Krijimi i hapësirës për të eksploruar poezinë mund të na bëjë qytetarë më reflektues dhe të angazhuar
Fatmir Terziu
Hyrje
“Në Kryqin e Udhëkryqit” të poetit Zyhdi Dervishi natyrshëm ndjehet procesi i rritjes së diskursit të tekstualizimit se “Qytetet janë ndërtuar me gjuhë” dhe se si poezia ushqehet me jetën urbane. “Dyzim qyteti” është panorama perceptuese ku realiteti sfidohet dhe intrigohet me “shëmbëllimet e mijëra kalimtarëve” aty ku pikërisht kjo panoramë bën që perceptimi ndjesor të realizohet me faktin ku “shumëzohen nga pasqyrat/ e vitrinave luksoze” tërë anët e vetë procesit të rritjes së tekstualizimit.
Emocionet dhe zhgënjimet e jetës së qytetit kanë frymëzuar poetin të bëjë stacionimin e tij të domosdoshëm tek “dyzim qyteti” nga mjedisi ku ai ndjek me vëmendje gjithë tërësinë deri në rrahjet e ndjesive metaforike që “të divorcuar nga shëmbëllimet e veta” bëjnë që njerëzit ndihen gjithnjë/e më të vetmuar” dhe më pas arsyet e mbledhura shkojnë tek reperët e ditëve montuese të jetës britmë “moderne”.
Ndaj që në hyrje të këtij vëllimi të shkëlqyer poetik, poeti i mirënjohur Dervishi, (por i lënë arsyeshëm vetëm në majën e tij studimore akademike) na tregon se si mundet që poezia të na ndihmojë të bëjmë qytete më të mira.
Poezia një mënyrë për ta përjetuar dhe kuptuar mjedisin tonë më të pasur
Ndërsa ndjen “Rënie” poeti hedh sytë e tij tej perceptimit sheh “fluturat” që “harruan rrugëtimin e përditshëm” njësoj si dritat binjake të shfaqen me faqen e veremosur e që lulëzojnë ngutshëm në stacionin ku shfaqen “pikiatat mortore/të pëllumbave”; “Faqen e veremosur/të dheut e çukisin/pikiatat mortore/të pëllumbave”. Ndjenja e krijuar nga këto fjalë, nga përmbledhja e poezisë së poetit tejet fin dhe mjaft dialektik, me një filozofi e stilistikë të avancuar, konkurrues e tejet i denjë për përfaqësim më të gjerë, do të tingëllojë e njohur për pothuajse të gjithë ata që jetojnë përvojën urbane.
Por, lehtësimi për të parë një flutur apo mjaft të tjera si ajo të “harrojnë rrugëtimin e përditshëm” natyrisht shkon tek fenerët që shikojnë përmes tunelit, ose ndjesia e ajrit të nxehtë të një kalimtari që kalon, duke na thënë hapur se të gjitha perceptimet janë aq të çuditshëm, sa shpesh mund të shkojnë të panumërtuar, përveç një momenti fluturues tek “pikiatat mortore”.
Poezia e tillë, e krijuar nga një poet me njohuri të thellë, me një qasje dhe didaktikë të avancuar, sikurse është poezia “Vetëtransplant” mund të na japë një hapësirë për të diktuar zhgënjimet e qytetarëve dhe vetë qyteteve në të cilat jetojmë. Por a mund të na ndihmojë vërtet t’i bëjmë ato qytete më të mira? A mund të jetë poezia një mënyrë për ta përjetuar dhe kuptuar mjedisin tonë më të pasur? Ndërsa poeti e sheh veten “prej vitesh i thinjur e drobitur/nga diarrè e truve” pyetjet shkojnë në një qasje tjetër perceptuese që na mundëson faktin se pos punës së paqme dhe lavazhit të ideve negative, korruptuese, jeta shkon në shtratin e saj qytetës.
Ndërveprimi i tillë me poezinë, përtej asaj që ne njohim deri më sot, të paktën, ka tendencë të përqendrohet te vlera e fjalës, stili dhe gjuha metaforike e pasur. Kjo prurje e veçantë është e domosdoshme të analizohet thellë, për faktin se është tashmë e një udhe të re dhe është e rrënjosur në një festë të bukurisë së botës natyrore, të tipizuar në klasiken e njohur që do ta qaste thuajse njësoj edhe poeti britanik Keats tek ‘Ode për Vjeshtë’ kur thekson se “Ndërsa retë e ndaluara lulëzojnë ditën me vdekje të butë/Dhe prekin rrafshnaltat me ngjyrosje trëndafili”, apo dhe “Ti që je zgjuar nga ëndrrat e tij të verës/Mesdheu blu, ku ai shtrihej/Tërhiqem nga mbështjellja e rrjedhave të tij kristalore”.
Qyteti në ekzistencën dhe perceptimin poetik i reziston formave nostalgjike të poezisë
Kështu që mbase nuk është për t’u habitur që me kalimin e kohës, poezia ka qenë më pak e lidhur me blicet, smogun dhe urat dhe më shumë me përruan, kodrinat dhe fushat, pak ose pakshumë pak me “tangon e hirtë, ku “Hijet, karavidhe të hirta rreken/të zhduken mes vedi”, në poezinë e Dervishit ajo shkon edhe “pas komës së ekslipseve të ndërsjella” ku sheh dhe ndjen se hijet e tilla “rilindin brenda llojit/të pështirë të hijeve/deri në amëshim”. Ekziston kjo energji dhe agresion dhe shpejtësi në një qytet që i jep vetes poezi të tilla nga produkti i gjetjes së gjerë e të mirëndjeshëm që poeti e bën të mbetet jo thjesht në “arkivole drite” ku sipas poetit ndjesia e bën të udhës që të kuptohet në këtë qytetësi se “Librat janë arkivole…/disa bartin silueta të ndritshme…/të tjerë bartin frymëmarje të kalbëzuara…”.
Sidoqoftë, poeti me qendër në Tiranën akademike, Zyhdi Dervishi, puna e të cilit përqendrohet shumë në përvojën sociale dhe humane, kulurologjike dhe sociologjike dhe që ka bërë disa vëllime poetike të mrekullueshme shëtit ndjesinë e humbur të kryeqytetit shqiptar, dhe thotë se theksi i sotëm jetik dhe angazhimtar për jetën është i gabuar.
Qyteti në ekzistencën dhe perceptimin poetik i reziston formave nostalgjike të poezisë që na janë dhënë në tradita të ndryshme, dhe kjo ndjehet tek “Diagrama e vetëmohimit” ku “njeriu shurdhohet nga kërcitjet/e takave të këpucëve të veta”. “Ekziston kjo energji dhe agresion dhe shpejtësi në një qytet që i kushtohet poezisë. Ne jemi të rrethuar nga gjuha, qoftë ajo emrat e vendeve, shenjat dixhitale, mbajtja e reklamave apo zërat e tregtarëve të tregut, është kudo “në gurët e kalldrëmit/në ftohtësinë e akujve/në shkëlqimet marramendëse/të pllakave të mermerta”. Ndaj dhe nga kjo ne kuptojmë qartë edhe kur “njëriu verbohet në pafundësi” se qytetet janë ndërtuar me gjuhë. Janë ndërtuar me gjuhën që dikton dhe zbulon metaforikisht poeti.
Qyteti, në këtë prurje, është përgjithmonë ai që tërheq
Poeti i Tiranës, por edhe i Shqipërisë së Jugut, po aq dhe i Veriut, poeti që ka në zemër Krujën që e lindi dhe Shqipërinë e Mesme, përqendrohet në poezinë dhe përvojën më të avancuar, konkretisht nga një këndvështrim zhbirrues dhe hulumtues, duke parë si “Helm apo Mallkim” atë që “Gatuani gjithçka me duart tuaja/se në çdo gatim mund të fshihen/avuj me mister gatimi”. Ai shkruan në poezinë e tij “Lart” se “Lotët nuk rrjedhin poshtë.”
Ndaj na jep të kuptojmë se i njeh lotët që “me flatrat e dhimbjeve/ato ngjiten përpjetë” duke u rikthyer për shkurret e egra në pjesën e prapme të banesës, ato që rrëmbejnë dritaren e kuzhinës, ato që luftojnë për tokën ose ujin, dhe dështojnë aty ku vetë lotët “nuk lagin tokën/përçajnë retë”. Një shkurtore për krijimin e këtij portreti të lotëve, është një sintezë më vetë, jo thjesht një ndalesë që mbetet në funskionin e saj duke u përqëndruar tek shqisat.
Kjo zhvendosje e përqendrimit metafizik, nga gjendja cerebrale në fizike, ndihet veçanërisht e përshtatshme në mjedisin urban, ku ne jemi të bombarduar me të gjitha llojet e sulmeve shqisore, nga tymrat e këqij në dritën e mëngjesit me erë dhe erën e kafesë së mëngjeseve në zyrat ku nuk njohin lotët, ku nuk e dinë se “lotët nuk rrjedhin poshtë”. Të marra si një e tërë, kjo mund të jetë dërrmuese, por ka përqafuar qëllimisht, me një lloj mendjemprehtësie poetike, këto fije të zakonshme të përvojës njerëzore, që natyrshëm mund të marrin një kuptim krejt të ri.
Një traditë poetike e tillë që zbërthehet në atë akt të vërejtjes është ajo e gjetjes së jetikes, ose “Kuja e heshtur e mokrave” e bënë të puthitet më së miri me atë që na solli poeti francez Charles Baudelaire, i cili dikur shkruante me urtësi: “Forma e një qyteti ndryshon më shpejt, mjerisht, sesa zemra e njeriut.” Në librin e tij “Në Kryqin e Udhëkryqit” poeti Zyhdi Dervishi, nuk na bën didaktikë, nuk na zgjon thjesht me metrikë, apo me poetikë, por na kujton se ka diçka që përthithet fizikisht që na çon në qytetin e trazuar, të transformuar nga cilësia e dritës, e ajrit, e rrugës ... Qyteti, në këtë prurje, është përgjithmonë ai që tërheq, duke i dhënë jetës një shfaqje dhe një histori, po aq dhe një poezi, ku “Në mokrat e paralizuara/bluhen vetëm/dokrra/dokrra/dokrra”.
Leximet e drejtpërdrejta të poezisë së Dervishit
Dervishi i bën jehonë kësaj ndjenje tek “Ikje”. “Shpesh njerëzit dalin/nga lëkura e vetvetes/dhe ikin në drejtim/të paditur” thotë ai. “Rreken më kot të futen/në lëurën e të tjerëve”. Duke u ngadalësuar, vërejmë llojet e detajeve poetike që mund të na ndihmojnë të kapërcejmë bishtin normal të jetës së përditshme, sikurse ndodh me “Portret i trishtë nëne”, “Mos”; “Në tufan” apo tërë kapitulli “Nektar i shprishur”.
Poeti Dervishi duke lexuar “Në Kryqin e Udhëkryqit” mbetet një praktikues i një lloji pak më provokues të poezisë sociale, qytetëse dhe urbane psiko-sociale, ai shkon në një kënd me emër të arsyeshëm e të ndjeshëm në lëminë poetike shqiptare. Në vëllimin e tij me shtatë kapituj, llambon publikisht rivalët e tij letrarë dhe lëshon faktin e një udhe të re poetike, ku poetë dhe emra të lidhur me poezinë prej kohësh ishin përdorur për të garuar në lexime publike për prestigjin letrar shqiptar.
Leximet e drejtpërdrejta të poezisë së Dervishit bëhen një element kryesor i legjendës së gjeneratës që po vjen, veçanërisht një lexim i famshëm në rrjedhën e madhe poetike ku konkurrojnë Allen Ginsberg, Michael McClure, Gary Snyder, Laërence Ferlinghetti e mjaft të tjerë. Sot, poezia e Dervishit i takon vargjeve më të avancuara poetike të ditëve moderne dhe ngjarjet e stilit të tij vazhdojnë të mbeten interesante në të gjithë kornizën e ideve që ata qasin, perceptojnë dhe mbesin përditë e më shumë të lexueshme.
Në vend të mbylljes
Një tjetër element i suksesshëm vërteton në mënyrë të ngjashme që poezia e këtij poeti nuk ka nevojë të jetë frikësuese ose elitare, por mbetet thjesht e arritshme: Poezia e tij është me këmbë të thella si në tokë ashtu edhe në nëntokë, një projekt i artit poetik, një shkollë e munguar poetike në krijimtarinë e sotme shqiptare. Tradita e poezisë që shfaqet në librat e soc-realizmit, në fryrje propagandistike, mbetet në fjalinë e thjeshtë … na ishte një herë, dhe kjo ka kaluar për një kohë të gjatë në veshët e frymëzimit të kohës që lamë pas. Nuk kishte asgjë origjinale në lidhje me atë që ajo këndoi, vetëm se bekoi partinë e lënë tashmë si një mbetje në urbanizimin e kohës.
Në një botë moderne ku hiper-lidhja shpesh rezulton në shkëputje nga rrethina jonë e afërt, krijimi i hapësirës për të eksploruar poezinë mund të na bëjë qytetarë më reflektues dhe të angazhuar. Me poezi të tilla, qyteti bëhet një vend ku ne meandrohemi (ecim me shpejtësinë e erës dhe fortunës në rrugën e duhur), si fizikisht ashtu edhe mendërisht, ose siç e thotë Chernaik, “ngrihemi në një botë tjetër, edhe kur jemi nën tokë”.
Comments