(Stili poetik dhe transformizmi human në vëllimin "Më pëlqen të shkruaj", të poetit durrsak Skënder Milaqi)
"Në art, gjithçka ndalet në pafundësi,
Kohë që s’njeh fund, jetë që s’mbaron.
Vetëm këtu jeta ka një siguri,
Veç këtu, gjithçka mund të rilindë."
Wislawa Szymborska
Poezia është një udhëtim shpirtëror, një rrugëtim mes dritës dhe errësirës, mes dhimbjes dhe gëzimit, mes realitetit dhe ëndrrave. Në këtë univers të pafund të fjalës, poeti durrsak Skënder Milaqi ka gjetur një rrugë të veçantë për të shprehur ndjesitë e tij, duke krijuar një stil poetik të ndjeshëm dhe të thellë. Vëllimi poetik i tij me titull "Më pëlqen të shkruaj" është një pasqyrë e pasur e transformizmit human, ku ndjenja dhe mendimi shpërthejnë në vargje që dridhen në shpirtin e lexuesit.
Stili poetik i Milaqit është i thjeshtë, por i fuqishëm. Ai përdor një gjuhë të qartë dhe të drejtpërdrejtë, që përshkon zemrën dhe mendjen e atij që e lexon. Poeti nuk flet me ngjyra të huaja, por përdor një dialekt të brendshëm, që i përshtatet natyrës së jetës dhe përvojave njerëzore. Vargjet e tij janë të thjeshta, por mbartin një mesazh të fuqishëm, duke shprehur ndjeshmëri të thellë dhe reflektim për jetën, dashurinë, lodhjen, dhe humbjen.
Një nga tiparet e dukshme të stilit poetik të Milaqit është përdorimi i metaforave dhe imazheve të natyrshme për të shprehur emocione dhe përvoja të brendshme. Në poezinë e tij, fjala shpesh bëhet një simbol, një pasqyrë e shpirtit të njeriut. Shembuj të tillë mund të gjejmë në poezitë si "Foleja e fjalës" apo "Melodi zemre", ku fjala dhe muzika bëhen mjet për të shprehur thellësinë e ndjenjave dhe për të përshkruar realitetin që ndjehet më shumë se sa shikohet. Poeti merr fuqinë e fjalës dhe e përdor atë për të ndihmuar në transformimin e shpirtit, duke e nxjerrë jashtë natyrës së zakonshme dhe duke i dhënë një formë të re.
Në poezinë "T'jetosh me nder", Milaqi e lidh këtë transformim me vlerat njerëzore dhe me respektin ndaj vetes dhe të tjerëve. Ai nxit për të jetuar në harmoni me veten dhe me botën, duke ruajtur integritetin dhe pastrinë e shpirtit, ku na fton të jetojmë jetën me ndershmëri, të mos e mbajmë veten të lidhur me pengje dhe të qetësohemi duke u përkushtuar vlerave të vërteta njerëzore.
"Fjala e nxjerë nga zëri është thesar,I lindur thjeshtë në shpirtin tënd,Shpesh është mjaltë, ndonjëherë dhe helm,Shumë herë të gëzon, ndonjëherë të dhemb."
Këto vargje flasin për fuqinë e fjalës, që është më shumë se thjesht një mjet komunikimi, por një burim i pashtershëm emocioni. Ai e shpreh këtë forcë me thjeshtësinë e saj, duke na kujtuar se fjala mund të jetë një dhuratë e bukur, por gjithashtu edhe një dhimbje e thellë. Poezia shpërfaq një ndjenjë të fortë për rëndësinë e komunikimit dhe të shprehjes së emocioneve. Ajo është një thesar, por edhe një përgjegjësi.
Në teorinë letrare, ritmi dhe muzikaliteti i poezisë kanë rëndësi të madhe, pasi ndikojnë në ndjesinë që poezia lë tek lexuesi. Skënder Milaqi përdor ritme të ngjashme me ato të poezisë me vlera tradicionale, duke përdorur vargje të thjeshta dhe të rrjedhshme që krijojnë një ndikim muzikor:
"Melodia e një vegle muzikore,Këputi telat e zemrës sime,Duke të parë ty me adhurim,Nga shpirti mu ngjallën shumë kujtime."
Në këto vargje, shprehet një ndjenjë e thellë adhurimi dhe nostalgjie për një dashuri të humbur apo për një moment të veçantë të jetës. Muzika dhe melodia janë metafora të dashurisë që lidhin shpirtrat, dhe ku kujtimet marrin formë dhe zgjaten si tinguj që reshtin, por nuk harrohen. Lidhja mes shpirtit dhe tingujve, mes dashurisë dhe kujtimeve është një nga temat më të bukura dhe më të prekshme të këtij vëllimi poetik. Kjo lidhje ka të bëjë shumë me teorinë e “Estetikës së thjeshtësisë”, ku vargu poetik është një pasqyrim i thjeshtë i jetës dhe botës shpirtërore.
Nga një këndvështrim më të thelluar formalist, në marrëdhënien mes formës dhe përmbajtjes, vargu i Skënder Milaqit është i strukturuar në një mënyrë që shpesh është i thjeshtë, por që ofron pasurim të dukshëm përmes përdorimit të rrokjeve dhe ndarjeve. Poezia e organizuar me vargje të shkurtra, e bën lexuesin të përjetojë një formë të ritmit të shpërndarë, që ofron një ndjesi shpirti të lirë dhe të hapur, pa pengesa të jashtme. Vargjet:
“Blerimi i fushave është me lule plot,
Ashtu si qielli ka yje plot që ndrijnë,
Bukuria është hyjnore në këtë botë,
Lumë ai që e shijon bashkë me dashurinë.”
janë një përpjekje për të interpretuar bukurinë e natyrës dhe lidhjen e saj me njeriun, si një element që e shpreh botën e brendshme dhe emocionalen. Poezia e Milaqit është e mbushur me metafora që e pasurojnë përvojën estetike të lexuesit.
Poezia Loti:
"Loti s'ndalet dhe nëse do,Kur zemra çahet e shpirti preket,Kur koka ulet dhe zëri meket,Si në gëzim dhe në hidhërim,Në faqe rrjedh ai papushim,"
është një pasqyrë e dhimbjes njerëzore, që ndodh kur jeta godet, por dhe kur gëzimi i papritur mbush shpirtin. Loti, si një element që shpërthen papritur, është shenjë e pafundësisë së ndjenjave që mbushin shpirtin njerëzor. Ai është një pjesë e pashmangshme e jetës që shpesh na ndihmon të shërohemi, e të ndihmojmë veten të gjejmë paqe.
Poetja polake Wislawa Szymborska, fituese e çmimit Nobel, kishte një stil të thjeshtë, por tejet të thellë, ku mendimi filozofik dhe reflektimi mbi jetën dhe ekzistencën e njeriut shprehen në një mënyrë të dukshme dhe të qartë. Ajo ngjall ndjesi të thella me vargjet e thjeshta:
“Ka një lot të gatshëm në çdo moment,
kur nevoja lind, një lot i heshtur dhe fisnik…”
Milaqi, si edhe Szymborska, e përdor lotin si simbol të pasqyrës së brendshme të njeriut. Jo më kot, poezia Loti u vlerësua me çmimin fitues në Festivalin e Poezisë Durrsake, organizuar vitin e kaluar nën kujdesin e Klubit të shkrimtarëve dhe artistëve me kryetar Meçan Hoxha. Vetë poeti dhe historiani Meçan, njëkohësisht edhe mjeshtër i estetikës realiste shprehet qartë kur thotë se “…këto çmime, nuk janë të rastit, dhe as të qokave, por vijnë si pasojë e një pune të madhe, e të hershme përgatitore. Ato janë një vëzhgim real i jetës së poetit dhe lexuesit.” Sfera e lotit poetik në të dy librat e Milaqit është një membranë që sa vjen dhe zmadhohet duke u kristalizuar në një transparencë unike. Nëpermjet të këtij kristalizimi të transparencës, poeti Meçan ishte i vetmi që arriti të evidentonte dhe të shpjegonte përpara një jurie të madhe poetësh të rafinuar akademikë, sesi nëpërmjet estetikës realiste një gur obsidian mund të futet brenda një poezie transformiste.
Nga pikëpamja e teorisë letrare ka një përplasje të dukshme midis realizmit estetik dhe transformizmit artistik ku emocionet bëhen ura mes përvojës personale dhe lexuesve, e ku midis tyre lundrojnë varkat e poezisë së thjeshtë sentimentaliste. Mes këtyre varkave lundron edhe vëllimi i poezive "Më pëlqen të shkruaj", të autorit Skënder Milaqi, si një ftesë për t’u bashkuar në një reflektim të përbashkët mbi vlerën e thjeshtë të autenticitetit në përvojën njerëzore. Ajo mund të vijojë të analizohet nëpërmjet teorisë estetike si një poezi e cila ndërthur ndjeshmërinë dhe thjeshtësinë me një pasqyrim të thellë të realitetit shpirtëror.
Comments