Në numrin e 04 prillit të këtij Portali, Prof.dr. Fatmir Terziu kishte botuar një poezi-homazh, me titull:
(Mësuesit të Gjuhës Ruse, Fadil Xhafa)
E lexova këtë poezi, i kapluar nga disa kujtime fort të hershme, të cilat më bënë të shtegtoj tutje në kohë, drejt dhjetëvjeçarit të gjashtë të shekullit të kaluar, kur isha student në degën e gjuhëve të huaja (nëndega e gjuhës ruse) të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës, në periudhën mes viteve 1962-1966.
Gjatë jetës gjithsekush përjeton periudha të tilla, të cilat i lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e tij, prandaj ia ka ënda t’u rikthehet përsëri e përsëri.
Vitet studentore janë më mbresëlënëset. Veçanërisht dhe kryesisht për ata, të cilët ato vite i kalojnë larg familjes, të strehuar në konviktet e qytetit të studentëve. Në raste të tilla, në krahasim me vitet shkollore, studenti gjendet në mjedisin e një jete krejtësisht të pavarur, ku duhet të përkujdeset vetë për gjithçka: për pastërtinë e mjedisit ku jeton, për rregullin dhe higjienën personale.
Sigurisht që shqetësim kryesor për studentët përbën mbarëvajtja në mësime. Leksionet, seminaret, punët praktike, kolokiumet - në sistemin e arsimit të lartë janë njëra nga format e detyrave mësimore që ka për qëllim sqarimin dhe ngritjen e nivelit të dijeve të studentëve -, paraprovimet dhe provimet.
Vitet studentore janë vitet e rinisë, periudha më e artë në jetën e njeriut, kur mund të të krijohet përshtypja sikur gjendesh para një morie problemesh të pazgjidhshme, të cilat kapërcehen me lehtësi, falë moshës dhe optimizmit rinor.
Pikërisht në vitet studentore zbulohen pasionet, talentet për profesione të caktuara, të cilat mbeten zejet më të parapëlqyera për gjithë jetën.
Poezinë e Profesor Fatmirit e lexova tri herë, duke përjetuar një ndjenjë mallëngjimi të thellë. Fadil Xhafën, nga Elbasani, e kisha shok klase. Me këtë rast, me vetëtinë menjëherë në kujtesë portretet e shoqeve dhe të shokëve të klasës, si Aishe Karaj nga Tirana, Arif Malkia nga Peqini, Behije Dija nga Durrësi, Filat Arapi nga Vlora, Hajrulla Zonja nga Berati, Petrit Bello nga Lushja, Skënder Agai nga Shkodra, Skënder Stafacani nga Mati, Tefta Pecani nga Korça, Teodor Pjero nga Vlora, Yllka Bejko nga Përmeti.
Fadilin e kujtoj me shumë respekt për të folurën e tij të shtruar. Kur fliste, i merrej pakëz goja, por kjo e bënte edhe më të këndshme të folurën e tij. Të gjithëve në klasë na bënte përshtypje mendjemprehtësia dhe humori i tij. Kur ndokush nga profesoreshat e rusishtes e thërriste në dërrasë të zezë për ta shkruar një fjali pa gabime, Fadili, sikur gjoja pa dashje, i lejonte vetes ndonjë gabim drejtshkrimor. Në atë fjali ai bënte sikur harronte ndonjë bashkëtingëllore ose zanore dhe, në vend të fjalës së duhur, dilte ndonjë fjalë e stilit thjeshtligjërimor, gati gjysmëvulgar, çka e bënte klasën të shkrihej gazit, sepse të gjithë e dinim që Fadili bënte numra, qëllimisht ia lejonte vetes një “gabim” të tillë për të na bërë për të qeshur, ndërkohë që pedagogia s’e kuptonte marifetin e tij dhe i thoshte:
“Këtë fjalë e ke shkruar gabim, prandaj korrigjoje!”.
Dhe pastaj Fadili merrte fshirësen në dorë, kthehej nga klasa, na shkelte syrin, fshinte krejt fjalën dhe mandej e shkruante sakt.
Pedagogia ndërhynte:
“Po, tani e ke shkruar tamam si duhet”.
Fjalët e pedagoges ne i shoqëronim përsëri me të qeshura.
Klasës sonë i bënte përshtypje të thellë edhe diçka tjetër në figurën e Fadilit - kujtesa e tij mjaft e mprehtë. Kur kishim leksione apo seminare të letërsisë ruse, me Profesoreshën tonë aq të dashur Vitore Ballvora (Angoni), atë ditë, sapo ktheheshim në konvikt dhe pasi drekonim në mencën e studentëve, ne çunat grumbulloheshim në njërën nga dhomat e dikujt nga shokët e klasës dhe bënim garë së kush do të mësojë më shpejt përmendsh vargje në rusisht nga romani i Pushkinit, Evgjeni Onjegin. Pasionin për të mësuar vargje përmendësh nga ai roman, na e kishte futur në gjak vetë Profesoreshë Vitorja, një pedagoge emblematike në procesin e mësimdhënies. Gjatë shpjegimit të leksionit, ajo vetë na recitonte në rusisht nga strofat 14 vargëshe të atij romani me 5400 vargje, të përkthyer në gjuhën shqipe nga mjeshtri i rrallë i vargut poetik, Lasgush Poradeci. Si tani më kujtohet një strofë e atij romani. Atë ditë që u mblodhëm në dhomën e njërit nga shokët tanë, vendosëm se kush do ta mësonte më shpejt përmendësh strofën në vijim, të cilën na e pati recituar Profesoreshë Vitorja gjatë zhvillimit të leksionit:
Vall’ heshti zëri i magjisë,
Semjónova, kjo muz’ çudare,
Dhe ne na la mes arratisë,
Me Febin mos u nda për fare
Dhe zulma ruse u molis?
S’besoj! Se prapë ajo do ngjitet,
Për të do ndizen zemrat horë -
Në sytë tanë nuk do venitet
Lavdi e saj me kurorë.
Për të dashnori i lavdisë,
Në shpirt ky aonidash mall,
Katenini djalosh do ngjallë
T’Eskilit famën e gjenisë
Dhe manton do t’ia kthej’ në sallë.
Kur u mblodhëm në dhomën e njërit nga shokët e klasës, disa ulur në shtretërit e krevateve dyshe me susta, dikush më këmbë, filluam garën. Fadili, në heshtje, e mësoi strofën përmendësh për 10 minuta dhe na e recitoi.
Gjatë atyre katër viteve në fakultet ne fituam dije të thella jo vetëm në gjuhën ruse, por edhe në gjuhën shqipe. Sepse asokohe dega e gjuhëve të huaja i pajiste studentët me diplomë për mësuesi në gjuhën e huaj dhe në gjuhën shqipe.
Gjuhën praktike ruse (analizën leksiko-gramatikore të tekstit, leximin jashtë klase dhe zhvillimin e të folurit) na e jepnin profesoreshat ruse Aleksandra Çaçi, Ana Mydini, Inga Dyrzi, kurse leksionet dhe seminaret e gramatikës së gjuhës ruse (fonetikën, leksikologjinë, morfologjinë dhe sintaksën) na e jepte profesoresha ruse Ludmilla Zoraqi, e cila i kishte përfunduar studimet e larta në Moskë për rusistikë dhe gjermanistikë. Letërsinë ruse të shekullit XIX na e jepnin docentet Vitore Ballvora dhe Shpresa Zenelaj, kurse letërsinë e periudhës sovjetike na e jepte docent Jorgji Doksani. Të dyja docentet dhe docenti i kishin përfunduar studimet e larta në Universitetin Lomonosov të Moskës.
Asokohe, në degën e gjuhëve të huaja, studentët patën fatin e madh të pajisen me dije të thella edhe në lëmin e gjuhës shqipe nga korifenj të shquar të saj. Fonetikën na e jepte Profesori Anastas Dodi, leksikologjinë - Profesori Jani Thomaj, morfologjinë - profesorët Selman Riza dhe Shaban Demiraj, sintaksën - Profesorët Remzi Përnaska dhe Spiro Floqi, letërsinë shqipe - shkrimtari Jakov Xoxa, letërsinë e huaj - Profesori Nexhip Gami.
Fadili, siç u përmend më lart, e kishte të theksuar ndjenjën e humorit dhe po të kishte filluar studimet në Institutin e Arteve (tani Akademia e Arteve), ndoshta mund të ishte bërë një artist i talentuar i skenës në artin e komedisë. Ajo mbajtja e lehtë e gojës mund të shmangej lehtësisht me përsëritjen përmendësh të fjalëshpejtave, të cilat përfaqësojnë në vetvete fjali ose fraza të vështira për t’u shqiptuar, sepse në strukturën e tyre përfshijnë aliteracionin (përsëritjen e bashkëtingëlloreve të ngjashme), omoniminë (fjalë me drejtshkrim dhe tingëllim të njëjtë, por ne kuptime krejtësisht të ndryshme), rimën ose të gjitha këto, të marra së bashku.
Fadilin e kujtoj me shumë respekt edhe gjatë aksioneve të rinisë studentore në fronte të ndryshme të punës, të cilat patën filluar në vitin 1965. Në verën e atij viti, pasi kishim përfunduar kursin e tretë të studimeve, grupi i studentëve të rusishtes dhe një grup i studentëve të gjuhës shqipe, u nisën në aksion për hapjen e një rruge pyjore në sektorin e Kërrabës në Pukë, që ndodhet në një lartësi pej 1800 metrash mbi nivelin e detit. Ajo rrugë dhe rrugë të tjera pyjore, shërbenin për lëvizjen e kamionëve, të ngarkuar me lëndë drusore për fabrikën e sharrave në Fusharrëz, drejtor i së cilës ishte Pali Miska. U strehuam në dy fjetoret e punëtorëve për djemtë dhe për vajzat. Puna domosdo që ishte e rëndë, sidomos për shoqet e klasës. Djemtë punonin me kazma për hapjen e rrugës, kurse vajzat kryesisht me lopata për largimin e dheut. Lodheshim shumë. Në mëngjes duhej të çoheshim herët. Djemtë, normalisht, mezi zgjoheshin. Fadili zgjohej menjëherë. Dhe, për të zgjuar të tjerët, shkonte merrte një ibrik në mencë, e mbushte me ujë çesme, shkonte pranë çdo shtrati, lagte pëllëmbën e dorës me ujë dhe me stëkalat e gishtave stërpikte fytyrën e gjithsecilit për ta zgjuar.
Pas përfundimit të fakultetit, secili mori rrugën e jetës së vet në fushën e mësuesisë. Që asokohe s’pati qëlluar kurrë ndonjë rast për t’u takuar me Fadilin. Jam i mallëngjyer të di se si eci fati i tyre në jetë. Kontakte të përhershme kam pasur vetëm me Yllka Bejkon. Familjen e saj e kam fqinje në Tiranën e Re, ku ajo jeton në një shtëpi private, ngjitur me pallatin tonë.
Që të gjithë shokët e klasës i kujtoj me admirim. Nder dhe respet të veçantë për ta dhe për pasardhësit e tyre. Në grupin e studentëve të gjuhës shqipe ishte Zija Çela, një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë se sotme shqiptare, si edhe i ndjeri Kujtim Gjonaj, ish-drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”.
Falënderoj nga zemra Profesor Fatmirin, i cili, me poezinë e tij të bukur, tepër prekëse, kushtuar Fadil Xhafës, më nxori në shtegun e kujtimeve të viteve studentore.
Kaliforni, 17 shtator 2024
Comments