top of page

Poezia "Kënga në zjarr" e Fatmir Terziut një reflektim i ndërlikuar


Poezia "Kënga në zjarr" e Fatmir Terziut një reflektim i ndërlikuar

 

Nga Timo Mërkuri

 

 

Poezia "Kënga në zjarr" e Fatmir Terziut është një reflektim i ndërlikuar. Është i tillë, si reflektim mbi kohën, vetminë, dhe dashurinë e kaluar. Reflektimi i atilllë, pkërisht aty,  ku ndjesitë dhe mendimet shfaqen dhe shprehen përmes imazheve të fuqishme dhe simboleve të zymta. Përmes këtij universi poetik, Terziu eksploron idenë e ikjes dhe rikthimit. Në këtë itinerar kënga përfaqëson një forcë të vazhdueshme. Kënga mbetet në mes të një bote, që duket e vetmuar nga koha dhe brenga. Ja ndalesa ime në pesë pika si ndihmë për ta kuptuar më shumë këtë reflektim të ndërlikuar:

 

1. Stina e vjeshtës simbolizon një periudhë  të ngopur nga ciklet e jetës. Refreni i vjeshtës dhe rrugët me "hapa të skicuar, imagjinarë" krijojnë një atmosferë të rëndë të një bote që duket sikur është ngrirë në kohë, ku njerëzit dhe kujtimet duken të paqarta dhe të largëta. Nuk e di pse kjo poezi e Terziut më solli në vëmëndje deklaratën e astronautëve që u kthyen javën e kaluar nga kozmosi ku qëndruan 170 ditë, se ne banorët e tokës jetojmë një gënjeshtër.

 

2. Shtëpia "si një pacient i kthyer nga ringjallja" është një metaforë për një vend që dikur ishte i gjallë, por tani është i mbushur me heshtje dhe mungesë. Merimangat që thurrin rrjeta mbi objektet shtëpiake theksojnë braktisjen dhe  shkatërrimin që po ndodh përreth, pavarësisht se nuk e shohim qartë, duke sugjeruar një shpirt që është larguar nga realiteti.

 

3. Qentë e çmendur, që pushtojnë mbeturinat japin një imazh të degradimit, ku mbeturinat janë  mbetjet e jetës, fjalët e humbura që janë kthyer në pluhur dhe harresë. Ky kontrast midis njeriut dhe qenve që kërkojnë në mbeturina thekson një botë të  pashpresë.

 

4. Poezia e Terziut, si poezia e çdo poeti ndalet te dashuria, sepse së paku aty gjen shpresën dhe vizionin e jetës, por këtu poeti  e krahason atë, dashurinë, me baladat e lashta dhe legjendat për gra të murrosura në kala, duke treguar se dashuria shpesh përjetësohet përmes miteve dhe tragjedive. Kjo i jep dashurisë një hapësirë të ngurtësuar, ku ajo nuk është më një emocion i ndjerë, por një histori e mbetur në kohë, një kujtim gjithsesi i dhimbshëm.

 

5. Pavarësisht nga gjithë errësira që mbizotëron në  poezi, kënga është e vetmja që "ngrihet mbi re" dhe zë vend mes njerëzve, e vetmja forcë e gjallë që mbart jetën. Ajo përfaqëson shpirtin krijues, ndjenjën që ruan lidhjen  dhe afërsinë njerëzore e shkrin "akullin në botë.

 

Pra duke shkuar më tej në këtë analizë, shtroj mendimin se poezia “Kënga në zjarr” e Fatmir Terziut i qaset rrymës ekzistencialiste të modernizmit. Kjo, pasi poezia shqyrton tema të tilla si kuptimi i jetës, vetmia dhe degradimi shpirtëror në një botë të thyer nga koha dhe kujtimet. Kjo qasje reflektohet në mënyrën sesi poeti ndërton një ambient absurd, të zbrazët, të padukshëm dhe bosh shpirtërisht, ku individi përball një realitet të ashpër e të pakuptimtë, çuditërisht kërkon shpëtim përmes artit dhe këngës.

 

1. Në poezi shtëpia shfaqet si një vend i përhumbur, ku jeta ka ndalur, duke pasqyruar një gjendje të thellë izolimi shpirtëror:

 Vargjet:  - “Shtëpia si një pacient i kthyer nga ringjallja, terr mendimet në rrjeta të ngutshme, që thurr merimanga."; shfaqin një atmosferë të mbyllur dhe të ftohtë, ku izolimi është total, ndërsa jeta duket si një cikël i pafund, duke reflektuar idetë ekzistencialiste mbi absurdin dhe kuptimin e jetës.

 

2.  Përmes imazheve të qenve që kërkojnë në mbeturina dhe "lehjet, grisje asimetrike," poeti simbolizon një shoqëri në degradim, ku njerëzit dhe mendimet e tyre janë bërë fjalë të hedhura dhe të pavlera:

   Në vargjet: “Qenër të çmendur pushtojnë kazanin e mbeturinave! Jashtë tyre lehjet, grisje asimetrike, në kostumin e vjetër, të hedhur, që kthehet në pleh.”vërehet një qasje ekzistencialiste ku poeti trajton temën e dehumanizimit dhe boshllëkut të jetës urbane moderne.

 

3.  – Në ekzistencializëm, shpesh kërkohet  shpëtim përmes krijimit dhe ndjenjës. Në këtë poezi, kënga del si forma më ideale që mund të mbijetojë në një realitet të zymtë dhe absurd dhe kjo është provuar me rezistencën kohore të miteve e baladave, këngëve të ndryshme të dashurisë :

   - "Kënga, vetëm kënga ngrihet mbi re, me dashurinë na zë pritë.”   Pra  vetëm kënga përfaqëson një shpëtim nga absurdi dhe vetmia, duke ofruar një ngushëllim të thellë dhe një mënyrë për të ruajtur ndjenjat në një botë të zbrazët.

 

4. Poezia eksploron vetminë dhe distancën mes njerëzve, një temë thelbësore e ekzistencializmit. Kjo vërehet në vargjet:

  “Vetmia i shkel dhe i bën refren për larva.”; ky një varg që nënvizon idenë se vetmia është pjesë e pashmangshme e ekzistencës, ndërsa gjithçka tjetër kalbet dhe humb kuptimin.

 

Pa u zgjatur në analizën e mjeteve artistike le të ndalemi te përfundimi se Fatmir Terziu sjell disa elemente të reja dhe të rëndësishme në letërsinë shqipe me poezinë "Kënga në zjarr" pse shpalos një botë moderne të ndërthurur me ndjeshmërinë ekzistenciale dhe një simbolikë të pasur. Ky kontribut shquhet në disa aspekte kryesore:

 

1. Poezia e Terziut shquhet për një simbolikë dhe metaforizim të fuqishëm me reflektimet e ndërlikuara. Kjo poezi eksploron aspekte të përditshmërisë aktuale në vendin tonë, si qentë e çmendur dhe shtëpia e braktisur, duke u dhënë atyre kuptime të thella  shumë- dimensionale. Psh.  vargjet:

"Shtëpia si një pacient i kthyer nga ringjallja" dhe

- 'Kënga, vetëm kënga ngrihet mbi re"; përcjellin ide  të izolimit dhe zhgënjimit, por gjithashtu ofrojnë një ndjenjë shprese përmes këngës, e cila ngrihet përtej këtij realiteti. Kjo simbolikë  komplekse është një risi që pasuron letërsinë shqipe me një gjuhë poetike më të hapur ndaj interpretimeve të shumta e të larmishme.

 

2. Terziu paraqet një qasje moderne të jetës urbane dhe dekadencës, bashkudhëtare  me atë, një temë  relativisht e re në letërsinë shqipe. Përmes imazheve të qytetit modern, qenve që pushtojnë mbeturinat dhe rrugëve të zbrazura, poeti krijon një ndjesi të alienimit që karakterizon jetën moderne. Vargjet:

- "Qenër të çmendur pushtojnë kazanin e mbeturinave" shfaqin një mjedisi urban që është në kaos dhe degradim. Kjo një qasje bashkëkohore që e sjell letërsinë shqipe më afër realiteteve moderne të qyteteve dhe jetës urbane të cilat nuk kanë qenë shumë të pranishme në poezinë tradicionale.

 3. Kemi thënë dhe më parë që poezia e Terziut thellohet në temat ekzistencialiste, duke e sjellë këtë rrymë filozofike dhe artistike në qendër të letërsisë shqipe. Në vend që të trajtojë tema tradicionale kombëtare ose historike, poeti shtron pyetje më të gjera e delikate për ekzistencën, vetminë dhe kuptimin e jetës. Vargjet që shprehin jetën si një cikël absurd dhe izolimin shpirtëror, për shembull:

-"Vetmia i shkel dhe i bën refren për larva,"; tregojnë ndikimin e thellë të mendimit ekzistencialist, duke e bërë Terziun një zë të ri e të ndjeshëm në këtë kontekst në letërsinë shqipe.

 

4. Ndërsa letërsia shqipe shpesh ka qenë e përqendruar në temat kombëtare, përkatësinë dhe identitetin, Terziu krijon një botë poetike universale. Ai largon lexuesin nga kufijtë kombëtarë dhe hap rrugën për trajtime më abstrakte dhe universale të ndjenjave njerëzore. Poezia e tij nuk është e kufizuar në hapësirën shqiptare, por dialogon me letërsinë moderne ndërkombëtare.

 

5. Në këtë poezi, Terziu ndërthur realitetin e ashpër urban me elemente të miteve dhe legjendave. Kjo prirje për të lidhur aktualen me përjetësinë, si te vargjet:"Dashuria të kujton baladën e vjetër për ndonjë kala ku pritet të murroset ndonjë grua e re"; shfaq një  dimension të ri të krijimtarisë së Terziut duke sjellë një formë të re përjetimi të realitetit përmes  mitit. Në këtë mënyrë, Terziu sjell një ndjeshmëri të veçantë ndaj trashëgimisë kulturore, por e bën atë më të ndërlikuar dhe më shumëkuptimore.

 

Unë ju kam thënë që Terziu është një poet shqiptar modernist dhe kjo poezi kështu e sjell portretin e tij krijues.

 

Sarandë, shtator 2024

 

Kënga në zjarr

Nga Fatmir Terziu

 

Shtator. Bota përsërit refrenin e vjeshtës,

rrugët bymehen nga hapa të skicuar, imagjinarë.

 

Shtëpia si një pacient i kthyer nga ringjallja,

terr mendimet në rrjeta të ngutshme,

që thurr merimanga

mbi korniza, orendi, abazhure, mure, albume.

 

Kuit e padukshmja. Dorreza e derës

që mbyllej nga dashuria, puthja, e britma pa theks

është shtrirë, e dorëzuar,

e panevojshme për më tej.

 

Qenër të çmendur pushtojnë kazanin e mbeturinave!

Jashtë tyre lehjet, grisje asimetrike,

në kostumin e vjetër, të hedhur, që kthehet në pleh

në cepin e rrugës vetëm fjalët e mbetura,

si zebra të lagura nga shiu, vetmia i shkel

dhe i bën refren për larva.

 

Vargje të çuditshme thërrasin,

dashuria të kujton baladën e vjetër për ndonjë kala

ku pritet të murroset ndonjë grua e re,

që pret të hyjë patjetër në ndonjë legjendë, a mit,

kënga, vetëm kënga ngrihet mbi re,

me dashurinë na zë pritë,

si asgjë, brenga largësish mes nesh.

 

Re shumëngjyrëshe lundrojnë nëpër mendjen që prek ullok,

shirrat e mbarsura në bulevard

spërkasin me borzilok

ekranin që heshtjen e flet nga larg,

e zemra, po shkrin akullin në botë,

kënga në zjarr!

 

16 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page