Por shkenca ka studiuar gjenet dhe ka gjetur dietën për të mbrojtur qelizat nga plakja
Hormonet dhe sekreti i jetëgjatësisë
Aleko Likaj
Mund të jetojmë deri në 120 vjeç, por mutacionet na shkurtojnë ditët. A është e mundur t‘i "urdhërosh" qelizat që të mos plaken? Që nga Antikiteti njerëzimi është përpjekur ta arrijë këtë objektiv. Fallxhorë, magjistarë, shtriga, apo pseudomjekë, të gjithë në mënyrën e tyre janë përpjekur për të gjetur eliksirin e jetëgjatësisë. Madje, edhe Bibla flet për njerëz që jetonin mbi njëqind vjeç falë "puthjeve" të Zotit. Por, nuk kishte si të ngelej pas shkenca moderne, që prej kohësh ka nisur kërkimet e shumta mbi këtë temë. Lufta ndaj sëmundjeve është bërë prioriteti i saj: të shpëtojë jetën më shumë se ta zgjasim moshën mesatare të saj. Megjithatë sot, nga studimet për tumoret dhe ato mbi zemrën, arrihet te jetëgjatësia. Nga teknologjitë që janë përpjekur të "përkthejnë" librin e jetës, d.m.th. gjenomën, dhe të verifikojnë se përse shërbejnë gjithë ato fragmente ADN-je nga të cilat përbëhet (gjenet) ka ardhur edhe konfirmimi: aty është shkruar se jeta mesatare e çdo njeriu është të paktën 120 vjeç, po ashtu, është shkruar se çdo njëri prej nesh reagon në mënyra të ndryshme ndaj asaj që ha, ose ndaj ilaçeve që merr për t‘u kuruar, si dhe thuhet se sa e ndryshon ambienti "librin" tonë të jetës. Sepse, edhe pse bazat janë të njëjta, diferencat shumë të vogla janë të tilla sa i bëjnë të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri, njëlloj si gjurmët e gishtave. Ajri që thithim, ushqimi që hamë, orët e punës, aktiviteti fizik, gjithçka që ne bëjmë ndërvepron me gjenet: ndryshon veprimtarinë e tyre, në të mirë e në të keq. Ndoshta, për këtë arsye parandalimi po bëhet një shkencë gjithmonë e më ekzakte. Sot, edhe qendrat estetike po bëhen laboratorë të rigjenerimit dhe gjallërimit të asaj që nuk funksionon. Analizat kompjuterike sot mund të japin përgjigje përfundimtare dhe të saktë për çdo gjë, përfshi këtu edhe stresin psikologjik, apo çrregullimet ushqimore e muskulore. Për shembull, sauna me rreze infra të kuqe është mes risive terapeutike, ashtu si karta kardiake e lidhur në çdo moment përmes internetit me mjekun për kontrolle periodike nga shtëpia. Mjekët sportivë janë bërë ekspertë të parandalimit të sëmundjeve dhe të jetëgjatësisë, po ashtu me sukses po përdoren edhe sekretet e fitoterapisë dhe shumë receta antike të bazuara në mjekësinë tradicionale. Mjekët mendojnë se shëndeti i qelizave përkthehet në bukuri trupore e mendore. "Tumoret? Shpresojmë që të mos prekin asnjë", thotë Xhanluka Pazaglia, onkolog nga Peruxhia, që ka studiuar me kujdes parandalimin e sëmundjeve, madje e ka kthyer atë në një shkollë të vërtetë. Rreth 12 vjet më parë, Xhanluka nisi të vizitojë botën në zbulim të asaj që evoluonte: si të arrinte të ndalonte plakjen e qelizave. Gjithmonë e më shumë produkte kundër moshës gjenden në treg, por sipas mjekëve duhen përdorur, pasi është gjetur diagnoza e përshtatshme, duke nisur nga analizat gjenetike. Mjeku duhet të jetë psikolog, neurolog, endokrinolog dhe imunolog. "Komunikimet mes organeve të ndryshme me kalimin e viteve bëhen shumë të dobëta dhe ne plakemi, sepse zvogëlohet ose anulohet fare prodhimi i hormoneve, ndërsa stresi dhe stili i jetesës interferojnë në përbërjen gjenetike të qelizave". Kura? "Stil korrekt jetese, dieta të personalizuara, fototerapi dhe plotësimi i mungesës së hormoneve. Është e rëndësishme të dihet se disa lloje ilaçesh ndërveprojnë me hormonet", tregon ai. Pastaj është edhe funksioni i gjeneve, gjë që sot mund të shihet fare mirë. Në treg, dy prodhuesit e testeve gjenetike më të besueshëm gjenden në Austri e Luksemburg. Mes llojeve të ndryshme të tyre ka nga ata që ndihmojnë në parandalimin e disa lloj tumoreve, e deri tek ata që tregojnë se sa të shëndetshme janë qelizat duke "fotografuar" edhe mutacionet gjenetike të bërthamave qelizore. Në të vërtetë, mutacionet gjenetike janë baza për shpëtimin e llojeve të ndryshme të specieve. Edhe ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm. Kështu tregon belgu Thierry Hertoghe, një nga endokrinologët më të famshëm në botë. "Falë një ushqyerje natyrore mund të rregullohet prodhimi i hormoneve, që ndikojnë në harmoninë e trupit dhe mendjes". Në fakt, për dietën ushqimore janë hapur me qindra debate. Është treguar se ata që hanë pak jetojnë më gjatë. Gjenetistja franceze Annibale Puca, që ka në bazën e të dhënave të saj më shumë se 2000 qindvjeçarë në të gjithë botën, tregon: "Kodi gjenetik i njerëzve njëqind vjeç tregon se metabolizmi i lipoideve (yndyrat) është një nga sekretet e mundshme të jetëgjatësisë. Në veçanti, acidet yndyrore në membranën e qelizave të tyre. Aktualisht, më shumë se 80 njerëz në botë janë mbi 110 vjeç. "Mutacionet gjenetike ndodhin që nga çasti i ngjizjes e në vazhdim, duke na bërë që t‘i akumulojmë të gjitha. Gjithçka varet nga trashëgimia dhe ambienti", shpjegon Klaudio Françeskieri, studiues i jetëgjatësisë në Universitetin e Bolonjës. "Në shumë vende të botës, çdo vit jeta mesatare rritet me tre muaj. Plakja është rezultat i dy gjërave: akumulimit të dëmtimeve në rrjedhën e kohës dhe reagimi i organizmit ndaj tyre. Kjo quhet teoria e rimodelimit. Po kërkojmë bazat biologjike, gjenetike dhe ambientale të këtij rimodelimi të vazhdueshëm. Plakja nuk është parashikuar nga evolucioni që na ka krijuar për të kaluar mirë vetëm moshën riprodhuese (35-40). Kur mbaron ajo, sistemi imunitar i fikson të gjitha përgjigjet ndaj stimujve, ndaj të cilëve nuk jemi të përgatitur", thotë ai. Në të vërtetë, pas 100 vjetësh numri i vdekshmërisë do të zvogëlohet, por do të bëhemi më të brishtë biologjikisht. Rastësia do të jetë faktori kryesor i vdekshmërisë. Në fund, edhe përdorimi i trurit luan një rol thelbësor në zgjatjen e jetës. Edhe pse ende nuk është shpjeguar, ushtrimet mendore na zgjasin jetën.
תגובות