top of page

Porosi për nipin tim të shtrenjtë




Meqenëse ime bijë kishte marrë me vete vajzën dhe kishte dalë të bënte pazarin, unë mbeta vetëm me nipin e vogël në shtëpi. Përfitova nga rasti dhe vendosa t’ia them nja dy fjalë. Më vonë kam frikë se do jetë tepër vonë.

-Dëgjo këtu, bir i gjyshit! - i thashë. Ti tani po rritesh dita-ditës, - këtë verë mbush dy vjet, - e gjyshi po plaket gjithnjë e më shumë. Mendoj se ka ardhur koha të t’i them nja dy fjalë që t’i mbash parasysh kur të jesh burrëruar e koha të të tharrasë në skenë si Skënderbeun.

-Gjyshi! - më drejtohet nipi dhe kërkon të më thotë diçka.

-Prit! - i them, ende s’kam filluar.

Nipi hesht dhe më sheh me sytë e bukur lutës.

-Për kopshtin, kolegjin dhe gjimnazin nuk kam ç’të të them sepse për këtë periudhë do kujdesen mami dhe babi dhe ata dinë ta bëjnë më mirë se unë këtë punë. Unë hallin e kam për më vonë, kur të kesh mbaruar shkollën e lartë, masterin dhe doktoraturën.

-Para se të kërkosh punë në profesionin për të cilin do të kesh shtrydhur trutë për vite me radhë, trokit tek zyra më e afërt e partisë në pushtet dhe mos dil prej andej pa teserën e antarësimit në parti. Personave që do të kenë nderin të të presin, premtou se do të jesh gjithmonë i gatshëm dhe shërbëtor i përulur i partisë. Thuaju që 24 orë në ditë do t’i shërbesh partisë, kurse pjesën që të mbetet do ta vësh në shërbim të vetes dhe familjes. Pasi t’ua kesh thënë të gjitha këto, si me marifet, hidhua fjalën tek puna që kërkon. Mos u thuaj që ke dalë me rezultate të shkëlqyera se ata vetë nuk kanë pasur kohë të shkollohen dhe bëhen xhelozë për rezultatet e tua e të përzënë pa një pa dy. Pastaj prit! Prit gomar të mbijë bar.

-Gjyshi, gjyshi…

-Po duro more i bekuar se nuk kam mbaruar ende!

Pasi të fillosh punë atje ku do të të çojnë, mos e mbaj mendjen tek rroga, por hap sytë të bësh ndonjë dallavere e të sigurosh ndonjë lek se pa lekë as qeni nuk t’i hedh sytë pale vajzat, e na mbetesh fillikat.

Gjyshi! - dëgjoj përsëri zërin lutës të nipit.

-Po prit more mistrec se kam edhe ca porosi të tjera.

Ndërkohë që nipi ul kokën si i turpëruar, unë vazhdoj:

-Nusen mos e merr nga anët e tua se andej të njohin e nuk do lënë gur pa levizur që të ta shkatërrojnë karrierën, se kështu e kemi ne si popull. Po qe se të njohim, t’i nxjerrim rrënjët e ta thajmë trungun. Merre nga një krahinë tjetër.

-Ndonëse vetë do të jesh djal i bukur sepse i ngjan gjyshit, nusen mos e merr shumë të bukur se do të gjesh belanë. E gjithë partia do t’i ketë sytë aty. Kush e kush ta marrë në punë. Por, po ta morën, zor se ta kthejnë më.

-Gjyshi! - më përmend përsëri zëri i nipit, këtë radhë më insistues.

-E po kjo?! Po për të mirën tënde e kam mor bir. Ja edhe pak dhe mbarova.

-Që t’ia vësh majën mullarit, shtëpinë merre ngjitur me atë të kryetarit të partisë. Kështu do të kesh mundësi ta njohësh më mirë, t’ia mësosh huqet, dobesitë dhe nëse ndonjë ditë vë re se po i merren këmbët, futi stërkëmbëshin, lëre të thyej brinjët, merrja partinë dhe të tjerat pastaj vijnë vetë. Bëhesh kryeminister, bëhesh i pasur, shëtit dynjanë ku të duash e me kë të duash, takon kryetarë shtetesh, burra të mençur si puna jote, gra të bukura torollake, e hedh festen mbi sy e s’do t’ia dish më për askënd e për asgjë.

Për pak e harrova nipin. Për çudi, ai tani ka ulur kokën dhe duket më i qetë. Të jetë duke mendur vallë rreth atyre që sapo i thashë?!

-Hë more çamarroku i gjyshit, si thua? A do të bësh siç të tha gjyshi kur të rritesh? Se shoqëria që kemi sot, e tillë është. Po nuk ia zure, ta zuri. ( Doja të përdorja një folje tjetër por kisha frikë se e mësoja nipin me fjalë të pista).

-Gjyshi!- u përmend nipi. Kaka. Dhe uli përsëri sytë.


29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page