Prof. dr. Begzad Baliu, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Edukimit
I nderuar rektor i Universitetit të Tetovës!
E nderuara drejtoreshë e Seminarit!
Të nderuar studiues nga shumë institucione akademike!
Shumë të nderuar studentë!
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj!
Jemi ftuar sot në këtë panteon të dijes që të flasim për njërën prej personaliteteve më të mëdha të mendimit shkencor të popullit shqiptar: Profesor Rexhep Qosjen dhe veprën e tij.
Ne që jemi ftuar dhe sigurisht edhe ju që keni ardhur të dëgjoni, e dini se të flasësh për personalitetin shumëdimensional: qytetar, shkencor, letrar, diturak e kulturor të Profesor Rexhep Qosjes dhe të flasësh për veprën shumështresore të tij, do të thotë të mos mund të kalosh pa theksuar edhe përmendoret e mëdha historike, letrare, kulturore, shkencore, publicistike e intelektuale të veprave të tij: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe romantikët e tjerë; Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Asdrenin, Çajupin, Migjenin dhe shkrimtarët e gjysmës së parë të shekullit XX; Esad Mekulin, Josip Relën, Ismail Kadarenë, Jakov Xoxën, Petro Markon, Sabri Godon dhe shkrimtarë të tjerë të gjysmës së dytë të shekullit XX; Eqrem Çabejn, Idriz Ajetin, Ali Hadrin, Aleks Budën, Androkli Kostallarin, Agim Vincën, Shefkije Islamajn dhe veprat e mëdha të dijes shkencore albanologjike; por jo edhe pa emrat e mëdhenj të historisë kombëtare: Pashko Vasën, Sami Frashërin, Ismail Qemalin, Adem Jasharin, Nënë Terezën, Adem Demaçin etj.; pa bëmat e të cilëve jeta jonë kombëtare nuk do ta kishte këtë histori të lavdishme që e ka.
Ne studiuesit që jemi mbledhur këtu ndërkaq më shumë se të tjerët e dimë se në prill të këtij viti njëri prej miqve të Profesor Qosjes dhe njëri prej studiuesve më të mëdhenj të albanologjisë së shekullit XX, Profesor Jup Kastrati kohë më parë kishte 100-vjetorin e lindjes.
Profesor Jup Kastrati ka lindur në Shkodër, 100 vjet më parë, më 15 prill 1924, qyteti, në të cilin familja e Profesor Qosjes në ditët e vështira të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë gjeti strehim, ndonëse aty ka përjetuar edhe tragjedinë e madhe të dhimbjes së humbjes së familjarëve, por që gjatë gjithë historisë së vuajtjeve nën pushtimin serbo-malazez të shekullit XX, Shkodrën vazhduan ta shohin nga lartë si të vetmin Yll Polar.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shkollat ku bënin mësimet e para, në Shkodër a në Vuthaj, Profesor Jup Kastratin dhe Profesor Rexhep Qosjen i formuan që në fëmijëri me vargjet epike të Gjergj Fishtës apo Patër Gjergjit, sikur e shquante Profesor Jup Kastrati, vargjet lirike të Ndre Mjedës dhe vargjet atdhetare të Naim Frashërit. Që të dy vargjet e Fishtës, jo vetëm Lahutën, i recitojnë përmendësh.
A është e rastit pse pas Luftës së Dytë Botërore që të dy do t’i përkushtohen gjuhës dhe letërsisë shqipe, si një përbërës komplementar e themeltar i ndërtimit të identitetit kombëtar, në ato përmasa që atë e përkufizonin rilindësit e frymës së idealeve kombëtare, asaj fryme që do ta krijojë gjuhën, shtetin dhe idealizmën kombëtare të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Epokës idealiste të ndërtimit të shtetit shqiptar. A është e rastit që, ndonëse të ndarë në dy shtete me mure gjembash elektrikë, në vendimet e mëdha historike për gjuhën dhe përkushtimin ndaj saj (Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Tiranë, 1972; Konferencën për Mesharin e Gjin Buzukut, Ulqin, 199? etj.), do të gjenden së bashku me praninë fizike, të bashkuar për shqipen moderne, shkencërisht, intelektualisht e shpirtërisht.
Duke shkruar në ditarin e tij Dëshmitar në kohë historike për ditët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, 20-25 nëntor 1972, Profesor Qosja do të shkruaj për shumë personalitete dhe shumë ngjarje të atyre ditëve, e do të shkruaj edhe për takimet me Profesor Jup Kastratin dhe diskutimin e tij në Sesionin B: “Përshtypje të veçantë bëri diskutimi i albanologut nga Shkodra Jup Kastrati. Diskutimi i tij shkaktoi gaz në Kongres kur tha:
- Këtu ka gjuhëtarë që po bëjnë çmos t’i ndjekin e-të e pa zë, por ka edhe gjuhëtarë që po bëjnë çmos, me gojë, me duar e me setra, që t’i mbledhin ato.
Në këtë mënyrë ai shprehu mospajtim me vënien e ë-së, domethënë të e-së të pa zë, edhe në fjalët ku ajo nuk duket e nevojshme.
Sipas të gjitha gjasave, Jup kastrati e vërejti një problem në drejtshkrimin e ri të gjuhës shqipe me të cilin herdokurdo do të jenë të detyruar të merren rishtazi gjuhëtarët shqiptarë” .
Duke shkruar për gjendjen e tij shpirtërore, pas vitit 1981, kohë e përndjekjes politike dhe vuajtjeve intelektuale, si dhe kohë e ndërprerjes së marrëdhënieve politike, arsimore, kulturore e shkencore me Shqipërinë, Profesor Qosja, në ditarin e tij të datës 10 nëntor 1986, veç tjerash do të shkruaj: “Mendja ime sot ka kaluar kufirin e mallkuar dhe ka mbërritur në Shqipëri. Tani për tani është në Tiranë. (...) e ka kaluar kufirin politik mendja ime, tani e pesë vjet të bërë mur kinez ndërmjet shqiptarëve, për të më bërë të mundshme të shihem e të bisedoj: me Aleks Budën, me Eqrem Çabejn, me Mahir Domin, me Kristo Frashërin, me me Luan Omarin, me Arben Puton, me Shaban Demirajn, me Dhimitër S. Shuteriqin, me Dritëro Agollin, me Ismail Kadarenë, me Alfred Uçin, me Zija Xholin, me dalan Shapllon, me Petro Markon, me Jorgo Bulon, me Jup Kastratin, me Muzafer Xhaxhiun, me Vehbi Balen” .
Një ndjenjë malli për intelektualët, shkencëtarët e shkrimtarët, në mesin e të cilëve hynë edhe Profesor Jup Kastrati, Profesor Qosja do ta shprehë edhe në një rast tjetër, megjithëse tani muri kinez ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kishte filluar të shkrihej: Pas pjesëmarrjes së tij në manifestimet e Ditëve të Pavarësisë së Shqipërisë, më 1997 në Tiranë, Profesor Qosja do të jetë i ftuar në një drekë me pjesëmarrës akademikët e shquar Ylli Popa, Luan Omari, Kristo Frashëri e Arben Puto, por në atë drekë me personalitete që ngjajnë në ‘biblioteka lëvizëse’, do t’i mungojnë: “Dhimitër S. Shuteriqi, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Rexhep Mejdani, Alfred Uçi, Jup Kastrati, Kristaq Profti, Dritëro Agolli, Neritan Ceka, Xhevat Lloshi, Paskal Milo, por edhe të ndarë nga jeta: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Androkli Kostallari .
Këtë mall të Profesor Rexhep Qosjes për intelektualët dhe miqtë e tij atje, Profesor Jup Kastrati do t’ia kthej në një mënyrë tjetër dhjetë vjet më vonë, gjatë një takimi në Konferencën shkencore për Mesharin e Gjon Buzukut në Ulqin, për të cilin gjithashtu do të shkruaj Profesor Qosja në ditarin e tij të datës 21 maj 1995:
“Vëllezërit tanë nga Shqipëria më trajtuan me nderim të veçantë. Profesor Jup Kastrati në një çast më tha:
- Jam i lumtur që jemi miq; tani na ka afruar edhe Konica, mbasi monografisë sime për të si parathënie i është vënë edhe studimi yt. Ti je mit në Shqipëri. Je mit jo vetëm për intelektualët e për rininë, por edhe për njerëzit e thjeshtë .
Gjatë një periudhe prej më shumë se gjysmë shekulli Profesor Jup Kastrati ka botuar disa nga kryeveprat e tij dhe disa nga monumentet e mëdha të albanologjisë, në fushë të gjuhës dhe të letërsisë: Histori e gramatologjisë shqiptare (1635 - 1944), Prishtinë, 1980; Faik Konica (Jeta dhe veprat). Monografi, Nju Jork,1995; Studime për De Radën. Monografi, Nju Jork, 1999; Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Monografi, Tiranë, 1979; Zef Jubani (Jeta dhe veprat). Monografi. Tiranë, 1987; Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare, Shkodër, 1962; Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Bibliografi (1454 - 1835). Vëllimi I. Tiranë, 1997 (Bashkautor); Historia e albanologjisë (1497 - 1997), Tiranë 2000, etj.
Po gjatë kësaj kohe, kur më parë e kur më vonë se botimet albanologjike të Profesor Jup Kastratit edhe Profesor Rexhep Qosja ka botuar veprat e formatit të madh të shkencave historiko-letrare (albanologjike) për romantizmin, De Radën, Naim Frashërin, Asdrenin etj., në të cilat referencë konsultimi e mendimi shkencor kishin edhe Profesor Jup Kastratin, duke e nderuar në mënyrë të veçantë me besimin ndaj saktësisë së burimeve të tij historike, prej të cilave merrte tekstet për rilindësit në përgjithësi dhe arbëreshët në veçanti.
Le t’i sjellim vetëm disa nga referencat e Profesor Qosjes nga Profesor Jup Kastrati në kryeveprën e tij Historia e letërsisë shqipe (Romantizmi) në tri vëllime. Në këtë vepër Profesor Qosja i referohet Profesor Kastratit apo botimeve të veprave të rilindësve nën kujdesin e Profesor Jup Kastratit, tek diskuton pikëpamjet e njëjta të Zef Jubanit dhe Jeronim de Radës “mbi poezinë popullore”; duke shkruar për shqetësimet e rilindësve rreth pengesave që ju sjellin alfabetet e shumta të shkrimit të gjuhës shqipe, në rastin konkret mendimin e Zef Jubanit ; për përkushtimin gjuhësor të romantikëve ; për neologjizmat në tekstet e romantikëve ; për formimin autodidaktë, shkollorë e intelektualë të romantikëve, në rastin konkret Pashko Vasën ; mitin e origjinës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe; këngët epike etj.
Në qoftë se në vëllimin e parë të Historisë së letërsisë shqipe I, Profesor Qosja, veprat dhe studimet e botimet dokumentare të Profesor Jup Kastratit, do t’i ketë kryesisht referencë mbështetëse, në vëllimin e dytë e të tretë, raporti i referencës me botimet dokumentare do të jetë më i vogël. Tani më shumë se sa referenca historike, ato do të jenë referenca mendore, e kjo do të thotë referenca për analizat teoriko-letrare e historike të shkrimtarëve dhe strukturën historiko-letrare e stilistike të veprave të tyre. Të kësaj natyre janë referencat për temat dhe gjinitë e llojet letrare të krijimtarisë së fazës së parë të Jeronim de Radës ; analiza mbi ndikimin e letërsisë popullore në veprën letrare të Jeronim de Radës dhe shembuj të tjerë të cilët i referohen kryesisht monografisë së Jup Kastratit, Jeronim de Rada – jeta dhe vepra, botuar disa vite më parë, në Tiranë më 1979, duke përfshirë këtu edhe një mbështetje për Francesko Anton Santorin dhe një tjetër referencë për fjalët e huaja në leksikun e Fjalorit të Konstantin Kristoforidhit .
Profesor Jup Kastrati ka shkruar dhe ka botuar disa vepra me të cilat ka ushtruar ndikim më shumë apo më pak në rrjedhat e mendimit në studimet gjuhësore e historiko-letrare dhe përgjithësisht albanologjike. Por, Profesor Kastrati veçohet edhe për dy studime të tjetër me ndikim në fushë të studimit në gjuhësinë shqiptare, e ky është studimi Naim Frashëri për gjuhën shqipe , prej të cilit Profesor Qosja ka vjelë listën e fjalëve të reja të gjuhës diturore ; si dhe studimi Ndre Mjeda, lëvrues i gjuhës shqipe, të cilit i është referuar gjerësisht për pikëpamjet e Mjedës mbi gjuhën .
Në vitin 1990 kur u rrënua sistemi komunist në Shqipëri dhe Profesor Jup Kastrati nxori nga sirtari i fshehur prej 40 vjetësh dorëshkrimin e tij për Faik Konicën, ishte teksti parathënës i Profesor Qosjes ai që u vendos në krye të tij. E kjo nuk ishte rastësi. Ishte përbërës vlerësimi e nderimi i dyanshëm, ishte përbërës i respektit që kishte dija shqiptare e kohës për të dy, në raport me dijen shqiptare për bardët e Lëvizjes Kombëtare në përgjithësi.
Profesor Rexhep Qosja ka sjellë disa të dhëna interesante rreth procesit të shkrimit të kësaj parathënie në raport me botimin e veprës në Amerikë, ndërsa ne po e sjellim një shënim të datës 1tetor 2024:
“Më thirri Gjokë Gjonlekaj prej Njujorkut.
Ka vendosur të botojë monografinë e albanologut të njohur , Jup Kastratit, për Faik Konicën dhe kërkon t’ia shkruajë parathënien kësaj monografie.
- Kjo është dëshira e autorit, Jup Kastratit, më thotë Gjeka.
- Po mirë, do të bëj atë parathënie mbasi ka kërkuar edhe autori, i them, por duhet të më dërgosh dorëshkrimin” .
Të nderuar të pranishëm!
Ndoshta në këtë ditëlindje të 100-të Profesor Jup Kastratit keni pritur të flas më shumë për dorëshkrimet e lëna, e kjo do të thotë të flas për vëllimin e dytë të Historisë së Albanologjisë (1855-1941), dhe për vëllimin e papërfunduar të viteve të gjysmës së dytë të shekullit XX; për korpusin e Studimeve arbëreshe; për vëllimet me Letërkëmbim prej rreth 3000 letrash; për Albumet me fotografi, për vëllimin Jeta shkencore dhe kulturore e Shkodrës 1945-1990, si dhe për veprat e tjera të botuara e të pabotuara.
Por unë dua që këtu të flas për herë të parë për një dorëshkrim posaçërisht të panjohur, për të cilin më ka folur gjatë kohës që e vizitoja në shtëpinë e tij në Shkodër dhe gjatë kohës sa patëm një letërkëmbim mjaft të pasur gjatë viteve 1996-2003.
Ata që e kanë lexuar ditarin e Profesor Rexhep Qosjes Dëshmitar në kohë historike, I-IX (1966-2008), nuk e kanë vështirë të shquajnë përbërësit historikë, kulturorë, shkencorë e intelektualë të kësaj periudhe për të cilat shkruhet, por unë dua që këtu për të parë të tregoj edhe një të panjohur posaçërisht të rëndësishme të trashëgimisë së Profesor Jup Kastratit, e ky është lajmi se ai ka lënë një Ditar prej rreth 6000 faqesh, me titull përgjithësues Ditar shkencor, në të cilin, Profesor Jup Kastrati dekada me radhë ka mbajtur shënime për zhvillimet shkencore në institucionet akademike ku punonte dhe hulumtonte, në Shkodër e Tiranë apo qytete të tjera të Shqipërisë, rajonit, Europës dhe të Amerikës. Fjala është për një dorëshkrim të panjohur deri më tash në kulturën shqiptare, i cili sigurisht ashtu si edhe Ditari i Profesor Qosjes, do të saktësojë shumë të njohura më pak a më shumë në jetën akademike, shkencore, arsimore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare dhe do të sjellë shumë të panjohura për kohën dhe hapësirën, konferencat shkencore dhe pjesëmarrësit e tyre, për shumë vendime shkencore dhe ndërhyrje politike në to, për shumë vepra të vlerësuara dhe shumë të tjera të ndaluara apo të kthyera në karton, për shumë personalitete të nderuara me çmime kombëtare e shumë të tjerë të strehuar pa zë në shtëpitë e tyre. Se çka shkruante Profesor Qosja në Ditarin e tij kur vraponte “ta fshihte te Sakibja” e dinim, po çka shkruante Profesor Jup Kastrati për shkencën, shkencëtarët e veprat shkencore ende nuk e dimë. E dimë ndërkaq një gjë, se si në Shqipërinë e diktaturës shkencëtarët ‘i errte nata në Shkodër a ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë, duke gërmuar gjuhën a letërsinë e teksteve të vjetra të traditës shqiptare dhe t’i zbardhte dita duke gërmuar në ndonjë minierë kromi në Veri apo thëngjilli në Jug’.
Po e përfundoj këtë fjalë timen, nderimi e vlerësimi, për Profesor Jup Kastratin në këtë tryezë të madhe për Profesor Rexhep Qosjen, me një paraqitje krejt personale.
Prej rreth tri dekadash sa i kam njohur Profesor Jup Kastratin dhe Profesor Rexhep Qosjen kam vënë re edhe një veçori të përbashkët të tyre: mbamendjen, kujtesën gjithnjë të freskët, madje në një moshë shumë të shtyrë. Për më tej më ka bërë përshtypje edhe pamja e tyre. I pari (Profesor Jup Kastrati) me një shikim tejshkues, syzhbirues, do të thoshin psikologët e traditës; dhe i dyti (Profesor Rexhep Qosja), me një shikimshqiponje, e qëndrim naltues, do të thoshin malësorët e tij. I pari, Profesor Kastrati, me një trup, i cili sikur mban përmbi supe Bjeshkët e Mbishkodrës, por qëndron me pamje aristokrati në raport me tokat e plleshme të fushave të Shkodrës; ndërsa i dyti, Profesor Qosja, me një trup të formuar në raport me lartësinë e Alpeve Shqiptare, sikur i bën roje Liqenit të Plavës.
A nuk janë këto veçori edhe një arsye pse shënimi i 100 –vjetorit të Profesor Jup Kastratit në këtë Tryezë të Madhe të nderimit për Profesor Rexhep Qosjen, është një respekt i gjithanshëm për moshatarët dhe miqtë, që për të gjallë janë bërë monumente të kulturës shqiptare.
Tetovë, 25 shtator 2024
UNIVERSITETI I TETOVËS - Seminarit XVIII Ndërkombëtar të Albanologjisë
Konferenca: Kontributi i Rexhep Qosjes për letërsinë dhe kulturën shqiptare, Tetovë, më 25 shtator 2024.
Opmerkingen