top of page

Prof. Dr. Eshref Ymeri: Arti i analizave kritike të Halil Ramës, Mjeshtër i Madh

Updated: Oct 17



 

“Kritika kërkon shumë më tepër formim kulturor, sesa krijimtaria”  Oskar Uaild      (Oscar Wilde - 1854-1900)

           

Mjeshtri i penës, Halil Rama, njihet si një analist veprash të gjinive të ndryshme. Kjo vepër është një kaleidoskop idesh, përsiatjesh, faktesh. Janë 40 vepra të gjinive të ndryshme, të 40 autorëve, duke filluar nga vepra biografike e një autoreje amerikane, kushtuar jetës politike dhe artistike të ish-presidentit amerikan Ronald Reagan (Ronald Reagan -1911-2004), dhe duke vazhduar me krijimtarinë e autorëve tanë, të pasqyruar në prozë artistike, në poezi, në letërsi dokumentare, në diplomaci dhe në monografi.

Duke pasur parasysh këndvështrimet mjeshtërore të Halil Ramës, i cili ka një përvojë mjaft të pasur në fushën e kritikës letrare, lexuesi vëren se aparati i artit të këtij kritiku të talentuar shoqërohet nga tri të dhëna për autorët e veprave që ai analizon:

Së pari, autorët përthithin përshtypjet që kanë nga mjediset që i rrethojnë. Ato përshtypje, si në një fokus, grumbullohen në vetëdijen e tyre. Nga mijëra copëza vëzhgimesh, të shpërndara në hapësirat jetësore, vjen e krijohet diçka e tërësishme. Nga mijëra tiparesh të veçanta, të zbuluara në figurën e njerëzve që hasin në përditshmërinë e tyre dhe që ata i regjistrojnë në kujtesën e vet, vjen e krijohet një tip-pesonazh me vlera përgjithësuese. Nga mijëra pikësynimesh që ata perceptojnë gjatë endjes së tyre në vorbullat e kohës, vjen e lind një pikësynim tipik.

Së dyti, emocionet, faktet dhe mendimet e perceptuara, autorët i shndërrojnë në materie të artit.

Së treti, produkti i krijimtarisë së autorëve kthehet mbrapsht po në atë mjedis, prej nga qe vjelë, domethënë te lexuesi.

Ta perceptosh artin e kritikës, është po aq e vështirë, sa edhe ta krijosh atë. Çfarë bën kritika e Halil Ramës dhe çfarë duhet të vazhdojë të bëjë ajo në këtë proces?

Me këtë pyetje, lexuesi i kësaj vepre zbërthen detyrën e rëndësishme dhe të domosdoshme që ai i ka shtruar vetes:

Kritika e tij shërben si shkollë për lexuesit dhe për autorët, ajo shërben si një universitet, si një enciklopedi, me pikësynimin që ta ngrejë nivelin kulturor të të dyja palëve.

Qëllimi kryesor i analizave të Halil  Ramës është vlerësimi i argumentuar i veprave letrare dhe përqendrimi i  vëmendjes së lexuesit në kuptimin dhe vlerën e tyre.

            Analiza e strukturës dhe e përmbajtjes së veprave është njëri nga parimet themelore të punës së tij hulumtuese, të konkretizuar në trajtimin e hollësishëm të përmbajtjes dhe të ideve të tyre. Ai e përqendron vëmendjen te elementet e kompozicionit, te zhvillimi i subjektit, te karakteri i heronjve, te stili i rrëfimtarisë dhe te aspekte të tjera, të cilat ushtrojnë ndikim mbi mbresat e përgjithshme të veprave.

            Duke u ndalur në tipartet artistike të veprave, autori i ka shtruar vetes detyrën për të nxjerrë në pah dhe për të vlerësuar rolin e tyre edukativ në masën e lexuesve. Ai analizon  gjuhën dhe stilin e veprave, aftësinë e autorëve të tyre për të krijuar figura të goditura artistike dhe për të shprehur mendime tejet të qëlluara.

            Në këtë punim me vlera enciklopedike, autori Halil Rama u tërheq vëmendjen lexuesve te analiza kontekstuale. Gjatë vlerësimit të veprave të autorëve të ndryshëm, ai ka parasysh kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve. Ai studion rrethanat, në të cilat veprat qenë krijuar, veprat e mëparshme të disa prej autorëve, rëndësinë e tyre historike dhe sociale për vlerësimin sidomos të periudhës së diktaturës komuniste dhe të ca dukurive të rënda të periudhës neokomuniste, që pati nisur me vendosjen e demoshëmtisë dhjetoriste. Me analizat kontekstuale, Halil Rama i ndihmon lexuesit të kuptojnë edhe më mirë se çfarë roli luajnë  veprat artistike në  letërsi dhe në shoqëri.

            Diçka tjetër që bie në sy në penën e Halil Ramës, është objektiviteti, një parim ky shumë i rëndësishëm në punën e kritikut letrar. Këtu ai ka parasysh një orientim të përgjithshëm: kritiku duhet ta vlerësojë një vepër artistike, pavarësisht nga parapëlqimet e veta subjektive dhe duhet të marrë parasysh këndvështrimin  e lexuesve të ndryshëm; me këtë rast, ai ka të drejtë të shprehë këndvështrimin e vet subjektiv, por ai duhet ta argumentojë bindshëm pozicionin e vet, duke marrë parasysh edhe normat shoqërore dhe kulturore. Pra, në këtë libër, puna e kritikut Halil Rama, mbështetet në analizën, vlerësimin dhe interpretimin e veprave të 40 autorëve, me qëllim që t’u vijë në ndihmë lexuesve të zbërthejnë thelbin e përmbajtjes së tyre.

            Në analizat e autorit bie në sy studimi sistematik i veprave të të gjitha gjinive letrare, me pikësynimin për të evidentuar tiparet e tyre artistike, estetike dhe ideologjike. Gjatë analizave, ai u është përmbajtur disa metodave të ndryshme origjinale, të cilat po i rendisim në vijim:

            Së pari, metoda historike. Me këtë metodë nënkuptohet studimi i veprave në kontekstin e kohës dhe të rrethanave kur janë krijuar. Aty analizohen faktorë historikë dhe kulturorë, të cilët kanë ndikuar mbi autorët në krijimin e veprave në fjalë.

            Së dyti, metoda strukturore. Analiza strukturore bazohet në studimin e organizimit dhe të kompozimit të veprave, analizohen elementet strukturore, të tilla, si subjekti, personazhet, gjuha dhe stili, në mënyrë që lexuesi të kuptojë se si bashkëveprojnë dhe formojnë një të tërë.

            Së treti, metoda tematike. Gjatë përdorimit të metodës tematike, autori këtu analizon temat dhe idetë themelore të krejt korpusit të veprave të 40 krijuesve. Përmes kësaj metode, ai ka hulumtuar se si krijuesit në fjalë i kanë trajtuar probleme, çështje dhe koncepte të caktuara dhe se si i kanë lidhur me idenë e përgjithshme të secilës vepër.

            Së katërti, metoda psikologjike. Me analizën psikologjike të veprave në fjalë, Halil Rama hedh dritë mbi botën e brendshme të personazheve dhe ecurinë e zhvillimit të tyre psikologjik. Ai ka analizuar motivet dhe komponentët emocionalë të veprave, në mënyrë që lexuesi të kuptojë se si krijuesit i kanë përcjellë ato përmes personazheve të tyre.

            Së pesti, metoda sociologjike. Me këtë metodë nënkuptohet përfshirja e aspekteve sociale, ekonomike dhe politike, të cilat janë pasqyruar në veprat e të gjithë krijuesve. Autori e ka vënë theksin te pasqyrimi nga ana e tyre i problemeve, normave dhe vlerave shoqërore.

            Së gjashti, metoda krahasuese. Me analizat krahasuese në penën e Halil Ramës nënkuptohet ballafaqimi i veprës së një autori me veprat e tjera ose krahasimi i apekteve të ndryshme të së njëjtës vepër. Kjo e ndihmon atë të hulumtojë edhe më thellë karakteristikat e veprave të analizuara dhe të zbulojë ngjashmëritë dhe dallimet me tyre.

            Së shtati, metoda filozofike. Analizën filozofike autori e orienton drejt studimit të ideve filozofike që janë të pranishme në veprat e hulumtuara. Në analizat e tij ai ndalet në çështje fundamentale të të kuptuarit e jetës, të moralit dhe të aspekteve të tjera me rëndësi parësore.

            Kjo vepër studimore në fushën e kritikës së veprave në disa gjini letrare, mund të vlerësohet pa asnjë mëdyshje si një dialog mes autorëve dhe lexuesve, ku kritiku Halil Rama shfaqet në rolin e ndërmjetësit që jep një ndihmë tejet të çmuar për të kuptuar dhe interpretuar veprat e kaq shumë autorëve.

            Në këtë vepër përvijohet si ide kryesore tema “shkimtari-kritiku-lexuesi”, ku detyra e kritikut është sa e mprehtë, aq edhe e rëndësishme. Kjo detyrë ka vetëm një zgjidhje: kritiku e ngre lart edhe kulturën e shkrimtarit, edhe kulturën e lexuesit.

            Kur e mbaron së lexuari këtë vepër voluminoze, lexuesit i lind një pyetje e vetvetishme:

Si ka qenë e mundur që autori ka përballuar një punë kaq të madhe për përgatitjen e kësaj vepre të vëllimshme? Çfarë e ka ndihmuar? Shkalla e lartë e arsimimit, horizonti i gjerë kulturor, dëshira, fisnikëria e shpirtit, dashamirësia ndaj krijuesve të talentuar? Sigurisht që këto të gjitha kanë luajtur rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Por ka edhe diçka tjetër, shumë të rëndësishme, që zbulohet në përgjigjen e pyetjes së mësipërme. Përgjigjen e ka pasë dhënë Presidenti i 30 (1923-1929) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhon Kalvin Kulixh (John Calvin Coolidge Jr. - 1872-1933), i cili ka thënë:

“Në këtë botë, asgjë nuk mund ta zëvendësojë vullnetin e fortë, këmbënguljen. As gjeniu, gjeniu pa famë dhe i pashpërblyer s’është asgjë. As talenti, asgjë nuk haset më shpesh sesa talenti i dështuar. As arsimimi, bota është plotë me njerëz të arsimuar që janë të braktisur. Vullneti i fortë në arritjen e qëllimit - ja kjo është mrekullia vetë”.

Kaliforni, 21 korrik 2024

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page