Prof Dr Eshref Ymeri: Ky libër është një përmbledhje…
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 days ago
- 21 min read

Hyrje
Ky libër është një përmbledhje citatesh, aforizmash dhe mbresash të personaliteteve të ndryshme, - ruse dhe të huaja, - në të cilat, si në “rezonancat magnetike”, hidhet dritë mbi Rusinë dhe mbi formimin psikologjik të popullit rus. Si nxitje për përgatitjen e tij, shërbeu sulmi agresiv i Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022. Ai sulm, i tipit fashist, ishte i papritur për mbarë botën. Në njoftimin me titull “Sa njerëz u vranë në Buça gjatë okupimit rus”, të botuar bë faqen e internetit “Ulus Media” të datës 02 prill 2025, thuhet:
“Pas atij sulmi, një ditë më vonë dhe në vijim, deri më 31 mars, në qytetin Buça të qarkut të Kievit, ushtria fashiste ruse vrau 461 njerëz të pafajshëm, midis tyre burra, gra, pleq, plaka dhe fëmijë dhe, në gjithë rajonin, numri arriti në 1137 të vrarë, të cilët egërsirat ruse i groposën nëpër varre masive”.
Në këtë mënyrë, Buça u shndërrua në simbol të shtazërisë së ushtrisë ruse. Por në Sheshin e Kuq të Moskës, më 30 shtator 2022, u organizua një miting-koncert i madh, me pjesëmarrjen e 180 mijë mitingashëve, për të festuar pushtimin e disa territoreve të Ukrainës. Kushdo që e shikon të vërtetën në sy, kur ka ndjekur në internet atë miting-koncert të turpshëm, i ka shtruar vetes pyetjen:
Si ishte e mundur që ai popull, domosdo i sëmurë nga trutë, të grumbullohej atje, në prani të kryebanditit Putin, për t’u ngazëllyer për krimet e përbindshme të ushtrisë së tij fashiste në Ukrainë, pa e çarë kaptinën fare edhe për dhjetra mijë ushtarakët e tij, të vrarë si milingonat në frontin e luftës? (Sipas lajmeve të mbrëmjes, të transmetuara në kanalin televiziv ukrainas “FreeDom” të datës 09 prill 2025, ushtria ruse, në frontin e luftimeve, ka pësuar një humbje prej 927 581 ushtarë dhe oficerë të vrarë). Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep profesori ukrainas Jarosllav Dashkjeviç, i cituar në këtë libër.
Pas kryerjes së atyre masakrave barbare, në portalin qeveritar të Federatës Ruse qe botuar një dokument me të vërtetë skandaloz. Në atë dokument theksohej se brigadën e trupave, që kryen atë masakër, presidenti Putin e dekoroi “për heroizmin dhe trimërinë masive, qëndresën dhe burrërinë që tregoi personeli i brigadës në aksionet luftarake për mbrojtjen e atdheut dhe të interesave shtetërore në kushtet e konflikteve të armatosura” (Сitohet sipas: “Diktatori rus Vladimir Putin, brigadës 64, e cila, në muajin mars, pati okupuar Buçën në qarkun e Kievit, i akordoi titullin e nderit ”Brigadë gardiane”. Faqja e internetit ”New Voice”. 18 prill 2022).
Kur njihesh me një informacion të tillë të turpshëm, vetvetiu lind pyetja:
“Për mbrojtjen e cilit atdhe e ka fjalën kryekrimineli Putin, kur dihet që ishte Rusia fashiste ajo që sulmoi një territor të huaj, nuk ishte Ukraina?
Ai sulm fashist kundër një vendi fqinj dhe ato masakra aq të egra, të kujtojnë të kaluarën kriminale të Rusisë.
Në faqen e enciklopedisë së lirë (Wikipedia) në gjuhën ruse, theksohet se më shumë se 200 vjet më parë, dhe pikërisht në vitin 1812, është folur dhe shkruar për botimin në frëngjisht të Testamentit të Pjetrit të Parë (Le Testament de Pierre le Grand). Sipas botuesve, Testamenti përfaqësonte në vetvete një plan strategjik veprimesh për trashëgimtarët e Pjetrit të Parë gjatë shekujve pasardhës, me qëllim vënien e mbarë botës nën sundimin e Rusisë.
Historiografia ruse e ka pasë vlerësuar atë Testament si një material të fabrikuar. Por rrjedha e ngjarjeve ka vërtetuar se sundimtarët e mëvonshëm të Rusisë kanë pasur si synim pikërisht zbatimin e Testamentit “të fabrikuar” të Pjetrit të Parë. Kjo dëshmohet fare qartë me porositë që patën lënë pas ata sundimtarë për brezat pasardhës të Rusisë, porosi ato, të cituara në këtë libër.
Në një material, të botuar më shumë se dhjetë vjet më parë, flitet për Deklaratën e dhjetorit të vitit 1922, që patën nënshkruar bolshevikët për krijimin e Bashkimit Sovjetik. Deklarata për formimin e tij hapej me këto fjalë:
“Bashkimi Sovjetik hedh hapin e parë për krijimin e aleancës mbarëbotërore të republikave sovjetike. Bolshevikët leninistë planifikonin që shpatën të mos e futnin në këllëf, përderisa mbarë bota nuk do të hyjë në përbërje të Bashkimit Sovjetik. (Citohet sipas: Viktor Menzhejev: “Le të vijë në pushtet fashizmi gjerman. Ja se si Lenini dhe Stalini përgatitën Luftën e dytë botërore”. Faqja e internetit “Novaja Gazeta”. 20 dhjetor 2011).
Në vitin 1932, Stalini pati thënë:
“Fashizmi gjerman le të vijë në pushtet, le ta komprometojë veten, kurse mandej ta shpartallojmë fashizmin, ta përmbysim kapitalizmin” (po aty).
Në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 23 gusht 1939), Stalini pati deklaruar:
“Le të fillojë Lufta e dytë botërore, pjesëmarrësit e saj le ta shqyejnë njëri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Europa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit “sokrytoe.net”. 23 korrik 2009).
Por edhe më vonë, siç del në dokumentet e këtij libri, Stalini, në vitin 1951, pati hartuar planin për pushtimin e Europës me një sulm që do të fillonte në korrik të vitit 1954.
Madje, sipas Stalinit, “pas fitores së sistemit komunist në mbarë botën”, gjuhë kryesore në rruzullin tokësor, gjuhë e komunikimit ndërkombëtar, do të bëhej gjuha ruse!!!
Kur ndoqëm në internet ato skena krimesh të tmerrshme në Ukrainë, të befasuar dhe të tronditur thellë në qenien tonë, instinktivisht u kthyem shumë vite pas, duke bërë një shtegtim të gjatë drejt kohëve të rinisë studentore, kur për rusët patëm krijuar përshtypjet më të mira.
Më 27 gusht të vitit 1959, u nisëm për studime universitare në Bashkimin Sovjetik, në Sankt-Peterburg (asokohe Leningrad), të cilat, pasi Hrushovi i preu marrëdhëniet diplomatike me vendin tonë, ashtu si edhe të gjithë studentët e tjerë, i ndërpremë në fund të vitit akademik 1960-1961 dhe më 22 qershor u kthyem në atdhe. Gjatë atyre dy vjetëve të studimeve mes studentëve rusë, patëm zënë shoqëri me shumë prej tyre, disa na patën ftuar edhe në shtëpi, ku qemë njohur me prindërit dhe pjesëtarët e familjeve të tyre mjaft mikpritëse.

Kujtojmë me shumë respekt zëvendësdekanin e fakultetit Matvej Sovatejev, që mbulonte punën me studentët e huaj, të cilët vinin nga vendet socialiste të Evropës Lindore, deri në Kinë, Kore, Mongoli dhe Vjetnam.
Me një respekt të veçantë kujtojmë profesoreshën e gjuhës ruse, Tatjana Sobolevën, bijë akademiku, e cila ishte aq e dashur dhe aq zemërbardhë.
Kujtojmë shokun aq të dashur të kursit, Nikollaj Nikitenko, me të cilin banonim në një dhomë në qytezën e studentëve. Ishte 32 vjeç, më i moshuari në kursin tonë. Pas shkollës së mesme, kishte kryer shërbimin ushtarak 3 vjet në Gjermaninë Lindore dhe mandej kishte punuar disa vjet. Asokohe, në Bashkimin Sovjetik, me ligj, djemtë, pas përfundimit të shkollës së mesme, duhej të kryenin patjetër shërbimin ushtarak dhe mandej mund të vazhdonin studimet universitare. Pas përfundimit të kursit të parë, meqenëse në të gjitha provimet morëm vlerësimin shkëlqyeshëm, universiteti na shpërbleu me një fletë turistike njëmujore për pushime në bregun e Detit të Zi. Udhëtuam me tren në itinerarin Leningrad-Moskë-Voronezh-Rostov-Vladikaukaz (asokohe Orxhenikixe), kryeqytet i Osetisë së Veriut, që shtrihet në këmbët e pjesës veriore të maleve të Kaukazit. Pra, udhëtuam 38 orë, duke përshkuar një largësi prej 2470, 04 km. Aty duhej të bëhej takimi i grupit të turistëve, të ardhur nga zona të ndryshme të Bashkimit Sovjetik. Pas dy ditësh qëndrimi në Orxhenikixe, grupi i turistëve u nis me autobus në rrugën që merrte përpjetë, drejt Grykës së Darjalit, për të dalë në Qafën e Kryqit, 2379 m mbi nivelin e deti, prej nga fillonte zbritja për në Gjeorgji, në faqen jugore të maleve kaukaziane. Itinerari vazhdoi drejt qytetit Gori, vendlindja e Stalinit, dhe kryeqytetit Tbilisi. Këtu qëndruam dy ditë për të vizituar kuriozitete të ndryshme. Mandej vijuam udhëtimin për në qytetin e Batumit, që ndodhet në bregun lindor të Detit të Zi, dhe që aty morëm drejtimin për në qytetin Suhumi. Prej këtu arritëm në pikën e fundit të udhëtimit tonë, në qytetin turistik Novëj Afon, në bregun verilindor të Detit të Zi. Aty u thekëm mirë në diell deri në mbarim të muajit gusht.
Në grupin turistik të gjithë ishin rusë. Gjatë gjithë kohës që bisedonim me ta, na patën lënë përshtypje shumë të mira për çiltërsinë dhe thjeshtësinë e mënyrës së komunikimit. Aq më tepër që ishin shumë të interesuar të mësonin diçka për Shqipërinë, për gjuhën shqipe, për traditat dhe zakonet e popullit tonë, për muzikën shqiptare. Mbresat nga ai udhëtim, në shoqërinë njëmujore të turistëve rusë, dhe përgjithësisht për popullin rus gjatë atyre studimeve universitare dyvjeçare, janë ruajtur gjatë në kujtimet tona, sepse patëm vënë re që rusët, përveç që ishin dashamirës, mikpritës, të thjeshtë, ishin edhe shumë paqësorë.
Ne shqiptarët kemi një gjuhë amtare hyjnore, me 36 shkronja, me tingujt përkatës. Kjo është edhe arsyeja që gjuhët e huaja shqiptarët i mësojnë më shpejt dhe më me lehtësi, në krahasim me të huajt që studiojnë gjuhën shqipe, aq më tepër që fjalët shqiptohen po ashtu siç shkruhen.
Gjatë atyre dy vjetëve, pati qëlluar nganjëherë kur shokët e kursit na pyesnin se si përkthehen në gjuhën shqipe fjalë të ndryshme të rusishtes. Kur rastiste që fjalët e shqipes kishin shkronjat dh, gj, q, th, xh, y dhe ne i shqiptonim me ngadalë, që ata t’i përsëritnin pas nesh, ata e kishin pothuajse të pamundur t’i shqiptonin shkronjat e mësipërme, të cilat nuk figurojnë në alfabetin e rusishtes.
Asokohe u miqësuam edhe më nga afër me shokët e kursit, të cilët e kishin zakon që, me rastin e ditëlindjeve, të organizonin festa me të ngrëna e të pira dhe me vallëzime, si edhe me ekskursione për t’u njohur me kuriozitetet e shumta të qytetit të Peterburgut, që shtrihet në të dyja anët e lumit Neva, me shumë ura. Në ato dy vjetë mësuam këngë popullore ruse, këngë të muzikës së lehtë, shijuam elegancën e baletit rus, tingujt e muzikës operistike, magjinë e vals-muzikës “Valët e Amurit” të kompozitorit Maks Kys (1874-1942), krijimtarinë artistike të poetëve, shkrimtarëve të njohur klasikë dhe fantazinë që pasqyrohej në vepra të piktorëve të shquar të shek. XIX, si Brjullovi, Rjepini, Surikovi, Shishkini, Vaznjecovi etj, të ekspozuara në Ermitazh - një muze i madh ky artistik dhe historiko-kulturor në qendër të Peterburgut.
Ndër këngët e muzikës së lehtë, mbresa të thella na pati lënë lirizmi i vargjeve të këngës me titull “Mbrëmjet rrethinave të Moskës” (Podmoskóvnëje vjeçerá), me tekst të poetit Mihail Matusovski (1915-1990), të kompozuar nga Vasil Sollovjov-Sedoj (1907-1979) dhe të ekzekutuar nga shumë mjeshtra-këngëtarë, mes të cilëve na pati tërhequr më shumë zëri i magjishëm i Mark Bernеsit (1911-1969), me prejardhje hebraike, lindur në Ukrainë. Ja përkthimi i vargjeve të asaj kënge:
Në kopsht s’dëgjohet asnjë fëshfërimë,
Asgjë s’pipëtin deri në të gdhirë.
Sikur ju ta dinit këtë mallin tim
Për mbrëmjet jashtë Moskës që më ka përfshirë.
Lumi rrjedh e rrjedh, dhe sikur ndalon,
Gjithçka rreth e rrotull zhytur në argjend.
Një këngë po ushton, edhe s’po ushton
Gjatë mbrëmjeve heshtake kudo anë e kënd.
Pse, moj ti e dashur, më sheh krejt ujem,
Me kokën të varur, të përkulur shqim?
Nuk e kam të lehtë ta them, mos ta them,
Gjithçka kam në zemër, një si përvëlim.
Dita, ja, po vjen, zbardhet, si çdo herë,
Ndaj dhe po të lutem, të kesh mirësinë,
Të mos i harrosh këto mbrëmjet në verë
Që po zgjojnë Moskën atje në rrethinë.
Më vonë, pasi përfunduam studimet për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës në vitin 1966, gjatë punës si pedagog në Fakultetin e gjuhëve të huaja, patëm lexuar mjaft studime nga fusha e historisë, ku pasqyrohej edhe qëndrimi tradicional i politikës ruse, thellësisht armiqësore ndaj kombit tonë. Pikërisht Rusia cariste ishte ajo, e cila, në Kongresin e Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën e Londrës të vitit 1913, pati luajtur rolin vendimtar në pazaret e pista të politikës europiane për copëtimin e trojeve tona etnike. Madje në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, përfaqësuesi rus pati ngulur këmbë për fshirjen krejtësisht nga harta e Europës edhe të kësaj ngastre Shqipërie që kishte mbetur pa u copëtuar nga ujqit europianë. Ndërkohë, Stalini, në takimin me delegacionin jugosllav në Kremlin më 10 shkurt 1948, kryetarit të atij delegacioni, Milovan Gjilasit, i pati shtruar kërkesën që Jugosllavia ta gëlltiste Shqipërinë. Madje atë kërkesë ia pati përsëritur dy herë.
Me kalimin e viteve, në shpirtin tonë erdhi e u kristalizua një ndjenjë urrejtjeje për politikën ruse ndaj kombit tonë, e cila u thellua edhe më shumë pas vitit 1991, me qëndrimin aq armiqësor që ajo ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë ndaj popullit shqiptar të Dardanisë, duke mbrojtur me pasion regjimin kriminal të Millosheviçit dhe trashëgiminë e tij. Prandaj gjatë 20 vjetëve të fundit kemi pasë botuar në shtyp dhe në internet mjaft analiza, në të cilat kemi demaskuar me fakte politikën armiqësore ruse ndaj kombit shqiptar. Ato analiza i patëm grumbulluar dhe i botuam si libër më vete, me titullin “Shqiptarët përballë politikës rusomadhe”, me 478 faqe, enti botues “Klubi i poezisë”, Tiranë 2022. Parathënien e atij libri e ka shkruar historiani i talentuar, Akademik Prof.dr. Beqir Meta.
Siç dihet, me fillimin e epokës së internetit, informacioni erdhi e u bë mjaft i bollshëm në të gjitha sferat e jetës së njerëzimit. Pas sulmit të Gjermanisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, popullit sovjetik iu desh të përballonte situata mjaft të rënda. Por ushtria sovjetike i dha dërrmën nazizmit gjerman, paçka se në atë luftë patën rënë robër të ushtrisë gjermane 5,3 milionë ushtarë sovjetikë. Ndërkohë, deri para fillimit të epokës së internetit, Moska e kishte mbajtur të fshehtë gjithçka që kishte ndodhur pas hyrjes së ushtrisë sovjetike në territorin e Gjermanisë në fillim të vitit 1945. Përmes internetit u mor vesh se ajo ushtri, luftën e saj heroike kundër trupave naziste, e paskej “kurorëzuar” me vepra thellësisht kriminale, duke përdhunuar dy milionë femra gjermane. Pra, ajo ushtri e paskej damkosur veten përfundimisht me vulën e turpit. Por këtë traditë të turpshme, ushtria fashiste ruse po e vazhdon prej më shumë se tre vjetësh në Ukrainë, pas sulmit që ndërmori kundër saj më 24 shkurt 2022. Ja çfarë thuhet në një informacion në internet:
“Historia e viktimave përsëritet; ushtarët rusë mbulojnë fytyrat dhe kryejnë përdhunime në grup, duke i detyruar familjet të shikojnë se si poshtërohen njerëzit e afërt. Portali “Yle” është marrë me hetimin e përdhunimeve në qarkun e Kievit. Përmbajtja e kësaj historie mund t’i shokojë lexuesit.
Në muajin prill, psikologia Aleksandra Kuitko dëgjoi një zile telefoni. Ajo që telefononte ishte një vajzë 12-vjeçare, e cila i rrëfeu se para pak kohësh kishte dalë në oborr për të mbledhur lule për të kënaqur mamanë e vet. Kur kishte dalë, ajo nuk kishte marrë lejen e mamasë, e cila ia kishte ndaluar të dilte nga shtëpia, sepse okupatorët rusë ndodheshin në qytet. Pak më pas, e ëma e kishte gjetur të bijën në oborr, të shtrirë pa ndjenja. Pas asaj që ndodhi, ajo mendoi të vriste veten.
Psikologia Kuitko vëren pasojat më të tmerrshme të luftës në Ukrainë. Ajo u përgjigjet telefonatave të mirëbesimit, një linjë telefonike kjo, e krijuar posaçërisht në ndihmë të viktimave të përdhunimit nga ushtarët rusë. Kësaj psikologieje i telefonojnë para se të njoftojnë autoritetet e Ukrainës. Shumë viktima dëshirojnë të bisedojnë fillimisht me psikologen, para se të vënë në dijeni policinë. Kjo psikologe dhe kolegët e saj janë burim informacioni për qeverinë ukrainase për ato që kanë ndodhur. Telefonatat vijnë përherë nga njerëz të të gjitha moshave. Për pëdhunime njoftojnë gra, vajza, fëmijë, burra dhe njerëz të moshuar. Ndihma jepet me telefon, meqenëse njerzit e përdhunuar janë të shpërndarë në gjithë territorin e Ukrainës dhe Europës. Edhe vetë psikologia, sapo filloi lufta, qe larguar nga Kievi me fëmijët e vet për në Ukrainën Perëndimore... Rrëfimet e viktimave vërtetojnë se përdhunimet kryheshin sipas një skeme të caktuar, sipas së cilës bëhet fjalë jo për akte të veçuara të ushtarëve rusë, por për përdhunime sistematike. Psikologia Kuitko tregon për një telefonatë nga nëna e një vogëlushi 11-vjeçar. Ushtarët rusë e paskeshin lidhur nënën pas një karrigeje dhe mandej i kishin përdhunuar të birin në sytë e saj. Psikologia, po ashtu, ka rrëfyer për motrat e veta, më e vogla nga të cilat qe përdhunuar para syve të motrës më të madhe. - Motra e madhe, - rrëfen ajo, - qe ulur në gjunjë dhe u qe lutur ushtarëve të merrni atë në vend të motrës së vogël. Ushtarët e ngritën më këmbë dhe i thanë: Jo, ti do të shikosh, - tregon psikologia. Në asnjërin nga rastet, - siç ka njoftuar psikologia, - ushtari përdhunues nuk rrinte vetëm me viktimën. Viktimat nuk i largonin mënjanë. Ato i përdhunonin para syve të familjes, të të njohurve, të fqinjve. Ata kishin nevojë për publik. Përdhunimi publik shërben si instrument efektiv për zhvillimin e luftës. Ai traumatizon jo vetëm viktimën, por edhe mbarë shoqërinë. Pothuajse në të gjitha njoftimet që i vinin psikologes, ushtarët mbulonin fytyrat e veta gjatë përdhunimit. Nga ana psikologjike, - shprehet psikologia, - kjo është një gjë e tmerrshme. Kur femrat-viktima e kanë të pamundur ta përcaktojnë se kush janë kriminelët, atëherë të gjithë meshkujt ato i konsiderojnë armiq dhe përdhunues” (Citohet sipas: “Ushtarët rusë në Ukrainë i përdhunojnë femrat para syve të turmës - një dëshmitare që po ndihmon qindra të përdhunuara, i rrëfen portalit “Yle” për çka ka ndodhur. Faqja e internetit “Yle”. 04 maj 2022).
Rusia putiniste, si pasardhëse e Bashkimit Sovjetik, ka përvetësuar të gjithë trashëgiminë kriminale të këtij të fundit, si në tërësi, ashtu edhe në veçanti. Duke synuar rikrijimin e perandorisë sovjetike, Putini përgatiti me kohë sulmin për pushtimin e Ukrainës fillimisht, si ish-republika më e madhe e Bashkimit Sovjetik, për të vazhduar mandej me ish-republikat e tjera, të shkëputura prej tij në vitin 1991. Sulmin pikërisht kundër Ukrainës e ndërmori, sepse, që pas rrëzimit nga pushteti të Presidentit ukrainas Janukoviç më 22 shkurt 2014, si rezultat i protestave të fuqishme në sheshin Maidan të Kievit, ai ishte duke përjetuar një gjendje ankthi, i frikësuar tmerrësisht nga ndikimi në Rusi i atyre protestave, se mos pësonte të njëjtin fat. Me atë rast, sipërmarrësi, veprimtari shoqëror dhe publicisti rus, Mihail Hodorkovski, pati theksuar:
“Revolucioni ukrainas kundër korrupsionit do t’u duket mjaft tërheqës edhe qytetarëve tanë” (Citohet sipas: “E vërteta dhe gënjeshtra për Maidanin”. Gazeta “The New Times”. 17 mars 2014).
Dhe, siç u theksua në fillim të kësaj Hyrjeje, ushtria ruse, pas sulmit të 24 shkurtit 2022, një ditë më vonë, kreu ato masakra të tmerrshme në qytetin Buça. Asokohe, çdokush, mund t’i ketë shtruar vetes pyetjen:
“Po populli rus ç’qëndrim po mban ndaj atyre krimeve barbare të bijve të tij kundër një vendi fqinj, të pavarur e sovran, kundër një populli të familjes sllaviane? Cili është reagimi i tij?”.
Në ato ditë, kur bishat fashiste ruse po vazhdonin masakrat në Buça, në Moskë qe organizuar një manifestim i turpshëm, në të cilin morën pjesë më shumë se 200 mijë qytetarë, me në krye Putinin. Në një informacion, të transmetuar në internet, thuhej:
“Në përvjetorin e radhës të aneksimit të Krimesë, në Moskë, në stadiumin “Lluzhnjiki”, u zhvillua një miting i madh, me pjesëmarrjen e presidentit Vladimir Putin,.. kushtuar edhe fillimit të luftës kundër Ukrainës...” (Citohet sipas: Natalia Zotova. “Për paqen, për Rusinë, për presidentin: ja se si festimi i pranverës së Krimesë u bashkua me përkrahjen e luftës në Ukrainë”. Faqja e internetit “BBC News Russkaja Slluzhba”. 18 mars 2022).
Në një sondazh, të organizuar nga “Levada-Centr” rreth katër muaj më vonë dhe konkretisht më 02 qershor 2022, jepeshin të dhëna faktike për përkrahjen që gëzonte presidenti Putin në radhët e shumicës dërrmuese të popullit shovinist rus, për sulmin që kishte ndërmarrë kundër Ukrainës.
Shovinizmi rusomadh ka pushtuar deri në palcë edhe gratë ruse. Urrejtjen që i ka kapluar keq kundër Ukrainës, ato, si vejusha të ushtarëve të vrarë, e kanë dëshmuar më së miri edhe me një letër që i patën dërguar Putinit, me kërkesën për të ndaluar në kufi arratisjen e meshkujve rusë, që nuk pranojnë të rekrutohen si mish për top në frontin e luftës. Ja përmbajtja e asaj letre:
“Ne jemi vejushat e ushtarëve të Rusisë. Ne jemi ato që burrat e vet nuk i patëm fshehur pas fustaneve tona. Ne jemi ato që shprehim gatishmërinë tonë të plotë për Fitoren tonë të madhe. Rusia ka dhjetra milionë meshkuj të moshës paraushtarake, pra, ne kemi se te kush të mbështetemi dhe me kë ta presim armikun. Por ç’mund të bëjnë meshkujt tanë, duke ndenjur në shtëpi, pa një komandë të aftë, pa furnizim dhe pa veshmbathje? Mobilizimi është e vetmja mundësi që ne të shpëtojmë kokën. Ne i lutemi Presidentit tonë, Komandantit tonë të përgjithshëm, ta ndalojë daljen jashtë kufijve të Rusisë të meshkujve të moshës paraushtarake. Dhe ne e kemi një të drejtë të plotë morale për një gjë të tillë: burrat tanë u vranë, duke mbrojtur edhe këta meshkuj, por kush do të na mbrojë neve në qoftë se këta do të arratisen?” (Citohet sipas: “Vejushat e ushtarëve të Rusisë iu lutën Putinit të shpallë një mobilizim të përgjithshëm dhe të mbyllë kufijtë për të mos lejuar largimin e meshkujve nga Rusia”. Faqja e internetit “Newsland”. 03 janar 2023).
Në një informacion tjetër thuhet:
“Që nga çasti i ndërhyrjes në përmasa të gjera i Rusisë në Ukrainë, përkrahja për Vladimir Putinin qe rritur me 12%. Sot, tetë në dhjetë rusë, ose 83% e mbarë popullit, e mbështet veprimtarinë e diktatorit...” (Citohet sipas: “Gjithnjë e më shumë rusë janë në mbështetje të Putinit dhe mendojnë se Federata Ruse është në rrugë të drejtë”. Faqja e internetit “Zerkallo Njedeli”. 02 qershor 2022).
Të revoltuar nga ky qëndrim skandaloz i shumicës dërrmuese të popullit rus ndaj masakrave të ushtrisë së tij në Buça, disa ditë më vonë, më 07 mars 2022, patëm botuar në internet analizën me titull “Natyra shoviniste e popullit rus”. Që asokohe, i kemi ndjekur në youtube dhe vazhdojmë t’i ndjekim rregullisht ngjarjet në Ukrainë dhe jemi thellësisht të befasuar nga qëndrimi solidar me Putinin i shumicës dërrmuese të popullit rus për krimet që ushtria fashiste ruse ka kryer dhe vazhdon të kryejë kundër popullit ukrainas, por edhe nga heshtja e atij populli për vrasjen e qindra-mijëra ushtarëve rusë. Prandaj i patëm shtruar vetes pyetjen:
“Ky popull, që mbështet fuqimisht bandën e Kremlinit, me Putinin në krye, e cila pati lëshuar drejt Ukrainës një ushtri kriminale për zhdukjen e saj nga harta e Europës, është popull rus, apo është popull i importuar, i përbërë prej racash të kriminalizuara?”.
Gjatë atyre dy viteve studentore në Bashkimin Sovjetik, siç duket, nuk paskemi mundur të hyjmë thellë në botën e brendshme, në formimin psikologjik të atij populli, nga gjiri i të cilit dalkan kriminelë dhe xhelatë të kalibrit të lartë.
Me këtë rast, dëshirojmë të theksojmë se pavarësisht nga përshtypjet shumë të mira që patëm krijuar për rusët gjatë viteve studentore në Bashkimin Sovjetik, dy gjëra na patën lënë mbresa jo të mira:
Së pari, në komunikimin e përditshëm me njëri-tjetrin, ata përdornin shpeshherë dy shprehjet në vijim: “naçálstvo umnjėje nas” (shefat janë më të zgjar se ne) dhe “bog vëjsakó, car dalekó” (Zoti është lart, cari është larg).
Këto dy shprehje, me kuptim tejet vetëposhtërues, dëshmonin për psikologjinë prej skllavi të popullit rus, sipas të cilit, ai që është në krye, “është më i zgjuari nga të gjithë”, ai ka pushtet absolut mbi turmat atje poshtë, pushteti i tij është “hyjnor”, kurse cari dhe Zoti, po të ishin këtu pranë, punët do të shkonin fjollë.
Së dyti, nuk kishin respekt për vendet e vogla. Dikur patëm një debat me një shokun e kursit, - Vladimir Glladkovin. Ishte nga qarku i Kostromit, dy qarqe më tutje verilindjes së qarkut të Moskës. Kishte rënë fjala për Jugosllavinë, për të cilën ai kishte simpati, kurse ne u shprehëm me urrejtje për qëndrimin e saj shovinist ndaj kombit shqiptar. Vladimiri na dëgjoi sa na dëgjoi, mandej ndërhyri:
“Jugosllavia ka një popullsi prej 16 milionë banorë dhe ne dëshirojmë ta kthejmë në anën tonë, kurse ju dy milionë jeni a s’jeni!”.
Ne ia kthyem ashpër:
“Meqenëse Bashkimi Sovjetik ka një sipërfaqe shumë të madhe, ju, me sa duket, udhëhiqeni nga instinktet e një egërsire të madhe, nga instinktet e arinjve, prandaj do të bënit mirë të shkoni të bashkëjetoni me arinjtë, të cilët janë me bollëk në pyjet e qarkut të Kostromit”.
Mungesën e respektit të rusëve për vendet e vogla, e nxjerr më së miri në pah edhe personaliteti letonez Aleksejs Grigorjevc, mbresat e të cilit për rusët përfshihen në këtë libër. Ai shkruan:
“Mes të njohurve, miqve të mi rusë, madje mes njerëzve të farefisit të tyre, shovinistë të tillë arrijnë në 75%. Madje liberalët, që janë arratisur nga Rusia putiniane për në Letoni, pyetjes nëse kanë ndër mend t’i hyjnë studimit të gjuhës letoneze, ata i përgjigjen se nuk dëshirojnë të shpenzojnë kohë dhe energji për zotërimin e një gjuhe, në të cilën flasin gjithsej 1,5 milionë njerëz”.
Vetvetiu lind pyetja:
Ku e ka burimin kjo fodulli e rusëve, kjo sjellje prej krekacorësh të neveritshëm, ky qëndrim shovinist i shumicës dërrmuese të atij populli ndaj vendeve të tjera?
Nga faktet historike, rezulton se fajtorë kryesorë, që kanë ndikuar te rusët për ta ngritur hundën në qiell, kanë qenë vetë sundimtarët e tyre, të cilët citohen në këtë libër, duke filluar nga Pjetri i Parë deri te Putini, si edhe shkolla, shtypi i përditshëm, artet figurative, letërsia artistike dhe politike, kinematografia dhe televizioni. Prandaj shkrimtari i madh Leon Tolstoj, i cituar, gjithashtu, në këtë libër, ka thënë:
“Është e turpshme të kërkosh zmadhimin e madhështisë së atdheut tënd. Dhe po ashtu sikundër konsiderohet tani i turpshëm dhe qesharak lëvdimi i vetvetes, po ashtu do të konsiderohej budallallëk lëvdimi i popullit tënd, siç po ndodh tani një gjë e tillë në historitë, tablotë, përmendoret, tekstet mësimore, artikujt, poezitë, predikimet dhe në himnet popullore idioteske” (Citohet sipas : “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe rusët”. Faqja e internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015).
Kësisoj, rusët kanë krijuar bindjen e plotë se madhësia e territorit përbëka themelin e “madhështisë” së Rusisë. Të gjorët rusë, të lindur skllevër brez pas brezi, s’janë në gjendje ta kuptojnë se burim i madhështisë së një vendi është jo madhësia e territorit, por standardi i lartë i zhvillimit ekonomik, niveli i lartë i jetesës së popullit. Prandaj madhësia e territorit, me yshtjen shumëshekullore të sundimtarëve të tyre, ka bërë që hunda t’u rritet deri në lis, paçka se shumica dërrmuese e popullit “morrin” e varfërisë e ka përherë në kurriz. Lexuesit e nderuar, për t’u njohur me “madhështinë” e jetesës së vërtetë të popullit rus përtej hapësirave të Moskës dhe të Peterburgut, le të klikojnë në youtube diçiturat në vijim në anglisht, për të ndjekur në video “parajsën”, ku jeton shumica dërrmuese e atij populli:
How People Live in the Most Unlivable City of Russia? | Arkhangelsk | Documentary ENG SUB
Hard life in a Russian village without gas. South of Russia
Trip to the Most Dangerous Place in Russia: Poverty, Drunk People & Crime | Tuva, Travel Documentary
How people actually live in Russia - a small city
How russians survive in a misery of poor towns. they sell aparts for 1 Ruble ($0,014)
Ekzistencën e atyre skenave të mjerimit në hapësirat e pafundme të Rusisë, e dëshmon edhe aktori, regjisori, muzikanti rus Pavel Majkov, drejtues emisionesh televizive, i cituar në këtë libër:
“Largohesh nga Moska njëqind kilometra dhe të zë tmerri kur shikon se si jetojnë njerëzit. Po të largohesh më shumë se një mijë kilometra, tmerrohesh edhe më keq…”.
Pyetja e cituar pak më lart, na nxiti të shtrojmë pyetjen tjetër:
“Vallë ishte rastësi që ideologjia komuniste, si një ideologji e krimit, qe bërë sunduese për herë të parë pikërisht në Rusi dhe, pas vitit 1991, pati mbetur po e tillë, por me një tjetër mantel?”.
Marksi as që e pati menduar kurrë ndonjëherë se idetë e tij të revolucionit social do të ngjallnin një interesim aq të madh në Rusinë cariste, një vend i prapambetur, me një popullsi mbi 90% fshatare. Sepse, sipas tij, fitores së revolucionit social duhej t’i paraprinte faza e zhvillimit të lartë kapitalist. Prandaj përkrahësit e tij ishin në pritje të fitores së ideve marksiste në vendet më të industrializuara. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi se idetë e Marksit për revolucionin social rezultuan utopike për vende të tilla. Lenini, “duke zhilluar më tej” idetë e Marksit, parashikoi fitoren e revolucionit socialist në një vend të vetëm, si hallka më e dobët e rendit kapitalist. Për vetë Marksin, si edhe për shumë përkrahës të tij, ishte karakteristik qëndrimi ndaj Rusisë, si ndaj një shteti të “barbarisë lindore”, prej nga “fryma reaksionare aziatike”, e përfaqësuar nga perandoria e Romanovëve, kërcënonte zhvillimin kulturor dhe politik të Perëndimit. Marksi dhe Engelsi ishin për një luftë revolucionare kundër Rusisë perandorake, e cila, në këndvështrimin e tyre, përfaqësonte kështjellën e forcave reaksionare të mbarë Europës. Por edhe më vonë ata qenë shprehur shumë ashpër dhe vendosmërisht kundër politikës së jashtme ruse, të cilën e konsideronin si njërën nga pengesat kryesore në rrugën drejt transformimit social të botës. Me këtë rast, ata patën nënvizuar vazhdimisht “mongolizmin” e saj dhe pikësynimin për sundim botëror në frymën e Çingiskhanit (1162-1227). Disa shprehje që Marksi pati përdorur lidhur me Rusinë, qenë censuruar në “vendin e socializmit fitimtar” pikërisht për përmbajtjen e tyre me karakter të hapur rusofob, çka i pati vënë në pozitë të vështirë madje organet e agjitacionit dhe të propagandës komuniste në Bashkimin Sovjetik. Qëndrimi tejet negativ i Marksit ndaj organizimit shtetëror rus, qe shprehur më mirë se kudo në kreun e katërt të veprës së tij të papërfunduar, me titull “Demaskimet e historisë diplomatike të shek. XVIII”, të botuar në vitin 1884. Në këtë vepër Marksi theksonte se Moskovia ishte edukuar dhe rritur në shkollën e tmerrshme dhe të neveritshme të skllavërisë mongole dhe erdhi e u forcua vetëm sepse qe bërë virtuoze në artin e skllavërisë.
S’është për t’u habitur që kjo vepër, në të cilën Marksi qe shprehur me nota tejet demaskuese për Rusinë dhe politikën shumëshekullore të sundimtarëve të saj, nuk qe përfshirë në asnjërën përmbledhje të veprave të tij në gjuhën ruse. Kjo vepër u botua për herë të parë në Bashkimin Sovjetik vetëm në fundin e perestrojkës gorbaçoviane - në vitin 1989. Marksi ishte i bindur se revolucioni në një vend, të cilin ai e konsideronte si mishërim të “despotizmit lindor”, nuk mund të kishte një karakter model për Europën Perëndimore. Idetë e Marksit për revolucionin social, domosdo që do të gjenin truall vetëm në radhët e një populli skllav brez pas brezi, i cili, në sistemin shumëshekullor të bujkrobërisë, kishte qenë në pronësi të çifligarëve rusë. Dihet që komunistët sovjetikë, për të mashtruar masat e gjera të popullit, patën deklaruar se pas sistemit socialist, do të vijojë faza më e lartë e zhvillimit të shoqërisë - sistemi komunist, në të cilin njerëzit “do të jetojnë” sipas parimit: “secili sipas mundësive, secilit sipas nevojave”. Sigurisht që përralla të tilla mund t’i hante për të vërteta vetëm një popull me psikologji prej skllavi, si populli rus, por kurrsesi popujt perëndimorë. Përralla për “parajsën” komuniste e pati arritur kulmin e vet në Kongresin XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i cili i zhvilloi punimet e veta prej 17 deri më 31 tetor 1961. Në atë kongres, kryetari i asaj partie, Nikita Hrushovi, pati deklaruar:
“Në vitin 1980, në Bashkimin Sovjetik do të përfundojë ndërtimi i komunizmit dhe brezi i tanishëm i njerëzve sovjetikë do të jetojë në komunizëm” (Faqja e internetit “miasskiy.ru”. 17 tetor 2018).
Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi më së miri se pikërisht fillimi i viteve 1980 shënoi një krizë të rëndë ekonomike, e cila u mbyll me shembjen e perandorisë sovjetike dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Qëllimin e vërtetë të komunistëve e ka zbërthyer më së miri personaliteti i shquar i Britanisë së Madhe, Uinston Çurçilli, në njërin nga 867 citatet e veta:
“Komunistët zhvillojnë një luftë të përhershme kundër qytetërimit, me qëllim që të zhdukin të gjitha institucionet e pushtetit, të gjitha qeveritë, të gjitha shtetet në botë. Ata synojnë të krijojnë një aleancë ndërkombëtare varfanjakësh, kriminelësh, injorantësh, rebelësh, të sëmurësh, debilësh dhe budallenjsh, e cila duhet të përfshijë mbarë botën”.
Duke pasur parasysh përkrahjen mbarëpopullore që populli rus vazhdon t’i japë Putinit për luftën agresive kundër popullit ukrainas dhe krimet e rënda që ushtria fashiste ruse kreu pas sulmit të 24 shkurtit të vitit 2022, vetvetiu të lindnin në kokë dy pyetje: “Ç’është Rusia?”, “ç’është populli rus?”.
I shtruam këto dy pyetje, sepse, gjatë shumë shekujve, rusët e kanë vlerësuar dhe vazhdojnë ta vlerësojnë veten si popull të madh, i cili mund të orientojë popujt e tjerë se çfarë duhet të bëjnë, mund të sulmojë shtete fqinje, të shkatërrojë miliona jetë njerëzish, duke luftuar kundër njëfarë të keqeje mitike. Dhe sikur vetëm ta provosh t'ia hapësh sytë njeriut të thjeshtë rus për bëmat e tij dhe të shtetit të tij, atij, me siguri, do t’i merret fryma nga inati dhe do të pëpiqet të të bëjë pluhur e hi. E megjithatë, ka pasur që ka pasur njerëz në histori, të cilët patën marrë guximin për të thënë të vërtetën për Rusinë dhe për popullin e saj, siç janë 426 personalitete, ruse dhe të huaja. mbresat e të cilëve pasqyrohen në këtë libër. Mes këtyre personaliteteve, 168 prej tyre janë rusë.
Me dy pyetjet e mësipërme në mendje, në ditët e para të marsit 2022, iu drejtuam internetit, ku “gërmuam” për një kohë të gjatë. Pikërisht në faqet e internetit, gjatë kërkimeve trevjeçare, gjetëm materiale fort interesante, të cilat shërbejnë si përgjigje tejet të goditura për të dyja pyetjet e mësipërme. Ato materiale, si “margaritarë urtësie” të atyre 426 personaliteteve nga fusha e politikës dhe nga shumë fusha të dijes, përcillen në mjaft citate, aforizma dhe mbresa të tyre. Në vijim ato janë renditur sipas emrave, alfabetikisht, dhe shoqërohen me një jetëshkrim të shkurtër për çdo personalitet. Ato që janë renditur në thonjëza, pa referimet përkatëse në fund, janë vjelë nga faqja e internetit “Adskije novosti”, 19 shkurt 2015. Materialet e tjera, po në thonjëza, jepen me referimet përkatëse në fund.
---------------0---------------
E këndova me ëndje dhe kurreshtje hyrjen e këtij libri madhor, kushtuar Rusisë dhe reusëve, duke plotsuar njohuritë e mia lidhur me historinë e atij vendi dhe populli, me të cilët koha dhe historia na kanë lidhur, në përpjekjet tona për mëvetësi.
Libri në tërësi sqaron shumë dilema, mëdyshje, moskuptime dhe zhgënjime lidhur me të vërtetat e mbuluara të historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, që në një mënyrë aq brutale e mizore jemi ndeshur edhe ne si popull i coptuar aq mizorisht, ku një rol dominues ka mbajtur Rusia.
Historia nuk mban me hatër por duhet njohur.
Urime dhe lavdërime autorit Eshref Ymeri, i cili bujarisht më dhuroi këtë libër!
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës.