(Çast lirik)
Udhëtojnë ngadalë
mbrëmjet e largëta.
Ngjyrat e botës, të zhdukura moti,
vijnë në pasqyrën
e perëndimit të diellit
me buzëqeshjet e harxhuara
të muzgut të jetës.
Të strukura në arkivin e kujtesës
lëvizin thesaret e fshehura,
mr fjalët që kam thënë,
të prekura me dashuri,
me përqafimet si
si hije që kalojnë,
me rëniet, me qeshjet e ringritjet
me rrëfimet e ndaluara
në librin e kujtesës,
ku koha ngrin si akull polar.
Vjen një thirrje, një zë i lartë,
kur shpirti lartësohet
duke ndjerë thellësitë
e së shkuarës së madhe.
Është një yll
që s’ka humbur asnjëherë.
(18 shtator 2024)
Comentários