top of page

Portreti i atdhetarit të europianizuar


Prof. dr. Begzad Baliu

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”


Fatmir Terziu – portreti i atdhetarit të europianizuar

Prej vitesh kam lexuar në shtypin elektronik dhe të shkruar poezi, proza, mendime kritike, artikuj të karakterit popullarizues, analiza politike, shoqërore e sociokulturore të Z. Fatmir Terziu dhe kur më pak e kur më shumë kam shkruar në faqet a sirtarët e tyre edhe ndonjë vlerësim a koment për vlerat estetike të këtyre teksteve dhe ndonjë fjalë nderimi për autorin e tyre.

Gjatë kësaj kohe ndër botimet tona në Prishtinë e në Tiranë, gjithashtu kam mundur të lexoj edhe vepra të shtypura në fushë të krijimtarisë letrare dhe në këtë mënyrë kam krijuar një pamje më të plotë të portretit të krijuesit, i cili filloi punën prej edukatori në vendlindje dhe arriti kulmet e tij në një nga qendrat më elitare në Evropë, në Londër.

E kuptueshme. Fatmir Terziu e ka nxënë në rininë e hershme të tij në Elbasan e Tiranë atë që mund të arrihej në atdheun e tij: diplomën e edukatorit dhe e ka ushtruar atë që nxihej atë kohë në Tiranë, zejen e gazetarit. Por me të arrirë në Londër, ka krijuar gazetën e tij të lakmuar qoftë për vlerat e shumta, qoftë me misionin: gazetën Fjala e lirë; si dhe ka arritur ta zotërojë atë që mund të arrihej në Londër, diplomën e magjistraturës dhe të doktoratës, si dhe të themelojë faqen e tij të pavarur, blogun e pasur Media Information Production.

E parë në tërësi, portreti i tij jetësor, qytetar, intelektual, krijues e profesional, është vështirë të dimensionohet lehtë, por e parë në kuadër të sistemit që ka krijuar, mund të themi se ai ka ditur të ndërtojë korpusin e jetës dhe të veprës së tij duke i dhënë përparësi të nxënit profesional në Londër, në njërën anë, dhe përzgjedhjes e shpërndarjes së krijimtarisë së tij në disa rrafshe: publicistikës në perëndim dhe krijimtarisë letrare në Shqipëri. Në të parën, të nxënit e dijeve të reja në Londër për të krijuar identitetin e qytetarit të vlerësuar, të besuar, të nderuar e të angazhuar; në të dytin, trajtimin me kompetencë të temave edhe për publikun joshqiptar; dhe së treti, në sjelljen e prirjeve të reja letrare e artistike nga letërsia e krijuar në perëndim.



Në korpusin e veprës së tij zotëron vepra letrare në poezi dhe në prozë: Mos hesht (2000), Djalli i Argadasit (2003), Ecje në qelq (2005), Krokamat (2006), Integrimi (2007), Misteriozja (2008), Kohëbota (2010), Eagles Voices (2010), Lumenjtë e ëndrrave (2011), Lotët e Virgjër (2011), Rrëfenjat e Xha Avramit (2012), Grykës (2012), Bunari (2012), Kojrillat (2013), Borxh ajrit (2013), Zjarri është Blu (2016) etj. Më tej shohim veprat studimore: Parametric Narration në filmat e Norman Wisdom (2007), Kritika ndryshe: Një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare; Pjesa e parë (2009), Kritika ndryshe: Një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare; Pjesa e dytë (2011), Një sy pas në letërsinë për fëmijë, Disimetria, universaliteti, oksimoroni, (Anti)misigonia studime (2016), Writing the dictatorship: reuse of myth in Ismail Kadare’s work (2016) etj., veprat me ese dhe studime në të cilat shquhen studimet e njëpasnjëshme për Stjuart Manin dhe sidomos ato për veprat e Ismail Kadaresë, sikur janë: Kadare dhe disidenca e tij, Bukuria mashkullore dhe tregimi i Kadaresë, Ferexheja si nocion kulturor në tregimin e Kadaresë etj.

Ata që më pare se sa angazhimet letrare të tij në fushë të poezisë, të prozës dhe studimit në fushë të letërsisë shqipe, duan ta shquajnë personalitetin e tij prej studiuesi në rrethet shkencore ndërkombëtare të Fatmir Terziut, është mirë të kenë parasysh kumtesat dhe kapitujt e vëllimeve shkencore në botimet akademike ndërkombëtare: Global Art Cinema: New Theories and Histories (2010), Oxford University Press), Something beautiful for God: Mother Teresa of Calcutta; Academic Research International Vol. 1, No. 3. November 2011; International Journal of Academic Research, Vol. 3, No. 5, September 2011 etj.

Le të kemi parasysh faktin se autori ynë Fatmir Terziu një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij ia ka kushtuar fushës së televizionit, qoftë në fillimet e tij prej gazetari, qoftë në projektet e tij prej editori e regjisori në Angli, por duke ruajtur gjithnjë e më shumë temën, përkatësisht motivet kombëtare. Le të theksojmë këtu dokumentarët: Clouds of Smoke (Retë e Tymit) është përzgjedhur nga Festivali i Filmit të Pavarur në New York (2007), Trokamat në jetën e një pene (2003), Footsteps in the life of a writer (2006), Në Kosovë, andej nga Kulla e Jasharajve (2004), Rivermusic (2003), Capoeira (2005) etj., po edhe filmat e metrazhit të shkurtër: Windy Corner (Rruga e Erërave), Think Again!, Sentimental Journey, Pencil and Computer (me çmim dhe vlerësime nga BBC), One Egg.

Shkrimtar, publicist, studiues e filmbërës në hapësirën kombëtare, në mjediset nacionale të emigracionit shqiptar dhe në rrethet kulturore e shkencore europiane e më gjerë, Fatmir Terziu është çmuar prej institucioneve kombëtare e ndërkombëtare me dhjetëra çmime manifestimesh e konkursesh, si dhe me fjalë nderimi nga shumë bashkëkohës.

Tani që kam në dorë edhe një vëllim tekstesh të mikut të tij, Timo Mërkuri, për një pjesë të krijimtarisë së tij, kam edhe një format të plotë të veçorive letrare, stilistike e shkencore të teksteve të tij, sado të rastit dhe të çastit qofshin ato.

Vëllimi me trajtesa, ese, kritika, shënime rasti e vlerësime momentesh i Timo Mërkurit merr formë nga një sërë tekstesh të shkruara në një periudhë aktivitetesh e leximesh të veprës së Fatmir Terziut. Aspak e rastit. Timo Mërkuri është intelektual i angazhuar gjerësisht në jetën kulturore të shoqërisë shqiptare. Ai është shkrimtar i frymëzuar nga lirika e Jugut, po edhe mbledhës i pasionuar i trashëgimisë popullore, si dhe autor i një numri esesh, trajtesash e studimesh mbi iso-polifoninë e Shqipërisë së Jugut.

Megjithëse në pamje të parë vepra e Timo Mërkurit nuk ka karakter të një sinteze monografike, në natyrën e përbërësve të saj të brendshëm, në rrafshin e strukturës së mënyrës se si i ka trajtuar disa aspekte të jetës, angazhimeve, veprës, motiveve dhe madje hapësirës së saj, këtë vepër e bëjnë një qark të mbyllur. Përveç Prologut dhe Epilogut, për të marrë këtë dimension më të plotë si një qark i mbyllur, tekstet mund të radhiteshin në një format tjetër, sipas temave e jo sipas kronologjisë. Për më tej tekstet e tij nuk janë artikuj kritikë të natyrës klasike, ato janë ese, përsiatje, trajtesa, mozaiqe që përplotësojnë njëra-tjetrën, si të ishin piktura të copëzuara, që përbëjnë një tërësi, për të mos thënë madje sikur të ishin një pikturë, një skicë, një kroki, një peisazh etj., të cilat sipas një radhe janë vendosur brenda një kornize me shënimin hyrës: Na pëlqen t'i shohim të tjerët të zbulojnë gëzim në gjërat për të cilat ne kemi zbuluar gëzim, dhe gëzimi ynë rritet kur ata kanë lavdëruar atë që kemi ndarë. Këtë e shohim kudo.

Vepra hapet me një Prolog mirëseardhjeje për objektin e librit të Fatmir Terziut, duke e parë atë si një lajmës të perspektivës kulturore dhe referencës hapësinore në Sarandë dhe në Brigjet e Detit Jon. Banorët e bregdeteve janë të mësuar me lajmësit dhe për lajmësit. Madje janë mësuar me lajme më shumë tragjike se sa të lumtura. Lajmësit e tyre janë bajlozë, peshkatarë të humbur që i sjellë deti pas shumë ditësh, muajsh e vitesh: me frymë, gjysmë të vdekur, copa trupi sapo të ndara, kafka, këpucë deti, kapela dimri, copa anijesh me ca shkronja të shkëputura në gjuhën ilire, greke, romake, kelte, arabe etj. Legjenda, mite, tregime historike e gjysmë-historike ka edhe në zonat kontinentale, por heronjtë e tyre megjithatë kanë njëfarë pike reale, kryesisht bjeshkë, ndërsa heronjtë e miteve bregdetare kanë një pikë të pafundmë detare, atje ku bashkohen deti dhe qiell.

Tekstet e Timo Mërkurit vazhdojmë me një artikull mbi shpërthimin poetik të Fatmir Terziut, në të vërtetë për disa poezi të tij, të botuara në faqen letrare Fjala e Lirë; me esenë Të lexosh një poezi …. që në të vërtetë është një lundrim apo sikur thotë autori në nëntitullin posaçërisht të dëshiruar të temës së tij krijuese: Përsiatje mbi poezinë “Iso-ja e detit” e Fatmir Terziut. Në veprën jo pak të vëllimshme dhe jo pak hulumtuese për sinorin krijues të Fatmir Terziut, një hulumtim më vete përfaqëson teksti Kojrillat dëshmojnë krimin, që në të vërtetë është një kërkim shumëdimensional rreth romanit “Kojrillat” të Fatmir Terziut, me një hyrja sa historike aq edhe hyrje në romanin historik në lexim të parë dhe policor në realitet: Si sot 80 vjet më parë në afërsi të monumentit Cenotaph të Londrës u gjend e vrarë shqiptarja e bukur Zeinep Vlora. Bashkë me vrasjen e saj, erdhi heshtja, udhëtoi edhe një enigmë e madhe, sa diplomatike, aq edhe misterioze. Heshtja ishte dhe mbetet një mister. Po ku qëndron ky mister? Këtë e zbulon romani jolinear dhe tejet postmodern i shkrimtarit Fatmir Terziu. Nga leximi i parë deri tek fleta e tij e fundit e ndjeva të them këto radhë që mbesim edhe një arsye më shumë. Vdekja e vlonjates së bukur ndodhi në prag të Krishtlindjeve të vitit 1932....

Nëse në tekstet e para të këtij vëllimi theksi vihet në karakterin eseistik të veprës të Fatmir Terziut, në tekstet tjera bëhet një përpjekje për të marrë pjesë në diskutimin mbi karakterin letrar e estetik të veprave kryesisht poetike të tij. Në rrafshin e tretë përsiatja në një nga romanet e tij bëhet serioze dhe themelore në kërkimet tejshkencore të veprës së Terziut. Nëse esetë e tij fillestare kanë karakter ridimensionues në mendimin e Timo Mërkurit, tek poezia e objektit për trajtim të Fatmir Terziut shohim pasurinë mesdhetare të autorit në të gjitha përmasat e saj: mitet, legjendat, personazhet, hapësirën, motivet, mesazhet etj. Ndryshe, e kundërta, ndodhë në roman. Tema e madhe planetare mbështetet në një temë të veçantë kombëtare, në një nga personazhet historike të periudhës së pavarësisë shqiptare. Struktura e vëllimit të Timor Mërkurit sikur përmbyllet me esenë Studimi që kishte munguar (Përsiatje mbi librin “Joni Poetik 2” të Fatmir Terziut), në të cilën sillet një vështrim mbi letërsinë e këtij qarku me shkrimtarë, vepra dhe përbërës të tjerë të karakterit letrare e artistik.

Vëllimi më tej merr karakter referencial, një këngë, një vendbanim, një legjendë, një poezi, një varg, një ngjarje artistike dhe një vlerësim profesional, po edhe një përsiatje krijuese, intelektuale e estetike e Timo Mërkurit në tekstet e pagëzuara me titull jo shumë provokues: Mendime duke lexuar një poezi, Përshëndetje në manifestimin poetik “Trirema Joniane” në edicionin e X, Unë duartrokita i pari, Vargjet e bardha të një dashurie të ngrohtë Jugu, Të shkruash për ikjen e Atit... Për një mik dhe dekorimin e tij nga Presidenti, Kur poezia vjen nga brenda teje, Dhoksologjia e Atdheut, Ngjitje në poezinë moderne, Pandofla poetike e Fatmir Terziut, Bulkthi zhurmëmadh, Dashuria e Fatmir Terziut, Milingonat, Mëkati i pikturës, Thjeshtësia e një poezie moderne, Portreti i Duçes i gdhendur në shkëmb dhe poezia, Moderniteti i një melodie pagane, prej të cilave mund të krijohet një antologji e komentuar e veprës përfaqësuese letrare të Fatmir Terziut.

Mbaj mend kur kritiku, poeti e Profesori i Universitetit të Prishtinës Agim Vinca, në vitet ’80 botonte te gazeta studentore “Bota e re”, një poet, një poezi, një koment, në një të tretën e faqes së madhe të gazetës. Megjithëse gazeta ishte e studentëve, këtë seri autorësh të zgjedhur, poezish kryesisht me motive kombëtare dhe vlerësimesh të karakterit historiko-letrar, i lexonim edhe ne gjimnazistët dhe i përdornim në orët e lëndës së gjuhës shqipe, në Gjimnazin e Gjilanit. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, që mund të themi ju ka pri botimeve të sotme të komentuara në planin didaktik, sado ato tekste të Profesor Vincës, më parë se sa karakterin didaktik e kishin mesazhin estetik e kombëtar të tyre.

Me sprovat e këtij vëllimi, Timo Mërkuri, sikur ka hedhur edhe hapin e parë të një Antologjie të poezive të përzgjedhura të Fatmir Terziut. E, cili poet sot nuk do ta ëndërronte një sprovë të tillë, të poezisë së komentuar, në të vërtetë të një antologjie përfaqësuese të vargut të tij.

Prishtinë, 5 gusht 2023

123 views3 comments

3 commentaires


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
07 août 2023

I nderuar Profesor Begzadi,

Ju uroj dhe Ju përshëndes përzemërsisht për Esenë tuaj tepër mbresëlënëse që i keni kushtuar figurës së shquar të kulturës sonë mbarëkombëtare, Prof.dr. Fatmir Terziu, krijuesit të talentuar në shumë fusha të dijes, i cili, në Londër, në metropolin e kulturës evropiane, rrezaton krenari për çdo bashkëkombas në krejt trojet tona etnike dhe në Diasporë.

Me shumë respekt.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 07 gusht 2023

J'aime

Fuat Memeli: I dashur Fatmir

E lexova me shume kenaqesi shkrimin shume te bukur per krijimtarine tuaj gjithaneshme. Nga leximet e postimeve te tua, kujtoja se e njoh vepren tuaj krijuese, por ajo qenka shume e gjere. Te uroj shendet dhe “ pena plug!”, sic uron miku yne, Përparim Hysi.

Me shume respekt

Fuat Memelli

Boston

J'aime

Fatmir Terziu: Në rrjedhë të letrave, shkrimeve, njohurive, leximeve dhe përfitimeve reciproke të ushqimit shpirtëror dhe dijes, ka një botë që ndërtohet dhe meritohet vetëm nga pena që burojnë në shpirt e që metojnë me zemër. Natyrisht në këtë udhë ka ecur e udhëtuar perëndimi vite e shekuj të tërë duke mënjanuar ambiciet e sëmura e grindjet, mosrespektimet, e tjerrjet jonevojshme të xhelozive, por duke hapur shtigje që mbeten udhë për të Tjerët. Këtu meton me kohë përkushtimi i Prof Dr Begzadit, që natyrshëm meriton përshëndetjet dhe falenderimet e sinqerta, po aq sa dhe përkushtimi magjik e profesional i Timos, që vërtetn aftësitë të gjera të vlerave studiuese. Këpërcimi i shpejtë dhe i sinqertë tek mirrënjohja është thellësisht nga zemr…

J'aime

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page