Nga Timo Mërkuri
Sado e çuditëshme që është, sa herë lexoj poezitë e Peso Pem’za mua më kujtohet gjyshja ime. Realisht gjyshja ime s’ka asnjë qasje me këtë poete as si periudhë jete, sepse gjyshja ime ka vdekur në vitet ’70, kur Peso (besoj) ka qënë fëmijë as në mënyrë jetese, sepse gjyshja ime ishte hierëndë dhe në rininë e saj mbante nagantin në brez ndërsa Peso paraqitet në shkrime e foto (se unë nuk e njoh fare) një tip çapkëneje, që me siguri do ti ngrinte kacabujtë gjyshes sime. Dhe së fundi nuk kanë qasje as në artin poetik sepse gjyshja ime nuk ishte poete, ndonëse shpesh kishte një të folur me bejte, si gjithë plakat pilurjote ndërkohë Pesoja ka ca shpërthime poetike të tilla, që më të drejtë Armela Hysi që nga Athina i quante “shpërthime gjenialiteti”.
Por mua s’di pse më kujtohet një përallë e gjyshes sime për një princeshë të bukur, të mbetur jetime, sa herë lexoj poezitë e Pesos… Kësaj princeshe, në moshën e fëminisë i vdiq nëna dhe ajo vetëm vajtonte. Kjo do jetë qasja mes poetes dhe gjyshes sime, është pikërisht vdekja e nënës që poetja e përjetoi në moshë më të rritur dhe e përshkruan poetikisht…Kur diq nona/e lajtëm bardh/e krehem l’mojtë/e mlum me dhe…
Ndryshe nga Peso që me dhimbjen e saj mbuloi poetikisht planetin, princesha e vogël e përrallës së gjyshes sime mbyllej në një cep të shtëpisë apo shkonte në rrëzë të një trungu peme në kopështin e saj dhe vajtonte me dënesa të forta e pa zë. Por në vajtime, po nuk e dini jua them unë, dhimbja del me vajin, me zërin, me ligje (ligjërime). Kur nuk di të vajtosh me ligje, dhimbja dendësohet në shpirt dhe kondesohet në lotë, që derdhen nga sytë. Kështu i ndodhi dhe princesësh së vogël, dha e mori e vogla duke shtrënguar gjoksin në dënesa kur befas i shpërthyen nga sytë kokra loti. Por çudia ishte se këta lotë qënkishin si ca ruaza të bardha, si kokra breshëri dhe erdhi dhe u mbush vendi me bardhësi kokrizore. Princesha e vogël nuk kishte si ta dinte se dhimbja e saj ishte kondesuar në …margaritarë. Ajo qante për nënën te trungu i pemës së madhe dhe lotonte margaritarë. Pastaj ngrihej e ikte, për të vajtuar përsëri të nesërmen për nënën në një tjetër vend…kur diq nona/deken e pash tuj kqyrë n‘gropë/hë bushtër/ke humb /aty brenda diçka tandën/edhe po i more tana nanat /jetime mbetesh…
U mbush viti dhe babai i princeshës solli në shtëpi një grua tjetër dhe i tha të bijës së këtë grua ajo, princesha pra, do ta kishte si nënë. Por kjo gruaja e dytë nuk i ngjante fare nënës së princeshës, ndonëse ishte e bukur dhe qeshtë shumë, ajo nuk e kishte atë dritën e ngrohtë në sy, siç e kishte nëna e saj. Edhe shikimin e kishte pakëz të tërthortë, si një thupër që të godet papritur, jo një shikim i drejtpërdrejtë që të të hyjë drejt e në zemër. Prandaj princesha i shmangej shoqërimit me këtë grua që solli babai në shtëpi dhe shkonte shpesh te pema e madhe e lotonte.
Fatkeqësisht, kureshtja e njerkës për largimet e shpeshta të vajzës së vogël zbuluan faktin që lotët e saj ishin prej margaritari..kur vdiq nëna/pushova të jem/ fëmijë e tim eti/u rrita nga mjesi deri në darkë… sepse…nana kur u bo me fmijë/harroj se ishte edhe gru/u braktis prej babe/baba kur u kujtu se ishe edhe burrë/iu kthye asaj/e na /jemi kon t'endun veç prej ni dore/dallohet trajta ….
Gruaja që pruri babai ja dinte vlerën margaritarëve, prandaj pasi i mblodhi të gjitha ato që kishte lotuar princesha nëpër rrëzë pemësh apo cepa muresh, filloi ta mundojë vajzën më tepër me qëllim që ajo të lotonte gjithë ditën. Kështu ajo bëhej e pasur nga lotët e princeshës së vogël.
Vetkuptohet që babai i princeshës nuk shikonte gjë, sepse…Për ditë t'nones/ka ditë që babës iu ka skamnu shikimi/dhe kujton se asht i sëmurë/hukatë mbi xhamat e syzeve e m'vet/a din me ia knu nonës ni Ja-sin/mungesën tane e lexoj n'sytë e tij/e ai ankohet se ni vesh po i knon si shpesh/unë mar për Ty ndër dhambë nji kangë/s'i radiot e vjetra me ushtimë/as ai s'kursehet/me zonin e tij shterrak m'bjen n'refren…
Pricesha vajtonte në verë, princesha vajtonte në dimër…hej dimen/s‘kom zemër t‘përshtatshme për motin tand/asaj shpejtë i ngrin pështyma…
Por erdhi një ditë që princesha nuk po vajtonte më për nënën. Jo vetëm që nuk vajtonte, por çudi e çudive ajo këndonte gjithë ditën… nuk po trishtohem/kur po m’shpeshtohen/vijat e imta nër sy/janë udhë për gëzimet/që dojnë me u kthy…madje shpesh këndonte e vallzonte njëherësh...…ngo ti zemra jeme/mirë që s’banon/me mu/se unë do t‘përlahesha me gotën që ti pi/se ajo ta preku cepin e buzës/do të zihesha me briskun e rrauzes/që ta përshkon arrën e gushes/mënia jeme do t‘dokej fushës/Hej dije/edhe pemtë e kopshtit do ti preja/mos me t‘zatet me hije/as me pikat e shiut/n‘ujdi s‘do t‘bija/që ranë mbi t‘prekmet e mija/për orët që do t‘mungoje/ do ta rrisja qiranë/me mjekët në rast se sëmuhesh/do ta ndezja belanë/edhe për majthat e gishta -ve / me rezen e derës/me t‘shejtin shpend t‘verës/që t‘kapercej pa m‘vetë mu/me krejtë isha idhnu / dhe për inatë/me ton ata që besojnë n‘zot/do t‘boja shamatë/se nën kulmin tem/puthem me perendinë ditë e natë/ngo ti zemra jeme/mirë që s‘banon me mu/po n‘mu…
Gruaja që pruri babai u tmerua. Jo vetëm që spo gjente më margaritarë loti por vajza nuk kishte ndërmënd të ulej e të vajtonte ndonjëherë. Atëherë me shkak e pa shkak e rihte, por edhe rahja s’bënte fajde. Princesha e vogël këndonte e fluturomte në valle me fluturat..mundet një flutur e bardhë/për pak/t‘ia prish të zitë natës/dhe ajo për pak të harroj/se është vejushë…
Atëherë gruaja e dytë që pruri babi e kuptoi që princesha e vogël nuk ishte më aq e vogël. Ishte rritur dhe kishte rënë në dashuri dhe i këndonte dashurisë së saj. Dha e mori çfarë të bënte dhe …e mbylli në dhomën e saj që të mos dilte….Atëherë lot të hidhur i dolën nga sytë princeshës, lot që çuditërisht sa binin në dysheme, shndroheshin në diamantë, të bukur e të fortë. Por princesha e vogël s’kishte sy të shikonte diamantët. Ajo i shtynte dhe i mbulonte me hirin e vatrës, poshtë druve që digjeshin ngadalë…. Na dyja/Ku e thej qafen hana /athu ku/ka ik sikur t'sh kon çikë/atëhere kur flejnë gjithë gjinja e shpisë/dhe krejt me kast i le nallanet n'derë t'avlisë/veç sa me u dok qe shkoj mas dashnisë/…/Ku e thej qafen aq me ngutë/unë gjithë me 'to jom nda butë/edhe atëhere kur del gjys e kafshume/edhe kur plotnohet për ulk/qielli met pa hanë/e unë pa ty/netët ka me i mlu zija/n'andërr e linda një fëmijë t'pa baba/tash që asht terr nuk m'shohin /se dyfishohem veç nga hija… dhe vajtonte se…Prapë kallnori/ra n‘dimen/e na/tek a tek n‘kallnor…prandaj ajo vajtonte... e lash/zemrën pa e kurdis/mos ta kuptojnë që s‘je/se plas…
Dhe ashtu e mbyllur në dhomën e saj, e mësuar tashmë me dhimbjen, i çonte djalit fjalë dënese me vargjet…unë ia përsërita pa fund/erës/fjalë për fjalë këto që shkruaj/s‘di nese të tha/se kodra e vetme e thinjur/që dukej mal/qe mjekrra e jote/murgeshat e gojës time/ishin pushtueset e vetme të atij manastiri të vogël/e vetmja faltore e fesë time të madhe/e shëndrruar gërmadhë kujtese/nuk di nëse të tha/se në këtë vend stinët se plakin barin…
E mbyllur në shtëpi, bisedon me dashurinë…/Unë i veta sytë/veti edhe ti tut‘/a dojmë me u kqyrë/dej n‘mjedis zemre /a veç deri n‘hudut/kallxom ta di/t’mitë ku ti maj/n‘gaz apo vaj…
Por zemra beson në dashuri… zemra jeme don me besu/se me borën permi kry/se denojnë as bjeshken/ajo bjen se don me u shkri / përmbi zjerm t'heshtun/beson zemra jeme e bardhë /si janari/se dashnija e saj /asht e kuqe si tetori/…dhe se tramdhjetë muej i ka kalendari….
Dhe parafytyronte jetën…/Mëngjesi doket si gru e re/met e ve/qe nuk i bindet petkut t'zis/vishet gri/th'u se e ngulfatë nyje e shamisë/../asht nji mister/dita thinjet pa dal/dilli nuk lindë veç del/ovali i tij ka ndryshu/mundesh me puth/me prekë pa u djegë/../Përmasa e dritës a cenu/as zog as dushk s'pipëtinë/dhe nuk mjaftueka vetëm kaq/u qorr diku dilli n'zjarmi/kam bindjen /se me kast e dështon lindjen/e dy sy bore metën pa u shkri....
E mbyllur princesha duronte e duronte, ndoshta fati i ndryshonte një ditë…durimin e m'sova me bombone/qe n'fmini/na ipnin nji për dy gojë/kështuqë se pata zor as me ty/se as zogu si ipet krejtë erës /pa i bo lojë/gjysmën e run n'pendla /krejtë tjetër fare/krejtë tjetër bojë…
Kështu e kalitur me durim, kujtimet dhimbshëm i vargëzon…në raftin e gjërave të imagjinuara/do ta vendos kujtimin për ty/asnjëhere nuk do ta rrefej për të ngjarë/do ta tregoj sikur të ishte përrallë/Ty nuk do të përshkruaj në ishe burrë/as vetën grua/por të shpërbërë nga era/se kujtoi që isha gurë…Nuk ka faj, dashuria të sëmur shumë rëndë, të dobëson e të zverdh…me polen luleradhi-qesh /jam njëllos/doktor nuk jam e sëmurë nga verdhëza/ka ditë që pres s'i shkronja (i)/pikën mbi kry …
Princesha vajtonte dashurinë e humbur apo dashurinë e grabitur, quajeni si të doni…rrugës për te ti/dashurinë ma plaçkitën hajnat/s'i kuleten/së pari e përmbysën /nga palët ia nxorrën sytë/ pastaj të gjitha me radhë/ajo tashmë ka humbur ndjenjë/nuk i identifikon /as ata /as mua/as ty… dhe në vetmi ëndëron.….s’di pse mes andërre/këputet nji kopsë e këmishes/edhe nji yll/dhe kërkoj ti rishoh…. dhe lutet në heshtje,si në kishë… a do të flasësh më shpesh/nese të tregoj/se trupi im/ka gjunjë që thyhen/nga timbri i zërit tend/dhe hije të ngjyrosur /nga po ajo ngjyrë zëri…
Nuk e di si vazhdoi përralla e gjyshes sime, ose mua më zuri gjumi duke parë ëndra të diamantëta, ose gjyshja ime fjeti duke më lënë që ta vazhdoj vetë përallën, por në një kohë të mëvonëshme kur të kem nipër e mbesa pranë. Ndërsa tani që kam poezitë e Peso Pem’zës ju them se ajo është vërtet “Princesha e metaforave” sepse ajo “loton” metafora nëpër poezi dhe se metaforat e Peso Pem’zës kanë si veçorinë e tyre karakteristike bukurinë dhe forcën, tamam si diamante. Dhe një bukuri dhe forcë e tillë e ka burimin te shpirti i autores. Ajo e ka poezinë pjesë të jetës së saj, dhimbje të dhimbjes së saj, lot të zemrës së saj.
Dhe këtë shkrim të thjeshtë ja afroj poetes si një sup miqësor ku të mbështesë kryet gjatë dënesjeve dhe lotimeve të saj, pa patur frikë se mos ja grabitin diamantët dhe margaritarët prej loti, si njerka e përallës. Për këtë, ka besën time.
Comments