Poezia, zëri femëror, në analizën e diskursit heteroglosik
Dr Fatmir Terziu
Poezia, zëri femëror, në analizën e diskursit heteroglosik (prania e dy ose më shumë këndvështrimeve të shprehura në një tekst ose vepër tjetër artistike), natyrshëm janë disa module të ndjeshme, delikate dhe të pashtjelluara deri më sot në mjedisin formë-strukturor të poezisë. Sakaq dhe kontekstet e ndryshme, në këtë aspekt të krijimtarisë gjuhësore pasojnë mjaft labirinthe që nga leximi deri tek interpretimi.
Në një sens leximi të ndjeshëm, poezitë e poetes Fatbardha Myslimaj Xhani lexohen nga gjuha dhe kreativiteti, si art i ndjesisë së përbashkët. Mes poezisë së saj në përgjithësi, të paktën për aq sa kemi ndjekur udhën e saj krijuese, analiza e fragmenteve të ideuara qaset si grimim kontekstesh të ndryshme për të treguar mes ideve se sa rrëfyese janë vetë format krijuese vargore mes një niveli gjuhësor. Format më të shpeshta poezisë së Myslimaj Xhanit, në një aspekt të krijimtarisë gjuhësore përfshijnë zhvendosjen dhe ngulmimim, veçanërisht kur të dyja ravijëzojnë ndashëm mes formatit gjuhësor të shprehjeve dhe frazave me formulimin, zgjatjen e metaforës, ndërthurrjes morfologjike, luajës verbale, parodizimit përmes formave të mbivendosura dhe kuptimit.
Leximi mes jehonave fonologjike
Me këto forma poezia e saj lexohet duke bërë jehonë nga përsëritja, duke bërë jehonë përfshirjes me anë të aluzionit dhe jehonave fonologjike. Letë ndjekim ngjashëm poezinë e kësaj poeteje “Tek ai çast i vetëm”, ku ky kreativitet kryen shumë funksione, në mesin e këtyre formave të lartcituara, për të dhënë kënaqësi, që të krijojë harmoni me konvergjencën dhe përçarjen dhe për të shprehur identitetin dhe që shkakton ndjesia e botëve alternative, imagjinare, të cilat janë rekreative dhe ndihmojnë për të rinjohur një botë të njohur në mënyra të reja: “Mbrëmjet kanë kulluar all/në kujtimet tona/Por ne rikthehemi sërish tek ai çast i vetëm…/Mësuam diçka nga e gjitha kjo/Asgjë më shumë se një sekondë e vetme/Nuk vlen sa jeta e tërë./Kur rrugëve pa krye një dritë ta bën me sy/Kthjelloje vështrimin pa frikë/Është për të të ndriçuar ty!/Atë sekondë kur ti më fole/kur unë të fola/kur ti më heshte/kur unë të heshta/kur ti më deshe/kur unë të desha/Mos e harro…/Një e vetme ka qenë/të kujtohet?/S’kish ardhur ende e para të dua/S’kish ardhur ende e para puthje në cepin e buzës/S’kish ardhur ende e para lamtumirë/pa dëshirë,/tek cepi i rrugës…”
Poezia duket e një forme të kryer, konkurruese, fine, plot hapësirë-mbushje, plot argëtim. Poezia kështu në këtë tërësi diskursive nuk duket e shqetësuar me transferimin e informacionit (p.sh., memorjen) jep më shumë hapësirë për kreativitet. Shpesh në raste të tilla mes vetë memorjes ka shumë divergjenca, shkyçje dhe mospërputhje, por poetja ka një risk në të formëzimine saj dhe mundohet të mënjanojë këtë difekt që e ndeshim tek mjaft krijuese të sotme. Kështu duket se poetja dhe poezia e saj nuk janë nën sipërfaqe, s dhe koherenca është shënuar në një gamë të veçantë të karakteristikave gjuhësore model-përforcuese, veçanërisht përsëritjeve: “Të kujtohet ajo sekondë e vetme/ajo përshëndetje/ai ngazëllim/ajo dridhje e mirëmëngjesit tim?/Asnjë premtim/nuk e zëvendëson dot atë siguri/që të jep nje sekondë e vetme/e para e një ndjesie pa kuptim/pa asnjë arsye të dukshme/Pa fund/Pa fillim…/Si një ëndërr që të nanurit/në një mëngjes fatlum/Kaq i mrekullueshem ai zgjim!/Kur thua pa zë:/pavarësisht se futen si rruaza në varg/një sekondë njeriu jeton/vetëm një…” sikurse shihet tek kjo përsëritje bien në sy tërësitë diskursive si shprehje të intimitetit, shprehje të intensitetit dhe shprehje të vlerësimit. Të gjitha këto karakteristika kanë tendencë të rriten me formën më diskursive në situata joformale.
Poezia e e varieteteve të dallueshme fonike
Poezia e kësaj poeteje, ashtu sikurse vetë poezia bashkëkohore në mesin e krijueseve më në zë të poezisë së sotme shqipe, duket se është një çështje shumë-këndvshtruese: kurrë më parë s’ka pasur kaq shumë tendenca të finalizojnë në fushën e poezisë, po aq dhe në ballkanizimin e poezisë bashkëkohore. Kjo lloj poezie është shënuar nga “heteroglossia”, termi që përshkruan bashkëjetesën e varieteteve të dallueshme brenda në “gjuhën” e vetme të shtjellës së idesë dhe konfiguracionit. Kjo poezi e titulluar “Ne nuk e dimë”, duket qartë që në titull të kalojë nëpër këtë formë të diskursit heteroglosik. Mjafton të lexojmë me vëmendje: “Ne nuk e dimë/Ç’ vjen pas një puthje/Pas një shtrëngimi/Ndoshta vjen vdekja e ëmbël/A ndoshta harrimi…/Ne nuk e dimë/Ç’ vjen pas fjalëve flakë/Të thëna mekur magji premtimi,/Ndoshta vjen vdekja e ëmbël/Ndoshta harrimi!”
Konkluzion
Pra parë më në detaj, dhe në një lexim sikurse e cituam të ndjeshëm, poezia, zëri femëror, në analizën e diskursit heteroglosik të poezisë së Fatbardha Myslimaj Xhanit kanë një arsye më shumë të na thonë se meritojnë vëmendje. Autorja e “Lotë që s’rrjedhin”; “Se koha është aty”; “Unë jam grua” e mjaft të tjera ka krijuar në këtë kontekst që diksursi heteroglosik të na ndjesojë me bashkëjetësën e një gjuhe të dallueshme mirë dhe bukur.
Commentaires