Prof. Dr. Eshref Ymeri: Një takim fort mallëngjyeslarg Atdheut
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 6 min read

Ne shqiptarët e Shqipërisë Londineze jemi një popull shumë i vogël në numër, por numrin e bashkatdhetarëve të mërguar e kemi shumë të madh.
Për shumë bashkatdhetarë, njëri nga momentet më të komplikuar gjatë zhvendosjes në një vend të huaj, është humbja e lidhjeve me njerëzit e gjakut, me miq, me shokë, me të njohur. Madje edhe atëherë kur vendimi për t’u zhvendosur në një vend tjetër është marrë në një mënyrë të vetëdijshme, qoftë edhe duke pasur përgatitjen e duhur për t’u pështatur në kushte krejt të reja, prapëseprapë, në çaste të caktuara, njeriu fillon të brengoset për atdheun, për njerëzit që ka lënë atje, duke përjetuar emocione të fuqishme.
Domosdo, s’mund të ndodhë ndryshe, sepse dashurinë për atdheun çdokush e fiton që sapo lind, me qumështin e nënës. Prandaj Francis Bekon (1561-1626), filozof dhe historian anglez, personalitet politik, themelues i empirizmit, thotë:
“Dashuria për atdheun fillon nga familja”
Përjetimet e mërgimtarit, Zonja Linda Arapi, me një lirizëm karakteristik, i ka pasqyruar në librin me titull “Lulebliri për libra”, të hedhur në qarkullim në Gjermani, për të cilin, në gazetën “ExLibris” të datës 12 prill 2025, është botuar një koment mbresëlënës
Emocionet e mërgimtarit vijnë e bëhen edhe më të fuqishme, kur atje, në vend të huaj, takon ndokënd nga bashkatdhetarët e vet, të sapoardhur nga atdheu
Tri profesoresha të anglishtes,
si tri sorkadhe mali
Në marsin që kaloi pata një takim tejet mallëngjyes me tri profesoresha të anglishtes, që patën ardhur për të zhvilluar një aktivitet shkencor dhe për të bashkëreferuar për temën Tesol (Teaching English to Speakers of Other Languages) këtu në Kaliforni, në qytetin Llong-Biç (Long Beach), i cili shtrihet në pjesën jugore të qarkut të Los-Anxhelosit, në bregun e Oqeanit Paqësor.
Kush janë këto tri Profesoresha?
Prof.dr. Shpresa Delija

Pas përfundimit të studimeve në vitin 1978 në Fakultetin e histori-filologjisë të Universitetit të Tiranës, Shpresa u emërua mësuese e gjuhës angleze në qytetin e Lezhës, ku punoi gjatë një periudhe pesëvjeçare. Paskëtaj, duke pasur parasysh rezultatet e larta në fakultet, mësuese Shpresën e emëruan pedagoge të anglishtes në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Këtu punoi vetëm një vit, sepse e transferuan të jepte mësim në Akademinë e Rendit, ku punoi, pesë vjet. Pas kësaj pune 11-vjeçare, Shpresa u emërua pedagoge në Departamentin e gjuhës angleze të Fakultetit të gjuhëve të huaja, ku edhe doli në pension para një viti
Gjatë gjithë kësaj periudhe, pedagoge Shpresa mbrojti disertacionin për gradën “Doktor i shkencave”. Ajo u dallua për një veprimtari mjaft të dendur në procesin e mësimdhënies, të konkretizuar me botimin e shumë artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit, për botimin teksteve mësimore për shkollat dhe për universitetin, në autorësi dhe bashkautorësi, për zhvillimin e një sërë aktivitetesh shkencore, në bashkëpunim edhe me univesitete të huaja.
Duke pasur parasysh punën e saj si pedagoe e talentuar dhe gjithë krijimtarinë e saj shkencore, Departamenti i gjuhës angleze, Këshilli shkencor i Fakultetit dhe i Universitetit, e patën vlerësuar pedagoge Shpresën me titullin “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor-doktor”. Pra, sot Prof.dr. Shpresa Delija është një figurë emblematike, e cila, me punën e saj të palodhur, e ka pasuruar dhe e ka çuar më tej traditën mbresëlënëse të mësimdhënies së trupës pedagogjike të Departamentit të gjuhës angleze, duke filluar nga themeluesi i atij departamenti, Profesor Skënder Luarasi (1900-1982), deri në ditët tona.
Prof.dr. Shpresa Delija ka gëzuar dhe vazhdon të gëzojë gjithë respektin e studentëve për nivelin e lartë shkencor të përgatitjes së saj si pedagoge dhe edukatore e shkëlqyer. Në të njëjtën kohë, edhe Profesore Shpresa ndihet krenare për ish-studentët e saj, të cilët, me punën dhe me përpjekjet e tyre këmbëngulëse, kanë ditur ta gjejnë veten në jetë dhe të arrijnë suksese kudo që japin kontributin e tyre në vendin tonë.
Prof.as.dr. Merita Hoxha

Ka përfundur studimet në vitin 2003 në degën e anglishtes të Fakultetit të gjuhëve të huaja të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Deri në vitin 2017 ka punuar mësuese e anglishtes në Shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan. Pas vitit 2017 dhe në vazhdim është lektore me kohë të plotë e Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, si koordinatore e praktikës mësimore dhe si përgjegjëse për koordinimin e kurrikulës midis universitetit, Drejtorisë rajonale të arsimit, shkollave dhe mësuesve mentorë. Është eksperte e njohur në metodologjinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, me një përvojë të pasur në zhvillimin profesional të mësuesve dhe në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare për inovacionin në edukim dhe gjuhësinë e aplikuar. Është angazhuar në hulumtime mbi zhvillimin e aftësive shumëgjuhësore dhe edukimin gjithpërfshirës. Prej vitit 2021 dhe në vazhdim është lektore me kohë të pjesshme në Fakultetin e shkencave sociale të Universitetit të Tiranës, si ligjëruese e lëndës “Metodologji e mësimdhënies dhe e mendimit kritik”. Është ligjëruese e lëndëve:
Metodologjia e mësimdhënies së gjuhës angleze.
Aftësitë e mësimdhënies.
Kërkimi shkencor në arsim.
Historia e metodologjisë së mësimdhënies së gjuhës angleze dhe praktika mësimore.
Mësimi i anglishtes në moshë të hershme.
Në vitin 2016 ka kryer Shkollën doktorale në Universitetin Europian të Tiranës, profili pedagogji, ka mbrojtur disertacionin me temë “Portofoli europian i studentëve mësues të gjuhëv dhe mentorimi, faktorë të rëndësishëm në përgatitjen e mësuesve të ardhshëm” dhe ka marrë gradën “Doktor”, si edhe titullin akademik Profesor i asociuar. Është trajnere në nivel kombëtar në disa projekte dhe institucione, si "Këshilli Britanik, Shqipëri”, "Qendra për Lidershipin Shkollor, Shqipëri”, “Diagnostika pedagogjike e shkollës”, “Shkolla e Shekullit 21: mendimi kritik dhe zgjidhja problemore”; “Mësimdhënia dhe të nxënit efikas” etj.
Prej vitit 2020 e në vazhdim është Trajnere kombëtare e licensuar e drejtuesve për modulet dhe e angazhuar në aktivitete të tilla, si:
Zhvillimi i kompetencave të mësuesve për një sistem të plot të vet në Shqipëri.
Menaxhimi i klasës.
Strategjitë gjithpërfshirëse në procesin e mësimdhënies.
Nga përvoja e punësimit përmendet aktiviteti i saj gjatë viteve 2024-2025, si asistente kërkimore me Universitetin e Oslos, Norvegji.
Profesore Merita, si pedagoge e talentuar dhe me një përvojë të gjatë në punën pedagogjiko-shkencore, ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të rëndësishëm me angazhimet e saj në disa projekte kërkimore, si edhe në disa ekspertiza dhe konsulenca.
Ka botuar një sërë artikujsh shkencorë, kapitujsh dhe raportesh brenda dhe jashtë vendit dhe është prezantuese në një sërë konferencash kombëtare dhe ndërkombëtare. Është anëtare e Rotary Club, Elbasan që prej vitit 2024, si edhe e Shoqatës “Mësuesit e anglishtes si gjuhë e dytë”.
Prof.as.dr. Ekaterina Strati

Ka përfunduar studimet universitare për “Mësimdhënie e gjuhës angleze” me rezultate të shkëlqyera në vitin 2007, Departamenti i gjuhës angleze, Fakulteti i gjuhëve të huaja, Universiteti i Tiranës. Me diplomimin, në nëntor 2007, filloi punë si pedagoge me kohë të plotë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Fakulteti i edukimit, Departamenti i gjuhëve të huaja. Në të njëjtën kohë, ajo është pjesë e stafit akademik, e ftuar në Fakultetin e drejtësisë, Universiteti i Tiranës, që nga viti 2007, ku jep mësime të gjuhës angleze ligjore. Ajo është, gjithashtu, bashkautore e tekstit të anglishtes ligjore, të përdorur në disa universitete në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, ajo jep mësim të gjuhës angleze mjekësore në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, një universitet italian, me qendër në Tiranë. Ajo ka arritur rezultate të shkëlqyera në “Programin e studimeve Master” në “Gjuhësi” (korrik 2011) në Departamentin e gjuhës angleze, Fakulteti i gjuhëve të huaja, Universiteti i Tiranës.
Ekaterina ka qenë një nga studentet më punetore dhe serioze. Ka qenë studente e Profesoreshë Shpresës në bachelor dhe në master.
Pas përfundimit të programit Master i Shkencave, ajo vazhdoi studimet me temën e doktoraturës në të njëjtën fushë. Gjithashtu, ajo është autore e disa artikujve në fushën e gjuhësisë dhe mësimdhënies dhe pjesëmarrëse në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare të së njëjtës fushë. Për më tepër, ajo mori pjesë në një nga konventat ndërkombëtare më të spikatura në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze, TESOL International Convention & English Language Expo në Dallas, Texas, USA, 21-23 mars 2013, ku ishte bashkëprezantuese e kumtesës shkencore, me titull “Standardet ndërkombëtare në arsim”, bashkë me emra të njohur në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze. Për më tepër, ajo prezantoi një punim në një nga konferencat më prestigjioze, të organizuara në Universitetin e Nevadës, Las Vegas, 18-20 mars 2013. Ajo gjithashtu mori pjesë në projektin EduLaw Erasmus dhe programe të ndryshme mobiliteti, të financuara nga BE. Në qershor 2024 mori titullin akademik Profesor i Asociuar.
Kaliforni, 23 prill 2025
Comments