
Shoqata për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica” me kryetar Prof. dr. Zeqirja Rexhepin, tani më prej vitesh, i ka vënë vetes mision dhurimin e librave, botime të shoqatës dhe veprash autoriale.
Një sasi modeste librash u dhuruan për bibliotekën e Shkollës fillore “Forina”, në Forinë të Gostivarit.
Të mirëpritur nga drejtoresha e nderuar znj. Zeqie Musliu, albanologja Adelina Xhaferi, pedagogja Resmije Aliu, profesorët: Qerim Arifi, Egzon Xhaferi dhe mësimdhënës të tjerë të shkollës, si dhe në praninë e nxënësve, dhuruan libra si një akt vazhdimësie të dashurisë për librin dhe kulturës sonë kombëtare.
Në këtë mjedis intelektualësh, ishte e ftuar edhe albanologja dhe shkrimtarja Zejnepe Alili Rexhepi, në një takim e bashkëbisedë miqësore me nxënësit, me ç’rast foli për krijimtarinë e saj letrare, për frymëzimet poetike, për artin letrar, vështirësitë, sukseset, përvojën shkrimore, duke dhënë mesazhe për rëndësinë e librit, leximin e vazhdueshëm, ruajtjen e gjuhës amtare, e shumë çështje të tjera, për të cilat në vazhdimësi i drejtoheshin pyetje të shumta nga nxënësit kureshtarë e të interesuar, duke shprehur kështu zgjuarësinë e tyre dhe interesimin për librin.

Fjalë përshëndetëse shprehën edhe drejtoresha e shkollës, znj. Musliu dhe profesoresha Adelina Xhaferi, e cila midis tjerash theksoi: “Kam besuar gjithmonë që për nxënësit duhet ta bëjmë më të mirën, pavarësisht kohës a vendit dhe t’i udhëzojmë me shumë zemër drejt udhës me diell e dritë. Sot në mesin tonë, në hapësirat e shkollës, në një ambient mjaft të ngrohtë e të mbushur me zëra, buzëqeshje, përqafime e pyetje të shumta nxënësish e patëm profesoreshën universitare Zejnepe Alili Rexhepi. Në një orë të hapur, ndryshe nga herët tjera, në një takim mjaft të veçantë me të, nxënësit e mi u nxitën edhe më shumë për ta njohur letërsinë si art, për t’i lexuar krijimet e shkrimtarëve për fëmijë (dhe jo vetëm), u nxitën dhe u bindën që ta duan gjuhën, kulturën dhe traditën e tyre dhe mbi të gjitha, të lënë gjurmë të bukura në jetë.
Faleminderit profesoreshë, për këtë ditë të bërë më të bukur, për kohën e ndarë dhe për nderin e veçantë”!
Me mbresat e veçanta dhe shijen e mirë të këtij takimi miqësor, përmes mikritjes plot bujari e respekt, edhe kjo ngjarje do të arkivohet në aktivitetet e Shoqatës “Ars Albanica”!
Shoqata për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica” - Tetovë.
Comments