top of page

PRISHËSIT E KËNGËS



Nga Timo Mërkuri


Hyrje


Nje ditë shtatori të vitit 2007 ,ndërsa shikoja TVSH tek po jipte një program të Asamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve s’di pse vëmëndjen time e tërhoqi në veçanti kënga ‘’Shqipe katër vilajete’’. Kjo ndoshta edhe nga fakti që për këtë këngë kisha shkruar diçka në librin tim ‘’Madhëria e saj-kënga iso-polifonike’’, madje me një grup shokësh edhe patëm debatuar për këtë këngë, autorin e mundshëm dhe variantet e saj jo të pakta.


Problemi i parë

1- Problemi i motërzimeve të këngëve popullore është tëpër i njohur dhe i pranueshëm, por varianti që po këndonte grupi i Asamblit Shtetëror, i kënduar vite më parë edhe nga grupi i fshatit Dukat, gjithsesi ishte i pa pranueshëm. Nuk e kam fjalën për faktin se qe një variant i përpunuar i kësaj kënge aq të njohur. Edhe e përpunuar melodia qe magjike dhe të mbushte me krenarinë e të qënit shqiptar, madje këtë krenari ta shtonte edhe interpretimi mjeshtëror ii artistëve.

Problemi qëndronte pikërisht te teksti i këngës, që s’di se kush e ka ndryshuar i pari, gjasme për ta bërë me hierëndë a për ti dhënë më tepër kolor, për të cilën ajo, kënga s’ka dhe aqë shumë nevojë. Le ta shohim konkretisht këtë interpretim:

- Fillonte kënga me vargjet; Shqipëri tre vilajete.

Qysh këtu fillonte edhe gabimi. Realisht në ndarjen administrative të perandorisë psmane Shqipëria përbëhej nga katër vilajete të cilat qenë; 1-Vilajeti i Janinës, 2-Vilajeti i Manastirit, 3-Vilajeti i Shkodrës dhe 4-Vilajeti i Kosovës. Atëherë kush e ka hequr një vilajet dhe cilin vilajet ka hequr, dhe sidomos me ç’të drejtë apo motivim e ka hequr. Aq më tepër që populli vetë, në këtë këngë përmënd katër vilajete kur këndon ; -Shqipe katër vilajete. Ta marim këtë si një rastësi apo si një mosnjohje të historisë

Vargjet e tjera; Në mes të krajlëve mbete

Gjithkush të kërkon për vete

I thonë sulltanit jepe…. nuk kanë ndonjë ndryshim, por ja që ‘’novacionet’’ dhe ‘’novatorët’’ paskan ditën e tyre edhe tek kjo këngë, sepse menjëherë pas vargut ; ’’I thonë sulltanit jepe’’, vargu që vjen realisht është; “E jap, por duan më vete”.

Edhe këtë varg grupi i Asamblit Shtetëror e këndon ndryshe duke e shndruar në: “Se jap. E dua për vete”, madje duke futur më pas vargun kompromentues; “E dua për dit të keqe’’.

Le të arsyetojmë pak. Në vitin 1912 kur luftohej për mëvetësinë e Shqipërisë në fushën dipllomatike, pas qindra vitesh luftrash të përgjakëshme, askush nuk e pyeste më Turqinë, të cilës i kishin rënë brekët në fund të këmbëve dhe nuk po gjënte dot ushkur ti lidhte, së paku që mos ti binin fare e jo më të mbante lidhur pas vetes Shqipërine e Shqipëtarët. Këtë e dinte dhe e ndjente edhe poeti popullor, ndaj në gojën e sulltanit vë përgjigjen ; “E jap, por duan më vete”. Shiko si e trajton poeti popullor problemin; Sulltanit i thonë ta japë Shqipërinë, pra të rijë urtë e mos të bëjë zhurmë se do ‘’hajë dru’’ po bëri naze dhe sulltani përgjigjet urtë e bute ; “E jap. S’ju pengoj unë ore, aman më lëni në punën e pronën time”. Sa i urtë qënka bërë ky sulltan. Sikur s’është nga ata që betoheshin të lidhnin kalin te porta e Shën Pjetrit në Vatikan, bile sikur s’ka të bëjë fare me ata. Kjo përgjigje tingëllon edhe si një justifikim për mos angazhimin e madh të Turqisë në zbatimin e marveshjeve të shteteve evropiane për njohjen e mëvetësisë së shteteve që shkëputeshin prej saj, por edhe si një paralajmërim që u bën Turqia shteteve të Evropës dhe sidomos fqinjëve për karakterin e shqipëtarëve, të cilët duan domosdo mëvetësinë dhe jo ndonjë bashkim me ndonjë shtet fqinj, që ëndëronte fshirjen e Shqipërisë nga harta e Ballkanit. Dhe këtë Turqia e dinte shumë mirë, se e kishte provuar në ‘’kurizin’’ e saj.

Duke njohur agoninë që po kalonte ‘’i sëmuri i Bosforit’’, poeti popullor s’mund të vinte në gojën e sulltanit dhe as e ka vënë vargun arogant; “Nuk e jap. E kam për vete” dhe aq më tepër ta vazhdonte me vargun kompromentues; “Më duhen për natë të keqe”. Se sa i ka dashur sulltani Shqiptarët, dëshmojnë masakrat e betejave dhe pas betejave. Se sa e kanë dashur Shqiptarët sulltanin dëshmojnë ’Treqint kryengritje/në katërqint vjet”. Është tjetër punë pse shumë Shqiptarë, falë zotësisë së tyre, nga fëmijë të rëmbyer për jeniçerë u bënë pashallarë që drejtonin e komandonin. Dihet se sa gjak u derdh në këtë rrugë dhe mbi këtë gjak nuk mund të ngriheshin këngë lavdërimi për sulltanin , gjasme si një baba i mirë, që s’i lë djemtë e tij të vegjël t’ja marin bota etj etj..

Këtë varg s’e ka ngritur poeti popullor dhe këto vargje stonojnë në tërësinë krenare të këngës. Sado bukur ta interpretojnë artistët e Asamblit Shtetëror ajo stonon në veshin e popullit, sepse tingëllon si një thirje e haruar ‘’Dum babën’’. E po vetëm për babën, sulltanin e sulltanatin s’na ka marë malli, ndaj mos na e kujtoni.


Trajtesa e dytë


2- Ky tip novacioni vijon edhe më tej nëpër këngët tona. Të gjithë e kemi dëgjuar këngën e bukur ‘’Te rrapi në Mashkullorë’’ që me aqë shpirt këndohet nga këngëtarja e mirënjohur Irini Qirjako. Jo vetëm e kemi dëgjuar, por edhe e kemi kënduar nëpër dasma e festime të ndryshme. Ndoshta e kemi ngritur pak më tepër zërin te vargjet’’Të vran’ o bimbash të vranë/Çeçua me Hito labnë’’ dhe s’na ka shkuar nëpër mënd se sa pa vend janë këto vargje te kjo këngë. Jo se nuk u vra bimbashi në Gjirokastër, por se bimbashin nuk e vrau Çerçizi vetë më dorën e tij. Atëherë pse duhet të përmëndet Çerçiz Topulli si atentator i bimbashit, kur ai nuk është i tillë. Vërtet që Çerçizi ishte komandant i çetës, ai e projektoi dhe e zbatoi planin e atentatit ndaj bimbashit, ai i instruktoi dhe udhëzoi atentatorët, ai mbështeti tërheqjen e tyre pas atentatit, ai drejtoi luftën e mëpastajme me garnizonin turk që u vu në ndjekje të tyre etj etj. Trimëritë e tij janë të shumta dhe e vlejnë t’u këndohet këngë, por ama vetëm bimbashin nuk e vrau ai. Jo se nuk donte apo u shmang, por se antarët e çetës e hodhën në short se kujt do ti takonte lavdia e vrasjes së bimbashit. Që do vritej nuk diskutohej më, por edhe të gjithë s’mund të venin ta vrisnin, ashtu turmë e zemëruar. Një ose dy do qëllonin mbi bimbashin, të tjerët do ti mbështesnin atentatorët. Dhe kështu ndodhi vërtet.

Shorti për të kryer atentatin u ra Bajram Ligut ose siç njihej me emrin e fshatit Bajram Prongjia dhe Hito Lekdushit ose siç njihet nga kënga Hito Labi. Të dy qëlluan mbi bimbashin dhe mbi shoqëruesit e tij. Të dy rrezikuan dhe fituan. Hito Lekdushi paskësh qënë më me fat sepse kënga e përmënd kur thotë... me Hito labnë, por si është haruar Bajram Ligu dhe ç’kërkon Çerçizi te vrasja e bimbashit, ende nuk është marë vesh. Nuk besoj se Bajrami do kishte ndonjë ‘’cen në biografi’’, gjithashtu nuk besoj se Çerçizit do ti pëlqente kjo shmangie e shokut të armëve nga lavdia e merituar duke e hedhur atë në haresë, dhe aq më tepër që kjo lavdi ti vishej atij. Portreti i Çerçizit, që njohim nga bashkëkohësit dhe bashkëluftëtarët e tij është krejt ndryshe nga ai i një përvehtësuesi të meritave të shokëve.

Kush është në fakt Çerçiz Topulli? Origjina e tij është nga Suli dhe mbiemrin e parë e kanë patur “Syziu”. Ky mbiemër u greqizua në “Mavromati”. Kur erdhën në Gjirokastër, ishte koha që në kalanë e qytetit po instaloheshin topat turq. Në fakt, topat e atëhershëm turq kishin shumë numërorë, ushtarë që shërbenin si artilierë. Koinçidoi që dhe fëmijët e familjes së paraardhësit të Çerçizit, të ishin shumë fëmijë dhe që loznin në kala, rrotull topave dhe që me humor i quanin “topullarë”, dmth “artiljerë”. Kështu ndodhi që asaj dege të familjes ju vendos llagapi “Topullarë”, në kuptimin “shumë fëmijë”, si ushtarët e artilerisë turke, duke u dalluar kështu nga pjesa tjetër e vëllazërisë që turqizoi emrin Syziu në “Karagjozi”.

Duke u rikthyer te kënga themi se ajo nuk do humbiste asgjë në qoftë se do këndohej...”Të vran o bimbash të vranë/Bajrami me Hito labnë”.

Mandje ne besojmë se në këtë mënyrë do ketë qënë varianti origjinal i kënëgs së mësipërme, ose sëpaku i tillë. Sepse populli kur këndon, i pasqyron realisht ndodhitë, trimëritë apo edhe tradhëtitë. Shtrëmbërimet e këngëve, qoftë si tekst apo si melodi, apo edhe veshja e melodisë të një kënge ndonjë kënge tjetër (thua se meloditë janë si vellot e nuseve që një herë e një kohë e vishnin të gjitha vajzat që martoheshin, se vetëm një ose dy vello qenë në gjithë krahinën), pra këto lloj marifetesh janë vepra jo të popullit, por të atij që kërkon ti imponohet popullit. Dhe që në një farë mënyre ja ariti qëllimit sepse populli donte ta këndonte me doemos këngën e Çerçizit, qoftë edhe me ndonjë ndryshim, qoftë edhe me ndonjë sakrifikim. Në fakt as Bajrami e as Çerçizi nuk e kishin mëndjen te kënga që do t’u këndohej, se ata kishin të tjera halle. Por ne që si kemi ato halle që kishin ata, ne pra na duhet ti vëmë në vendin e tyre ca gjëra.


Sqarimi i tretë


3- Prishja e këngëve ka marrë përmasa më të gjëra këto kohët e fundit; Nuk e kam fjalën thjeshtë për tekstet e tjetërsuara të këngëve, por edhe për vijën melodike të tyre. Emigracioni ekonomik dhe lëvizja e popullatave drejt qyteteve bëri që të prishej baza e këngës isopolifonike që ishte në fshat. Nëpër qytete zbritën këngëtarë nga zona të ndryshme folklorike, me tradita dhe stile të ndryshme të të kënduarit, të cilat gjetën ose jo traditë folklorike në qytetet ku u vendosën. Dashuria për këngën isopolifonike i bashkoi këta këngëtarë nëpër grupe folklorike, por problem ishte se këta këngëtarë ishin me tradita dhe stile të ndryshme kënge. Kështu ndodhi që ndërsa marrësi këndonte psh në stilin e Picarit, kthyesi ja kthente sipas fshatit të tij psh Radhimë, hedhësi lëshonte një sokëllimë skrapariote dhe iso ishte varianti bënçiot. Kjo nuk është këngë, ky është një mozaik zërrash që krijon një “turli” muzikore dhe kjo ndodh sepse asnjë këngëtar nuk i lëshon rrugë tjetrit, por duan të jenë të gjithë të parë sepse…”fshati im këndon më bukur se yti”. Kemi parë grupe të tilla me këngëtarë të njohur deri dje, por që sot të bashkuar në një grup nuk janë në gjëndje të na japin një këngë të kënaqëshme sepse nuk janë në gjëndje të përsshtatin

në vijën melodike të këngës zërrin e tyre. Për ta kuptuar më qartë, po mar për krahasim këngëtarët pilurjotë dhe himariotë. Nqse një këngëtar pilurjot do shkonte te grupi himarjot dhe do këndonte psh këngën “Vajz e valeve” me tonalitetin dhe melodicitetin e këngës pilurjote, ai jo vetëm që do stononte, por do ta prishte fare këngën.Për të qënë këngëtar i këngës himarjote, ai duhej të “pasaportizohej” në grupin e Himarës, pra të “bëhej himarjot”. Kjo ka vlerë për çdo rast. Nuk mund të këndohet kënga e Skraparit me stilin e të kënduarit të këngëtarëve lebër, çemër ose hjimariotë. Çdo krahinë ka vijën e saj melodike dhe stilin e saj të të kënduarit, madje edhe çdo fshat ka tiparet e saj të këngës dhe në qytetet me komunitet të konsoliduar (Gjirokastra, Berati, Himara) edhe çdo lagje ka stilin e saj të këngës.

Të këndosh në kohën e sotme do të thotë të mësosh, të përshtatesh, të evolosh. Nuk mjafton të jesh psh “lab” dhe detyrimisht të dish të këndosh labçe.


Grupe që janë trasformuar në sh.p.k. kënge


4-Nuk dua të flas për disa grupe që janë trasformuar në shpk kënge dhe këndojnë me pagesë. Le të mos na e ndotin mjedisin isopolifonik të pastër e të shënjtë, le të shkojnë në lëndina të tjera kënge ne daulle, me zurna e me gërnetë. Aty ka para, këtu te ne ka këngë.


E pesta: Frerët e fantazisë


5- U nisa ti shkruaj këto radhë jo vetëm për këto raste, por shohim shpesh që disa artistë apo të vetëquajtur artistë ja lëshojnë frerët fantazisë nëpër këngët e popullit, meloditë e këngëve popullore apo ritmet e valleve popullore, si të jenë në mall pa zot. Hiq një varg e shto dy vargje, hiq një notë e shto një varg notash, ndrysho një kërcim valltari e shto tri tundje shamie. Të kuptojmë një gjë. Në këngët e popullit, në vallët e tij, asgjë nuk është e tepër, dhe asgjë nuk ka lënë mangët autori anonym popull, që të heqim a të shtojmë nëpër festivale në lagje apo në fshat. Apo edhe ne rang kombëtar.

Mund të krijohet momentalisht bindja e ndonjë ‘’novacioni’’, ecje përpara e traditës etj etj. Mundet që dhe ndonjë ndërhyrje të ketë edhe ndonjë sukses provizor dhe të sigurojë të ardhura, por gjithsesi këto novacione janë thjeshtë prishje e këngës. Këta ‘’novatorë ‘’ s’janë gjë tjetër veçse prishësit e këngës. Në qoftë se s’bëjnë dot gjë tjetër, vetëm këngët e vallet e popullit të mos na i ngasin. Ato janë të shënjta.

Dhe në vendet e shënjta shërbesat i bëjnë vetëm njerëzit që shërbejnë aty, jo ata që vijnë e falen apo rrëfehen për mëkatet e bëra dhe luten për shpëtimin e shpirtit.


Konkluzion, ose e gjashta


6-Për këta s’mund të themi: ‘’Fali zot se s’dinë se ç’bëjnë’’. Sepse mëndoj se e dinë mirë se ç’bëjnë, por s’na duhet far , bile na dëmton ajo që bëjnë. Prandaj nuk duhet t’i lëmë të bëjnë këto ndërhyrje e ndryshime në artin e popullit.


Sarandë, më 2008- 2021


43 views2 comments

2 Comments


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Nov 12, 2021

I nderuar zoti Timo,

Ju përshëndes dhe ju përgëzoj për këtë analizë të shkëlqyer që u keni bërë prirjeve të disa personave të mbetur anonimë, të cilët ndërhyjnë aq brutalisht në tekstin origjinal të këngëve popullore, siç është rasti i këngës “Shqipe katër vilajete”. Këta ndërhyrës anonimë, në të vërtetë, nisen nga një qëllim i caktuar. Kujtoni për një çast këngën “Xhamadani vija-vija”, sesi, herë-herë, ndryshohet një fjalë në rreshtin e fundit të refrenit:

Xhamadani vija-vija,

Është Kosova, është Shqipëria,

Rreh si zemër çiftelia,

Sa e madhe është Shqipëria.

Në rreshtin e fundit, në jo pak raste, bëhet ndryshimi Sa e madhe është shqiptaria. Pra, ndryshuesi i fjalës së fundit nga Shqipëria shqiptaria, me siguri që ka marrë nj…

Like

Bardhyl Maliqi
Bardhyl Maliqi
Nov 12, 2021

Nje shkrim mjaft i mire, qe ttregon njohje te problemit, adhurim per kenget dhe dhembshuri per trojet tona, per te kater vilajetet, urime Timo!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page