top of page

Prof. Dr. Eshref Ymeri: Shkrimtarët, këta fisnikërues të shpirtit njerëzor



 

Para pak kohësh, shkrimtarja e mirënjohur Vilhelme Vranari Haxhiraj, botoi librin me titull Në botën letrare të Kadri Tarellit”, në të cilin përfshihen analiza të Kadri Tarellit për autorë të ndryshëm dhe të tjerët për Kadriun.

Kjo shkrimtare ka hyrë në historinë e letërsisë shqipe si autore e shumë tregimeve, novelave, romaneve, skicave, përmbledhjeve poetike, si edhe si kritike, publiciste dhe hulumtuese në fushën e historigrafisë. Veprat e saj, të cilat përbëjnë një korpus të tërë prej 55 vëllimesh, bien në sy për demaskimin  që i ka bërë diktaturës komuniste, për respektin e thellë ndaj njeriut të punës, për emancipimin  e gruas shqiptare, si një forcë e pazëvendësueshme në zhvillimin e shoqërisë sonë, për trajtimin  mjeshtëror të temës së dashurisë, si një themel i fuqishëm i jetës bashkëshortore, e cila mbetet garanci e jetës së mbarë vendit, pa tërmete sociale. Krijimtarinë e kësaj shkrimtareje, të të gjitha gjinive, e përshkon si një fill  kuq repekti për njeriun, ngrohtësia rrezatuese e shpirtit të saj fisnik dhe pasuria e admirueshme e leksikut të saj.

Tipare të ngulitura në personalitetin e kësaj shkrimtareje, të kristalizuara në krejt krijimtarinë e saj, janë dashuria, dashamirësia, fisnikëria, ngrohtësia e shpirtit, ndërgjegjja e kulluar dhe qëndrimi i prerë kundër padrejtësisë.

Kur e mbaron së lexuari librin, kushtuar Kadri Tarellit, të këtij intelektuali të talentuar me botë të madhe, kuptohet vetvetiu se vepra e Mjeshtres së Madhe të letrave shqipe, Vilhelme Vranari Haxhiraj, është një “skaner” i ndërsjellë i krijimtarisë së secilit prej tyre.

Domosdo që pas leximit të librit, dalin disa përfundime, të cilat, në respekt të këtyre dy talenteve, duhen nxjerrë në pah. Ata kanë aftësinë ta pasqyrojnë realitetin përmes fjalës së zgjedhur artistike, të krijojnë vepra që prekin zemrat dhe nxisin fantazinë e lexuesve.

Po cilat janë tiparet që ndodhen në themelin e suksesit të tyre?

Së pari, si mjeshtra të penës, ata dallohen për një perceptim të mprehtë të realitetit dhe për një kuptim të thellë të natyrës njerëzore. Ata kanë aftësinë ta vëzhgojnë dhe ta analizojnë botën që na rrethon, të pikasin hollësira, të cilat mund t’i shpëtojnë nuhatjes së lexuesit, dhe të zbulojnë aty ide të reja dhe të pazakonta. Ata janë në gjendje të kapin mendimet dhe ndjenjat e heronjve të vet, të përcjellin kompleksitetin dhe kontradiktat e tyre, duke krijuar tablo jetësore, të cilat reflektohen gjallërisht në shpirtin e çdo lexuesi.

            Së dyti, ata janë mjeshtra të fjalës, ndërtojnë fraza të bukura dhe mjaft të goditura, përzgjedhin figura dhe simbole të pazakonta, krijojnë një kompozim të harmonizuar të tekstit. Tekstet e veprave të tyre janë plot me shprehje ligjërimore mjaft të qarta dhe origjinale, të cilat lexuesit i tërheqin vëmendjen dhe i regjistrohen në kujtesë. Me magjinë e fjalës së tyre, ata kanë krijuar një të tillë realitet, në të cilin ne, si lexues, mund të hedhin sytë dhe të shikojmë vetveten.

       

    Një tjetër parim i rëndësishëm për këta dy shkrimtarë të talentuar është origjinaliteti dhe risia. Ata synojnë të dalin përtej kuadrit të së zakonshmes dhe të  eksperimentojnë me idetë dhe me stilin e vet. Ata nuk druhen të jenë të ndryshmë nga shkrimtarët e tjerë me idetë dhe me stilin e tyre, duke besuar çiltërsisht në forcën e penës së tyre unikale. Ata krijojnë realitete dhe histori të reja, të cilat i çelin rrugën lexuesit drejt së panjohurës dhe e bëjnë tepër të ndjeshëm me thellësinë e përshkrimit të tyre.

Vilhelmja dhe Kadriu ndajnë mjeshtërisht me lexuesit emocionet dhe mendimet e tyre, përvojën jetësore, duke përfshirë vetveten në çdo faqe të veprës së tyre. Pikërisht në saje të kësaj çiltërsie të thellë, tekstet e tyre jehonojnë në zemrat e lexuesve dhe bëhen burim frymëzimi dhe mirëkuptimi. Si krijues me një përvojë të pasur jetësore, ata dallohen për fantazi të pasur dhe aftësi për të menduar në mënyrë krijuese. Ata rrëfejnë ngjarje origjinale dhe mbresëlënëse, krijojnë figura personazhesh bindëse dhe idetë e tyre i mishërojnë në një stil shkrimësie unikale.

Aftësia e veçantë e këtyre dy shkrimtarëve bie në sy për kapjen e hollësirave dhe për analizën e realiteteve jetësore. Me nuhatjen e tyre të mprehtë, ata kanë aftësinë të pikasin mjeshtërisht gjendjen shpirtërore, emocionet dhe tiparet e karakterit të heronjve të vet.

Si vëzhgues me përvojë të pasur jetësore, ata dallohen për trajtimin e temave të reja dhe studimin e thelluar të atyre ekzistuese.

Duke qenë në kërkim të përhershëm ndaj vetvetes, ata nuk janë ndalur kurrë në sukseset që kanë pasë arritur brenda dhe jashtë vendit, por gjithmonë kanë synuar drejt përsosjes së përhershme të mjeshtërisë së fjalës artistike. Ata kanë përvetësuar vazhdimisht mënyra dhe teknika të reja në procesin e shkrimësisë, duke e mprehur mjeshtërinë e penës dhe duke përsosur stilin.

Si mjeshtër të penës, ata u ngjallin lexuesve emocione të fuqishme, i bëjnë të qeshin, të qajnë, të kaplohen nga ndjenja dhe përjetime të fuqishme, në varësi të atmosferës së krijuar gjatë rrjedhës së rrëfimtarisë.

Lexuesit të veprës së këtyre dy shkrimtarëve i bie në sy mjeshtëria e zotërimit të gjuhës, të reflektuar përmes gramatikës - morfologjisë, sintaksës dhe rregullave të pikësimit. Shkalla e zotërimit të gjuhës është bukur e reflektuar në shprehjen e mendimeve dhe të ideve në një mënyrë sa më të saktë dhe të kuptueshme. Pasuria leksikore e gjuhës së këtyre shkrimtarëve është pasqyruar më së miri në përzgjedhjen e fjalëve dhe frazave tepër të qëlluara për krijimin e një efekti sa më mbresëlënës.

Në krijimtarinë e këtyre shkrimtarëve është e ndërthurur mjeshtërisht e vërteta jetësore me të vërtetën artistike. Ata i analizojnë thellësisht dukuritë jetësore, realitetin dhe shoqërinë në tërësi, duke i përcjellë ato nëpërmjet qëndrimit të heronjve të vet.

Shkrimtarët e duan punën si jetën e vet, prandaj ata nuk mund ta përfytyrojnë atë jashtë zejes së shkrimësisë, dashuria për të cilën i nxit të ngrihen në lartësi të reja dhe i motivon për ta vazhduar procesin krijues, pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasin edhe nga shqetësimet shëndetësore. Shkrimtarët janë plotësisht të vetëdijshëm se puna është jo vetm shpenzim i energjive fizike, por edhe një tendosje e energjive intelektuale, që kërkojnë vetëpërkushtim tërësor, vendosmëri, dosiplinë dhe këmbngulje, të cilat e bëjnë njeriun edhe më të fuqishëm, edhe më të mençur, edhe më të sukseshëm.

Fakti që Vilhelmja dhe Kadriu, gjatë jetës së tyre, janë kalitur në punë nga më të zakonshmet, në zejet e arsimit, gazetarisë, publicistikës, punës hulumtuese dhe letërsisë, dëshmon më së miri se se lart e vlerësojnë ata punën, qoftë kjo fizike apo mendore, jo vetëm si burim kënaqësie intelektuale, të mirash materiale, por edhe si burim jetëgjatësie.

            Veprat e tyre janë mjaft të pasura me mjete artistike. Metaforat, epitetet, krahasimet e bëjnë tekstin e tyre emocionalisht prekës.

            Së fundi, duhet theksuar se veprën e këtyre dy shkrimtarëve, gjykuar nga tiparet e karakterit të heronjve të tyre, e përshkon fund e krye ngrohtësia e shpirtit, dashamirësia karakteristike për njeriun. Domosdo, sepse fjala e ngrohtë është ilaç tepër shërimtar i njerëzve të ndershëm, sidomos i shkrimtarëve.

            Në veprimtarinë e vet shkencore, Profesori i Institutit “Bedari” të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, Daniel Fesler, ka theksuar se kur ndjek nga afër veprimet dashamirëse të të tjerëve, njerëzve u lind dëshira të kryejnë edhe vetë veprime të tilla. Ai ka arritur të shpjegojë se për ç’tip njerëzish dashamirësia mund të jetë “infektuese”. Profesori Fesler nënvizon:

            “Mendoj se mund ta themi fare troç që po jetojmë në një shekull me probleme. Edhe këtu në Shtetet e Bshkuara, edhe në mbarë botën, po vërejmë se si po shtohet konfliktet mes njerëzve me bindje të kundërta politike dhe me besime të ndryshme fetare... Me fjalën dashamirësi nënkuptojmë mendime, ndjenja dhe bindje, të cilat vijnë në përputhje me veprimet që janë në të mirën e njerëzve të tjerë. Me këtë rast, dashamirësia për të tjerët shfaqet pikërisht si një rezultat përfundimtar dhe jo si mjet për arritjen e ndonjë tjetër synimi” (Citohet sipas: Loren Terner. “Dita mbarëbotërore e dashamirësisë: si dashuria për njeriun dhe kujdesi për të tjerët mund t’ju zgjatin  jetën”. Faqja e internetit “BBC NEWS”. 13 nëntor 2019).

            Kur shkrimtarët Vilhelme Vranari Haxhiraj dhe Kadri Tarelli skalitin në veprat e tyre dashamirësinë e personazheve, ata zbulojnë natyrën shumëpërmasore të  ngrohtësisë së shpirtit të vet human. Dashamirësia në penën e tyre përfshin krejt përmbajtjen e botës së tyre emocionale, shpirtërore dhe intelektuale.

Sigurisht që nuk është kollaj që lexuesi ta kuptojë dhe ta përjetojë gjerësinë e shpirtit të vet, se kjo nuk është një detyrë fort e lehtë. Ai shpeshherë e ka të vështirë të hyjë deri në thellësitë e vetëdijes së vet dhe të zbulojë të gjitha të fshehtat që prehen atje. Në raste të tilla, shkrimtarët luajnë një rol të jashtëzakonshëm në formimin e lexuesit. Ata e ndihmojnë lexuesin ta njohë shpirtin e vet, në mënyrë që ai të gjejë qetësinë e brendshme, harmoninë me vetveten dhe me botën që e rrethon.

Vilhelmja dhe Kadriu njihen që prej fillimit të dhjetëvjeçarit të dytë të këtij shekulli. Miqësia e tyre në botën e letrave është shembullore. Përurimet e librave të tyre herë në Durrës dhe herë në Vlorë, kanë shërbyer më së miri për kalitjen e asaj miqësie dhe për afrimin e komunitetit të letrave të të dy yteteve.

Në librin në fjalë, Vilhelmja ka përfshirë një intervistë të gjatë me Kadriun, e cila e meriton të vlerësohet plotësisht si nje enciklopedi e tërë e jetës dhe e krijimtarisë së tij. Vlerësimet e Vilhelmes për krijimtarinë e Kadriut dhe vlerësimet e Kadriut për krijimtarinë Vilhelmes, të njohura këto brenda dhe jashtë vendit, shërbejnë si një shembull i shkëlqyer i bashkëpumit intelektual, për të cilin janë krejtësisht të huaj cinizmi, smira dhe xhelozia e njerëzve me karakter të plagosur rëndë nga dashakeqësia.

Vargjet e shkëlqyera poetike, me shije të lartë artistike, si ato të Bashkim Saliasit pë Kadriun dhe të Kadriut për Vilhelmen, që janë përfshirë në këtë libër, janë një tafta mbi kadife në krijimtarin e tyre me vlera mbarëkombëtare. Do të ishte një mrekulli, nëse këto vargje do të skaliteshin në një tabelë të posaçme dhe të ekspozoheshin në selitë (nëse ekzistojnë seli të tilla) e Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit dhe të Vlorës.

Kaliforni, 17 maj 2014

56 views4 comments

4 comentários


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
19 de mai.

I dashur Kadri,

Ju jam shumë mirënjohës për vlerësimin mbresëlënës të artikullit tim. Bashkëpunimi juaj me Zonjën e Shquar të letrave shqipe, Margaritarin e Kaninës Kryezonjë, Vivrën tonë të Nderuar, është një model i çmuar i mirëkuptimit në Sofrën Letrare Mbarëkombëtare. Ky bashkëpunim dëshmon më së miri për madhështinë e fisnikërisë së shpirtit tuaj, si dy intelektualë me brumosje të shkëlqyer atdhetarizmi.

       Ju uroj nga zemra shëndet, mbarësi dhe suksese në krijimtari.

       Eshref Ymeri

       Kaliforni, 19 maj 2024

Curtir

kadritarelli
19 de mai.

Përshëndetje dhe mirënjohje i nderuar Prof. Eshref Ymeri!

E lexova me kujdes, kënaqësi dhe mirëkuptim këtë shkrim vlerësues për znj. Vilhelme dhe librin e saj më të fundit, "Në botën letrare të Kadri Tarellit", që unë, brenda modestisë, po e quaj "Sinfoni fisnikërie, miqësie dhe dashamirësie të shpirtit njerëzor". Jam i bindur se nuk gaboj, kur po shprehem kështu, pasi ashtu siç e vlerësoni edhe ju: "Dashamirësia në krijimtarinë e tyre, përfshin krejt përmbajtjen e botës së tyre emocionale, shpirtërore dhe intelektuale".

Unë u njoha vonë me znj. Vivra në disa veprimtari në Durrës, ku shoqërohej si përherë nga bashkëshorti i saj z. Fitim Haxhiraj, edhe ky artist në shpirt, por më i shkëlqyer si menaxher i krijimtarisë së shkrimtare,…

Editado
Curtir

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
18 de mai.

I dashur Profesor Fatmiri,

Ju falënderoj nga zemra për vlerësimin tuaj, si një kritik i shquar i letrave shqipe, dhe si një shkrimtar mjaft i talentuar, me një rol tejet të admirueshëm në fisnikërimin e shpirtit njerëzor.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 18 maj 2024

Curtir

Mjafton vetëm kaq të kuptosh sa thellë ndërhyn me dashamirësinë e tij Prof Dr Eshref Ymeri kur shkruan me sinqeritetin e tij për këtë libër: „Vilhelme Vranari Haxhiraj dhe Kadri Tarelli skalitin në veprat e tyre dashamirësinë e personazheve, ata zbulojnë natyrën shumëpërmasore të  ngrohtësisë së shpirtit të vet human“. Është ndalur me vëmendje në të dy këndet dhe me dypërshkruesinë fine i bënë një telajo të qartë narrativit. Urimet më të mira.

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page