top of page

Prend Buzhala: MEMENTO PËR ASTRIT BISHQEMIN



Para dy ditësh shkoi në amshim në moshën 81-vjeçare shkrimtari për fëmijë e studiuesi i zellshëm i po kësaj letërsie, Astrit Bishqemi nga Elbasani (8 korrik 1943- 6 janar 2025).

I.

Të rrallë janë emrat si i Astrit Bishqemit që ia ka kushtuar një jetë të tërë pasionit për letërsinë për fëmijë. Aq shumë ura ka ngritur midis botës së fëmijëve dhe botës së të rriturve, aq shumë studime e shkrime ka bërë për vepra e shkrimtarë! Dhe, Ai, studimin e letërsisë për fëmijë e konsideronte mënyrë jetese; përmes shkrimeve e veprave të tij shfaqej në një tjetër pamje letërsia jonë, me ide e vlera, që barten nga brezi në brez. Ndryshe, me kuptime më të pasura, në shkrimet e tij shfaqeshin imagjinata krijuese e shkrimtarëve dhe bota e fëmijëve, vlerat e kësaj letërsie si mjet edukues dhe mundësitë për ta zhvilluar dashurinë për botën dhe për njerëzit. Ai ka studiuar me thellësi shkrimtarët që kanë ndikuar në mendjet dhe zemrat e fëmijëve, ka analizuar kontekstet shoqërore e historike që i kanë ndihmuar ata të rriten dhe ta kuptojnë botën në mënyrë të thjeshtë, por gjithashtu të thellë. Me sa pasion çmonte secilën vepër letrare, secilin shkrimtar, madje, edhe secilin shkrim që i kushtohej kësaj letërsie! E bënte këtë për ta kuptuar thellësinë dhe ndjeshmërinë për vlerat krijuese që dhuron jo letërsi. Për të nuk kishte autor të mënjanuar apo të paragjykuar dhe ky ishte një virtyt i rrallë i punës së tij dhe jetës, në gjithë thjeshtësinë e tij proverbiale.

Duke qenë për një jetë të tërë mësimdhënës, pedagog dhe drejtues shkollash, redaktor gazetash e librash dhe ligjërues, ai ka ndarë dijen dhe pasionin e tij së bashku me studentët dhe kolegët, me fëmijët dhe prindërit, me shkrimtarët dhe botën e madhe të lexuesve. Ka qenë gjithashtu një udhërrëfyes brezash për ta përjetësuar këtë letërsi.

II.


E pasur është trashëgimia që la pas, e shtrirë në vepra dhe studime: në novela dhe romane për fëmijë, në vëllime me tregime e përralla, në shqipërime nga gjuhlt tjera dhe në skenar filmash. dhe, sidomos, në hartime tekstesh për arshinin themelor si bashkautor tekstesh për arsim. Kur përpara e kemi këtë mozaik kaq të pasur e të larmishëm; e gjithë kjo veprimtari e gjerë flet për shpirtin e fëmijëve, për ëndrrat dhe për jetën e përditshme; vepra dhe përralla që kanë ushqyer imagjinatën e shumë brezave të vegjël; shqipërime të kujdesshme nga gjuhë të tjera, që kanë hapur dritare të reja për fëmijët shqiptarë ndaj kulturave dhe traditave të tjera; dhe, për më tepër, skenarë filmash që i kanë dhënë jetë karaktereve dhe botëve që ka krijuar me fjalën e tij.

Mirëpo, ajo që e bën këtë trashëgimi edhe më të çmuar dhe të jashtëzakonshme, është ndikimi i tij në arsimin dhe edukimin e brezave të rinj. Studiuesi, përveçse një autor dhe hulumtues i thellë, ishte gjithashtu një mentor dhe udhëheqës i papërsëritshëm në fushën e arsimit. Ai ka qenë pjesë e themelimit dhe zhvillimit të teksteve shkollore për arsimin fillor, si dhe ka pasur një rol të pazëvendësueshëm në krijimin e grupeve dhe bashkëpunimeve për përgatitjen e materialeve mësimore.

Bashkëpunimi i tij me autorë të tjerë dhe ekspertë të fushës ka krijuar një rrjet të fortë të dijes, ku arsimi për fëmijët dhe letërsia për ta janë zhvilluar dhe formësuar me qartësi dhe ndjeshmëri.

Lexuesi i vëmendshëm e vëren se te punimet e tij si studiues i letërsisë, ai përqendrohet vazhdimisht në formimin e karakterit, mendimit dhe vlerave të fëmijëve të rinjve që do ta ndërtojnë të ardhmen e shoqërisë. Puna e tij ishte gjithmonë në shërbim të një misioni të madh: të kontribuonte në rritjen e brezave sa më të aftë dhe të hapur ndaj ndryshimeve dhe mundësive të reja që ofron jeta dhe koha.

Në këtë drejtim, do veçuar veprat me karakter sintetik studimor si "Historia e Letërsisë shqiptare për fëmijë" (Sh.B. Sejko, Elbasan 2001) i zgjeruar e i botuar edhe me titullin "Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rin", si botim i tretë. Në këtë korpus veprash hyjnë edhe tekstet tjera me karakter studimor, si "Letërsia për fëmijë" (pjesa I: Teoria) - Sh.B. Sejko, Elbasan 1997, "Letërsia për fëmijë" (pjesa III: Nëpër botë) - Sh.B. Sejko, Elbasan 1999, "Histori e letërsisë botërore për fëmijë" [Botimi i dytë i tekstit të 1999-s, por i zgjeruar: i rishikuar e i plotësuar] - Sh.B. Sejko, Elbasan 2006, "Historia e Letërsisë shqiptare për fëmijë [Botimi i dytë i tekstit të 2001-shit, me pak ndryshime] - Sh.B. Sejko, Elbasan 2004", "Histori e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj" [Botimi i katërt i tekstit të 2001-shit, por i zgjeruar: i rishikuar e i pasuruar rishtazi]- ShBLSh e RE, Tiranë 2014 etj. Le të përmendim kltu edhe "Nga ditari i një shkrimtari për fëmijë" - Sh.B. Sejko, Elbasan 2005, "Vlera të anatemuara…" (Gjurmime e studime) - Sh.B. Sejko, Elbasan 2005, "Autorë e tekste letrare, probleme e vlera… "- Sh.B. Sejko, Elbasan 2007, "Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj", 1886-2009 (Fjalor enciklopedik) - Sh.B. 2 Lindje & 2 Perëndime, Tiranë 2009, Astrit Bishqemi & Migena Arllati: Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, 1886-2017 [Botimi i dytë i leksikonit të vitit 2009, por i zgjeruar: i rishikuar e i plotësuar]- Shoqata e intelektualëve “Jakova”, Prishtinë 2017. Sikundër vërehet nga vetëm këta tituj, është hera e parë që një autor e vështron letërsinë për fëmijë nga shumë kënde, duke mbushur një boshllëk të këtyre fushave që na ka përcjellë deri në kohën tonë për shekuj e dekada.

Nga krijimtaria e tij e gjerë letrare për fëmijë, po veçojmë romanin "Klik: Rrapatushët" në katër vëllime (i botuar më 2007, nga Sh.B. Extra, Tiranë).

Larushinë tematike dhe stilistikën kompozicionale të prozës së tij, e karakterizojnë kapitujt e ndërtuar herë si rrëfenja, herë si përralla, herë si çudi, herë si zbulime, herë si reportazhe letrare, si ëndrra e zhgjëndrra. Astrit Bishqemi botoi romanin “Zemër, o bir!” (1999), në të cilin një fëmijë, Rubini, është nxënës i klasës së shtatë, izolohet, se vuan nga zemra, por nuk dorëzohet para vështirësive e depresionit psikik të viteve ’90. Autori bën portretizime realiste të fëmijëve, por arrin t’i demitizojë idhujt e rremë të një kohe që perëndoi. Është roman realist.

III.

Erdhi disa herë në Prishtinë, në sesione shkencore kushtuar letërsisë për fëmijë që i organizonte Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë "Agim Deva" apo në promovime veprash. Kishte miq të shumë këndej. Vetëm po veçoj që ndër shkrimet e tij, ka informacione e vlerësime edhe për librat e mi me punime kushtuar letërsisë për fëmijë, si dhe vlerësime për veprat për fëmijë të Gjon Gjergjajt, për veprat e të cilit interesohej vazhdimisht, ashtu siç ka vlerësime, pothuajse, për shumicën e shkrimtarëve të Kosovës që kanë krijuar e krijojnë për fëmijë a

Herën e fundit që u takuam, ishte më 22 dhjetor 2017, në përurimin e leksikonit të tij "AUTORË TË LETËRSISË SHQIPE PËR FËMIJË E TË RINJ 1886- 2017" në bashkautorësi me Migena Arllatin, ku pata një kumtesë me titullin “NJË UDHËRRËFYES INFORMATIV- ENCIKLOPEDIK MBI LETËRSINË TONË PËR FËMIJË”. Këtë punim e pata botuar në gazetat që dolën deri para disa vitesh në Kosovë dhe e kam përfshi te vëllimi i tetë i kritikave letrare “Në aktin e leximit” *botoi “Rozafa”, Prishtinë, 2018).

Në shenjë nderimi e homazhi për të, po e publikoj të plotë këtu.




-----------------------

-----------------------

NJË UDHËRRËFYES INFORMATIV- ENCIKLOPEDIK MBI LETËRSINË TONË

PËR FËMIJË

(Astrit Bishqemi dhe Migena Arllati: “AUTORËTË LETËRSISË SHQIPE PËR FËMIJË E TË RINJ 1886 – 2017”, Shtëpia botuese Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA”, Prishtinë 2017, botim i dytë)

Astrit Bishqemin publiku ynë në Kosovë e njeh nëpërmes vëllimeve të mirëfillta studimore voluminoze kushtuar letërsisë për fëmijë. Kësisoj, në bibliografinë e veprave të tij, që përafrohet rreth numrit 90, hyjnë vepra të letërsisë për fëmijë (poezi, romane, ilustracione, novela, tregime, përralla, po edhe shqipërime), hyjnë rreth 32 tituj të vëllimeve në fushën e studimeve të letërsisë për fëmijë, si dhe tri tekste universitare kushtuar letërsisë.

1.

Nga e gjithë kjo veprimtari kaq e dendur dhe e pasur në këto fusha, ne po veçojmë titujt e studimeve letrare e të teksteve universitare, si "Nga ditari i një shkrimtari për fëmijë" (2005), "Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë" (1997, ripunuar 2004), "Eja ta lexojmë bashkë një vjershë" komentar (1998), "Letërsia botërore për fëmijë" (1999, 2006), "Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë" (2001, 2008), "Vlera të anatemuara... - gjurmime e studime" (2005), "Autorë e tekste letrare- probleme e vlera" (2007) dhe "Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj" (2009).

Duke e parë këtë krijimtari kaq të gjerë diskursive, që në fillim shtrëngohemi të pohojmë se ky autor, deri më tash, mbetet studiuesi më i përkushtuar i letërsisë sonë për fëmijë. Do theksuar edhe fakti me shumë vlerë, se Astrit Bishqemi, përpos që punoi pedagog në shkolla fillore e të mesme, ai ka qenë redaktor revistash e botimesh të shumta letrare për fëmijë,, si dhe ligjërues i letërsisë për fëmijë në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, angazhim që e kryen edhe tani.

Te vëllimet "Letërsia botërore për fëmijë" (1999, 2006), "Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë" (2001, 2008), "Autorë e tekste letrare- probleme e vlera" (2007) dhe "Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj" (2009, 2017 në bashkautorësi me Migena Arllatin), autori ka arritur jo vetëm të përfshijë problematikë të gjerë e të shumanshme të letërsisë për fëmijë në përgjithësi, dhe të letërsisë shqipe në veçanti; por ka realizuar me sukses edhe thellësinë e kundrimit të kaq e kaq shumë çështjeve, ka arritur të ngjallë interesin e shkrimtarëve, pedagogëve, studentëve të shtresave tjera të lexuesve për prodhimin e kësaj letërsie; të zhvillojë prirjen dhe aftësinë e vlerësimit kritik e studimor të teksteve letrare për fëmijë; të ringjallë, zgjerojë e thellojë prirjet për analiza e sinteza për interpretime të këtyre teksteve; të komentojë e analizojë me saktësi e akribi diturore nocionet themelore e të gjera për letërsinë për fëmijë e të rinj.

2.

Leksikonin "Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj 1886-2017) autorët e quajnë Fjalor enciklopedik. Përgjithësisht, leksikonët dhe enciklopeditë e ndryshme janë projekte të mëdha të kulturave dhe civilizimit evropian. Janë shkronja e parë nga A deri në ZH e një elite kulturore dhe nacionale.

Kësisoj, ky leksikon kaq voluminoz, përfshin 1096 autorë, më i ploti deri më tash për sa i përket letërsisë për fëmijë.

Gjithsesi që, edhe kriteret për ta hartuar një leksikon të tillë, kanë qenë të ndërliqshëm. Meqenëse puna e një Fjalori të tillë është të japë informacionin, atëherë fillimisht, Bishqemi dhe Arllati sqarojnë me të drejtë dallimet midis nocioneve shkrimtar dhe autor e ku autori përfshin një koncept më të gjerë. Ndiqet ana sasiore e jo cilësore, sikundër theksojnë bashkautorët. Jepen dhe informacione me interes për punën që kanë bërë autorë e studiues të përparshëm në këtë drejtim, si Odhise Grillo, Bedri Dedja, Agim Deva, Hasan Hasani etj. Vitin 1886, autorët e marrin si datë të botimit të librit të parë me letërsi artistike për fëmijë, “që u adresohej posaçërisht fëmijëve shqiptarë qe edhe i mëvonshëm. Duhet të prisnim vitin 1886, kur Naim Frashëri botonte në Bukuresht njëherësh tre libra të tillë, një me vjersha e dy me proza, që dilnin jashtë kuadrit të programeve shkollore. Ato përmbledhje, të cilat i kalonin caqet e teksteve shkollore, megjithëse u krijuan për këtë destinacion, titullohen:

- Vjersha për mësonjëtoret të para. Prej N.H.F. [Naim Frashëri]. Dritë, Bukuresht 1886

- E këndimit çunavet këndonjëtoreja.Copë e parë. Prej N.H.F. [Naim Frashëri]. Dritë, Bukuresht 1886

- E këndimit çunavet këndonjëtoreja. Copë e dytë. Prej N.H.F. [Naim Frashëri]. Dritë, Bukuresht 1886

Ndaj, mendojmë, ky vit, 1886-a, është një piketë starti dhe duhet të gdhendet si fillim i bibliografisë artistike shqiptare për lexuesit e moshave të njoma.”

Përpos mbarështimit të tillë historik-kronologjik e tematik, Bishqemi (hartues edhe i Parathënies), zbërthen edhe probleme të ndërliqshme të nocionit letërsi për fëmijë në rrafshin historik dhe teorik-letrar, në sinkroni e diakroni; pastaj shqyrton problematikën e kriterit të moshës, si dhe aparaturën përcjellëse të ndërlikueshmërisë së informacionit sistematizues. Përfshihen autorë që nuk janë përmendur në leksikonët e përparshëm, përplotësohen me botimet e dekadës së fundit deri te ky vit, veçohen botimet për fëmijë nga ato për të rritur. Meqenëse këtë informacion nuk kanë të plotës bibliotekat tona nacionale e publike, ky Fjalor do t’iu hyjë në punë shumë edhe atyre, do t’iu vlejë edhe studiuesve të letërsisë, edhe mësuesve, të fillores.

Ky leksikon tashmë legjitimohet dhe identifikohet si dokument përfaqësues i letërsisë sonë për fëmijë e të rinj. Të gjithë këta, për një kohë të gjatë, kanë shfaqur dëshirën ta kenë një fjalor të tillë. (22 dhjetor 2017, Prishtinë)

IV.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

Ngushëllime të afërmve dhe kolegëve të tij!

(8 janar 2025)

13 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page