit vlerëson faktin, që ky popull me një ndjenjë të lartë atdhedashurie, në mbrojtje të identitetit ka reflektuar në antroponimi dhe toponimi ngjarje apo vende me rëndësi historike. Fjala është për toponimet dhe oronimet e vjetra të cilave brenda ditës ju dha karakter historik dhe politik. Me një vëmendje të veçantë autori vlerëson faktin se mjaft emërtime të harruara, si rezultat i ndryshimeve shoqërore, brenda natës u bënë sinonim i vetëdijes historike. Kjo ka një rëndësi të madhe pasi është një motiv për të kujtuar dhe reflektuar. Të tilla janë p.sh toponimet, Bllacë, Tivar, që lidhen me ngjarje të tmerrshme nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar.

Në vazhdim të kësaj ideje autori vlerëson edhe antroponiminë pasvajtëse. Profesor Baliu vlerëson në mënyrë të hollësishme regjistrat e hartuar nga shoqata “Nëna Terezë” në Dardani të Prishtinës për vitin 1999. Nga analiza rezulton se vetëm 0,8% e antroponimisë i përket sferës fetare, kurse pjesa tjetër ka motivet e lëvizjes kombëtare për çlirimin e Kosovës. Emra të tillë janë, Flamur, Urim, Qëndrim, Arbër, Atdhe, Shqipton, etj. Autori ka bërë një punë të madhe në klasifikimin e llojeve të emrave të njerëzve sipas treguesve të tyre, duke filluar që nga ata që tregojnë qëndresë, luftë e krenari historike e deri tek emrat në nderim të personaliteteve të huaj që kanë kontribuar për Kosovën.

Në kapitullin Onomastika dhe letërsia autori analizon romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të autorit Rexhep Qosja. Analiza fokusohet në nxjerrjen e të gjithë emrave të vendeve dhe personazheve. Sipas autorit, shkrimtari ka pasur si qëllim që nëpërmjet onomastikës, dhe, sidomos antroponimisë të arrijë efekte estetike, të krijojë një galeri personazhesh, dhe të sugjerojë përmes tyre një botë po ashtu komplekse dhe sugjestive. Onomastikës së përdorur në roman i bëhet një transparencë e plote në disa drejtime. Vlerësimi i rrafshit semasiologjik ka një rëndësi të madhe pasi perceptohet si vlerë përcaktuese për prejardhjen familjare, qytetare apo krahinore. Ky fakt brenda romanit jep në tërësi vlera njohëse në raportin historik por njëkohësisht krijon dhe gjendje të veçanta emocionale. E gjithë antroponimia e toponimia është e prekshme dhe ka vlera gjuhësore, historike, semantike dhe estetike. Në detaje është dhënë edhe fjalori onomastik i romanit. Të gjithë emrat jepen të shpjeguar me prejardhjen e tyre si dhe me të gjitha cilësitë që mbartin. Duke lexuar pikërisht këtë vepër edhe pa lexuar romanin je në gjendje të kuptosh qëllimin dhe mesazhin.

Një nga problemet të cilave autori kërkon tu japë përgjigje nëpërmjet onomastikës është ai i origjinës së shqiptarëvë. Ai shkruan për arritjet në shkencat e albanologjisë në këtë drejtim sidomos gjatë gjysmës së dytë të shek. XX. Studiues të huaj e shqiptarë duke u mbështetur në onomastikën e trojeve shqiptare e më gjerë, përcaktuan prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, sidomos kur filloi të përhapej teza për prejardhjen ilire të popullit shqiptar dhe gjuhës shqipe. Në libër ballafaqohen pikëpamjet e studiuesve serbë, rusë, bullgarë, të cilët kanë mbajtur qëndrime jo historike, shkencore dhe kulturore për këto probleme. Metodologjia e tyre e studimit ishte jo shkencore e kushtëzuar dhe ideologjizuar. Begzad Baliu në vazhdim të analizës së tij jep qëndrimet politike të fqinjëve ndaj onomastikës së trojeve shqiptare. Ky qëndrim si në të kaluarën dhe sot vlerësohet politik dhe jo shkencor e historik. Ky qëndrim ka qëllime të pastra pushtuese. Në libër jepen të gjitha rrugët e mundësitë që serbët dhe grekët kanë përdorur për të ndryshuar sidomos toponiminë dhe antroponiminë. Këto janë veprime të përvijuara në shekuj. Në kundërvënie të këtij qëndrimi autori jo vetëm në rolin e gjuhëtarit, por edhe të atdhetarit ngre alarmin dhe shtron detyra të ngutshme për të shmangur rrjedhojat e kësaj politike. Në radhë të parë kërkon hartimin e një fjalori kombëtar të antroponimisë ku të përfshihen: antroponimia kombëtare; antroponimia historiko-kombëtare, dhe do të personalizohej një inventar i gjerë i fjalësit të shqipes. Përveç tij duhen hartuar edhe fjalorët drejtshkrimorë të antroponimisë dhe toponimisë. Këta fjalorë sipas tij bëhen sot më të domosdoshëm se kurrë, për faktin se antroponimia ka dalë nga rrënojat orientale, por ende nuk është çliruar nga ndikimet e huaja. Antroponimia në shek XX-XXI, është më e koklavitur se kurrë sipas hulumtimeve të Profesorit, pasi aty gjenden që nga emrat turko-arabë, greko-ortodoksë, italo-katolikë, etj. Përveç inventarizimit të problematikës autori shpjegon edhe arsyet e kësaj anarkie, që për të përbën alarm. E njëjta situatë për të është edhe në fushën e toponimisë, e cila duhet të zgjidhet. Në këtë kontekst, pikërisht në kundërvënie të situatës, autori shtron disa detyra të rëndësishme për institucionet shkencore arsimore në Kosovë, në mbrojtje të onomastikës historike.

Pjesë e këtij vëllimi të Profesor Baliut janë edhe vlerësimet për botimet e ndryshme në fushën e onomastikës. Ndër to përmendim botimin e Engjëll Sejdajt “Etnonimi arbëresh- shqiptar”, i Spiro N Kondës “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”, Rexhep Doçit “Iliro shqiptarët dhe serbët në Kosovë”, Maksut Haxhibrahimit “Toponimia e Ulqinit dhe rrethinës”, Bahtjar Kryeziut “Onomastika e Hashanisë”, “Fjalor onomastik i Malsisë së Bujanocit”, Nail Dragës “Gjurmë gjeografike”. Këto vepra analizohen në funksion të objektivave që ka pasur profesori në studimin e tij. Ai vlerëson kontekstin historik të etnonimit arbër, por gjatë analizës së tij ai pohon se: të pranosh vetëm emrin arbër si përcaktues të etnisë së sotme shqiptare, do të thotë të rrudhësh shumë hapësirën gjeografike të trojeve shqiptare ndërmjet trojeve të djeshme etnike dhe të sotme shqiptare, d.m.th, të rrudhësh shumë shtrirjen territoriale të shqiptarëve dhe të zvogëlosh disa herë numrin e “shqiptarëve” të sotëm, gjatë antikës dhe mesjetës . Etnonimin arbër autori e sheh në kontekstin e vazhdimësisë shqiptare; e sheh duke e argumentuar në tërë dimensionet e tij.

Një botim tjetër i rëndësishëm në vazhdim të analizës së Baliut është libri “Shqiptarët dhe problem pellazgjik” i Spiro Kondës. Ai vlerëson te ky libër jo vetëm hipotezat për lidhjet e shumëfishta të shqipes me pellazgjishten, por edhe studimin që i bëhet inventarit të pasur toponimik që ka për bazë fjalën shqipe: gur, mal, pyll, etj. Vepra e Kondës është padyshim pjesë e rëndësishme e studimeve albanologjike.

Vepra e Rexhep Doçit, “Iliro shqiptarët dhe serbët në Kosovë”, sjell nëpërmjet analizës vlerësime të rëndësishme. Këto vlerësime lidhen me shtresëzimet e kulturave shumëgjuhësore të krijuara në shekuj si dhe me autoktoninë shqiptare apo prejardhjen shqiptare të onomastikës serbe në Kosovë dhe trojet etnike shqiptare. Duke kaluar nga problemet gjuhësore-onomastike në çështjet e prejardhjes etnike serbo-malazeze, ai pohon: elementet sllavo-serbe në Kosovë janë të vona, serbët në Kosovë gjithmonë kanë qenë pakicë në krahasim me shqiptarët .

Për të plotësuar më mirë librin e tij Profesor Baliu trajton edhe botime të tjera në këtë fushë. Ai vë theksin tek pasuria dhe rëndësia e onomastikës së Kosovës, trajtuar në rrafshin historik dhe etnolinguistik. Duke studiuar leksikun onomastik të krahinave në Kosovë ne gjejmë të dhëna të rëndësishme të cilat plotësojnë në një masë të mirë edhe mungesën e materialeve të shkruara. Me mjaft interes është onomastika e Hashanisë, Drenicës, Ulqinit dhe e Malësisë së Bujanocit.


Analiza dhe vlerësimi i librit


Për të bërë vlerësimin e këtij libri, në radhë të parë është e rëndësishme të theksojmë se autori i ka kompetencat dhe ekspertizën e duhur për ta shkruar këtë libër, i cili i ka arritur më së miri objektivat. Libri është i organizuar shumë mirë në çështje dhe nënçështje. Përzgjedhja dhe renditja e tyre i jep një kuptim logjik të gjithë librit dhe ndihmon mirë në kuptimin dhe perceptimin e mirë të tij nga studiuesit dhe lexuesit në përgjithësi. Qëllimet dhe objektivat që i ka vënë vetes autori në cilindo kapitull e trajtesë mendoj se i ka realizuar.

Vepra e Begzad Baliut është padyshim në fondin e çmuar të albanologjisë. Ajo vlerësohet për punën e madhe të autorit në drejtim të mbledhjes së onomastikës së Kosovës, si dhe në interpretimin e saj historik, gjuhësor dhe kulturor. Metodologjia e përdorur është ajo e analizës dhe sintezës. Idetë e hedhura do të ngjallin interes dhe do të bëhen objekt studimi ndoshta në të ardhmen. Onomastika e pasur e Kosovës në mungesë shpesh herë të dokumenteve do të jetë një material i mirë në duar të studiuesve për probleme të ndryshme të gjuhësisë, historisë, e pse jo dhe atyre të shkencave sociale. Profesor Begzad Baliu është jo vetëm një studiues i shkëlqyer i onomastikës, por dhe një bibliograf i përmasave të mëdha. Ai e njeh në mënyrë të përkryer mendimin shkencor për onomastikën në përgjithësi e gjithçka rrjedh prej saj. Ky libër është komunikim i drejtpërdrejtë me historinë dhe më i domosdoshëm se kurrë sot.

Stili i shkrimit akademik të përdorur nga autori është koherent, i qartë dhe origjinal. Në varësi të problematikës së trajtuar, ai është herë konciz e herë i detajuar për të zhvilluar argumentet e nevojshëm. Autori përdor analiza e shpjegime për të dhenë idetë e tij apo për të qartësuar qëndrime. Trajtimi është thellësisht i detajuar dhe tregon qartë për angazhimin intensive e serioz të autorit, njëkohësisht dhe për njohjen e shkëlqyer të fushës së studimit. Kjo vërtetohet edhe nga bibliografia e pasur nga autorë të njohur të fushës.

Përfundimisht e vlerësoj maksimalisht këtë libër dhe mendoj se në të ardhmen do të kemi botime edhe më cilësore në formë e përmbajtje nga ky autor. Ai ka ardhur në kohën e duhur dhe me idetë e duhura.

Prof. Dr. Zhuljeta Kadilli

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

16 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page