top of page

Pozaet Qose: Cikël me poezi



 

NJË ZOGU

 

Më jep një këngë, se m’u shkretua shpirti,

Të jap një përkëdhelje në këmbim.

Kjo udhë e verbër, që ka pamje sfinksi,

Ne na flijon çdo çast për argëtim.

 

Këndo, si frymë e shenjtë, o zog i vogël

Dhe ftoje bukurinë të të vijë pas,

Të shkrijmë akullnajën, që vetë sollëm,

Si udhëtim të marrrë e të pafat.

 

SIKUR JETA IME...

 

Sikur të soste nesër jeta ime,

Sepse ashtu qe taksur ora e fatit,

Një peng do të ndriçonte pranë çdo thinje,

Si territ syri i ftohtë i diamantit.

 

Në krahë do të më merrte ato çaste

E do më çonte pyjesh të pashkelur,

Ku hëna ketrat ndjek me gaz prej vajze

Dhe bishtat ua puth me shpirt të dehur

 

Sikur të soste jeta ime nesër,

Si një gotë ujë, e pirë në zheg të verës,

Për  epitaf  do doja sytë e erës

Dhe flokët e dëborës, lotë të kthjellët.

 

PEIZAZH PRANVERE NË QIELL

Hapësirë e pasosur me bar të kaltër,

Përmes të cilit harbon shpenguar një kalë ëndrre,

Që nuk hingëllin si të gjithë kuajt e tokës,

Por cicëron si zogjtë.

 

Lumenj të ndritshëm,

Që rrjedhin drejt humbjes së vetes.

 

Kope shtegtuese resh,

Që tundin këmborët e shfytyrimit.

Gjithçka i ngjet pranverës në tokë.

 

I mungon gjë vallë?

Ah,  dhe një çift,

Që puthet në stolin e syve të mi.

Pranvera s’është më prej gënjeshtre tani.

 

DERI KUR...?

Deri kur një dorë e dridhur

Do më zgjatet si një dhembje,

Si një ëndërr e këputur

Nga gërshëra e urisë?

 

Deri kur në pika loti

Do të lahet botë e vjetër

Dhe pas larjes do të mbetet

Më fatkeqe, më e pistë?

 

Deri kur një dorë e dridhur,

deri kur një pikëz loti

Do të jenë varr i gëzimit

Në një hon të çmendurisë?

 

TIP BALADE

 

Në një rrugë, ku nxijnë paratë,

Atje, ku ndodhet një bankë,

Na u gjend një rob i vrarë.

 

Ju, o njerëz, të zes korba,

Hani kohën sa të doni,

Sytë e zes mos m’i qërroni,

Në më vratë... mos më shëmtoni.

 

Motër, moj e mira motër,

Sa ditë zi do të mbash për mua?

Sa t’i shtien pemët gjethet.

 

Grua, moj e ëmbla grua,

Sa ditë zi do të mbash për mua?

 

Sa t’i vë një firmë çekut.

Nënë, moj e zeza nënë,

Sa ditë zi do të mbash për mua?

Sa t’i zbardhen pendët  korbit.

 

Në një rrugë, si hon i marrë,

Humbi jetën një i vrarë.

 

HANDIKAP FATAL

 

Rrojmë në shekull të atomit,

Kemi mendjen e majmunit.

Kur s’e gjejmë shtegun e fjalës,

Trokasim te portë e plumbit.

 

Ne i marrim ditës dritën,

Hënën natës peng ia marrim.

Jemi orë e verbërisë,

Për akrepa kemi djallin.

Rrojmë në shekull të njeriut,

Kemi mendjen e largqoftit.

 

Veç një çast të ishim ndryshe,

Do dilnim nga streha e lotit.

 

POEZI ME RIMA FOLJORE

 

-Ose shenjë e arratisë së poezisë –

 

Unë do ta ngre, për ty malin, do ta ngre,

Dhe përmbi  të do të të vë e do ta bëj.

 

Do të të them çfarë  je aty e çfarë nuk je,

Do të të them se ç’do të bëj e ç’do të zhbëj.

 

Larg do të shkoj, sërish pranë teje do të vij,

Dhe do të flas e prapë si ketër do të hesht.

 

Të pëshpëris? Tronditshëm, do të ulërij,

Do të vajtoj, pastaj plagosur do të qesh.

 

***

 

Dhe, kur t’i kem bërë të gjitha nëpër çmendje,

Do të marr frymë syvëngër, i paflokë,

Se poezinë e bëra zemrën tënde,

Që s’dihet në ka qenë  dikur mbi tokë.

 

RRËFIM PËR DASHURINË.

 

Agimet kishte sy dhe flokët si mëndafsh,

Ndërsa për buzëqeshje, margaritarë e mjaltë.

 

Në hon të asaj zemre më shkau këmba, rashë…

 

KOPËSHTI I POETIT

 

Një ditë mbolli në kopështin e tij disa deputetë,

Por asnjëri prej tyre nuk mbiu.

 

Duhej të kishte qënë fara e prishur,

Me siguri.

 

Në një kënd të tij mbolli dhe disa kryeministra,

Por ata i dolën kunguj.

 

Poeti u përlot për kohën e humbur.

Nuk guxoi të mbillte atje ndonjë president,

Se pati frikë mos i dilte kallash apo tritol

 

Në rrjedhën e ditëve.

Eh, ky kopështi i poetit, me plot çuditje!!!

10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page