top of page

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: SMOKTHINA E LABËRISË



 

Smokthina mund të konsiderohet dhe fshat i Madh, por dhe si mikrokrahinë, brenda krahinës së Mesaplikut, sepse, në vetvete përmbledh 4 fshatra, të cilët dikur kanë qenë lagje të saj, siç janë: Bashaj, Matogjin, Ramicë-Verbas dhe Boder-Shalës-Mesaplik. Edhe banorët e këtyre fshatrave, sidomos fshati më i ri, Mesapliku janë të “trazuar”, të zbritur qysh pas vitit 1880 e sidomos pas tërmetit të vitit 1930, nga fshatrat e tjerë, që janë më malorë, nga Bashaj, Matogjini e Ramica.

Historikisht, në opinionin e përgjithshëm njihet fshati Smokthinë, kurse brenda përbrenda këtij emëri të madh, smokthinjotët bëjnë dhe dallimet, si ramiciotë, matogjinas, mesaplikas etj. Veçori dalluese e këtij fshati, apo grupi fshatrash është fakti se ka një shtrirje gjeografike shumë të gjërë, veçanërisht me drejtim veri-jug (e theksuar kjo për territoret kodrinore-malore) që fillon nga Beuni, kufi me Vajzën dhe përfundon me territorin e Bolenës, e të Vërmikut, të cilët janë fshatra të Kurveleshit të Poshtëm e të Sipërm.

Historikisht, asnjëherë Smokthina dhe as ndonjë fshat tjetër i krahinës së Mesaplikut nuk ka qenë në përbërje të territoreve të Kurveleshit. Veçori tjetër është dhe fakti, që Smokthina laget nga dy lumenj: nga lumi me të njëjtin emër, i cili buron nga mali, kufi me fshatin Vërmik, dhe lumi Shushicë, që “lag” këmbët e Mesaplikut, dhe që ndan këtë fshat me Tërbaçin. Me ujin e bollshëm të lumit të Smokthinës është ndërtuar dhe vënë në funksionim edhe HEC i Smokthinës (që njihet dhe si HEC i Lepenicës, sepse godina e turbinave është në Lepenicë), buzë Shushicës e në territorin e Lepenicës. Uji merret me një kanal dhe tubacione të fuqishme, me një gjatësi rreth 17-18 km.


Si mikrokrahinë me shtrirje të gjërë gjeografike, Smokthina kufizohet me shumë fshatra. Kështu, nga lindja, nëpërmjet kreshtës së maleve të Gribës e Tartarit, me fshatra të krahinës së Lopësit të Tepelenës, nga perëndimi, me fshatrat Brataj e Tërbaç, nga veriu me fshatrat Vajzë, Ploçë e Velçë, kurse nga jugu, me Vërmikun e Bolenën.

Fshati Bashaj, i vendosur rrëzë malit, në krye të “vëllezërve” të tij, e merr këtë emër si “bash” (i pari), kurse Mesapliku, këtë emër e merr për shkak të pozicionit gjeografik, që ndodhet midis dy lumenjve: Shushicës dhe lumit të Smokthinës.

Siç e ka përcaktuar dhe Profesor Eqerem Çabej, ky emërtim vjen qysh nga Pellazgët e Ilirët. Në mikrozonën e Bashajt e Matogjinit, të cilët janë fare afër njëri-tjetrit, për shkak të klimës tepër të favorshme, të mbrojtur nga era e veriut dhe me diell pothuajse tërë ditën, që ka burime të bollshme uji kultivohen me shumicë fiq. Thuhet se ky është shkaku që e ka marrë emrin Smokthina, nga gjuhët e pushtuesve të ndryshëm. Por, në këtë zonë, me emrin e përbashkët (Smokthinë) dhe hardhitë, në formë pjergullash, të hedhura nëpër drurë e përrenj, të lisave e të rrapeve etj., kanë pasur dhe kanë shumë zhvillim. Ky ka qenë shkaku kryesor dhe për faktin tjetër, që smokthinjotët, prej dekadash kanë qenë prodhues dhe konsumues, më tepër se çdo fshat tjetër i kësaj krahine, të rakisë.

Ramica, si pjesë e Smokthinës, historikisht ka qenë më e lakuara, për shkak të pozicionit gjeografik në veriperëndim të krejt fshatit, karshi Rrëzës, në atë pikë dominante “vrojtuese”, për tërë luginën e Lumit të Vlorës, deri në Mavrovë e Shashicë, (në veri) dhe deri në Kallarat e Kuç, (në jug), në një lartësi mbi 650 metra nga niveli i detit. Por, për ngjarjet që kanë ndodhur e që lidhen me emrin e saj, ashtu si dhe për njerëzit e dëgjuar që ka nxjerrë me brezni të tëra.

Mesapliku, me fushën historike të tij dhe Rrepet e famshëm të Ismail Qemalit (të cilët aktualisht nuk janë më), përbën zonën më të ulët, apo veriun e tërë Smokthinës. Vet fshati Mesaplik është ndërtuar krejtësisht i ri gjatë sistemit monist, i grumbulluar rrëzë Markovës, dhe është bërë një ndër fshatrat më të bukur të krahinës.

Fshatrat e Smokthinës lidhen me Vlorën ndërmjet dy degëzimeve të rrugës automobilistike, njëra që degëzon në Varritavë, me drejtim Velçë-Ramicë-Verbas deri në Matogjin-Bashaj, e përfundon në Vërmik, ndërsa degëzimi tjetër është ai që fillon në Sinovak të Tërbaçit, me drejtim Mesaplikun, që kalon në urën mbi Shushicë, të ndërtuar gjatë viteve të Pushtetit Popullor.

Smokthinjotët janë njerëz fisnik, të çiltër, të dashur, gazmorë dhe inteligjentë. Smokthinjotët trashëgojnë disa cilësi të rralla njerëzore, si: mikpritjen, bujarinë, organizim të ceremonive dasmore, apo të rasteve të fatkeqësive familjare etj. Krushqitë me smokthinjotët në çdo kohë konsiderohen si nga më dinjitozet.

Smokthinjotët, në shekuj janë dalluar për trimëri dhe patriotizëm, duke qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha luftërat për liri dhe drejtësi shoqërore, kundër pushtuesve osman, shovinistëve grekë etj. Edhe në Luftën e Janinës (1913), do të merrnin pjesë 177 smokthinjotë, nga të cilët 17 ranë dëshmorë dhe u plagosën 7 të tjerë. Në Luftën e Vlorës (1920), tre çetat e Smokthinës, u udhëhoqën nga Bajram Qamili, sekretar Feti Deromemaj, dhe nga komandantë t çetës së Ramicës Caush Tafili, të çetës së Matogjinit nga Demir Mystehaku dhe çetës së Bashit nga luftëtari trim Zigur Lelo, bashkë me velçotët sulmuan të parët garnizonin Italian, të dislokuar në Kotë. Dhe, në këtë luftë, ra në fushën e nderit, si Hero Zigur Lelo, bashkë me 14 dëshmorë të tjerë, ndërsa 23 veta u plagosën.

Në të gjitha kohët, Smokthina ka nxjerë burra trim dhe të mënçur, patriotë, atdhetarë dhe protagonistë të historisë. Le të kujtojmë një ndër figurat më të shquara, të plejadës së Zylyftar Podes, Tafil Buzit etj., Cane Miftarin, në vitet 1820-1830, si prijs dhe në luftërat kundër pushtuesve osmallinj. Të tjerë emra kanë qenë: Haxhi Hoxha, Dule Zoto, Tartar Memushi, Ago Emini, Hito Ruka, Zoto Mahmuti, Imer Mustafai, Jazo Kapo, Zenel Jazo, Demir Ago Curraj, Azbi Rukaj, Kapo Lelo, Halim Dervishi, Qazim Adem Rukaj, Zigur Lelo, Shero Emini, Azbi Adem Rukaj, Ago Agaj, Zaçe Xhelo, Rakip Zoto, Moisi Ago, Zenel Curraj, Ramo Kokallaj, Banush Banushaj, Miftar Rucaj, Boro Pipa, Kamber Sulçe, Toto Spahaj etj. Por, ndër ata burra që do t’i jepnin nder smokthinës kanë qenë ata që janë quajtur “Oxhaku i Zote në Smokthinë”, që i ngjante një “kështjelle” dhe që nisnin me Hasko Gjinin, Ymer Haskon, Mustafa Ymerin, Mahmut Mustafaj, Zoto Mahmutin, Dule Zoton etj. Kryetrima, me brezni të tëra.

Emra të tjerë, të shquar u shtuan në listë me pjesëmarrësit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kontributet e tyre në këtë luftë.

Smokthina, si tërë ato fshatra të krahinës së Mesaplikut, u lidh qysh në vitet e para me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, me pjesëmarrje masive në veprimtarinë luftarake e politike, në ndeshje direkte me armë dhe në prapavija. Batalioni territorial i Shullërit, i përbërë nga smokthinjotë e veçiotë, i komanduar nga biri ramiciotë-Mevlan Dervishi, u bë një ndër protagonistët më të rëndësishëm të Luftës së Gjormit (1942-43), të luftës së Drashovicës etj. Deri ne formimin e formacionit të madh partizan, me bij dhe bija të krahinës së Mesaplikut e të qarkut të Vlorës, në përgjithësi, Brigadës V Sulmuese, shumica e të cilave do të bëheshin efektiva të saj. Por, dhe më pas, përsëri territorialet e këtij fshati u bënë luftëtarë gjatë operacioneve armike që zhvilloheshin në këtë krahinë. Nga Smokthina u inkuadruan në formacionet partizane 215 bij e bija, prej tyre 10 ishin gra e vajza. Mbi 70 bij dhe bija do të binin dëshmorë, prej tyre Heroina e Popullit Qeriba Derri, partizania Rakibe Dervishaj dhe Sartë Gabaj, Male Kokallaj, Hajdine Zogaj dhe Rubie Shyti (Bocaj). Pati të plagosur dhe viktima të kësaj lufte, të masakruar nga pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre. Gjatë kësaj lufte, Smokthina e pësoi me djegien e 217 shtëpive, 5.480 bagëtive të dëmtuara e të grabitura nga pushtuesit dhe veglat e tyre.

Shumë gra e vajza smokthinjote janë dalluar për kontribute të veçanta në ndihmë të Luftës Antifashiste Nacinalçlirimtare. Qeriba Derri shquhej, si agjitatore dhe përgjegjëse e organizatës së gruas për krahinën e Mesaplikut, për çka armiqët dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas e pushkatuan. Nurhane Lelaj, ish bashkëshortja e dëshmorit Arif dhe djalit Avdyl Lelaj, jo vetëm si bazë e luftës dhe me kontribute të shquara familjarisht, por ajo do t’i merrte në krah, njërin pas tjetrit, pasi ishin vrarë në luftë me armiqtë, gjatë operacioneve të Dimrit e Qershorit 1944, të birin dhe të shoqin, për t’i varrosur tek shtëpia. Fato Zotaj, si veprimtare e shquar dhe delegate në Kongresin e gruas në Berat, në familjen e Zotajve, si përgjegjëse e gruas të krahinës së Mesaplikut. Ylvie Ruka, bashkëshortja e dëshmorit Reis Ruka, ishte një tjetër veprimtare e dalluar e luftës. Të tilla ishin gjithashtu Sofie Zotaj, Mela Canaj, …

Bijtë e Smokthinës, që kishin dhënë kontribute në luftë, si drejtues të saj, në vitet e pasçlirimit u ngarkuan me funksione të rëndësishme. Ranë sy bijtë e Matogjinit e të Ramicës. Shkrimtari i shquar Shevqet Musaraj u ngarkua me funksionin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe deputetët në Kuvendin Popullor, në të gjitha legjistraturat. Veis Pipa dhe Shahin Ruka, u ngarkuan me funksione zëvendësministrash, Pajo Islami, nga Ramica u ngarkua me funksion ministri. Por, fatkeqësisht, për shkak të “luftës klasore” “brenda llojit”, ai e pagoi shtrenjtë luftën dhe sakrificat që kishte bërë në luftë e në punë.

50 bij smokthinjotë, ish partizanë, do të titulloheshin oficerë dhe u ngarkuan me funksione të ndryshme. Bako Dervishaj u gradua gjeneral dhe mbajti funksione të larta, si komandant korpusi etj. Mevlan Dervishaj, Feti Smokthina, Moisi Elezi, Dane Mehmeti dhe Shyqyri Ajazi, mbajtën gradën kolonel dhe mbanin funksione të nomenklaturave së lartë ushtarake. Do të mbanin funksione të rëndësishme dhe do të mbanin gradën nënkolonel: Luto Musai, ish komandant i regjimentit të helikopterëve, Niazi Canaj, ish komisar i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, Gilo Lame, me funksione të rëndësishme në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Do të mbanin gradat major dhe do të kryenin gjithashtu funksione të rëndësishme në strukturat e Forcave të Armatosura: Shaqo Derri, Bato Zotaj (komandant brigade), Hasan Abedini, Turan Dervishaj (ish komandant i ishullit të Sazanit), Elmas Hasamataj, ish shef i shtabit të forcave të mbrojtjes kundërajrore, pilot, Mato Hasamataj, në sektorët e shtypit. Por, nga ish pjesëmarrësit në luftë dhe në veprimtarite politike në prapavija do të ngarkoheshin edhe me funksione drejtuese në sektorët e ndryshëm të pushtetit dhe të administratës shtetërore. Të tillë ishin: Lavdosh Zotaj, Perlat Hasani, Daut Hasani, Bardhosh Halimi, Aliko Mehmeti etj.

Shkolla e parë shqipe do të hapej në Matogjin, në vitin 1913 dhe si mësues i parë i saj do të shërbente Halim Xhelo Tërbaçi, ndërsa, si mësues që kanë dalë në vitet e para të çlirimit kanë qenë: Feti Dero dhe Hasan Ibrahimi. Në Bashaj, Ramicë e Mesaplik shkollat do të hapeshin në vitet e pas çlirimit (nga dhjetori 1944 e në vijim). Me kalimin e kohës, si në tërë krahinën, shkollat do të ngriheshin në rang 7 e 8-vjeçar, dhe me kalimin e viteve dhe në shkolla të mesme, me profil bujqësor. Nga kontigjentët e nxënësve të dalë nga këto shkolla, do të merrnin të drejtë studimi nga shteti mbi 350 djem e vajza, për shkollat e larta e të mesme e profesionale. Deri në vitet 1990 nga Smokthina do të mbaronin arsimin e lartë mbi 210 veta, midis të cilëve: në sferën e mësuesisë 25-30 veta, në sferën e bujqësisë rreth 30 veta, në fushën e ekonomisë rreth 60 veta, në degë të ndryshme rreth 60 veta dhe në fushën e mbrojtjes rreth 40 veta.

Ndër kuadrot e reja ushtarake, të dala nga shkolla në vitet e pas çlirimit, si më të spikatur ishin: Novruz Dervishaj, komandant korpusi; Kujtim Dervishaj, kolonel, komandant brigade; Çuman Sejdiaj, drejtor drejtorie në dikaster; Kastriot Zotaj, komisar i spitalit ushtarak; Pëllumb Boraj, kolonel, drejtor i Insitutit të Studimeve dhe Projektimeve në Ministrinë e Mbrojtjes; Abedin Lame, komandant i repartit special; Idajet Sejdiaj, pedagog në Akademin e mbrojtjes; Vasil Lelaj, nënkolonel, komandant brigade; Asqeri Lekaj, nënkolonel, komandant brigade; Balil Banushaj, komandant brigade; Agim Nuraj, shef komisariati policie, kolonel, Seri Malaj, pedagog taktike në shkollën ushtaarke dhe komandant brigade këmbësorie.

Kuadro në sektorë civilë: Pajtim Ajazi, zëvëndësministër; Shpend Zotaj, kryetar i komitetit ekz. Rajonit nr. 2, Tiranë; Halim Dervishaj, zëvëndëskryetar i Bashkis Vlorë; Ibrahim Tafilaj, drejtor ndërmarjeje, inxhinier; Aleks Tahiri e Naim Zotaj, kryetar të komunës Brataj.

Përveç shkrimtarit Shevqet Musaraj, ish partizan, nga Smokthina do të zgjidheshin deputete edhe Elvira Ajazi (bijë nga Tërbaçi), Adhurim Musaraj dhe Roland Tafilaj.

Janë shpallur Heronj të Punës, Shevqet Musaraj, Violeta Muçaj dhe Syrja Sulejmanaj.

Mbajnë tituj shkencorë: Prof. Dr. Xhelo Murraj, shkenctar i njohur dhe në botën e jashtme për eksperimentet e tij në fushën e biologjisë; Prof. Dr. Eshref Ymeri, gjuhëtar, autor veprash letrare dhe përkthyes; Prof. Dr. Ermira Smokthina, në shkencat e natyrës; Prof. As. Dr. Siri Hanaj, në fushën e ekonomisë etj.

Talente të veçanta: Abedin Lame, Mjeshtër i merituar i Sportit, disa herë kampion vendi; Rita Goxho Lati, aktore e mirënjohur e estradës së Vlorës dhe e Tiranës; Perlat Hasani, poet; Eqrem Canaj, shkrimtarë; Mato Hasamataj, gazetar, studiues; Idajet Jahaj, shkrimtarë; Dasho Matodashaj, shkrimtarë; Tomor Lelaj, këngëtar dhe autor i këngës polifonike, President i ansamblit folklorik “Çipini”; Hysen Ruka, këngëtar i këngës smokthinjote; Muhamet Derri, vjershëtor; Xhevit Zenjeli, rapsod popullor; Zenel Hoxha, studiues, publiçist; Kujtim Meçaj, gazetar etj.

Në vitet e demokracisë shumë të rinj dhe tëreja, por dhe familjes smokthinjote janë larguar dhe vendosur në qytete të Shqipërisë, por dhe në vende të tjera të Europës dhe SHBA. Shumë janë dallura në punë e punojnë për rritjen e mirëqënies së tyre deh po japin kontribute në bisneset e tyre të ngritura me mund e sakrifica.

Fshatrat e Smokthinës sot vuajnë për një rrugë, por shpresa nuk ka humbur, spese vet kjo krahinë është një bukuri natyrore e panjohur...ka radhur koha që bashkë me rrugën të kthehet deh lumturia në këtë fshatra dhe njerëz të begatë...

 
 
 

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page