top of page

Poezia nuk është art demokratik, është art aristokratik


Linda Agolli

Linda Agolli: Poezia nuk është art demokratik, është art aristokratik



Prej disa muajsh poetja Linda Agolli ka botuar përmbledhjen e saj me poezi “Troje”. Libri përmban krijimet më të mira të autores në vite, si dhe disa krijime të reja që publikohen për herë të parë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, autorja që mund të thuhet se poezinë e ka në gen flet për përmbajtjen e këtij botimi, por edhe për projektet e saj në të ardhmen.



Mjafton një shikim i shpejtë për të kuptuar se ky libër është një antologji poetike, një përmbledhje e krijimtarisë tuaj poetike. Zakonisht, një autor del me një përmbledhje të tillë athere kur cikli i krijimit poetik është në mbyllje. Ju, do të vazhdoni të shkruani poezi? Cila do të jetë marrëdhënia juaj me poezinë?

Po. Është një përmbledhje poetike nga krijimtaria e mëparëshme, plus një kapitull me poezi të reja të pabotuara, të cilin në antologji e kam renditur të parin. Një përmbledhje të tillë,nuk e kam menduar ndonjëherë si mbyllje të krijimit poetik. Si “hyrja” ashtu edhe “dalja” nga poezia, as mund të komandohen dhe as janë të parashikueshme. Njeriu është veçse mjeti i realizimit të saj. Në këtë kuptim, realizimi i antologjisë, i shkon në linjë vetëdijes për sa ke arritur deri në të tanishmen. Në imazhin tim, antologjia përshfaqet si ato baulet e gjysheve tona ku vendoseshin palë palë dhe ruheshin me kujdes veshjet më të cilësishme e më të bukura për t’i marrë me vete në pajë. Me një fjalë, kjo përmbledhje e poezive në këtë libër, është baulja që unë do ta marr me vete në udhët përtej të cilave më presin poezi të tjera të reja. Por, asnjëherë nuk mund të di sa të gjata janë udhët që më presin, sa të vështira, apo sa të dendura e të bleruara me pemë poezie.

Me sa vemë re, ka një rënie të interesit ndaj letërsisë në përgjithësi, veçanërisht ndaj poezisë. Realiteti ynë shoqëror është më pak poetik se kurrë. A mund të na thoni se ku e merrni fuqinë dhe entusiazmin për të shkruar poezi?

Fuqia dhe entusiazmi përkatësisht çështjes në fjalë, janë dy elementë emocionalë që gjenden brenda dhe jashtë qënies. Sidomos, burim parësor është ai i brendshmi. Dhe jo vetëm parësor, por edhe emocionues. Siç e shprehët edhe ju, realiteti ynë shoqëror është më pak poetik se kurrë. Një realitet i tillë, doemos që në të shumtën e rasteve jo që nuk frymëzon, por përkundrazi dekurajon dhe thyen dëshirën për ta shfaqur poezinë.

Imagjinoni për momentin një realitet që shfaqet në një marrëdhënie nënë-fëmijë, ku përkushtimi për edukim ze vend të parë. Ose për shembull, një realitet që shfaqet në komunikimin e sinqertë dhe të pakushtëzuar të dy të dashuruarve, ose një realitet shfaqur në suksesin e merituar të dikujt në çfarëdo fushe të jetës qoftë, ose ose, që shfaqet në qëndrimet qytetare të brezave ndaj brezave, në akte fisnikërie të ndihmesës dhe korrektesës së pakushtëzuar, në komunikimin dhe marrëdhëniet e shtresave të shoqërisë, etj etj. Them “imagjinoni” sepse sa thashë nuk janë realiteti ynë dominues. Por, nëse do të ishte, fuqia e brendshme krijuese do të gjente një mbështetje të madhe dhe do të shumëfishohej duke ngarë drejt veprave dinjitoze artistike në përgjithësi dhe brenda tyre edhe ato letrare. Realiteti i sotëm nuk ndihmon qoftë edhe me interesin ndaj të lexuarit, e kjo është një sfidë që i bëhet fuqisë së brendshme. Por gjithnjë, ose që të mos e ekzagjeroj, kryesisht fiton fuqia e brendshme. Është fuqi që ta jep bindja dhe vetëdija mbi misionin. E, nëse je i vetëdijshëm për misionin, me apo pa atë interesin e lartë të të tjerëve ndaj letërsisë, do ta bësh atë! Dhe do ta bësh me të gjithë fuqinë që të është dhënë. Entusiazmi i bashkëngjitet krejt natyrshëm fuqisë dhe në një rast të tillë nuk mund të trajtohet më vete. Fuqia e ka komponent shoqërues e të pandashëm entusiazmin, mendoj.

Një arsye tjetër është se, të mendosh të bësh diçka vetëm pse thjesht shoqëria shfaq interes, vihesh pa kushte në pozitën e një tregëtari që prodhon mall sipas kërkesave të tregut, gjë që një krijues nuk e justifikon dot me asnjë argument. E, në qoftë ai argument “shërbimi ndaj masës së lexuesve” aq më keq denigron vërtetësinë e të bërit letërsi. Çfarë i përgjigjet interesit të publikut në letërsi, publiku le ta gjejë atje ku ai interes shfaqet, në morinë e zhanreve letrare dhe autorëve të ofruar me veprat e tyre.

Hartimi i një përmbledhjeje poetike si kjo juaja, ku mendohet të jenë përfshirë poezitë më të mira të disa librave, është një proçes i vështirë dhe i ndërlikuar.

A mendoni se keni bërë përmbledhjen më të mirë të mundshme?

Po. Mendoj se po. Por duhet theksuar se vërtet është një proçes shumë i vështirë. I vështirë për nga forma dhe përmbajtja, pasi edhe përzgjedhja si veprim më vete qëndron mbi kolonat e perceptimit dhe konceptit për shfaqjen e veprës në një nivel relativisht të lartë dhe po aq në unison të plotë. Të përzgjedhësh cila poezi është më e mirë dhe cila më pak e mirë, të përcaktosh se kjo poezi e meriton një vend në përmbledhje dhe tjetra jo, është e dhimbshme por jo e pamundur. Nevoja për të patur në një përmbledhje të gjitha poezitë erdhi pakuptuar dhe shumë e thjeshtë në fillim: nevojë për t’i patur të gjitha në të njëjtin libër. Por sa më shumë e më shpesh të lexosh për të përzgjedhur, aq më shumë rritet kërkesa për cilësi. Vëllim pas vëllimi qartësohet gjithnjë e më shumë një e vërtetë: një vëllim i dytë shfaq tipare të reja edhe më cilësore në krahasim me të parin; një vëllim i tretë po ashtu në krahasim me të dytin, një i katërt me të tretin, e kështu me radhë, deri sa vjen vëllimi me poezitë e reja të pabotuara ndonjëherë. Ja, kështu si proçes, që nxiti dhe bëri të domosdoshëm seleksionimin e poezive më të arrira.

Në këtë libër keni përfshirë edhe poezi të reja shkruar së fundmi. Duke patur parasysh faktin se proçesi i krijimit të poezisë shtrihet në një periudhë të konsiderueshme, si cilësia estetike edhe ajo teknike, pësojnë ndryshime. Mendoni se ekzistojnë hendeqe cilësore midis periudhave të ndryshme të krijimtarisë poetike?

Siç e thashë edhe më lart në përshkrimin që i bëra proçesit të përzgjedhjes së poezive, doemos që ka ndryshime cilësore. Së pari duhet nënvizuar se ndryshim cilësor do të thotë ndryshim në rritje i elementëve që e përcjellin poezinë si qënie të gjallë me frymëmarrje. E rëndësishme është që këto ndryshime të mos jenë aq të thella sa që të krijojnë hendeqe. Në këtë kuptim, për shembull për nga fryma, ideja, tema, boshti filozofik, imazhi, kadenca, aty këtu edhe couplet’i vargjeve, mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar të poezive të hershme nga ato të mëvonshmet. Madje do të thosha se ka nga ato të hershmet që ecin paralel me të rejat. Në rilexime i gjej tepër rezistente ndaj kohës dhe fenomeneve jetësore.

Ndërsa, për nga forma, vargu i lirë, përzgjedhja e fjalëve specifike, larmia e tyre, provokimi i mendimit, e ndonjë tjetër gjë që tani nuk më kujtohet, poezia e re ndryshon nga ajo e fillimeve letrare. Është si të thuash, kati i epërm i një ndërtese ku mund të ngjitesh vetëm nëpërmjet shkallëve, dhe ku çdo periudhë krijimtarie është një shkallë që e ngjit poezinë deri në atë kat.

A mendoni se poezia ka një rol të rëndësishëm në jetën e individit? Cili është ky rol dhe sa ndikon ai në cilësinë e jetës së brendshme të atij që e shkruan dhe atij që e lexon?

Mendoj, dhe jo vetëm mendoj, se poezia ka një rol të rëndësishëm në jetën e individit. Ka përvoja të shumta që shpalosin ndikimin e poezisë në jetën e individit. Por, për të mos sjellë këtu rastin e vogël dhe të veçuar të një individi, le të cilësojmë rolin që luan në përgjithësi poezia: Poezia e mbështet njeriun. Ajo qan bashkë me të për humbjen e njeriut të dashur; qesh me të në gëzimet e tij; i jep kurajo në raste vështirësish; e mbështet në iniciativat që ndërmerr; i rrëfen një rrugëdalje; i zgjon ide të pamenduara më parë; i kujton momente të spikatura nga jeta e vet; e përqafon kur nuk ka kush ta përqafojë dhe ia lehtëson dhimbjen kur as ilaçet nuk bëjnë efekt. Ka shumë të thuhen për këtë.

Ndërsa, sa i takon atij që e shkruan poezinë, të gjithave sa u thanë më lart për lexuesin, u shtohet një krye-element: të qënit burim i gjithë këtyre vlerave që lexuesi merr nëpërmjet poezisë së dhuruar.

Ju keni përfshirë në këtë antologji poezitë më përfaqësuese të pesë librave të mëparshëm, duke i ndarë në pesë kapituj. Vërej se titujt e atyre librave nuk janë të plotë. Pse?

Kur fillon të mendosh për një titull libri, i referohesh pak a shumë dhe zakonisht përmbajtjes në përgjithësi ose titullit të poezisë më pikante. Në pesë librat e parë, për të vendosur titujt, i jam referuar herë kësaj e herë asaj si më lart thashë. Përjashtim bën vëllimi i parë “Trokas në derë hedh hapin hyj” të cilin e kam titulluar pikërisht kështu për të paraqitur hapin tim të parë drejt botimit të poezive në një vëllim. Mirëpo, përmbledhur në një libër të vetëm, vëllime të veçanta do të “qëndronin” larg njëri tjetrit nëse nuk do të vendoseshin ura lidhëse midis. Në imazhin tim, këto ura që do të lidhnin brigjet e vëllimeve me njëri tjetrin ishin pikërisht titujt. Më duhej të bëja një kompromis ndërmjet: të ruaja thelbin e titujve origjinalë duke i përfaqësuar me një fjalë të vetme, dhe asaj që kjo fjalë e vetme të bëhej njëkohësisht edhe ura për t’u hedhur në bregun tjetër. Kështu, zgjodha një fjalë të vetme për çdo titull dhe pikërisht atë që, nga njëra anë i qëndronte librit përkatës më vete, dhe nga ana tjetër, njëkohësisht renditej natyrshëm në gjerdanin e kapitujve. Pa harruar asnjëherë se për nga forma titujt shkonin në unison me titullin përfaqësues të antologjisë që njëkohësisht është edhe titulli i vëllimit të ri të pabotuar më parë dhe që përfshihet në këtë antologji.

Kemi dëgjuar të thuhet se poezia është një ndër zhanret letrare më të abuzuara dhe se imitimi e plagjiatura po lulëzojnë. A jeni dakord me këtë konstatim?

Në konceptin tim, Poezia nuk është art demokratik. Është art aristokratik. Pastaj, se çfarë kuptoj me këtë, më duhet të sqaroj se nëse pasuria materiale të bën borgjez, ajo pasuri që të bën aristokrat është pikërisht të bërit artin e poezisë, gjë me të cilën nënkuptoj delikatesën dhe lartësinë shpirtërore, aftësinë ndjesore, emocionale, frymësore, si dhe finalizimin nëpërmjet dhuntisë për t’i shprehur këto me Fjalën!

Shoh, lexoj, përpunoj me mendje, argumentoj sipas rastit, gjithçka që vëmendja ime prek si poezi të publikuar, sidomos në rrjetet sociale, pasi kjo ka më shumë mundësi të përhapet me shpejtësi dhe t’i ofrohet më lehtë lexuesit. Poezia është e abuzuar: e abuzuar nga turmat letrare, nga pseudoshkruesit, nga ata që e lexojnë, nga pseudokritikët, nga vlerësuesit hierarkikë. Është e abuzuar edhe nga heshtja, e sidomos nga kjo e fundit. Në këtë lukuni të patalentuarish dhe plagjiatorësh, zëri i të talentuarit mbytet si bleta në ujë. Pa harruar mundësitë financiare. Ndër këta që përmenda, pseudoshkruesit janë më të parët abuzues, sepse nuk dinë ta bëjnë poezinë. Ata e keqshkruajnë atë dhe po ashtu rrezikojnë të hyjnë edhe në qorrsokakun e plagjiaturës. Sa për plagjiatorët, dëmi i tyre në botën e artit shkon përtej personales, specifikisht në fushën e poezisë. Sepse janë edhe pseudo edhe vjedhës, edhe hileqarë edhe mashtruesë. Këta janë edhe abuzuesit më të mëdhenj e më të vështirë në lëmin e poezisë.

Imituesi dhe imitimi si fenomen në letërsi, në konceptin tim, kanë tjetër interpretim nga ai që mund të duket në pamje të parë. Për shembull, imitohet një mënyrë të shkruari, një autor. Mendoj se është e pranueshme dhe shfaqet në rastin kur imitohet teknika, tematika, stili, dhe kjo ndodh përgjithësisht kur individi është në fillimet e veta letrare. Justifikohet deri në një moment kur pak a shumë arrin të kuptosh dhe të jesh i vetëdijshëm se cila është rruga jote, si do të ecësh në atë rrugë dhe deri ku të arrin shikimi në lidhje me perspektivën, deri në ç’pikë të horizontit mund të kapë syri yt.

Vjen një moment dhe nga imitimi mund të dalësh, e më pas të jesh vetvetja. Ndërsa nga plagjiatura nuk besoj se mund të dilet; më aq sa mund të dalësh nga një ves i neveritshëm. Ajo, pra plagjiatura, është vetja jote, përfaqësimi yt, dhe është e pamundur që një plagjiator të jetë krijues, aq më pak të bëhet i tillë në një rrugë të tillë. Një krijues e ka të përjashtuar kategorikisht plagjiaturën. E, nëse dikush thotë se është poet dhe nga ana tjetër bën plagjiaturë, kjo as më shumë e as më pak është mungesë respekti për veten. Pra, vij krejt dakord me konstatimin tuaj.

Do të doja mendimin tuaj në lidhje me zhvillimet e poezisë së sotme shqipe.

A mendoni se poezia shqipe ecën përbri poezisë bashkëkohore?

Si ashtu, si kështu, në përgjigje të pyetjeve tuaja të mësipërme, gjendet edhe përgjigja ndaj pyetjes se si po ecën poezia shqipe. Fakti që këtu u fol për shumë çështje mbi poezinë, tregon se problemi zjen. Por problemi zjen atje ku elementët e të vërtetës përplasen. E vërteta e pozitives që i kundërvihet negatives bën që të dalin në pah disa vlera në dukje të mohuara në ditët e sotme. Pozitivja këmbëngul, bërtet fuqishëm. Mendoj se poezia e mirë, ajo e të Bukurës dhe e të Vlefshmes, është! Por, nëse ka diçka që “po ia ha shpirtin” poezisë shqipe dhe nga e cila ajo po vuan, është kriteri i bashkëkohësisë. Poezia shqipe është shkruar bukur, madje shumë bukur, por gjithnjë me vonesë në raport me prurjet bashkëkohore të letërsisë botërore. Kriteri i bashkëkohësisë është kriteri i munguar. Arsyet?! Dihen dhe ende vazhdojnë të qëndrojnë me kokëfortësi. Por ky është një tjetër kapitull mbi letërsinë dhe problemeve të saj dhe i takon një tjetër paneli.

A keni tentuar të lëvroni ndonjë zhanër tjetër letrar?

Domosdo që po. Kam shkruar tregime të cilat janë botuar në revista e gazeta, një pjesë edhe në ato elektronike. Hëpërhë jam duke punuar me tregimet dhe përmbledhjen e tyre në një libër. Planet nuk mungojnë asnjëherë, por më mirë të flitet pasi të jenë realizuar.


45 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page